Genc Kadriu

 

Me kan’ n’dashni

Me e përfshi n’tansi natyrën e detit,

duhet me kan’ peshk,

dhe me e përfshi n’tansi natyrën e peshkut,

duhet me kan’ det.

Por asht ende nji situat’ e tret’:

me kan’ dyjat – me kan’ zot.

 

Me e përfshi n’tansi natyrën e zotit,

duhet me kan’ vet,

dhe me e përfshi n’tansi natyrën e t’kanunit vet,

duhet me kan’ zot.

Por asht ende nji situat’ e tret’:

me kan’ dyjat – me kan’ bashk’.

 

Me kan’ n’dashni asht me kan’ dyjat,

edhe bashk’ edhe vet.

 

Të dashunoj …

Të dashunoj ty edhe krejt çka s’je: me andrrat e tua përfshie ankthet e mia

Të dashunoj me krejt çka s’je, se, edhe me t’varros’ n’akull, dimnin s’un e ngrij

Të dashunoj bashk’ me mue qi të dashunon tye, por pa tutë qi patja e seneve dhuron, se me t’përvet’sue kish’ me kan’ me t’pezmatue me ndjenja t’hueja - t’mija

Të dashunoj dhe krenohem qi n’krah e maj k’të fuqi titane, qi s’krenohet,

se krenaria i asht e panevojshme  -  e pavëmenshme qoft’ edhe ndaj kundërshtimit tand oqeanik,n’stilin e madh.

 

Të dashunoj, por në stil të madh, dhe paloj dashuninë teme në anije letre

me mahnitje fëmiu – e l’shoj n’lumën e ligjit të shpalosjes tande:

ndjenja nën kët’ emën asht mosmerzitje, se dashunia jeme për ty

e pin dashuninë ndaj dashunisë teme për ty – si toka shiun

 

Të dashunoj e të dashunoj edhe ma shum’ për faktin qi nesër muj edhe mos me t’dashunue: edhe-ma-shum’ asht qymyr për zjarr, të cilit ti, për m’ja vertetue çiltërsinë, e kthen në lule

 

Të dashunoj edhe ma shum’ se dashunia për ty asht krejt çka kam, e çka mund’ t’jet’

n’rrafshin e kafshës qi asht, edhe pse-e pa-kohë, e pa-arsye, e persongabueme,

prap e vlefshme dhe e vërtetë, dhe e vlefshme se e vërtetë

 

Të dashunoj dhe spekuloj – me nji skepticizëm qi asht rezultat i nji jete t’tanë – qi me shkrue mi dashunin’ qi m’shtrëngon n’rranj’ e deg’ për ty, asht si me ia nal’ frymën vetes e me njeh’: me shpik’ gjuhë qi ju ban thirrje ndjenjave t’pashpjegueshme, dhe qi ju jep shprehje mendimeve t’pandjeshme, qi lypin fjalë t’reja për m’u ndje dhe mendue, përderisa,

me t’dashunue në rastisjen e shpalimit tand, n’t'kunrejtën,

asht me e nal’ njehjen dhe mendimin, e me e l’shue frymën, si zog n’qiell

 

Të dashunoj me krejt çka s’je, e me krejt çka nesër munesh me kan’, çka je kan’, e çka s’je kan’, n’pakufijsi t’mundsive dhe ligjeve t’jepjes tande, n’absolut,

por pa dogmë metafizike e relativizëm dogmatik

 

Te dashunoj deri n’pikën e rr’nimit t’subjektit si mbiemën,

e deri në aporinë e sillogjizmit dhe logjikave tejkonsistente,

 

…dhe vazhdoj

 

të marr frymë si zot?.

 

E puthja

T’shikoj n’sy,

dhe sho’ nji përbinshe si t’shikon ty.

 

M’shikon n’sy, por jo përbinshen qi t’shikon ty,

dhe she’ nji përbinsh si e shikon n'sy,

përbinshen qi s’e she’ qi t’shikon ty.

 

Gjithsia maron k’tu, si kang’ n’shurdhsi,

E puthja a’ pshtim – prej shëmtis’ t’bukuris’.

 

Edhe kur t’binë maskat

Edhe kur t’binë maskat

Dhe t’zbulohen shëmtitë e botës

Njerëzit prap kan’ me iu bindë

Ligsive t’mbizotnimit

Se dekën s’e shikjojnë në sy

Bindjet e kësaj jete.

 

Lotët prap kan’ me vazhdu me i mbushë puset

E dhimbjet shpirtnat

E farat tokat

E t’dekunit gratë.

 

Edhe tash, derisa jam duke i kositë këto vargje

Robt e jetës luejn zotna, si gjarpinjtë n’livadh

Robt e zotit luejn mbretna, prej lules n’lule, si flutra

E robt e mbretit vazhdojnë me iu bindë atij

Edhe mbas thyemjes t’maskave

E zbulimit t’shëmtive.

 

Por kur dita t’i jetë nenshtrue pasionit të natës

E drita e ditës ta ketë shqiptue amanetin e agimit

At’herë kur shpirtnat t’i ketë lirue nëntoka

Sikur qentë zotnia

Un’ kam me u ulë kambkryq me Dionisin,

Dhe kem me pi avull toke

Dhe kem me ndigjue tregimin ma t’ri

Për Afërditën.

 

E unë s’e kam atë guxim

Si hije bote, si natë

E preme me gërshanë,

Jo gëzim, por premtim;

E unë s’e kam atë guxim

Me t’u afrue e me t’folë.

 

Si copë vajtimi, si shpresë,

Frut i vjerun n’brymë – kokë

N’mendje t’huej, emën i huej;

E unë s’e kam atë guxim

Me t’u afrue e me t’folë.

 

Si provë, e preme për buzë, e pikun me

Pika t’vesës t’ikun,

Kot kishe me marrën formë,

T’guximit që s’e kam,

Me t’u afrue e me t’folë.

 

Pa tupan, pa zhurmë, si natë,

M’zvarritesh nëpër t’çanuna të mendjes

Pa trohën e ndjenjës;

E unë s’e kam atë guxim

Mos me deshtë me t’u afrue me t’folë.

6 Komente

me fiksoi fare kjo e fundit...

coup de foudre per gegnishten smiley.  

tek e fundit me ngelen syte dhe te tjerat smiley

 

t'bukra, t'bukra smiley

jam kurioz, eshte e kuptueshme e shkruara e gegnishtes se kosoves?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).