E vërteta është e vetmja e vërtetë. Ajo është e vërtetë sa herë që është në pajtim me faktet gjegjësisht me realitetin. E vërteta është saktësi dhe aktualitet, megjithatë edhe e ndryshueshme nëse ndryshojnë faktet.

Por, ndonëse e thjeshtë, e vërteta është çdo gjë përpos simplistike. E vërteta— (dhe kur thuhet e vërteta në cilëndo gjuhë njerëzore, fjala natyrisht është për të vërtetën njerëzore të botës)— nuk është simplistike— pikësëpari dhe pikësëfundi— për shkak të ekzistencës së dy fenomeneve apo dy digave para portave të saj: opinioneve dhe të besuarit.

Përfaqësuesit më skajorë të spektrit të debatit mbi opinionet dhe të besuarit janë dy mendimtarët e mëdhenj: John Stuart Mill dhe Karl Marks. Milli i ka vrojtuar opinionet dhe të besuarit nga këndi individual dhe historik, ndërkaq Marksi e ka studiuar relacionin e opinioneve dhe të besuarit në konstalacion me pranimin total të tyre nga tërësia e individëve.

Në esenë e tij “Mbi lirinëMill është shumë i qartë për domosdoshmërinë e vendosjes së një kufiri definues në mes pavarësisë së individit dhe shoqërisë. Ai propozon që për të mundësuar  realizimin e lirisë për të gjithë njerëzit është i nevojshëm imponimi i disa rregullave normative të sjelljes, në radhë të parë ligjore, mirëpo edhe opinioniste. Sipas Millit, sfera e lirisë njerëzore përveç lirive të tjera detyrimisht përfshinë lirinë absolute të opinionit, përkundër faktit që njerëzit, qoftë sundimtarët qoftë qytetarët, për arsye se dëshirojnë pushtet dhe fuqi, posedojnë prirjen “të imponojnë opinionet dhe preferencat e  tyre vetanake si rregulla normative mbi të tjerët”. Në harmoni me këtë postulat të tij, Mill deklaron që edhe nëse vetëm një person nga të gjithë njerëzit në planet ka mendim të kundërt, njerëzimi nuk mund të justifikohet me asgjë po qe se do të tentonte ta heshtte atë person. Veç kësaj, Mill thotë që “nëse ekziston një marrëveshje e cila nënkupton që parimet nuk duhet kundërshtuar”, atëherë në kushte të tilla nuk mbetet shpresë që do të ketë shumë aktivitet mendor. Shkurt e shqip, kjo do të thotë që individi duhet të testojë besimin e tij apo saj çdo kohë dhe përherë. Mill shkruan që 99 për qind e “njerëzve të edukuar”  përfundojnë të barrikaduar në bunkerin e opinionit të masave nëse nuk i hapin mendjet e tyre dhe nuk e pranojnë sfidimin e diskutimeve të lira. Sipas filozofit të dalluar anglez, kjo është e ilustruar më së miri në shembujt e të gjitha doktrinave etike dhe kredove religjioze. Besimet dhe doktrinat tradicionale, në qoftë se nuk ballafaqohen me diskutime dhe përtëritje, atëherë ato humbin bërthamën e esencës së tyre.

Mill besonte që opinionet popullore dhe të përhapura janë shpesh të vërteta, por rrallë ose asnjëherë e gjithë e vërteta. Ai qe në gjendje të shihte që për shembull “madje edhe despotizmi nuk prodhon efektet më të këqija të mundshme, për aq kohë sa individualiteti ekziston ende nën të”. Me fjalë tjera, njerëzimi gjithherë ka nevojë jo vetëm për njerëz të cilët zbulojnë të vërteta të reja, por për të tillë të cilët po ashtu janë apo bëhen shembuj të sjelljes së ndriçuar. Sëkëndejmi janë mu kjo pakicë e njerëzve, ata dhe ato, që janë “kripa e tokës” dhe të cilët në krahasim me tërësinë e njerëzimit përmirësojnë praktikat e jetës dhe pa ta jeta do të ishte një proces i amullt. Për shkak të ekzistencës së këtij grupi njerëzor dhe kontributit të tyre opinionet dominuese ndryshojnë. Mill pohon që këta persona janë gati gjithmonë një minoritet i vogël, si fjala vjen gjenitë, ama shumë të nevojshëm.

