Dje isha në Madrid dhe mëngjezin e shijova së bashku me mbretin tim. Nuk dua të më keqkuptojnë: edhe pse jam një republikan i thekur, dy vjet më parë u emërova dukë i Mbretërisë së Redondas (me titullin Duque de L’Isla del Dia de Antes) dhe këtë titull dinjitar e gëzoj së bashku me Pedro Almodovar, A. A Byatt, Francis Ford Coppola, Arturo Perez-Reverte, Fernando Savater, Pietro Citatin, Claudio Magris, Ray Bradbury dhe ca të tjerë. Në njëfarë mënyre, të gjithëve na bashkon simpatia që ka mbreti për ne.

Që thoni ju, ishulli i Redondas ndodhet në Inditë Perëndimore, zë tridhjetë kilometra katrore (sa një shami dore), është krejt i pabanuar dhe besoj që atje nuk ka vënë ende këmbë asnjëri nga monarkët e tij. Më 1865 ishullin e bleu një bankier, Metju Daudi Shill (Mattheu Dowdy Shiell) dhe i kërkoi mbretëreshës Viktoria që ta kthente në mbretëri autonome, gjë që madhëria e saj hirplotë e bëri menjëherë, ngaqë nuk shihte ndonjë kërcënim për perandorinë koloniale britanike. Përgjatë viteve, ishulli kaloi në duar monarkësh të ndryshëm, ca prej tyre e shitën titullin disa herë duke shkaktuar sherre mes mëtuesve (në doni të dini historinë e gjithë dinastive kërkoni Redonda tek Wikipedia) dhe, më 1997-ën, mbreti i fundit hoqi dorë nga froni në favor të një shkrimtari të famshëm spanjoll, Javier Marias (shumë i përkthyer edhe në Itali), i cili nisi të emërojë dukë, në të djathtë e në të mëngjër.

Ja, kjo është historia që bie pak erë çmendurie patafizike, por, në fund të fundit, të bëhesh dukë nuk është një gjë që të ndodh përditë. Megjithatë, nuk e kisha këtu fjalën: problemi është se në muhabet e sipër Marias tha një gjë, për të cilën ia vlen ta vrasësh pak mendjen. Po bisedonim për faktin e njohur që njerëzit janë gati të bëjnë edhe dokumente të rreme mjaft që të dalin nëpër ekrane, qoftë edhe si puna e atij torollakut që ta bën me dorë nga prapa personit që intervistohet.

Kohët e fundit në Itali, vëllai i një vajze të masakruar barbarisht, i dëshpëruar ngaqë nuk e pati nderin që kronikat t’i kushtonin vëmendjen e merituar, shkoi tek Lele Mora dhe i kërkoi ta ftonte në një program televiziv, për të bërë emër me ngjarjen tragjike; dimë edhe raste kur, mjaft që të dalin në faqet e kronikës, e njerëzit janë të gatshëm të deklarohen brinarë, impotentë, batakçinj. Për psikologët kriminalistë nuk është i panjohur fakti që vrasësit serialë i kryejnë krimet nga dëshira për t’u zbuluar dhe për t’u bërë të famshëm.

Përse kjo marrëzi, po pyesnim njëri-tjetrin. Marias hodhi mendimin se ajo që ndodh sot lidhet me faktin që njerëzit nuk besojnë më në Zot. Njëherë e një kohë njerëzia kishin bindjen se çdo veprim i tyre nuk i shpëtonte dot të paktën një Shikuesi, që ua këqyrte veprimet (edhe mendimet, madje), mund t’i kuptonte dhe, sipas rastit, edhe t’i dënonte. Mund të ishe i braktisur, humbalaq, një derëmbyllur që s’ta varte njeri torbën, e që me t’i kthyer patkonjtë diellit, brenda minutës, do të harronin të gjithë, por ama mbetej bindja se ta paktën Njëri dinte gjithçka për ty.

“Një Zot e di sa kam vuajtur”, ofshante gjyshja e sëmurë dhe e braktisur nga nipçet, “Zoti e di që jam i pafajshëm”, ngushëllonte veten i dënuari i pafaj, “E di Zoti ç’kam bërë për ty”, i thoshte nëna birit mosmirënjohës, “Një Zot e di sa të dua”, bërtiste dashnori i braktisur, “Vetëm Perëndia e di ç’kam hequr”, qahej fatziu, për gjëmën e të cilit s’e çante njeri kokën. I Gjithpushtetshmi thirrej gjithmonë si syri që nuk i shpëton gjë, vështrimi i të cilit i jepte kuptim edhe jetës më të zymtë e të shkuar veresie.

