Makinat që kam më frikë në trafik janë ato me tabelëzën "Shitet" nga pas. Nuk di pse drejtuesit e tyre i ka kapur njëfarë papërgjegjshmërie nga çasti që kanë vënë atë shënim. Ndoshta pse shpirtërisht janë shkëputur nga automjeti dhe tani aq u bën nëse ndodh ndonjë dëmtim të brendshëm, le ta pësojë blerësi i ri. 

Ose ndoshta pse një pjesë e mirë e automjeteve me pusullën "Shitet" janë siguruar pa mundim të madh nga të zotët aktualë, janë trafikuar a janë vjedhur dhe tani u jepen duart. Fakti është që këto makina të vijnë me furi nga pas, të feksin dritat e gjata, bëjnë parakalime të ndërkryera, të vijnë me shpejtësi nga krahu i majtë etj. Për mua shoferët me "Shitet" bashkë me ata me targë DR janë më të rrezikshmit në republikë.

Ndërsa për automjetet me DR, shpjegimin e kam (ato ose ngasin fare ngadalë sa të cingërisin qimet e flokut, në rastin kur janë qytetarë të vjetër durrsakë, ose me tërsëllëmë kur janë të zbritur vonë në këtë qytet, s'kanë të bëjnë fare me emrin Dyrrahium - Durrës, fluturojnë si të thuash mbi vend pa një bosht), shpjegimi për "Shitet" është ende i pasigurt. Por humbja e përgjegjshmërisë mbi automjetin vlen me sa duket për çdo rast.

Me një automjet të tillë, të sfilitur e të nxjerrë për shitje më ngjan edhe Shqipëria jonë këto kohë, me shoferët e tyre qeveria që kemi mbi krye. Ligji i ri për shitjen e hidrocentraleve, me basenet dhe digat e tyre është më i fundit në një seri të gjatë shitjesh, koncesionesh, faljesh që ka nisur qysh nën qeveritë socialiste, por që është keqësuar me përshpejtim në vitet dhe muajt e fundit.

Po të marrim vetëm zonën e Gjirit të Vlorës, shohim se në 2007-n u falën për 1 euro rreth 60 hektarë te zona e ish-fabrikës së "PVC" për një port hidrokarburesh në të mirë të firmës "La Petrolifera", në 2008-n u dha me koncesion gadishulli i Karaburunit deri thellë në Parkun kombëtar të Llogorasë për firmën siciliane të mullinjve të erës "Moncada", në 2010-n rreth 600 hektarë që përfshijnë krejt Pyllin e Sodës për "portin më të madh të kontenierëve" në Europë.

Së shpejti, pra, qyteti i Vlorës do ta gjejë veten të rrethuar nga një hinterland i shitur. Do të kujtojë atëherë me mall vitin 1920 kur ishte shitur qyteti, por hinterlandi ishte i lirë dhe ai mund të mësynte mbi qytetin. Në të ardhmen s'do ketë asnjë mundësi çlirimi që nis nga qyteti drejt krahinave, sepse bëhet fjalë për kontrata dhjetëra ose qindravjeçare që mund t'i zgjidhësh veç me miliona e miliarda në gjyqe ndërkombëtare.

Ekonomist nuk jam, por nuk duhet të jesh i tillë për t'iu përgjigjur pyetjes: Me se mbahet ky vendi ynë? Me se mbahet administrata e tij, qeveria, me se mbahen institucionet e atrofizuara publike, shkollat, spitalet, policia, me se mbahen fushatat elektorale dhe festat politike?

Prodhimi bujqësor është minimal, mijëra hektarë që shohim lart e poshtë nëpër Shqipëri vazhdojnë të mbeten djerrë, ekonomi pyjore nuk ka, ka vetëm grabitje të pyjeve, shfrytëzimi i minierave dhe i zonave naftëmbajtëse është dhënë në duar të huaja (e vutë re shitjen e puseve të fundit të naftës për firmën kanadeze "Bankers", ku "Alpetroli" ynë s'ka më asnjë pus, por vazhdon megjithatë të mbajë përgjegjësinë për pastrimin e mjedisit të ndotur në dhjetëvjeçarë? Si mund të ketë kontratë më poshtëruese?).

