Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të akuzuarit e tjerë në raportin e Dick Martyt, do të hetohen nga Bashkimi Evropian. Njëzet e shtatë shtete anëtare të BE-së, pjesë e të cilit synon të jetë Kosova, kanë vendosur që të ngrihet një Task Forcë e veçantë e bazuar në Bruksel, e cila do të merret me hetimet e akuzave që ish-senatori zviceran, Dick Marty, i ka bërë në raportin e tij për Këshillin e Evropës, ku akuzon kryeministrin Hashim Thaçi dhe krerë tjerë të UÇK-së për trajtim çnjerëzor, trafikim organesh dhe krim të organizuar. Krijimin e Task Forcës e kanë konfirmuar për “Kohën Ditore” burime diplomatike, por edhe zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme Catherine Ashton, Maja Kocijancic. 

“EULEX-i me mbështetjen e 27 shteteve anëtare të BE-së ka vendosur që të krijojë Task Forcën, për të bërë hetimin në dyshimet që vijnë nga raporti i Dick Martyt. Një pjesë e Task Forcës do të jetë e vendosur në Bruksel”, ka thënë për “Kohën Ditore” zëdhënësja Maja Kocijancic.  Sipas saj, ky vendim i BE-së dëshmon trajtimin serioz të Bashkimit Evropian për akuzat e Martyt dhe nevojën që në Ballkanin perëndimor të luftohet krimi i organizuar. “Ka një dimension ndërkombëtar që kërkohet për këtë hetim. Prej fillimit kemi thënë se dyshimet e hedhura i marrim seriozisht dhe se duam të bëjmë gjithçka që është e mundur në mënyrë që të qartësohen ato. Ju e dini se të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor kanë për obligim luftimin e krimit të organizuar. Kjo është një dëshmi se ne e marrim seriozisht këtë”,ka thënë Kocijancic. 

Burime diplomatike kanë shpjeguar për gazetën se Task Forca që do të bëjë hetimet do të ketë një ekip prej dhjetë personash. Aty do të jetë një prokuror i veçantë, hetues të veçantë dhe staf tjetër, që nuk janë pjesë e misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.  Sipas burimeve, Task Forca do të jetë në gjendje që për çdo nevojë të hetimit të përdorë kapacitetet e EULEX-it, por që në kryerjen e hetimit do të jetë e pavarur nga misioni i BE-së.  Task Forca do të përdorë mënyrën që përdor EULEX-i për të raportuar për hetimet të 27 shteteve anëtare të BE-së në vazhdimësi, nëpërmjet një zyre të veçantë në Këshillin Evropian. Gazeta është munduar që për këtë çështje të marrë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, por ka qenë e pamundur. Qeveria Thaçi ende nuk ka emëruar zëdhënës, ndërkaq që zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike. 

Krijimi i Task Forcës nga Bashkimi Evropian vlerësohet si kompromis mes kërkesave të Serbisë dhe vetë senatorit e raportues i Këshillit të Evropës që akuzat e bëra të hetohen nga një trup i OKB-së, dhe qëndrimeve të shteteve përkrahëse të Kosovës, që akuzat të hetohen vetëm nga misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.  Presidenti serb, Boris Tadiq, edhe publikisht pati kërkuar që për hetimet e krimeve të luftës në Kosovë të krijohej një trup i veçantë, sikur ai i Tribunalit të Hagës për krimet në ish- Jugosllavi.

Ish- kryeprokurori i Zvicrës, Dick Marty, ka publikuar një raport për Këshillin e Evropës ku akuzon ish-krerët e UÇK-së për trafikim ilegal të organeve të serbëve të kidnapuar dhe i jep një prapavijë kriminale Qeverisë së Kosovës. Këshilli i Evropës është institucion që merret me të drejtat e njeriut dhe nuk ka lidhje me Bashkimin Evropian. Institucioni që vendos për BE-në është Këshilli Evropian. Megjithatë, Këshilli i Evropës bazuar në raportin e të dërguarit të vet, Dick Marty, ka miratuar muaj më parë një rezolutë ku ka kërkuar hetime për akuzat ndaj krerëve të ish-UÇK-së.  

_____________

Nga BalkanWeb

BRUKSELNjëzet e shtatë shtetet, anëtare të BE-së, i thanë unanimisht po ngritjes së një njësie speciale hetimi e cila do të merret me hetimet e akuzave për trafik organesh që ish-senatori zviceran, Dick Marty bëri në raportin e tij për Këshillin e Europës. Në raport Marty akuzon kryeministrin Hashim Thaçi dhe krerë tjerë të UÇK-së për trajtim çnjerëzor, trafikim organesh dhe krim të organizuar. Komiteti i Bashkimit Europian për Politikë dhe Siguri miratoi ngritjen e njësinë speciale më 25 maj dhe u mbështet unanimisht nga 27 vendet anëtare të BE.

