Është e habitshme prirja e njeriut për të ngritur çështje të cilat nuk ekzistojnë dhe nuk janë të nevojshme. Një nga çështjet e këtilla në diskutimet publike në vend është pyetja nëse duhet formuar ‘kombin kosovar’, si domosdoshmëri për suksesin e shtetit të Kosovës.

Duke dashur t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje, janë bërë debate të nxehta dhe janë dhënë propozime të ndryshme. Në opinionin publik është shtruar ideja se për të realizuar shtetin e ri, na duhet që në mënyrë të domosdoshme të përfytyrojmë një komb të ri qytetar të quajtur ‘kosovar’ (pa hequr dorë nga përkatësia shqiptare në kuptimin etnik).

Si rrjedhojë, është krijuar miti se ‘kombi kosovar’ është i domosdoshëm për suksesin e shtetit të Kosovës, ngase vetëm kështu arrihet uniteti shoqëror i nevojshëm për suksesin e shtetit. Mirëpo, ky mit nuk qëndron, ngase uniteti politik është i mundshëm edhe pa krijimin e ‘kombit kosovar’. Në vazhdim do të diskutoj të metat e këtij debati dhe këtij miti të dalë prej tij duke dhënë propozimet e mia se çfarë na duhet për të siguruar unitetin shoqëror në Kosovë.

Uniteti politik pa një 'komb kosovar'

Ndiej njëfarë simpatie për këtë debat, për aq sa ai reflekton nevojën për sajimin e një identiteti të përbashkët në Kosovën shtet. Për të tejkaluar ndarjet socio-ekonomike dhe kulturore dhe për të kultivuar një ndjenjë të përbashkët bashkësie, shtetet moderne ndërmarrin masa të ndryshme. Prej tyre më të zakonshmet janë qytetaria – që nënkupton se të gjithë qytetarët e një shteti janë të barabartë para ligjit – dhe kombësia – që nënkupton një ndjenjë solidariteti i bazuar në përkatësi kombëtare – apo së paku një unitet politik – që nënkupton një ndjenjë dhe përkushtim i përbashkët politik.

Në shoqërinë e re të Kosovës është e nevojshme të mendohet se si të arrihet uniteti politik në kontekst të përçarjeve ndër-etnike. Mirëpo, për t’iu adresuar këtij problemi duhet bërë pyetje të duhura, se pyetjet e gabueshme nuk çojnë askund. Përpjekja për t’i dhënë përgjigje ‘nevojës për kombin kosovar’ nuk çon askund, ngase pyetja është e shtruar gabimisht.

Mendoj se, në një kontekst ku kombi kuptohet si përkatësi etnike dhe kulturore, nuk është pyetja nëse duhet të shpikim një ‘komb kosovar’, apo jo. Pyetja duhet me qenë se çfarë uniteti na duhet për të formuar shoqërinë kosovare. Mendoj se në vend na duhet një unitet politik dhe, për të arritur këtë, na duhet të sajojmë një identitet të përbashkët politik dhe jo domosdoshmërisht kombëtar. Për suksesin e një shteti të ri, është e mjaftueshme që popullata brenda territorit të atij shteti të jetë një në kuptimin politik, pavarësisht kombësisë së tyre.

Vështirësitë e identitetit mbi-etnik

Mirëpo, tejkalimi i politikave etno-nacionaliste dhe mundësia për një identitet të përbashkët qytetar apo unitet politik në Kosovë ka vështirësi serioze. Së pari, përkundër faktit historik se shqiptarët, serbët dhe grupet e tjera etnike në Kosovë kanë një traditë të përbashkët, mundësia e lindjes së një identiteti mbi-etnik pengohet nga vlera ose karakteri që i është dhënë çështjes së statusit të Kosovës, ashtu që statusi është lidhur me identitetin e grupeve etnike që jetojnë aty. Dua të them se statusi i caktuar politik i Kosovës kuptohet si kërcënimin për njërin nga identitetet e dy grupeve kryesore etnike që jetojnë në të.

Së dyti, angazhimi ndërkombëtar në vend ka efektin e dëmshëm në dhënien e shansit për formimin e unitetit politik në shoqërinë kosovare. Për shembull, në emër të rregullimit të sistemit politik përmes masave që nga aktorë dhe agjenci ndërkombëtare vlerësohen si zgjidhje më e mirë për Kosovën, debati dhe dialogu politik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës dhe sjellja e pikëpamjeve të ndryshme politike për diskutim në sferën publike është penguar. Si pasojë, nuk i është dhënë rast krijimit të identiteteve të ndryshme politike që nuk do të bazoheshin ekskluzivisht në elemente etnike dhe antidemokratike.

