Foto-Japan-1--1995-Fukushima!.jpg (450×308)

Baftjar Novruzaj është një ekspert i njohur i sigurisë bërthamore në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, me qendër në Vjenë. Që nga viti i largët 1995, ai ka shkuar, për llogari të Agjencisë, në disa misione vëzhgimi në centralin e shumëpërfolur të Fukushimas, i cili doli jashtë kontrollit, pas cunamit të marsit të këtij viti. Në këtë intervistë për MAPO, dr. Novruzaj trajton rastin në fjalë, por edhe aspekte të tjera që lidhen me prodhimin dhe përdorimin e energjisë bërthamore në botë dhe në Shqipëri

Dr.Novruzaj, ju keni qenë ndër specialistët që kanë inspektuar centralin bërthamor të Fukushimës, në emër të Agjencisë Atomike Padyshim jeni pra, shqiptari i parë që ka shkelur në atë impiant, që sot përbën ankthin e shumë miliona njerëzve, jo vetëm në Japoni, por në gjithë botën. Çfarë kujtoni nga ajo vizitë?
Me Fukushimën më lidh edhe dicka personale e emotive, prandaj e mbaj mend mire. Ngjarjet që ndodhën më sollën si në një film të xhiruar mbrapsht me detaje gjithë atë ditë inspektimi. Ishte Qershor i viti 1995. Ishte inspektimi im i parë në një impjant bërthamor në Japoni. Pas kësaj kam shkuar për inspektim edhe shume here te tjera ne Fukushima, por impresionet e herës së parë mbeten. Kur hyra në zonën e centraleve bërthamore të Fukushimës pata përshtypjen se po hyja jo ne nje zonë te fuqishme energjitike, por në një qytezë të madhe si ato të qëndrave te mëdha shkencore. Kudo gjelberim e lulezim shumëngjyrësh. Godinat e shumta fshiheshin midis gjelbërimit te dendur. Cdo gjë e rregulluar e sistemuar: rrugët, trotuaret, lulishtet, parqet. Nuk mungojnë as sinjalistika rrugore e as dritat e trafikut. Tej ne fund te ketij pejsazhi lartësoheshin në horizont kullat e reaktorëve bërthamorë për të treguar se zot të kësaj hapësire ishin ata. 

Hyrja dhe dalja për inspektim ne sallën e reaktorit bëhet sipas nje protokolli shumë rigoroz. Mbaj mend se reaktori ishte i hapur dhe i rimbushur me lenden djegesen berthamore te nevojshme per te filluar nje cikel te ri prodhimi. Rregullat e punës me lëndë radioaktive dhe procedurat e inspektimit e verifikimit duhej te ndiqeshin me eficencë dhe rigorozitet maksimal. Ajo që akoma mbaj mend është serioziteti, korrektesa, fryma bashkëpunuese dhe mirësjellja nga ana stafit japonez. Kjo ta lehteson punen. Kete e kam pare e konstatuar edhe në inspektimet e tjera ne Fukushima apo ne impjante te tjera bërthamore në Japoni, për gjatë gjithë periudhës sime 16 vjecare si inspektor bërthamor pranë Agensisë Ndërkombëtare te Energjisë Atomike (ANEA) . 

Kur e shoh tani atë shkatërrim total te reaktorëve dhe te zonës përreth nuk ndjehem mirë. Nuk e di nëse kjo ‘qytezë’ do të ribëhet ndonjëherë. Dua ta mbaj mend ashtu sic ishte.

A do të donit të riktheheshit për një tjetër inspektim në Fukushima?
Pse jo? Madje me deshirë e kuriozitet profesional. Por situata e krijuar radiacionale dhe gjëndja aktuale e lëndës djegëse bërthamore ne zemër të reaktoreve të dëmtuar e bëjne të pamundur edhe për një kohë të gjatë kthimim e inspektorëve bërthamorë në Fukushima. Procesi i restaurimit dhe stabilizimit te situatës, do të kërkojë kohë. Objektivi kryesor që synohet të arrihet është shuarja e ftohtë e reaktorëve brenda Janarit 2012. Le të shpresojmë që kjo do të realizohet.

