Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ngjan sikur po bën një rishqyrtim të pasurisë filmike, fotografike apo e të dhënave të rezervuara në disa dekada. Edhe rinovimi i faqes zyrtare të internetit përcjell këtë frymëzim të ri e të vonuar ndaj trashëgimisë që ruhet aty e që nuk është thjesht kombëtare. 

Botimet janë një formë e përpunimit dhe promovimit të memories së AQSHF. Ato vuajnë mungesën e konceptimit sipas kritereve të botimeve arkivore, dhe materiali vizual shpesh çohet shkon dëm me mënyrën jokorrekte të prezantimit. 

Në dhjetë vitet e fundit janë botuar histori të kinemasë, guida të filmit shqiptar, monografi e katalogë për regjisorë, aktorë e operatorë karriere. E reja nga kjo fushë është një guidë mbi kinemanë vetëm për kryeqytetin shqiptar përgjatë 85 viteve. 

"Arti i shtatë në Tiranë" me autor Spiro Mëhillin, hartues i disa librave, kryesisht monografi mbi figura të Tiranës së vjetër, u prezantua dje në Arkivin e Filmit. 
Ai shkruan një histori për objekte që as rrënojat s'u kanë mbetur, një histori të atyre që s'janë. Por janë kujtimet si fillim, janë arkivat, shtetërore e personale, bashkëkohësit të gjallë e të vdekur që kanë dëshmitë.

Mëhilli përcjell kontrastet e historive për kinematë e kryeqytetit që do të thotë transformimet që pësuan në kohë, ndërrimin e funksioneve, nga vende kulturimi në vende dënimi apo në vende ku merrej një kulturë masive që nuk i ngjante më atij modeli që kishin dashur ata që i ngritën.

Rasti i kinemasë së parë e të vërtetë në Tiranë, e quajtur "Nasional" bart fatin e gjithë të tjerave. "Nasional" është model i marrëdhënieve të shtetit me sipërmarrësit privatë që investuan mijëra napolona në këtë lloj kulture. 

Projektimi i kinemasë teatër zë fill në muajt e parë të Tiranës kryeqytet, më 1925. Inxhinieri Xhuf Koljanka, industrialisti Alqi Hobdari dhe deputeti Ferit Vokopola, krijuan në verë të këtij viti shoqërinë aksionere Kino-Theatër "Nasional". Është Shoqëria e Parë Kinematografike. 

Për ta mbajtur në këmbë këtë sipërmarrje i kërkuan mbështetje qeverisë, duke argumentuar se qëllimi nuk ishte tregëtia por ngritja e nivelit artistik e kulturor të vendit. Kërkesa u refuzua, por Hobdari dhe Koljanka, këmbëngulin dhe i kujtojnë Këshillit të Ministrave se arsyet që i shtynin të ngrinin një "vepër të shenjtë" duke vënë në rrezik mijëra napolona, ishte ideali patriotik.

Verën e vitit 1926, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin mbi subvencionimine shoqërisë Kino-Thetare "Nasional":

"Tue marr parasysh iniciativën tepër me rëndësi të shoqërisë Kinema Teatër "Nacjonale" për të çelur një Institut Artistik i cili ka për të zhvillum ndjesi artistike të popullit dhe ka për t'i shërbyer mjaft çështjes së edukatës së brezit të ri, tue e larguem këtë nga çfaqësimet e pa adaptueme me edukatën e moralin e duhun, e shofim tepër të nevojshme qi t'i vehen lehtësimet e duhuna këtij instituti për t'u mëkëmbuem brenda nji kohe të shkurtër. Me qëllim pra, qi t'i jepet nji ndihmë kësaj shoqnije tash në fillim e sipër, e cila detyrohet të bamë sakrifica të mëdha financiare dhe tue ditun se derisa të stërvitet populli ynë me të këtilla të çfaquna serioze, ka për të kërkuem një kohë e gjatë në të cilën shoqnia nuk mund të nxjerrij shpenzimet e në këto vjete e para, e gjejmë t'arsyeshme t'i bahet ndihma në këtë mënyrë qi parashifet në projektligjen e bashkangjitur. 

Sipas zotimeve të bame, shoqnija ka për të sjellun filam të veçantë për nxënësit e shkollave, të cilët do të hyjnë gratis krye pesëmbëdhjetë ditësh dhe kjo gjë ka për të qenë tepër e dobishme për mësimet e ndryshme të shkollës, tue i bamun këto konkrete ashtu si janë tue u ba në të gjithëvendet e qytetënueme. Veçanërisht dihet se zhvillimi i ndjenjave artistike serioze në popull ka një rëndësi të veçantë mbasi djelmënia sot tërhiqet nëpër kafeshndanet dhe gazino ku nuk ndigjon gja tjetër veç kangave të huaja dhe të papajtueshme me moral.

