images (264×191)Të tilla janë sfidat plot përbuzje të atyre që kanë braktisur gjithçka dhe që ulërijnë me vizatimet e turpshme "të kundër-kulturës". Ç'të mirë u ka sjellë tradita humaniste masave të shtypura të bashkësisë njerëzore? Për çfarë hynte ajo në punë, kur ia behu barbaria? A ka pasur ndonjë poemë të pavdekshme që ta ketë ndalur ose zbutur terrorin politik, veç atyre himneve që e kanë pavdekësuar?

Le të shkojmë edhe më tej: ata që çmojnë, tekefundit, si vlerë të epërme një poemë të bukur, një sistem filozofik, një teoremë, a nuk u kanë dhënë një ndihmë atyre që hedhin napalm, duke bërë sikur nuk i përfillin, sikur kultivojnë në shpirtin e vet një "trishtim objektiv" apo një relativizëm historik?

Në këtë kapitull jam përpjekur të argumentoj se për problemin e brishtësisë së kulturës nuk ka zgjidhje të kënaqshme. Mund të gjenden gjithfarë shpjegimesh post facto për atë humnerë midis edukimit dhe politikës në praktikë, midis trashëgimisë së Vajmarit dhe realitetit të Buhenvaldit, që vetëm disa kilometra i ndajnë. Por diagnoza e vonuar dëshmon për një kuptim të sipërfaqshëm e të ngushtë. Me sa mund të shoh, enigma sfilitëse pothuajse ka mbetur e paprekur.

Është e mundshme të pohohet se kultura e lartë nuk është e lidhur me doemos me padrejtësinë shoqërore. Nuk ka më të lehtë sesa panegjerika e qytetërimit, duke u mbështetur në argumente të forta dhe duke besuar plotësisht në konceptin e historisë së privilegj dhe rend hierarkik. Mjafton të themi pa ngurruar se arritjet e artit, të spekulimit, të shkencave matematike dhe empirike, kanë qenë, janë dhe do të jenë, në masën dërmuese, vepër e disa individëve të rrallë e të talentuar.

Në një vështrim të evolucionit të specieve kah përdorimi më i plotë i vetive të korteksit - dhe te kjo ide ndoshta mund të reduktohet plotësisht - është e domosdoshme të ruhet ai lloj sistemi qeverisjeje ku dhuntitë e jashtëzakonshme njihen si të tilla dhe kur gjejnë shtysa për t'u zhvilluar. Ndoshta një Platon, një Karl Fridrih Gaus, një Moxart sjellin ndihmesë të pallogaritshme në shpërblimin e vuajtjeve të ekzistencës njerëzore. 

Biografitë e shumicës së njerëzve, me disa përjashtime të rralla, nuk janë gjë tjetër veçse një rrugëtim i mërzitshëm nga spazmat e rëndomta të lindjes deri tek pluhuri i harresës. Për një mendje vërtet të kulturuar, mohimi i kësaj në emër të një kredoje liberale do të ishte jo vetëm një gënjeshtër, por edhe mosmirënjohje nga më të shëmtuarat. "Përjetimi" i kulturës frymëzohet paprerazi nga veprat e mëdha të së kaluarës, nga e vërteta dhe e bukura e traditës. 

______________

in-bluebeards-castle-some-notes-towards-redefinition-culture-george-steiner-paperback-cover-art.jpg (200×333)Nisur nga një pozicion i ri i qytetërimit evropian në fillim të shekullit të njëzetë, George Steiner e pohon dhe njëherësh e dyshon kulturën dhe traditën që e mbajti një intelektual si ai, njëherë e përgjithmonë në Evropë. "Në kështjellën e Mjekërkaltrit" i vetmi libër që ekziston prej tij në shqip (me katër dekada vonesë, - IDK, Tiranë 2011), ku ai përpiqet të japë "një ripërcaktim të kulturës". 

Tomas Eliot e kishte hapur diskutimin e problemit më 1948 me "Shënimet për një ripërcaktim të kulturës". E vazhdon Steiner duke marrë në analizë verën 1815-1915, "periudha e paqes prej nga erdhi kriza e kohës sonë". Pranvënia e krijimit me vdekjen dhe shkatërrimin rezulton një metodë krahasimi që vë në dukje gjenezën e problemeve, përplasjet e forta, dhe pasojat te një qytetërim. Figura folklorike e princit mjekërkaltër që kërkon dashuri me kushtin që nusja e re, (Judita në operën me të njëjtin titull të Bela Bartokut) të mos zbulojë tmerrin, gjakun, armët, lotët, dashuritë e parealizuara, të gjitha fshehur pas shtatë dyerve të kështjellës, është një metaforë që funksionon si strukturë mbajtëse për esenë filozofike me të cilën, Steiner, me këmbëngulje dhe dije enciklopedike provon se kultura e para luftërave botërore ka parandjerë barbarinë, ka jetuar paralel me të, pa mundur të parandalojë të keqen. 