A mund të mbahen gjithë këto shpenzime që ka shteti dhe qeveria Berisha me taksat (më së shumti evadive) mbi ca pak ndërmarrje dhe biznese të vogla e të mesme që funksionojnë? Jo, ai nuk mund të mbahet, as me doganën mbi mallrat e huaja që kanë pushtuar tregun shqiptar. As biznesi i ndërtimit nuk është frytdhënës, pasi ai nuk është i përtëritshëm.

Gërryerja e shkëmbinjve dhe shtretërve lumorë të Shqipërisë për të prodhuar me to inerte që derdhen pastaj mbi vendet tona më të bukura, duke shëmtuar fizionominë e qyteteve dhe të bregdetit shqiptar (sepse masterplane dhe zgjidhje kulturore nuk ka), jo vetëm që nuk është aktivitet produktiv i përtëritshëm, por është kthyer në veprimtari destruktive të ngjashme me një gangrenë.

Dhe taksat ose të ardhurat që mund të burojë për shtetin ky aktivitet i ethshëm ndërtimor janë minimale. Këtu sigurisht nuk flas për tangjentet që mund të japin për fushata ndërtuesit e mëdhenj ose bakshishet që japin për leje ndërtimi ndërtuesit e zakonshëm, pasi këto hyjnë në xhepa personalë.

Kështu që ka vetëm një rrugë: Që të mbahet administrata, që të funksionojë mirë a keq shteti, që të funksionojnë policia, gjykatat, KQZ, partia me militantët dhe gjithë mekanizmat e tjera të ruajtjes së pushtetit, vendi duhet të SHITET. 

Modeli nuk është vetëm në qeveri, ai zbret poshtë, ndonëse me përmasa më të vogla, por me të njëjtin thelb. Të gjithë kërkojnë ta shesin këtë vend. Duke jetuar në rrethinat e Tiranës shoh se i vetmi aktivitet që zhvillohet këtu është shitja e trojeve nga pronarët dhe shitja e lejeve të ndërtimit nga administratorët. Kodrat rreth Tiranës dhe rrëza e Dajtit po betonohen me një shpejtësi marramendëse.

Dhe kryetari i komunës së Dajtit ka paturpësinë dhe lëshon para zgjedhjeve moton: Të vazhdojmë rrugën e nisur së bashku, e vetmja rrugë. Cila rrugë more faqezi, ajo e mbjelljes së malit më të bukur anë një qyteti me pallate gjer në majën e tij?

Kur mendoj që regjimi i Enver Hoxhës kishte moto punën - punën e detyruar, punën vullnetare, punën në prodhim etj., dhe njerëzit u qepeshin kodrave dhe maleve, prishin kullota po, por ngrinin tarraca, mbillnin ullishta dhe plantacione me agrume, kurse regjimi i Sali Berishës ka për moto shitjen - shitjen me privatizim, shitjen me koncesion, shitjen me një euro dhe as nuk pyet çfarë ndodh me vendin, më kap një brengë e madhe, sepse, ndërsa i pari çlironte fuqinë ripërtëritëse të tokës, i dyti e tjetërson atë duke i hapur rrugën e degradimit në formë betonizimi dhe shkatërrimi ekologjik. 

Iluzion nuk kam, sepse e di që regjimi i mëparshëm edhe pse na la një vend të padëmtuar së jashtmi, pasurinë e fituar nuk e përdori për të mirën e popullit po për qetësimin e paranojës së udhëheqjes, që ai ekonominë e futi në qorrsokak duke e izoluar vendin. E sidomos krijoi, duke "shembur idhujt e djeshëm" një zbrazëtirë të madhe morale, nga dolën prej trekëndëshit të dikurshëm revolucionar sekretarët e partisë që morën në dorë qeverimin e Shqipërisë sot.