A ishte imagjinuar atëhere nga ekspertët, se një cunami mund të qe njëri ndër shkaqet që do ta vinte në rrezik centralin bërthamor?
Sipas të dhënave japoneze, projekti bazë i këtyre reaktoreve ishte hartuar për të përballuar valë cunami deri ne 5.7 m lartësi, ndërkohë qe të dhënat e fundit tregojnë që vala e cunamit ne zonën e Fukushimës arriti në kufirin e 14m . A ka pasur paralajmërime apo rekomandime kompania qe zoteron ket centrale-TEPCO për te rishikuar e rivlerësuar projektin bazë? Po, ka pasur, madje nga vetë expertët e autoritetit atomik kombëtar te sigurisë dhe specialistë të vete kompanisë. Sic thekson edhe raporti i fundit i ANEA-s, këto rekomandime ishin injoruar. Arsyet lidhen me faktin se lartësia prej 5.7 m ishte llogaritur duke marrë parasysh se në 200 vjetet e fundit nuk është regjistruar ndonje valë cunami qe t’i afrohet kësaj lartesie. Kështu nje vale cunami mbi 5.7m konsiderohej nje ngarje me probabilitet shumë te ulët. Padyshim edhe kostoja e këtij ndërtimi shtesë duhet të ketë luajtur rolin e vet. 

Por nuk eshte vetëm kjo. Nje problem tjetër, që buron nga supozimi apo projekt-idea bazë e mësipërme ishte ai i vendosjes së generatorëve reservë diesel të pompave ftohëse të emergjencës në nivelin perdhes, në të njëjtin nivel me turbinat. Kjo vendosje rezultoi fatale:12 nga 13 gjeneratorët diesel dolen shumë shpejt jasht përdorimit si resultat i përmbytjes nga vala e cunamit. Nqs këta gjeneratorë do të ishin vendosur më lart, dëmtimi i reaktorëve mund të ishte parandaluur ose minimizuar dhe pasojat edhe pas një cunami kaq të fuqishëm mund te kishin qëne shumë më të vogla. 

Si qëndrojnë incidentet në raport me peshën dhe dëmin e shkaktuar, incidentet e Çernobilit dhe ky i Fukushimës?
Tre janë aksidentet më të mëdha në historinë e e zhvillimit të industrisë energjitike bërthamore. Në mënyrë kronologjike, i pari është ai i Three Mile Island (TMI) në SHBA, në vitin 1979, i cili vlerësohet si më i vogli nga të tre. Edhe ketu si në Fukushima, por në një sasi shumë më të vogël, pati rrjedhje te gazit radioaktiv si rezultat i një shkrirjeje të pjesëshme të zemrës së reaktorit. Nuk pati asnje vdekje. Impakti në mjedisin përreth ishte minimal. Aksidenti i dytë dhe më i madhi është ai Cernobilit, i vitit 1986, i cili shpertheu duke shpërndarë në atmosferë nje derdhje masive radioaktve. Fukushima është aksidenti i tretë i madh bërthamor, i cili mund të konsiderohet i dyti pas Çernobilit, për nga madhësia.. Shkaku i aksidentit ishte vala e fuqishme e cunamit, e cila nxorri jashtë përdorimit sistemet emergjente të ftohjes së reaktorit duke cuar për pasoje në mbinxehjen e reaktoreve, te pasuar nga shkrirja e pjesëshme e zemrës së tre reaktorëve dhe çlirimin e sasive të mëdha të lëndës radioaktive në ajër dhe të hidrogjenit që hodhi ne erë godinat e reaktorëve. Një shikim krahasues midis dy aksidenteve më të mëdhenj bërthamor – atij të Cernobilit dhe Fukushimës duhet parë ne disa plane.

Së pari, duhet thënë se formalisht te dy aksidentet janë klasifikuar si aksidente të nivelit 7- niveli më i larte serioz në Shkallen Ndërkombëtare të Ngjarjeve Bërthamore. Nga shumë specialistë, niveli 7 për Fukushimin konsiderohet paksa i ekzagjeruar, por nëqoftëse gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur, atëhere ekziston një rrezik potencial që Fukushima të bëhet më i madh nga Çernobili. 

Së dyti, fizika dhe e ndërtimi i reaktoreve që përcakton edhe dinamiken e aksidenteve jane te ndryshme. Reaktori i Çernobilit ishte një reaktor që përdorte ujin si ftohës dhe grafitin si moderator, e me koeficient pozitiv të temperaturës, i cili lehtë mund të dilte, ashtu siç edhe ndodhi, jashtë kontrollit, për shkak të një gabimi njerëzor. Kjo çoi në një shpërthim e zjarr të fuqishëm, që hodhi në atmosferë sasi kolosale materiali radioaktiv (10 herë më të madh sesa bomba bërthamore e hedhur mbi Hiroshima në 1945). Më shumë se 30 persona të shërbimit vdiqën brënda 3 muajve. Impakti bëhet dhe më i madh, po te kemi parasysh se autoritetet ruse 2 ditët e para e fshehën aksidentin. Nga ana tjetër reaktorët e Fukushimës përdorin vetem ujin si ftohës dhe si moderator dhe kanë koeficient negativ të temperaturës që përbën një elemtent shumë të rëndësishëm pasiv te sigurisë. Clirimi i lëndës radioaktive për shkak të mbinxehjes dhe jo të ndonjë reaksioni zinxhir është i shtrirë në kohe dhe jo i papritur, duke i dhënë mundësi autoriteve të bëjnë në kohë një evakuim të studiuar dhe të organizuar të popullatës, duke e bërë kështu te paperfillshëm impaktin e ketij aksidenti në shëndetin e popullatës civile. Në Fukushima nuk ka asnjë vdekje për shkak të rrezatimit