Njohës i gjuhëve të lashta të kulturës evropiane dhe studiues komparatist, Steiner na fut në një grup veprash dhe autorësh të shekullit XIX-XX të cilat i lidh përfytyrimi i të keqes. Spleen-i apo mërzia e madhe, plogështia, letargjia, janë simptoma të humbjes së kopshtit imagjinar që kishin krijuar vlerat artistike, normat shoqërore, siguria e dijes, pra një mit i shekullit të XIX. Kolrixhi dhe Bodëleri përshkruajnë një gjendje të re të përvojës njerëzore. Uordsuorth dhe Shelli, Suifti dhe Kitsi, tregojnë për një shëmbëllim të ri të jetës private, paralel me evolucionin në Evropë.

Balzaku dhe Dikensi trajtojnë ferrin urban dhe Floberi te "Salambo", barbarinë e luftës. 
Shembujt nga letërsia e madhe e Evropës, e shtyjnë të pohojë: "Qoftë edhe vetëm leximi i këtyre romaneve duhej të na bënte të ajgëtonim atë zbrazëti që gërryente themelet e stabilitetit evropian. Duhej të kuptonim se nga kjo ennui po lindnin fantazira të detajuara të katastrofës që po afronte.

Pothuajse gjithçka që ka ndodhur qysh atëherë, e ka zanafillën në shoqërinë aq të tendosur të shekullit të kaluar, te një tërësi e ndërlikuar qëndrimesh që, duke i parë në retrospektivë, fare mirë mund t'i marrim si gjedhe të vetë kulturës." 

Kultura hebraike i ka lënë gjurmë të forta Steinerit përgjatë gjithë jetës, sadoqë gjuhën e të parëve e braktisi qysh fëmijë për shkak të dashurisë për latinishten dhe greqishten e vjetër. Jetoi një kohë në Amerikë në valën e përndjekjes antisemite, e më pas u kthye dhe qëndroi në Evropë pikërisht për hir të origjinës së tij hebraike: "Të shkosh në një universitet të madh amerikan, më thoshte im atë, do të thotë t'i shpallësh fitues ata nazistë që ishin betuar se asnjë nga të vegjlit Steiner nuk do të kishte shansin të shkollohej në ndonjë universitet evropian.

Por përballë perëndimit moral dhe politik të kontinentit tonë të lashtë ku shpresa duket se është shuar, dyshoj që kam bërë një gabim", thotë George Steiner në pleqërinë e vonë. Përvojën e humbjes, dy luftërat botërore me 70 milionë njerëz të shfarosur, që shënuan fundin e rendit evropian Steiner e fut te "stina e ferrit" dhe konstaton se si pranë kësaj katastrofe artet dhe shkencat shënuan arritje maksimale. Shembull? Dadaistët në Zvicër, surealizmi në Francë.

Steiner është një autor që mban parasysh përgjegjësinë e krijimit jo vetëm atij artistik. Nuk është i rreptë gjykimi i tij, por konstatimi i tij që, ndërsa krijuesi është bashkudhëtar me kohën e tij, profecia e krijimit është e destinuar të vijë pas ndodhisë së ngjarjeve. A posteriori mund të lexojmë kohën që jetojmë? Ç'vlerë ka? 

Periudhën që ka të bëjë me përgjegjësitë, me njëfarë "gjyqi të ndërgjegjes në emër të vlerave etike absolute" ai e përcakton si një "Post-kulturë" (po botojmë një copëz nga kapitulli me këtë titull). Sepse Steiner ia njeh Perëndimit arkeologjinë e ndërgjegjes si një akt karakteristik, "një dukuri tipike të vazhdës së Volterit". 

Tek ballafaqohet me një rënie të idealeve tradicionale në epokën e shoqërive industriale, pyet: a mund t'ia dalë mbanë qytetërimi ynë pa një kulturë të mirëfilltë; a mund të ketë një botë të kulturuar përveç asaj të kulturës së fjalës? A mundet që një pjesë e trashëgimisë së qytetërimit tonë nga poezia, mendimi fetar, artet, t'i shkojë publikut të gjerë?

"Në kështjellën e Mjekërkaltrit", sado me vonesë, i vlen lexuesit në shqipe të krahasojë pasojat e së shkuarës në kulturën dhe shoqërinë tonë të viteve dymijë. I vlen për t'u futur në rrjedhën e një diskutimi njohës dhe kritik mbi kundër-kulturën, misionin dhe pasojat e saj që Steiner pa rezervë i quan "shkallmuese".