Çelja e nji instituti të ri me parime artistike kombëtare ka për të rritur moralin e popullit dhe ka për të stërvitun këtë me shijue vepra të nji arti të vërtetë të bazuem në forcën e edukatës kombëtare. Përveç kësaj, elementi femnuer, i cili deri më sot nuk e ka pasur fatin me marr pjesë nëpër çfaqësina kinema-teatrore, po i jepet rasti qi mund të shijojë vepra artistike dhe në këtë mënyrë familja shqiptare do të mund të hedhin hapat e para në parimin e dëshirueshëm tue iu afruem jetës occidentale...

Drejtori Përgjithshëm, P.Pogoni d.v".

Kinema Teatër "Nasional" hapet më 22 qershor 1926. Me 600 vende, me lozhë e galeri. Spiro Mëhilli thotë se "Nasional" foton e të cilës e ka zgjedhur për kopertinë të librit, mbetet kinemaja më e mirë në historikun e kinemave që ka patuar Tirana. Ajo nisi me projektimin e filmave memecë, me dy aparatura projeksioni të markës "BAYER" dhe "ZEISS". Atë vit kryeqyteti numëronte 2816 shtëpi me 16513 banorë, nga këta 12513 vendas dhe 4000 të ardhur me statusin e ri që fitoi Tirana.

Më 1930 "Nasional" u bë pronë e vëllezërve Beshiri. Nga të ardhurat, pronarët i detyroheshin shtetit një taksë prej 10 franga ari në ditë. 
Në vitin 1939 objekti u dogj, dëmi ishte 500 napolona. U mëkëmb shpejt, në vitin 1940 dhe ndërroi emër. U quajt Kinema "Rex". Kishte sërish 600 vende. Inaugurimin e saj e bëri mëkëmbësi i mbretit, Francesco Jacomoni. 

Kur autori Mëhilli thotë se "Nasional" ishte më e mira, ka parasysh parametrat modernë të objektit, kushtet e ngrohjes dhe ftohjes, po edhe të higjienës. Kinematë në përgjithësi ishin nën mbikëqyrjen e një ekipi të bashkisë. "Të mos flasim për gjendjen e mjerueshme ku u katandisën kinematë në periudhën e regjimit, WC-të e tyre në vitet shtatëdhjetë", shton autori.

Kjo pasuri kulturore dhe arkitekturore e kryeqytetit, me emrat "Rozafat", "Parisi", "Kursali", "Ideali", në vitin 1967, ishte rrudhur deri në 3 kinema. 
"Nasionalin" e famshëm, thotë auori, që kishte marrë tashmë emrin e tretë politik "Kinema "17 Nëntori", do të mbahej mend për gjyqet popullore. Në vitet 2000, në gjurmën e tij të fundit u ngrit një qendër tregtare. 

Për këtë guidë që bashkë me objektet tregon edhe repertorin filmik, Spiro Mëhilli merr shkas nga kujtimet e tij të fëmijënisë. I ati, Vasil Mëhilli, ishte biletashitës në Kinema "Gloria" (Imperial dhe Republika më pas) dhe në vitet 1934-1935, përgjegjës i kinemasë. Te kjo vepër e inxhinier Strazimirit, punoi operator edhe xhaxhai i tij, Andrea. 
Autori ka mbledhur dëshmi nga pasardhës të ish pronarëve të kinemave të para në Tiranë, Nuri Beshiri, Nasi Hobdari, Reshat Qosja, Halit dhe Ali Sheqeri dhe Njazi e Bardhyl Lleshi, Igli Kamber Bego, Aleksandër Janku etj.. 

Lufta dhe paqja

Kinema Imperial ne vitet e Luftes e Dyte Boterore.jpg (473×300)Frekuentimi i kinemave në vitet luftës ishte i admirueshëm. Nga argëtimet e rregullta që gëzonin të huajt të cilët shkonin në mënyrë të organizuar. Pas vitit 1939 Italia ishte vendi kryesor për importin e filmave nga Italia. Situata ndryshoi disi gjatë pushtimit nazist, kur administratorët iu kthyen prurjeve nga vende të ndryshme të Europës dhe Amerika. E rëndësishme ishte që distribucioni në Tiranë të ishte i tillë që të respektohej larmia, jo një film në kinema të ndryshme. Pas vitit 1945, gjithçka u përmbys. 

Skënderbeg për dimër, Skënderbej për verë 

Me emrin e heroit kombëtar Tirana kishte dy kinema, një dimërore "Skënderbeg" që ndodhej në Rrugën e Elbasanit, dhe "Skënderbej" kinema verore që siç shihet nga fotoja ndodhej pranë sheshit. Pronë e Sheqerajve e cila në vitin 1947 pati fatin e gjithë kinemave private: u konfiskua nga shteti. Në Bulevardin "Zogu I" ndodhej edhe Kinema "Donika", gjurmë të të cilës nuk ekzistojnë. Ishte tipike për kinematë verore, që pjesa e ekranit dhe kabinës së shfaqjes së filmit të mbulohej me një copë, që të mos dukej drita, sidomos në kohë lufte.

Elita te "Savoja"

Kinema-teatër "Savoja" (më vonë "Kosova", pastaj Teatri Popullor), ishte kompleksi multikulturor më i preferuar që ishte ngritur nga arkitektë italianë si një vend çlodhjeje për komunitetin e të huajve në Tiranë. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).