E njohur si “Task Forcë” dhe e drejtuar nga një prokuror, njësia speciale do të jetë formalisht pjesë e EULEX (Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë) dhe një pjesë e saj  do të jetë e vendosur në Bruksel,një pjesë tjetër do të jetë e vendosur në Prishtinë. 

BE: HETIMIN E MARRIM SERIOZISHT
Zëdhënësja e e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme Catherine Ashton, zonja Maja Kocijancic thotë se ky vendim dëshmon trajtimin serioz të Bashkimit Evropian për akuzat e Martyt dhe nevojën që në Ballkanin Perëndimor të luftohet krimi i organizuar.
“Prej fillimit kemi thënë se dyshimet e hedhura i marrim seriozisht dhe se duam të bëjmë gjithçka që është e mundur në mënyrë që të qartësohen ato. Ju e dini se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për detyrim luftimin e krimit të organizuar. Kjo është një dëshmi se ne e marrim seriozisht këtë” – ka thënë zonja Kocijancic në një prononcim për NEWS24

HUMAN RIGHT WATCH: JU MBESHTESIM
Ngritja e Task Forcës konfirmohet dhe nga organizata ndërkombëtare Human Rights Watch e cila në një deklaratë të bërë publike sot thotë se “Vendimi i BE-së për të hapur një hetim të veçantë penal mbi krimet në Kosovë dhe Shqipëri pas luftës është një hap i mirëpritur për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në Ballkan” . HRW nënvizon në deklaratën e saj se suksesi i hetimit do të varet nga emërimi i një prokurori me eksperiencë të lartë, një programi efikas, në zhvendosjen e dëshmitarëve jashtë rajonit si dhe në mbështetjen e plotë të vendeve anëtare të BE-së dhe qeverisë amerikane.

"Ky hetim i posaçëm na sjell më afër drejtësisë për krimet e rënda të kryera pas luftës në Kosovë” deklaron Benjamin Ward, Zv drejtori për Eurpën dhe Azinë Qendrore në HRW.  “Por një prokuror serioz dhe me përvojë është i nevojshëm për të ndërtuar një grup të efektshëm hetimor, do të garantojë sigurinë e dëshmitarëve dhe do të sigurojë mbështetjen e qeverive kyce si ajo e SHBA-së. 

Zyrtari i HRW nënvozon se mbështetja e SHBA është kyce për shkak  të marrëdhënieve të ngushta që ajo ka me qeverinë kosovare dhe shqiptare.  "Si një përkrahëse kryesore e ndërhyrjes së NATO-s në 1999 dhe pavarësisë së mëvonshme të Kosovës, SHBA ka përgjegjësi për të promovuar dhe mbrojtur sundimin e ligjit në Kosovë," tha Ward. "Kjo do të thotë që SHBA tërësisht mbështet një hetim rigoroz në të gjitha pohimet e besueshme për krime të rënda."

Sipas HRW ringritja e një programi për mbrojtjen e dëshmitarëve, përfshi dhe mundësinë e zhvendosjes së tyre jashtë Kosovës, është kryesore për një hetim të suksesshëm. Hetimet e mëparshme janë penguar nga ngurrimi i dëshmitarëve, nga frika e hakmarrjes kundër tyre ose familjes. “Shpërngulja jashtë rajonit është shpesh e vetmja mënyrë për të mbrojtur dëshmitarët, por në përgjithësi qeveritë perëndimore kanë ngurruar ta bëjnë kryesisht për arsye politike të brendshme."- nënvizon zyrtari i HRW. 

5 Komente

kete gje BE-ja duhet ta kishte bere kohe me pare, por ..... me mire pak me vonese se kurre. Uroj qe kjo strukture te punoje me perkushtim dhe dedikim, e menyre qe e verteta te zbardhet e plote dhe te mos vonoje edhe me.

 Shqiptarët nuk duan tia dijnë, por nuk i lë bota. 

Dhe pse nuk bëjnë dhe një "Task Force" këta evropianët për ata katër të vrarë në bulevard? 

 

 Mos ka prapavije financiare, keto dyshime qesharake, sepse dihet tashme llogaritjet qe bejne peco-groset e bursave, per aktivitete te perfolura, aktivitete qe nuk dihet me saktesi. 

Kam folur per keto probleme tek "Vizione te qarta". 

Na merziten me keto intriga. Po qeveria jone ka thene ndonje gjysem llafi kohet e fundit? Se "krimet monstruoze" per te cilat Karla del Ponte e Dick Marty kane akuzuar UÇK thuhet se paskan ndodhur brenda territorit te Shqiperise ne nje "shtepi te verdhe" te ciles dy gjitaret e lartpermendur i dikan ngjyren por jo vendndodhjen...

pikerisht, ketu qendron alibia se ngjyren shtepise ja ndryshon nga e verdhe ne te bardhe. Mirpo, prape gjurmet ngelen se mjafton te geryesh shtresen e pare te gelqeres dhe te del e dyta e keshtu me radhe. Vetem po tia heqesh suvane komplet shpeton. Mirpo nuk ishin dhe aq te zgjuar.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).