Përkthimi i Bashkim Shehut 

George Steiner (1929) njihet si eseist, kritik letrar dhe filozof. Ka shkruar në anglisht dhe frëngjisht. "After Babel", "Language and Silence", "Real Presences" janë veprat e tij më të rëndësishme. Disa dhjetëra ese ka botuar në "New Yorker" përgjatë bashkëpunimit mbi 20-vjeçar e që dallohen për stilin letrar dhe talentin kritik. Libri që keni në duar "In Bluebeard's Castle - Some Notes Towards the Redefinition of Culture", është përkthyer nga origjinali anglisht nga shkrimtari Bashkim Shehu. Është fat që një tekst me shkallë të lartë vështirësie ka gjetur përkthyesin e duhur. Shehu jep një kontribut më shumë në përkthimin e mendimit filozofik, politik e antropologjik. Disa nga këto fusha janë veprat: "Frika prej dijes" Paul Boghossian, "Njeriu kundër shtetit" Herbert Spencer, "Nacionalizmi" Ernest Gellner.

Dy citate nga Steiner për librat dhe për të rinjtë

"Librat janë shoqëria e domosdoshme dhe e mjaftueshme e njeriut të vetmuar. Ato ia mbyllin derën pranisë së padëshiruar të të tjerëve. Shkronja e shtypur dhe heshtja që i nevojitet imponojnë një veçim të prerë. E pikërisht këto janë të dyshimta për ndjeshmërinë moderne."

"Për të rinjtë, ungjilli i "lavdisë" është bërë tejet i dyshimtë. Shumëkush nuk do t'u shikonte në të gjë tjetër veçse patos romantik, ose vazhdimësi të maskuar të idhujtarisë elitiste. Në ditët tona, sidomos në Shtetet e Bashkuara, mund të gjesh gjithfarë dokrrash teorike mbi revolucionin total të ndërgjegjes."

______________

Shënim: Titulli i redaktuar dhe përshtatur nga ppu

7 Komente

A ka fjale shqip : brumatrice ?

si urno, ka.

A ka pasur ndonjë poemë të pavdekshme që ta ketë ndalur ose zbutur terrorin politik, veç atyre himneve që e kanë pavdekësuar?

Me duket se nuk i paska lexuar Traktatet Filosofike ky zotnia te cjeperve shqiptare .Ata kane rritur deri aty sa te zbusin edhe ujqrit e Vucidolit per te mos henger Turmat . Ata kane arritur deri aty sa te vecojne ujqit nga turma dhe te bejne te dallohet qarte qe bariu e drejton kopene " si cjapi te kasapi " me 21 janar . Paqesine e Ujqerve e vune re dhe Nderkombetaret or tie .Po ky z.Steiner nuk ka se si ta dije kete sukseste poeteve te Lefqenise .

 Në ditët tona, sidomos në Shtetin e Lehqenise (Korsivi eshte i imi smiley ), mund të gjesh gjithfarë dokrrash teorike mbi revolucionin total të ndërgjegjes."

Sot gjithfare Lehsish zbuluan  se Jeta , Tradita fillon SOT , me shenjezat e para te kultures se Lehjes , alias fjalimet letrare ose prozat poetike qe mba k/Lefqenesi per vuvuzelerine mitingashe ne TUFE .

Ketushperndahen edhe cmime or tie !

 

 Nga kaq sa lexova per kete autor, mu kriju bindja se autori kish nje psikollogji si ata te vjetrit qe dolen nga lufta e dyte boterore dhe si disa qe dolen kur morri fund Socializmi, qe per mua (megjithse dhe vet kam qene me ate psikollogji) te dy palet perfaqesojne gjuhen e urrejtjes, te hakmarrjes dhe te pergjithesimit te gjerave dhe njerzeve. Per ata, kush krijon kulture, art, edhe nen kushte te veshtira, identifikohet si shtojs e sistemit, paçka se ky/keta artiste as s'ju ka pjerdhur ndonjehere per sistemin apo klasen drejtuese politike, apo jane perpjekur ti shmangen sado pak politizimit, qe kurrsesi nuk mund ti shmangesh dot, nen nje regjim te kontrrollueshem. 

Pier

 

George Steiner ka dale nga Holocausti. e gjithe familja e tij u zhduk ne nje prej kampeve gjermane. une kam pasur fatin te rri me te dha ta shoqeroj ne nje udhetim shume interesant neper shqiperi diku nga 96. donte shume te shikonte shqiperine dhe qendroi diku rreth nje jave.

 

a

 Auron, flm per sqarimin, une nuk thashe qe eshte njeri i keq, por mu duk me psikollogji te vjeter, dhe me psikollogji te vjeter  une quaj ata njerez qe i shohin problemet si dikur. Une psh, kam shok (ndermjet shume) Ligorin, nje ish i perndjekur, disident, njeri i drejte i ndershem, por ai i sheh problemet ndryshe nga ç'i shoh une, pavarsisht se puqemi ne shum pika. Ai ngjason me psikollogjine e atyre te parve, dhe keshtu jane shume, dhe per fat te keq  jo vetem brezi i vjeter, por edhe ndermjet shum te rinjve e shoh kete gje. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).