Ndoshta jeta do të kishte një emër tjetër, nëse nuk do të kishte gëzimin, por edhe dhimbjen. Nëse nuk do të fillonte me lindjen, pastaj martesën, pastaj sërish lindjen e pastaj vdekjen..E gjithçka të niste nga e para.. Një spirale, që e ka zanafillën qysh se me njeriun e parë… Duke pasur një material të jashtëzakonshëm në duar, të mënyrës se si njerëzit i janë përgjigjur këtyre ngjarjeve të mëdha të jetës përmes këngës, valles apo vajit, etnomuzikologu dhe kompozitori Klodian Qafoku ka qëmtuar mes tyre për të ndërtuar atë që quhet “Rituali i jetës”. Është një muzikal që ka ardhur si ide e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko, me përkujdesjen muzikore të Klodian Qafokut, koreografi dhe regji të Arian Sukniqit dhe pjesëmarrjen e artistëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe TKOB-it.

klodian-qafoku-225x300.jpg (225×300)

Kompozitori Klodian Qadoku në studion e tij

Kjo vepër, e para në llojin e vet, do të vijë premierë në datën 10 qershor. “Muzikali “Rituali i jetës” është një inspirim i lëndës muzikore që vjen nga burimi. Materialet muzikore folklorike vijnë të pandryshueshëm dhe pa u larguar aspak nga autenticiteti. Të gjitha këto, duke u mbështjellë dhe duke notuar njëkohësisht në shtratin e krijimit kompozicional, orkestracionit dhe të efekteve zanore të ndryshme, bashkojnë të vjetrën me të renë, ashtu si “vera e re në fuçinë e vjetër”. E konceptuar në triptikun vdekje – dasma – lindje, vijnë në mënyrë mjaft origjinale këngët e vajit, vallet mortore, këngët e dasmës, këngët djelmurishte, valle trimërishte apo kënga e djepit”, thotë kompozitori Qafoku. Për realizimin e këtij muzikali po punohet prej 5 muajsh. Krahas trupës së Ansamblit, instrumentistët më të mirë veriorë interpretojnë në lahutë, çifteli apo fyell. Ndër solistët janë emrat e Sidrit Bejlerit, Sabahet Vishnjas, Rudina Delias etj. Krahas materialeve muzikore, shumë të padëgjuara më parë, surprizë e shfaqjes është edhe vajza 4-muajshe e kompozitorit Klodian Qafoku, e cila do të jetë pjesë e “Ritualit të Lindjes”.

Rituali i vdekjes

gjama-300x218.jpg (300×218)

Vdekja (gjama e burrave në Dukagjin)

Jeta nis me lindjen, por krijuesit e “Ritualit të jetës” e kanë menduar disi ndryshe. Ata e kanë nisur me dhimbjen, me ritualin e vdekjes, i cili vjen me gjithë dramaticitetin, notat ngjethëse, që përcjell vetë vdekja. Dhe kjo vjen përmes gjamave të Veriut, kryesisht të Malësisë së Madhe, një pjesë e të cilave vijnë për herë të parë për publikun. Duke punuar si etnomuzikolog pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore, Qafoku ka dëgjuar orë të tëra materiale origjinale, të cilat sipas tij janë të jashtëzakonshme e prej të cilave ka përzgjedhur me kujdes disa syresh, për t’i sjell më pas si një kolazh. Ato vijnë të pandryshuara, por të mbështjella me një koncept kompozicional dhe orkestracion modern. “Natyrshëm vdekjen askush s’e do, por ato anë e kanë shprehjen e tyre: se të gjithë e kemi hak. Kur mendon që në këtë moment gjama ndodh, asgjë nuk do t’i bënte më prezente vallet mortore dhe këngët e vajit, ritualet e dhembshurisë për njeriun që ndahet nga jeta. Ky moment njerëzor nuk mund të jetë autentik pa lahutën, pa kakofoninë e shkuljes së flokëve, pa tupanin e gjëmës dhe pa bekimin e klerit, që shpirti t’i prehet në paqe”, sqaron Qafoku, teksa shton se përzgjedhja e materialeve është bërë në mënyrë shkencore, bashkëpunim me profesorët e institutit. Materiali muzikor, sigurisht që do të shoqërohet nga koreografia e krijuar nga Sukniqi, e cila në mënyrë moderne zbërthen ritet, që nga shkolja e flokëve e çjerrja e fytyrës.

Rituali i dasmës

dasmavite60-211x300.jpg (211×300)

Martesa (ceremoni dasme në Veri në vitet ‘60)

E sigurisht dasma ka përbërë gjithnjë një moment gëzimi në jetën e shqiptarëve. Një moment i shoqëruar me një seri ritualesh. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për këngë e valle. “Në një plan tjetër, pas njohjes së çiftit dhe dashurisë mes tyre, lind dasma, ku në horizont do të sjellin një përjetim totalisht të veçantë, që ndodh në dasmën tradicionale shkodrane. Ky moment natyrshëm nuk mund të kuptohet pa ritualet në dhomën e dhëndrit dhe pa këngët e përcjelljes nga shtëpia e vet, të nuses dhe pa ritualet fantastike të pritjes në shtëpinë e dhëndrit dhe pa jaret e mrekullueshme. Kjo sipërmarrje domosdoshmërisht trajton gëzimin që sjellin vallet e burrave me tupan dhe dajre, vallet e kënduara të grave”. Edhe për pjesën e dasmës është shfrytëzuar materiali folklorik i zonës së Shkodrës, me dasmat karakteristike me këngë e jare shkodrane.

Rituali i Lindjes

djep-300x199.jpg (300×199)

E pas gëzimit të dasmës, ia beh një tjetër gëzim. Është kurorëzimi i dashurisë së çiftit. Është lindja e një fëmije. Janë sërish ritet e Veriut. “Kur lindja mbërrin, gëzimi në ato anë përjetohet disi ndryshe. Ky gëzim nuk mund të kuptohet pa oshëtimën e maleve, pa shkrehjen e një pushke, pa djepin e stolisur, pa kërcimin e burrave dhe pa këngët në odën e grave. Apo dhe pa parashikimet e së ardhmes për jetën e re që lindi. Dhe kjo e gjitha nën një log verbues, ku të gjithë sipas mënyrës shprehin gëzimin e kësaj dite të shenjtë”, thotë Qafoku. Për të dhënë harenë e lindjes, por edhe momentet e ëmbla të përkujdesit të fëmijës dhe mëndjes me gji, duke kënduar janë shfrytëzuar ninulla që, sipas kompozitorit dhe orkestruesit, këndohen në një zonë pak më poshtë se Shqipëria e Veriut, por i gërshetuar me elemente muzikore të Veriut. “Domethënë është bërë një unitet i vlerave të materialit të këngës së djepit. I ngjan një himni, pasi vjen dhe zhvillohet deri në një kulm, që starton finalen e madhe, e cila bazohet në meloditë e bukura instrumentale folklorike të zonës së Burrelit”.

Premiera

Titulli: “Rituali i jetës”
Muzika: Klodian Qafoku
Koreografia dhe Regjia: Arjan Sukniqi
Idea: Zhani Ciko
Skenografia: Bledar Gërxhalliu
Kostumet: Taulant Pustina
Interpretojnë solistët dhe trupa e TKOB dhe AKKVP
Çifteli: Vëllezërit Lleshi
Lahutë: Pjetër Matusha
Laurin: Ikli Punavija
Fyell: Gjovalin Ndreca

1 Komente

Do doja ta shihja këtë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).