Veç kësaj, ka një problem me politikat e ndërmarra me qëllim të garantimit të të drejtave për përfaqësim politik të grupeve pakicë në vend të cilat janë në pozitë të paprivilegjuar apo të diskriminuar, si decentralizmi i pushtetit, postet e rezervuara në Kuvend, qeveri, etj. Ato mund të justifikohen si një mekanizëm i përshtatshëm që grupe të ndryshme të përfaqësohen në kushte të caktuara. Mirëpo, një efekt i padëshirueshëm i tyre është se ato po legalizojnë ndarjet ekzistuese ndër-etnike dhe nuk po u japin shans zhvillimit të identiteve politike që i tejkalojnë ato etnike. Sidoqoftë, ndoshta këto të drejta për përfaqësim të garantuar në struktura të pushtetit të vendit nuk kërcënojnë unitetin politik, sa kërcënojnë nëse këto të drejta shtrihen aq larg sa për të garantuar pretendimet për vetëqeverisje kombëtare, siç po ndodh për shembull në veri të vendit.

Rrjedhimisht, rregullimi politik i Kosovës (përkundër përpjekjeve që të akomodohen disa elemente të identiteteve etnike) është pengesë për lindjen e një identiteti qytetar (politik) që kishte me nxjerrë në pah vlerat e përbashkëta qytetare të grupeve etnike në Kosovë.

Mundësitë për një identitetit politik mbi-etnik

Mbroj qëndrimin se nuk është i domsodoshëm sajimi i një kombi unik për të arritur një shkallë uniteti në shoqëritë shumetnike apo shumëkombëshe që do të mundësonte funksionimin e shtetit. Për të arritur unitetin do të mjaftonte krijimi i një entiteti unik politik. Kjo mund të bëhet përmes theksimit të disa vlerave të përbashkëta politike që mundësojnë kohezion shoqëror dhe ndjenja të identifikimit të përbashkët, por duke njohur e ruajtur diversitetin kombëtar e etnik. Zvicra, Britania dhe Kanada, si shtete shumëkombëshe, e kanë bërë këtë në mënyrën e tyre. Nëse ata kanë mundur të formojmë entitete unike politike që në gjirin e tyre përfshijnë kombe të ndryshme, mundemi edhe ne. Në Kosovë do të mund të theksoheshin dhe zhvilloheshin disa vlera të përbashkëta historike, politike, kulturore, e gjeografike, të grupeve kombëtare e etnike që janë krijuar për vite e dekada me radhë, por edhe vlera të krijuara nga lufta e fundit kundër Millosheviqit që do të mund të krijonin ndjenja të forta të identitetit të përbashkët politik, si bazë për identitet mbi-etnik, por duke ruajtur dallimet kombëtare.

Një mënyrë se si do të mund të bëhej kjo është përmes rikrijimit të simboleve mitike. Serbia, Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare ka humbur shansin që arrestimi dhe gjykimi i Millosheviqit të përdoret si simbol i përfundimit të epokës shoviniste në Kosovë, dhe që personaliteteve, shqiptare dhe serbe, që kundërshtuan regjimin e tij t’u jepet një kuptim që simbolizon kryengritjen dhe luftën kundër çdo shovinizmi e shtypje të cilitdo grupi etnik në shoqërinë kosovare. Për shembull, Adem Jashari si ‘komandant legjendar’ i UÇK-së që ka luftuar për ‘Kosovën shqiptare’, natyrisht, është i papajtueshëm me mitin serb për Kosovën ‘zemër të Serbisë’. Së këndejmi, për këto dy diskurse nacionaliste, Adem Jashari është figurë e diskutueshme. Kështu, ai, por edhe personalitete të tjerë shqiptarë e serbë në Kosovë e Serbi që kundërshtuan regjimin e Millosheviqit, të gjithë njësoj, do të mund të quheshin heronj të luftës dhe politikës anti-shoviniste. Një shkrim i tillë i historisë do të krijonte një bazë të fortë për një identitet të përbashkët mbi-etnik, për bashkëjetesë të të barabartëve në Kosovë dhe shteti i Kosovës nuk do të perceptohej nga grupet joshqiptare vetëm ndërrim i raportit të forcave në këtë shtet të ri.