Së treti, barrierat strukturore mbrojtëse midis zemrës së reaktorit dhe mjedisit janë krejt të ndryshme. Cernobili nuk kishte fare barriere te forte qe te mund te ndalonte materialin radioaktiv të fluturonte direkt në ajër. Reaktorët e Fukushimës janë ndërtuar në themele graniti, dhe janë të rrethuar nga disa barriera të forta celiku e betoni, që e kufizojnë nëse se nuk e ndalojne derdhjen radioaktive në mjedis. 

Se katërti, ndotjet radioaktive nga Cernobili u përhapën ne siperfaqe shumë të mëdha të Europës,.Zona brenda rrezes prej 30 km eshte akoma pabanueshme.
Autoritetet japoneze kanë vlerësuar se një muaj pas aksidentit sasia e radioaktivitetit të cliruar ne atmosfere nga Fukushima është 10 herë më i ulët se sa ai i Cernobilit. Sidoqoftë vlen të thuhet se ndërsa te dhënat për Cernobilin janë të plota, ato për Fukushimën janë akoma në evoluim. Vleresimi i plotë do të bëhet vetëm pasi reaktorët të kalojnë në gjëndjen e shuarjes së ftohtë. 

Ka një debat të rëndësishëm ndërkombëtar që lidhet me energjinë atomike. Gjermania sapo njoftoi mbylljen graduale të reaktorëve të saj nuklearë. Ju si specialist, si e shihni të ardhmen e energjisë bërthamore?
Energjia bërthamore qysh me lindjen e saj ka qënë kontraversal dhe pjesë e debatit politik e civil. Perceptimi publik për këtë teknologji, për arsye historike qëlidhen me bombën bërthamore e me Cernobilin, por edhe për shkak te natyrës “mistike“ të rrezatimi bërthamor dhe të natyrës jo konvencionale të burimit të kësaj energjie, është ai i një teknologjie jo të sigurtë dhe të dëmshme për shëndetin publik dhe mjedisin. Aksidente të tilla si ky i Fukushimës e sjellin përsëri në rend të ditës debatin për energjinë bërthamore, që është më shumë i natyrës politike se sa teknike. Para Fukushimës energjia bërthamore po përjetonte nje periudhe intersante rilindjeje . 

Shumica e vendeve të zhvilluara si SHBA, Anglia, Franca , Gjermania, Italia, Japonia, Suedia, Finlanda, Kanadaja, por edhe Rusia, Kina India, etj. pasi rishikuan politikat e tyre afatgjata në fushën e energjisë dhe te konservimit të mjedisit, arritën në të njëjtin përfundim, se për të siguruar pavarësinë energjitike tq shoqëruar me pergjegjshmëri tq lartq ndaj mjedisit, ajo që do të luante rolin qendror në strategjite e tyre afatgjata të zhvillimit energjitik kombetar per shekullin e 21-te do te ishte energjia bërthamore. Mendoj që arsyet, faktorët dhe numrat që cuan kaq shumë vende ne te njejtën shteg – ne ate te energjise berthamore- ngelen te pandryshueshme me apo pa Fukushimën.

Fukushima vetëm mund të shtyjë dhe të vonojë përkohësisht realizimin e planeve të hartuara duke lenë kohë për një rishikim e rivlerësim serioz të standarteve te sigurisë bërthamore duke reflektuar në to edhe mësimet e nxjerra nga Fukushima. Si effekt imediat te Fukushimes do te konsideroja hapjen e një carje të re në besimin e opinionit public ndaj energjisë bërthamore dhe rigjallerimin levizjeve anti bërthamore, te cilat dot përpiqen të ushrojnë trysni mbi politikën. Kjo është që ndodhi në Gjermani, e cila ndryshoi kurs duke aprovuar një ligj për mbylljen e të gjithë reaktorëve bërthamore brënda vitit 2022. Ana etike e këtij vendimi eshte e diskutushme kur vendi vazhdon të importojë energji elektrike nga Franca, e cila 75% te energjisë e prodhon nga centralet bërthamore. 