Pa asnjë skrupull, me një varfëri të tmerrshme kulturore, me paaftësi të skajshme drejtuese, që i ka bërë nga administratorë pasurish për çka i ka zgjedhur populli, në shitës pasurish kombëtare.

Po nesër, o Zot çfarë do të shesin? Parqet kombëtare, parqet arkeologjike? Butrintin, Apoloninë, Kodikun e purpurt të Beratit, ikonat e Onufrit, lagunën e Karavastasë, liqenin e Ohrit?

Por le të mendojmë vetëm për një çast se sa të vegjël dhe banalë janë prapa tezgave të tyre, për të kuptuar se aq lehtë sa shkruajnë tabelëzën "Shitet" në ballin e Shqipërisë, po aq lehtë një ditë do t'u ndalet dora dhe do të detyrohen të përgjigjen për të gjitha të këqijat që po i bëjnë vendit. 

14 Komente

zoti klosi ,nuk mendon se edhe ti je bashkeshites?esati shet karaburunin ,ti shet ali pash tepelenen ,ai shet detin ti shet gjuhen shqipe,ai shet tokat e shqiptareve te fazllici ti shet skenderbeun.te dyve u bashkon shitja e cdo gjeje shqiptare.secili ne fushen e vete.edhe ti je nje sali i vogel

Ashtu është: asnjë fjalë nuk do i hiqja diagnozës më sipër. 

I sëmuri është shtrirë anës rrugës, doktorët nuk kanë gjasë ta shërojnë, përkundrazi. Ne kalimtarët shkojmë atje e ndalemi për të parë çfarë ka ndodhur. Zoti Klosi me sa duket është nga ata që ia venë gishtin në plagë të gjorit, për t'u siguruar në i dhemb. Dhe bën gabimin të shprehë diç, që edhe mund të mos ish thënë, diç si: nuk kam iluzione se do ta ketë gjatë. Duhet apo nuk duhet thënë, kjo i ngjan të komentuarit e motit, që kanë zakon të përflasin ata që u duket se verbalizimi e lehtëson brengën, boshllëkun që shoqëron pantomimën . E që nuk është se na ndriçon, pasi sytë në ballë i kemi; të gjithë e dimë se jemi të korruptuar, të gjithë e dimë se gjërat nuk shkojnë mirë; e dimë më mirë se sa do të donim. Pyetja shtrohet: ç'të bëjmë? Hiç, na thotë zoti Klosi, nuk ke ç'bën. Pyesim veten: dhe?... hiç, kaq... hm... 

 shesim, blejme, na shesin, na blejne, kete pune kemi ne...

 Por le të mendojmë vetëm për një çast se sa të vegjël dhe banalë janë prapa tezgave të tyre, për të kuptuar se aq lehtë sa shkruajnë tabelëzën "Shitet" në ballin e Shqipërisë, po aq lehtë një ditë do t'u ndalet dora dhe do të detyrohen të përgjigjen për të gjitha të këqijat që po i bëjnë vendit.

Ky paragraf te ben te shqyhesh gazit.Deshperimi Klosit ja le vendin utopise.Po jo mor Klosi, jo.Pandeshkueshmeria ketu eshte kthyer ne INSTITUCION.Fataliteti eshte menyra jone e jeteses.Paftesia per te bere shtet eshte zeja jone shekullore.

Dakort spiritus.  Por cfare te beje tjeter Klosi?  Se kollaj te shqyhemi gazi me utopine e tij.  Pandeshkueshmerine si institucion kush mund ta rrenoje?  Vrihen 4 veta, cfare behet? Hic.  Shiten te bera e te pabera, hic.  Hyjne 600 vota ne kuti e dalin 900, hic.  Papunesia nje dynja, hic.  Pensionet bloze, hic.  Spitalet pa ilace, hic.  E me radhe ...

