Në këto ditë të nxehta politike, fjala “stabilitet’ është përdorur rëndom nga politikanë dhe intelektualë të pushtetit, të cilët duket sikur kanë zbuluar konceptin triumfues përkarshi atyre që denoncohen si destabilizues të vendit. Por le të vazhdojmë logjikën e tyre e të shtrojmë të njëjtën pyetje për të gjithë shoqërinë, por kësaj here me një luhatje të lehtë morfologjike, kujt i intereson që Shqipëria të jetë stabël?

Sigurisht që nëse vendosim të jemi logjikë, e të paktën për një herë të sinqertë me veten, e kemi fare të lehtë të identifikojmë grupet apo personat që u intereson stabiliteti. Berisha është i pari i tyre, si Kryeministër, logjika të thotë që këtij individi e familjes së tij i intereson që mos ketë trazira. Po sigurisht pas këtij vijnë gjithë ministrat e deputetët e PD, të cilët duke qenë në pushtet u intereson stabiliteti. Po aq stabiliteti u intereson biznesmenëve, që kanë siguruar gjatë këtyre viteve vila përrallore, të ardhura marramendëse nëpërmjet lidhjeve me politikanë të pushtetit, që logjikisht nuk do të donin kurrsesi t’i humbnin, pra dhe këtyre pa asnjë dyshim u intereson të ruhet stabiliteti, sepse mes tij, ruhet status quo-ja politike, që do garantonte vazhdimësinë e jetës së tyre luksoze.

Por jo më pak i intereson stabiliteti asaj që konvencionalisht në Shqipëri e quajmë “shoqëri civile”, jo vetëm sepse në aspektin filozofiko-politik, shoqëria civile është legjitimuese e pushtetit, por në rastin tonë dhe për një arsye më banale, sepse pushteti i Berishës, akordon miliona euro, që “ata” të flasin mirë në mediume për “ate”. Pa lënë mënjanë që stabiliteti, është buka e përditshme e dhjetra drejtorësh politikë drejtorish nëpër ministrira, që me këtë fjalë lidhin mirëqënien imediate për veten e për familjet e tyre. Për të mos folur pastaj për bizneset shfrytëzuese e multinacionalet shushunja që ekzistencën e tyre e ndërtojnë mbi stabilitetin.

Ndërkohë,po të vazhdojmë rrugëtimin tonë naiv, duke e bërë pyetjen provokative, kujt nuk i intereson stabiliteti? Këtu e kemi pak  më të lehtë të kuptojmë se kujt nuk i intereson, mjafton të hedhim sytë tek njerëzit që na rrethojnë. Nuk i intereson të papunit, në mënyrë të logjikshme sepse do dëshironte të kishte një punë. Nuk i intereson atij që punon dhjetë orë në ditë për më pak se 90 mijë lek, sepse nuk ia del dot të ushqehet, ashtu sikurse nuk i intereson pensionistit. Nuk i intereson shtresës së mesme, e cila jeton në një apartament me kredi që me shumë mundësi do mbarojnë se paguari fëmijët e tyre, e taksohet njësoj si ai që u a ka shitur apartamentin. Nuk i intereson stabiliteti biznesit të vogël familjar, që punon gjithë ditën për të siguruar vetëm ditën që do vijë, e skallavërohen me zinxhirë tatimorësh sa herë shteti ka nevojë për para. Stabiliteti nuk i intereson studentëve që nuk kanë një familje të pasur, sepse diplomat e tyre, do bëhen arsye depresioni për të ardhmen, më shumë se perspektivë.

Po ku qendron problemi, do pyes dikush, në demokraci ka gjithmonë një grup që është më i pakënaqur se tjetri? Problemi qendron pikërisht tek koncepti më i rëndësishëm “demokracia”, e cila duke qenë në perspektive sundimi i shumicës, e sheh veten nën sundimin e pakicës. Problemi qendron që grupi që deshiron stabilitet, pra status quo, përbëhet nga vetëm 7% e shoqërisë, e grupi që kërkon destabilizimin e këtij stabiliteti mashtrues përbën 93% të saj. Për së paku në çmendurinë tonë, le të mos përfshimë termin “demokraci” apo “vend demokratik”, sepse nuk jemi të tillë, e menaxhimi i zgjedhjeve sado i mirë të jetë sa kohë do krijojë këtë diferencë sociale nuk do mund kurrsesi të legjitimojë termin “demokraci”. Një ide që dhe në 2011, është e aftë të mobilizojë miliona njerëz në vendet më autokratike të Botës. Një ide që sot nuk po zhvillohet në institucionet “stabile” europiane, por në sheshet e Madridit, Parisit, Athinës, Milanos, Barcelonës. Europës së njerëzve të vërtetë, jo burokratëve, pikërisht asaj Europe, që i mesoi botës çfarë është Demokracia atëherë e po i mëson sërish botës, së çfarë ata nënkuptojnë me Demokraci sot.

Shumë intelektualë-politikanë të pushtetit, sot në këto ditë të nxehta të politikës na kërcënojnë me 97, për të na strukur nëpër shtëpi, por harrojnë të na thonë, se në 97, faji nuk ishte i popullit që u derdh në rrugë, përkundrazi, faji ishte i Berishës, që pasi e vodhi popullin të cilin drejtonte, nuk ishte i gatshëm as ta dëgjonte. E nëse ne duam të kërkojmë stabilitet, atëherë mirë është që të tërhiqemi nga fjala demokraci, e ndoshta dhe nga fjala kapitalizëm, sepse pikërisht këto dy ideologji dinamike, stabilitetin nuk e njohin si pjesë përbërëse të tyre, nëse jemi vërtet në kërkim të stabilitetit, atëherë mirë do ishte që të fillonim të krijonim një realitet Enverist, apo në rastin tonë Berishist, e të strukeshim për 50 vitet e ardhshme nën këtë zhguall.