Ne gjykimin tim, fati apo e ardhmja e cdo lloj enegjie percactohet jo nga ngjarje te tilla si Fukushima, por nga kërkesat e nevojat ghithnjë në rritje për enegji, nga kërkesa që kjo enegji te jetë sa më e pastër dhe nga fakti se cfarë mund të ofrojë kjo apo ajo lloj energjie në raport me dy kërkesat e mësipërme. Energjia bërthamore duke disponuar nje potencial të fuqishëm prodhimi dhe duke qene njekohesish nje burim i paster energjie qe nuk cliron karbon në mjedis, do të mbetet pa dyshim një nga pilarët krysore, ne mos kryesori, i revolucionit energjitik qe ka per objektiv kryesor reduktimin e karbonit te cliruar në mjedis deri në 80%.

Sot per sot ne bote jane ne funksionim 439 reactore berthamore qe prodhojne me shume se 16% te energjise elektrike boterore. Me dhjetra te tjere jane ne fazen e ndertimit apo te projektimit. Ka vende si Franca ku energjia berthamore zë 75% te shumes totale te energjisë të prodhuar. Këto janë numra që flasin, vështirë t’i injorosh.

Jeni në dijeni se një debat bërthamor është konsumuar disi edhe në vendin tonë, vite më parë, kur qeveria fliste për plane konkrete për ndërtimin e centraleve bërthamore. Sa e mundur është, sipas jush, një e ardhme bërthamore për Shqipërinë?
Mesa di une Shqipëria ka perfshire tashme në programet afatgjate të zhvillimt energjitik të vendit si një opsion të mundshëm edhe energjinë bërthamore. Kjo eshte nje gje normale. Kam pershtypje se shume njerez kanë menduar se bëhet fjalë për një projekt bërthamor që brënda 4-5 vjetesh do ta bënte Shqipërine me një reaktor bërthamor. Padyshim, ne kete mes ka dhe spekullime, edhe politikë. Nisja e një progami bërthamor për zhvillimin energjisë bërthamore është një ndërmarrje shumë serioze që kërkon një planifikim të kujdesshëm, përgatitje serioze, resurse njerëzore, investime në kohë, etj. Dhe është mbi të gjitha nje proces afatgjatë e shumë planësh. Eksperienca e vendeve te tjera te zhvilluara ka treguar qe ky proces mund të zgjasë 10-15 vjet ose edhe më shumë.
Veshtirësitë kryesore që shoh une lidhen kryesisht me mungesën e infrastrukturës bërthamore. Ajo eshte pothuajse jo-ekzistente. Me këtë kam kam parasysh:
• Mungesën në formimin, edukimin dhe trainimin në fushën inxhinierisë bërthamore, të IT, kimisë e fizikës së reactorëve, sigurisë bërthamore, etj.
• Mungesa e një infrastrukture industriale të zhvilluar 
• Kulturën e ulët të punës 
• Mungesën thuajse totale të eksperiencës dhe traditës në fushën e energjitikës bërthamore
• Mungesat në formimin e kualifikimin e personelit te autoriteteve të nevojsme rregullatore dhe te licenzimit
• Rrjeti shpërndarës i energjisë është i vjetër e i konsumuar
• Mungesën e një infrastrukture adekuate rrugore 
• Mungesën e eksperincës dhe e personelit inxhienjiero-teknik të specializuar për të përballuar ekzigjencat dhe specifikën e ndërtimit të centraleve bërthamore.
Thembra e Akilit e një projekti bërthamor mbetet financimi. Kostoja e ndërtimit të një centrali bërthamor sot mund shkojë deri në disa miliarda USD, prandaj financimi i projekteve të tilla paraqet shpesh probleme, të cilat po nuk u qartësuan që në fillim rrezikojnë krejt projektin. 
Per fat te keq Shqipëria është në një zonë sismike, fakt që e shton shkallën e vështirësisë e kërkesat ndaj vendit te ndertimit dhe vete ndertimit të reaktorit. 
Rruga për të realizar një projekt të tillë është e gjatë, e vështirë dhe menaxhimi i tij akoma dhe më i veshtirë. Mali është i lartë dhe për të arritur në majë duhet te fillosh ta ngjitësh. 

4 Komente

Baftjari ka fol tamam si inspektor.. Mund te them se puna e inspektorit eshte nje nga punet me the llime ne lidhje me ket biznes..

dmth e morem vesh pse fukushima shkoi ne hale te gomerve...

sa rralle lexohen ne shqip artikuj te artikuluar mire!

ishte vertet nje kenaqesi.

E mer Baftjar, mer Baftjar ke harrue me shkrue qi Energjia Berthamore nuk bohet n'Shqypni prej Sales ne prej Edvinit te Rams.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).