 Cfare te beje Klosi? As une nuk e di. Ama te krijosh iluzionin se po vjen nje dite dhe gjithe zullumqaret do te japin llogari , me duket utopi.Kete e them duke u nisur nga zhvillimet 20 vjecare ne kete pellg te qelbur amoralizmi dhe nisur nga premisa se zhvillimi metejshem do te jete linear, thjeshte nje rrjedhe ne shtratin tashme te hapur (shiko ate foton e Lanes-vetem pas shiut dalin plehrat ne siperfaqe por...nje lume m..ti eshte ) Mbaj mend se ne 97 u krijua ideja se per te gjitha privatizimet e paligjshme, vjedhjet me boredet e famshme te privatizimit, allishverishet me pronat publike dhe private etj, pra per te gjitha keto do te kishte procese gjyqesore per te bere shembull zullumqaret. Me thuaj cfare u be??

Me tej: ky prestigjatori qe kemi ne krye ne 2005 erdhi me sloganin e "duarve te pastra" dhe kalin e bukur (te betejes) te antikorrupsinit, me premtime per cmontimin e monopoleve, denimin e te korruptuarve me Padrinon ne krye etj. etj. Rezultati? Korrupsioni u be mullar e ka plasur sheshit dhe plot historira qe duan  1000 e nje net   te ckoqiten.

Papunesia, ilacet, spitalet, pensionet ..thua ti...dhe une them. Kur dhe kush do ti ndeshkoje pra ata qe te pabreke i zuri dita, milionere i zuri nata. ? Une nuk pres ndonje revolucion qe te nxjerri Robespierin e vet, as Avni Rusteme nuk pres, aq me teper kur historianet zyrtare e justifikojne Estat Pashe Toptanin .

Edhe ndonje mesi apo profet nuk pres, te pakten akademiket tane pa mjeker dhe mjeshter te rrumbullakosjes se gurit me qoshe, na thone se kjo kohe nuk prodhon dot autoritete morale.

Perfundimisht te gjitha rruget na cojne ne imperativin e krijimit te gjykatave pernjimend te pavarura.Gangrenizimi sistemit kaq te bukur kapitalist ketu ka ardhur pikerisht nga klasa e qelbet politike qe ka krijuar kete gjethen legale te fikut me emrin sugjestionues (dhe justifikues) sistemi pavarur gjyqesor. Duhet studiuar Ataturku mbase.

Kshu pra Monda dhe ndjese per tonin pak jo te qete. Sidomos ndjese per admiruesit e statusquo-se, per ata qe pafajesisht irritohen nga ngjarje qe krijojne trafik dhe veshtiresojne kalimin per ne kafenene  e preferuar.

 

Nuk ke perse kerkon ndjese, perkundrazi.  Nqs tonin do ta kishe "pak" ose "shume" te qete atehere duhet te kerkoje ndjese smiley.

Cfare doja te thoja me ate me siper eshte qe Klosi, apo kushdo, shkroi nje artikull.  Le te themi artikullin e radhes mbi keto shqetesime.  Ajo mbyllja ne fund per aq sa mund te jete utopike eshte edhe thirrje ne nje fare menyre.

Nga ana tjeter, ti ofron si zgjidhje krijimin e gjykatave te pavarura.  (Mendoj se e di me mire se une se si e qysh e tek emerohen gjykatesit sot e dje e pardje.)  Por qe te arrihet ne ate faze duhet te jene krijuar kushte te tilla presioni qe te kete forcen te vendos nje sistem te tille drejtesie.  E pra, ketu ta kisha fjalen qe persa i perket presionit jemi tek "hic."   

 Me behet shume qejfi kur Klosi flet per kelasen me te ndyre, ate te sekretareve te partise ne kohen e diktatures, por nuk e dikam qe ky njeri paska shitur edhe vete gjerat e shtrenjta te Shqiperise. Ndokush le te me ndricoje, faleminderit. (adriatik)

 edhe nje artikull me shume ne rubriken te ndertojme socializmin me forcat tona.....bravo Klosi, dukesh qe ke qene student ndritur i marksizem leninizmit....ajo puna e skenderbeut si u nda: a eshte apo nuk eshte shqiptar????

