Projekti për ndërtimin e godinës së re të Kuvendit të Shqipërisë nuk është lënë në harresë. Disa deklarata të kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, Lulzim Basha gjatë fushatës elektorale, u interpretuan si heqje dorë nga plani në fjalë, por është deputeti Sherefedin Shehu, i pranishëm në Riad së bashku me disa anëtarë të tjerë të parlamentit shqiptar, i cili ka dhënë informacionet e para lidhur me bisedimet për financimin. 

Sipas portalit "Arab News", Shehu ka deklaruar në një intervistë për shtypin vendas se Mbretëria e Arabisë Saudite "ka shprehur dëshirën për të financuar projektin e parlamentit, në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për Shqipërinë". Ky projekt, sipas tij do të përfshijë një sipërfaqe prej 28.000 metrash katror. Megjithatë, ai nuk ka pranuar të japë detaje të mëtejshme lidhur me projektin dhe financimin, duka ia lënë një gjë të tillë kryeparlamentares shqiptare, Jozefina Topalli ta bëjë një gjë të tillë gjatë vizitës së saj në Arabinë Saudite, të planifikuar pas disa muajsh. 

Sipas "Arab News", vlera e financimit që po diskutohet midis autoriteteve të të dyja vendeve është në masën 600 milionë rialë sauditë, ose rreth 110 milionë euro (një rial - 0.18 euro). 
Kreditë 

Ish-zëvendësministri shqiptar i Financave ka deklaruar gjithashtu se komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave sapo ka miratuar një marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe Bankës Islamike të Zhvillimit për të financuar në ndërtimin e projektit të ri të infrastrukturës në Shqipëri, rrugës Tiranë-Elbasan. 

Shehu ka shtuar se buxheti i shtetit shqiptar ka nevojë për fonde masive për të mbështetur planet dhe projektet e miratuara. Ai ka kërkuar kontributin e Arabisë Saudite edhe për financimin e projektit të rrugëve rurale. 

Rruga 
Qeveria shqiptare shpresonte të merrte kredi në masën 380 milionë dollarë nga Banka Islamike për rrugën e re Tiranë-Elbasan, por duket se i kishte bërë llogaritë gabim. Bordi i drejtorëve të Bankës Islamike të Zhvillimit vendosi akordimin e vetëm 222 milionë dollarëve amerikanë. Burime nga Ministria shqiptare e Financave kishin bërë të ditur se Banka Islamike do të jepte 350 milionë dollarë kredi, me afat 20-vjeçar shlyerjeje, me interes jo më shumë se 5 për qind. Financimi, i munguar deri tani, në kushtet e të ardhurave të ulëta buxhetore, do të hapte rrugën për përfundimin e tenderit, ku morën pjesë fillimisht 26 kompani dhe që u fitua nga grekët e firmës "Aktor". 

Islamikët 
Qeveria shqiptare ka nënshkruar dy vjet më parë një marrëveshje për anëtarësimin në Korporatën Islamike për Zhvillimin e Sektorit privat. Në bazë të marrëveshjes, kjo korporatë do të financojë ndërmarrjet private në Shqipëri, të cilat do të paraqesin projekte që sigurojnë sukses dhe që nuk bien ndesh me rregullat e Sheriatit, apo ligjit islamik.
 

5 Komente

Kur thone financim e kane fjalen per hua apo per ndihme falas?

Ku ka ndihme falas sot!!

 ".... Burime nga Ministria shqiptare e Financave kishin bërë të ditur se Banka Islamike do të jepte 350 milionë dollarë kredi, me afat 20-vjeçar shlyerjeje, me interes jo më shumë se 5 për qind..."  

Sa vajti borxhi i jashtem gjer me tani. 

Thone qe eshte 7 miliarde USD.Deri ne 1990 ishte 200-400 milione.

allah allah

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).