Me të humbur, me t’u zhdukur ky Dëshmitar gjithsyçelë, çfarë na mbetet? Syri i shoqërisë, sytë e botës, të cilëve duhet t’u shfaqesh me çdo kusht për të mos u terrur në vrimën e zezë të askurrkushit, në shtjellën e harresës. Edhe sikur të bëhesh lolo hyqymeti, që kërcen me brekë mbi tavolinat e hanit. Shfaqja në ekrane është zëvendësuesi i vetëm i transhendencës, dhe është një surrogat fare qelepir: na duket vetja (dhe na shohin) në një botë të përtejme, por si shpërblim i asaj bote të gjithë na shohin këtu. E meqë këtu jemi edhe vetë, përfytyroni çfarë fitimi: të gëzosh të gjitha qaret e pavdekësisë (qoftë edhe pse shumë e shpejtë dhe fluturake) dhe të kesh njëherazi mundësinë ta festosh në shtëpinë tënde (në tokë) ngjitjen në qiellin e epërm të parajsës.

Por, është bela e madhe sepse në këto raste ngatërrohemi me kuptimin e dyfishtë të “njohjes”. Të gjithë dëshirojmë të na “njihen” meritat, sakrificat, ose çdo dhunti tjetër e bukur. Mirëpo, kur pasi kemi dalë në ekrane dikush na sheh në kafene dhe na thotë “të pashë dje në televizor”, s’e dimë nëse ky robi thjesht të ka “njohur ty” apo vetëm surratin tënd. Sepse janë dy gjëra krejt të ndryshme.
 

Përktheu: Henrik Ligori 

Marrë nga ReSpublica

8 Komente

 Po bisedonim për faktin e njohur që njerëzit janë gati të bëjnë edhe dokumente të rreme mjaft që të dalin nëpër ekrane, qoftë edhe si puna e atij torollakut që ta bën me dorë nga prapa personit që intervistohet.

kete torollakun  qe na i ben me dore  e kemi per nate ne ekran, ky eshte problemi.

 Bukur smiley Ky Umberto me pelqen me shkrimet e tija. 

internet service here su

deshira per te konsumuar imazhin tend.. eshte bere mit me vete mbase ..

Me pelqeu dhe mua ky shkrim

Me duket si muhabet "i brendshem" i bere duke ngrene qofte dhe duke pire raki.*

Sipas kesaj teorie i bie qe Bibla e vitit 2567 do filloje me "Ne fillim ishte Zoti me Adamin dhe Even pastaj erdhi TV me Big Brother dhe Survivor" dhe do perfundoje me "Dhe Zoti vendosi ta shkaterroje reality show-n si format ngaqe degjeneroi".

 

* Eko ne kete llogari ka harruar shumicen derrmuese te njerzve qe nuk do dilnin ne tv dhe po ti jepje para, pervec fames, dhe qe bejne cmos qe jeten private ta kene te tille. Se kshu si e paraqet ky i bie qe ka me shume njerez qe dalen ne tv sesa spektatore qe shikojne tv.

All in all, ide interesante per muhabet, me ose pa raki & qofte, po jo dhe aq per nje artikull, te pakten jo kaq ceket dhe shkurt.

Sa bukur perkthyer!

 Edhe mua me pelqeu perkthimi, megjithese shkrimi nuk mu duk kushedi se cfare. (Megjithe respektin maksimal per Econ)

Marias hodhi mendimin se ajo që ndodh sot lidhet me faktin që njerëzit nuk besojnë më në Zot

Ndihem shume konfuz ne kete pike. Degjoava nje leksion te Zhizhekut ku mbronte tezen "nqs beson ne Zot, gjithcka eshte e lejueshme". Nderkohe mua me mesuan qe "po nuk besove, gjithcka eshte e lejueshme". Tani Umbertoja, nje nga shkaktaret kryesore te humbjes te besimit per mua, po me citon Marias!? What gives?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).