Por Enverizmi në Shqipëri nuk do të kthehet kurrë, këtë e di Hysni Milloshi, ashtu sikurse Berisha e di që ‘97 nuk përsëritet me, frika që kanë ata, është që revolta në kërkim të drejtësisë sociale, nuk është fenomen historik, por prodhim i vullnetit, e si e tillë është e pashmangshme që të ndodhë. Stabiliteti i tyre, është fjala elegante për të përshkruar vargonjtë që i kanë hedhur popullit, por kanë harruar që një popull që për të humbur ka vetëm vargonjtë, është një popull që çdo mëngjes do zgjohet triumfator, e ky 7% politikanësh, biznesmenësh, intelektualësh prej shoqërie civile, bën mirë të fillojë të trembet seriozisht.

Leart Kola

13 Komente

Stabilitet sui generis.

Shkrim shume i  mire.

 Te gjitheve !

 Stabiliteti, u intereson vetem atyre qe kane interesa ekonomike shume te medha qe kane lidhje te dyshimta me qeverisjen aktuale...jane po keta qe bejne lobingje te ndryshme, prane qeverrive amerikane dhe evropiane pro qeverise shqiptare, te tille si Grosschuku, Wesley Clark, ( qe ka biznesin e kasinove, ketu) Podesta Group...Damir Fazlliçi, etj, etj.....

Neser avazi......

Stabilitetin nuk e do vete politika. Ujku mjegull do. Prandaj deri me sot nuk eshte denuar asnje politikan i larte, pervecse ndonjerit per meri personale. Po te kete stabilitet ka ligj. Dhe po pati ligj politikaneve tane nuk ja ka nevojen me njeri. Prandaj eshte edhe ghithcka politike, gjyqesor, sindikata, shoqeria "civile", dhe prandaj ska e po te vazhdohet keshtu sdo kete stabilitet.

 Shikoj në tv se çfarë bëhet rrugëve të Athinës, dëgjoj njerëz të flasin për problemet, analistë, politikanë... vetëm një gjë më vjen në mendje: sa vite e vite pas është Shqipëria. Komplet në terr. 

 

I vetmi njeri qe i intereson si stabiliteti, edhe instabiliteti  eshte Berisha. Eshte i pakercenuar nga askush ne te dyja situatat. Ai vete i ka ne dore te dyja t'i perdore sipas interesit.

Jemi nje popull injorant dhe driteshkurter dhe ky eshte plusi me i madh per Berishen.

 

Autori duhet te percaktoj qe ne fillim se cfare nenkupton me stabilitet. 

Sepse une nuk di se si ne periudha jo-stabile te papunet gjejne pune, debitoret ndaj bankave shlyejne kredite, bizneset e vogla gjenerojne te ardhura per tu zgjeruar etj. Perkundrazi, sic e tregojne krizat ekonomike, keto jane shtresat qe goditen me shpejte, te tjeret kane ku te fusin koken. 

Ne fakt ata duan stabilitet me shume se kushdo. Ju intereson te ndryshoje regjimi. Dhe si ndryshohet regjimi duhet te jete pyetja, e jo se kujt i intereson stabiliteti. 

Dy gjera qe mendoj se ky shlrim i ka kapur gabim.

 

E para - Nuk mund te krahasosh Stabilitetin me Status Quo-ne. Mund te kesh stabilitet qe eshte ne ndryshim, dhe Statuquo te nje gjendje jo stabile. Shqiperia hyn ne kete te dyten

 

E dyta- Auitori mendon se Shqiperia ka STABILITET?

 

Qe ketu per mua i tere shkrimi eshte gabim.

Pastaj kur flet per demokracine sepse me kujtoj "Komunizmin" e Leninit/Stalinit/Hoxhes e MAo Cedunit I vetmi ndryshim qe tani fjala Intelektual burokrat eshte zevendesuar me Shoqeri Civile burkorate. C'te bejme me keta te shoqerise civile? ti cojme ne fshat per riedukim? Te sjellim kllasen punetore dhe Fshatarsine Kooperativiste ne qytet Dhe  ministre te bejme motren e Lenka Cukos?

Ajo fotografia me njerezit me grushte lart tek ky blogu sepse i shkon shume per shtat  ketij shkrimi

Leart mendoj se ke gabim.

Eshte sarkastik si shkrim. une keshtu e lexova. Stabiliteti qe do te ruaje me cdo kusht mafia ne pushtet eshte sui generis, stabilitet alla shqiptar, asgje te perbashket me normalitetin. Prandaj dhe pamja duket krejt e permbysur, sepse gjithe shkrimi eshte ngritur mbi nje paradoks logjik: ky lloj "stabiliteti" nuk ndihmon asfare zhvillimin.

 

Ne qofte keshtu jo keq si shkrim

Mbas eme satire flet edhe per shoqerine civile te Bathores. Akoma me mire po te jete keshtu

FLMN

o cuna spaskeni kap projekte kohet e fundit?

 Shkrim shume i mire!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).