7 Komente

ate 'identitetin mbikombetar' e provuat per 80 vjet jugosllavi.identiteti i ri kosovar qe synohet kryesisht nga ata qe nuk i duan te miren shqiptateve  eshte i njejte me identitetin jugosllav.model ky qe deshtoi kudo ku u zbatua ,bs,cekosllovaki ,jugosllavi  apo ne disa vende afrikane.modeli europian eshte shteti komb.nderkohe qe 2 gjermanite bashkoheshin  jugosllavia shperbehej.unitetin dhe kohezionin e siguron ndjenja kombetare dhe jo ajo shteterore(shiko maqedonine).e gjithe kjo loje ne fakt ka per qellim te godase ceshtjen kombetare shqiptare  duke shfytezuar nje pakice shqiptaresh qe e bejne pune me ndergjegjje per shume arsye(tipa si lubonja) dhe nje mase tjeter  qe e ben nga naiviteti dhe mashtrimi(integrimi).

Autori ka nje ide ne koke, dhe eshte munduar ta shprehe sa me qarte ne leter por ka zgjedhur shembuj qe jane larg potencialit politik aktual te Kosoves. Le ti shohim ata shembuj nje nga nje.

Kanadaja eshte nje ish-koloni ku francezet fillimisht u izoluan dhe me pas u rifuten ne jeten politike te vendit. Franca e kishte te veshtire te nderhynte ne mbrojtje te popullit te saj ne Quebec per arsye gjeostrategjike e politike (fakti qe flota angleze ne shekujt XVIII e XIX ishte superiore ndaj asaj franceze dhe largesia e Amerikes veriore nga Evropa bene qe franca te "harronte" frankofonet ne Kanada). Me pas etnise franceze ju garantuan privilegje te ndryshme sepse elita anglofone ishte aq largpamese sa te kuptonte rendesine e Quebec-ut per shtetin e ri. E megjithate ka akoma forca politike ne Quebec qe kerkojne shkeputjen nga Kanadaja

Zvicra eshte nje shtet shumeetnik ku fuqine per nje kohe te gjate e ka pasur etnia gjermane, per faktin se eshte me e shumte ne numer, me e perparuar ekonomikisht etj. Ashtu si ne rastin e Kanadase, edhe ne rastin e Zvicres etnia dominante krijoi nje sistem politik gjitheperfshires dhe kjo gje mundesoi zhvillimin deri diku uniform te vendit nga ana ekonomike e paqen mes popujve. Te mos harrojme qe procesi i integrimit reciprok ne Zvicer zgjati qindra vjet.

Se fundi edhe rasti i Britanise eshte i ngjashem me dy te paret. Edhe ne kete federate kemi nje etni dominante qe ka pasur per nje kohe te gjate monopol politik dhe ekonomik. Dhe ashtu si ne dy rastet e tjera kjo etni (anglezet) per shekuj me radhe u mundua dhe deri diku arriti te krijoje nje sistem politik te ekuilibruar e njefare mireqenie ekonomike. Dhe ne Britani ashtu si ne kanada, minoritetet etnike ngrene here pas here zerin per shkeputje nga federata, por ndryshe nga Kanadaja ketu gjakrat kane tendencen te nxehen me shpejt, deri ne perdorimin e dhunes si mjet politik (Irlanda e Veriut).

Te tre keto vende nga Kosova i dallon mireqenia ekonomike dhe toleranca e popujve ndaj njeri-tjetrit. Por, sic do te thoshte Jovan Bregu, "kjo arrihet me pune, me perpjekje". Prandaj bashkekombas kosovare futjuni punes.

E votova me nje yll dhe aspak nuk me brene ndergjegjja.

Per Gezimin vetem dy fjale: delusions of adequacy(kerkoj falje nga lexuesit e peshkut qe,me gjithe vullnetin me te mire ne bote,nuk e gjeje shqiperimin perkates).

Delir pershtatshmerie ndoshta.

"Delir pershtatshmerie" anon drejt perkthimit tekstual ,do te thosha une.

Kerko kuptimin e shprehjes "He has delusions of adequacy" tek fjaloret e shprehjeve urbane,ose thjesht,beje nje xhiro te shkurter tek komuniteti me i aferm i Amish-eve smiley

 

Amish-et i kam pak larg, s'jam duke bere gjithe ate rruge. Bera disa kerkime online dhe perkthimi me i perafert doli ai qe te dhashe smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).