Klosi, i ziu ti po s'na llafose per ate punen e Skenderbeut.

Nderkohe:

Kuvendi shet HEC-et

Kuvendi ktheu në ligj projektin e shumëdebatuar të qeverisë, që i hap rrugë për herë të parë në historinë e vendit shitjes së hidrocentraleve ekzistuese tek privatët. 

Drafti që është konsideruar nga opozita si një akt kriminal, u miratua me 73 votat e deputetëve të mazhorancës. 4 hidrocentralet e para që do të shiten tek privatët janë ai i Ulzës, Shkopetit dhe dy hidrocentralet e Bistricës. Këto vepra prodhojnë së bashku 5.5 për qind të totalit të energjisë në vend. Në kuvend ishte i ftuar edhe guvernatori i Bankes Qendrore Ardian Fullani, i cili paraqiti para deputeteve raportin e vitit te kaluar duke dhene dhe sugjerime per reformat e nevojshme qe fuqizojne ekonomine. 

Shkurt muhabeti, hajdutet pasurohen akoma me shume dhe populli varferohet aaaaakooomaaaa me shume!

Klosi i ka bere lemsh dyqind gjera njehere. I fut nje here nje metafore me makine. Masanej kalon te rremuja e kaosi i ambientit, e te buxheti i shtetit, po une e lashe leximin kur filloi te ankohej qe pronaret shesin trojet e veta. Se me sa di une, kur e ke pronen tate e shet si te dush, kur te dush e per sa leke te dush. Nejse nejse

Aty do vini te gjithe z.Klosi . Aty . Tek diagnoza e Kancerit , Sides , Murtajes qe i ka rene Shqiperise . Asnjehere nuk u kujtuat per alternativa por vetem per nxirrje , balte , bajga ne artikuj . Tani qe po e shikoni se nuk ka me Shqiperi , ka vetem Kusare Kurvare qe e kane nxjerre ne treg qe prej viti 90 ... Ka kurvare qe e permbytin ta kene me kollaj ta shnderojne per me ba Venec .... tani Ju vine mendte . Prisni prisni se eshte shume pak . Nuk ka kaluar Euforia e shitjes e pasurise se popullit per 40 vjet . Prandaj pyet ti se ku i gjejne parate ? Prit dhe pak . Keto shitje jane hapat e pare .Kur ta shihni veten me zgjedhe ne qafe do kujtoheni qe zjarri nuk ka rrene tek "fqinji "

Kot nuk e ka nderimin me dy Gishta lart ai .Sa te mbyse ate vend e ate popull ne mut deri ne ate lartesi . Dhe e kane gati formulen "nuk e kuptonim , nuk dinim gje "

Rendesi ka qe te kuptosh  se ti "gabove " ndoshta dhe rende per nje trajtim siperfaqesor te figures se Skenderbeut , pra atakove , ketu ke njerez qe barabitin te njejten tuaj me SHITJEN e Shqiperise . Duket si e padrejte por aty kane filluar "shitjet " . Rendesi ka qe te kuptoni se cfare po vjen , te pakten si nje mundesi reflektimi. Keshtu je i mirkuptuar !

Dhe keshtu ne BLLOK aq me teper kur mbi shpatulla mbani edhe peshen e dhimbjes me te padrejte Historikisht por Jo te Antishqiptarit , Ju mund te beni dicka dita dites per te ndalur kete MONSTER ne shitjen e mootosjen perfundimtare te Shqiperise ! Mos u ndalni .

Rreshti i fundit me pelqeu, veç kam frike se asnje nga keta muter drejtues e manaxhues, nuk do t'japi llogari. E çuditeshme eshte se Shqiperise dhe banorve te saj, e keqja nuk po ju vjen nga i huaji apo ndonje pushtim, por nga qeverite e saj/tyre.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).