Për Besmir U.

Të tre kishin hipur mbi krevat dhe hovnin përpjetë duke qeshur. Niku, me nënkresë në dorë ua vërshonte më të voglave që kukurisnin pa pushim.

- Nik, vrap me u la ! Lëshoi vërtik topin e sfungjertë dhe vërejti mollëzat e gishtërinjve të tij të shënjuara mbi këllëf. Nëna ia derdhte ujin në kurriz ndërsa i kruante fort kokën. Atij i dhembte në shpirt por nuk bënte zë.

- Nënë, më vret! - tha këtë herë me dhëmbë të shtrënguar.

- Duro dhe pak, se nuk je minuk. Hajt, mbarova ,– tha më në fund nëna kur kishte përfunduar dhe me këmbët.

Pasi të ishte tharë, do të kruspullohej në krevat dhe ashtu do ta zinte gjumi, ndërsa motrat e tij do të vazhdonin akoma lojrat me çarçafë. Atë natë ai ëndërroi ujëvarë.

- O gjumash, zgjohu! Kam 1 orë që të pres. çohu se s’të pres më! Hapi njërin sy dhe vërejti kokën si tullumbace të Tonit mbi parvaz.

- Erdha, po duro pak , – murmuriti përgjumur.

Në dhomën ngjitur, cdo ditë nëna e Nikut qante pazëshëm para një fotografie të vjetruar, dhe Toni për t’i bërë bisht takimit me të kish filluar t’ia bënte zgjimin nga dritarja e dhomës së gjumit.

- Nik, pse qan kaq shumë nëna jote? – e kish pyetur pa të keq, një ditë. Me zë dridhur nga inati dhe me kokën lart i ish përgjigjur – për babën që është larg. Por ty s’ka çfarë të duhet. Ti shih Manen tënde që është bërë si memece. Toni kish ulur kokën, ndërsa Niku ish penduar menjëherë për atë që kishte thënë. Kish mbledhur një kanoçe nga toka dhe ia kish futur në qesen e tij si për të kërkuar falje. Tjetri i kish buzëqeshur e dhënë një grusht të lehtë si për t’i thënë që nuk i kish mbetur qejfi.

Ai ishte shoku i tij më i mirë, megjithëse ia prishte gjumin kur ai kishte qejf të flinte pak më shumë. I kish mbetur zakon që nga koha kur shkonte në shkolle; zgjohej gjithmonë në orën shtatë. Më mirë që ma bën herët zgjimin, mendonte Niku, sepse në verë, vapa në fushat plastike bëhej e padurueshme.

- Ton, kam parë një ëndërr t’bukur ...

- Edhe unë, edhe unë – e ndërpreu me fort zell . Prit të ta tregoj. Pashë sikur kisha gjetur shumë lekë hekuri, por nuk mundesha t’i mbaja në shpinë se ishin shumë të rënda. Po ti t’kishe mbushur xhepat – ia priti Niku me mospërfillje pasi ia kish dëgjuar ta tregonte dhe herë të tjera këtë që ai e shiste si ëndërr të re. Në mos qoftë e sajuar – kish thënë vetmëvete. Toni e pa pak i habitur e i vinte plasja që nuk e kishte menduar këtë gjë ... ktheu kokën pas dhe mbasi u përmend e pyeti Nikun, - Po ti ?

- Një ujëvarë që më binte kollaj mbi trup. Kaq. – tha dhe e mbylli mbasi shoku i’a kish prishur qejfin.

- A, ta paska hequr mirë ndryshkun!– tha Toni dhe duke iu frikur reagimit të Nikut u largua me vrap.

- Po të kapa e di vetë cfarë të bëj ... do të të shtyp si morr ... Ton! A më dëgjon?... si morr! Ai ndërkohë ish zhdukur.

- Ton, ku u fute? – thirri Niku dhe pasoi me zë të bute – Dil mor burrë se s’të bëj gjë. Ton! Ta mora thesin dhe ika, po dil! Ndërsa ecte nga grumbulli në grumbull duke kërkuar se mos pikaste bluzën e verdhë që vishte gjithmonë shoku i tij, sytë i shkuan tek një varëse me rruaza që dukej në gjendje të mirë megjithëse në mes të pisllëkut.

- Ton! Shih çfarë gjeta! – thirri ai, por asgjë nuk ndihej. Kjo do t’i pëlqente shumë nënës mbasi karficën flutur që ai kish gjetur pak kohë më parë ajo nuk e kish vendosur asnjëherë në flokë. Do t’i pëlqejë patjetër! mendoi dhe u përkul për t’i marrë. Ujëvara vërshoi mbi të, po kësaj radhe me peshën e argjendtë të ëndrrës së Tonit. Më pas një shtypje. Një shtypje.

9 Komente

smiley

Po na e jepni trishtimin me doza elefantesh sot.

square subjekti eshte fisnik (sot eshte disafish i rendesishem) dhe ideja & nderthurja e endrrave e bukur por shkrimi vuan pak nga vuajtja e autorit, nga stresi per ta thene fjalen e fundit, dialogjet e fillimit te lexuara shume here me pare dhe ideja e gjetjes se dhurates per nenen disi klishe. ndersa dinamika mes cunave vinte natyrshem, rridhte. t'i them keto sepse do te doja te te lexoja ne vazhdimesi dhe sepse prej teje zakonisht vjen nje fryme origjinaliteti qe s'do ta doja te kapur ne rrjeta te vjetra apo te shtyre nga padurimi.

Smile te jam mirenjohes

Square e ke parë atë filmin korean "When I turned nine"? Nëse jo, më thuaj si mund ta dërgoj kshu me mjete elektronike, nëse ka ndonjë website etj... Hiç mu kujtua nga kjo që ke shkruar këtu.

nuk e kam pare por e gjeta online ketu 

me pelqeu shume trecereku...fundi jo dhe aq. mbase ceshtje shijesh, po prisja te vazhdonte me gjate dhe te ishte me shume nje zhbirilim i brendshem (sic eshte me shume se gjysma, so well done) sesa nje statement.

shkruaj me shpesh kutishtyres smiley

 Me pelqeu per nga emocioni qe sjellin femijet ne raport me nenen pa babain, po me duket pak si e ceket ne emocin.......fundi te pakten sipas meje, duhej te zgjatej pak dhe te kishte me shume emocion, jo per klishe, po te mbyllte me sukses ate emocion qe duhej te percillte.....

ps

Nje emocion te tille e kam perjetuar vete, dhe sikur te ishte sikur e thashe......do te thosha se ta kam dhene une......idene.....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).