Historia është një shembull që provon idetë e Millit, sepse, prej kohërave antike e deri në ditët kur Mill jetoi, individi ishte një forcë e madhe. Por problemi qëndron në faktin që individët humben në turmë dhe në politikë dhe kjo mundëson që opinioni publik prevalent të bëhet mbizotërues në shoqëri. Mill i përmend disa raste historike nga epoka kur ai gjallonte për të mbështetur këtë formulim: në Amerikë dhe Angli kishte individë të paktë që shprehnin opinione të ndryshme, mirëpo në Amerikë turmat kontrolluese ishin të bardhët, ndërsa në Angli, në atdheun e tij, shtresa e mesme. Këta njerëz janë gjithmonë masë, që do të thotë, siç shkruan Mill, mediokrititeti kolektiv. Çfarë është fatkeqësi edhe më e madhe— vazhdon Mill— është se masa nuk i merr opinionet nga liderët e institucioneve fetare apo shtetit, por nga njerëz pak a shumë si ata vetë, të cilët ju drejtohen apo flasin në emrin e tyre apo shkruajnë nëpër gazeta.

Intelektuali Mill mendon që të gjitha gjërat fisnike dhe të mençura duhet të vijnë nga individët dhe roli i një vdekatari të zakonshëm është të jetë i zoti të ndjekë iniciativën e ndërmarrë nga individi. Konceptimi dhe kuptimi i individualitetit nga Milli është përgjigjja e vetme në situatat kur  opinioni i masave bëhet fuqia dominuese. Mënyra e vetme për të thyer tiraninë e opinioneve të tilla është përmes ekscentricitetit të gjeniut. Mill merr si rast ilustrues Kinën dhe kontrollin e ngurtë të të gjitha aspekteve të jetës nga ana e saj që kishin rezultuar në stagnim dhe uniformitet dhe paralajmëron se në qoftë se individualiteti dhe dallimet shtypen në Evropë, atëherë edhe Evropa mund të bëhet si Kina.

Mill në fund vjen në konkluzionin që opinioni i një shumice sunduese është i bazuar në interesat  e pjesëtarëve të atij grupi; pra kjo tregon që e vërteta  është e mundimshme dhe mbase kjo është arsyeja pse shumë shpesh përgjatë historisë e vërteta “edhe nëse nuk i ulet koka përgjithmonë, ajo mund të ndalohet të çojë kokën për shekuj të tërë”.

Themeluesi i mënyrës së të menduarit e cila u emërtua sipas tij, Karl Marks, i qaset çështjes së  opinionit të masave me metodë gati të njëjtë sikur Milli. Mirëpo për Marksin ndërtimi i teorisë së tij merr një kurs tjetër filozofik. Gurthemeli i teorisë së Marksit bëhet ideologjia, e cila sipërfaqësisht mund të definohet si stil i opinioneve apo mendimit statik të një individi, grupi, e bile dhe një kulture të tërë. Individi në doktrinën e Marksit ka në dispozicion hapësirë të vogël të manovrojë dhe gjejë liri, përveç tjerash ngase Marksi pretendon që teoria e tij është e dizajnuar si teori finale që do të zgjidhë problemin e kontradiktës dhe ndërveprimeve mes njerëzve në përgjithësi.

Marksi i sheh opinionet— të cilat ai i quan “vegime apo fanitje”— si sublimime të proceseve jetësore materiale që formohen në trurin njerëzor. Morali, feja, metafizika, krejt ideologjia dhe format përkatëse të vetëdijes, sipas librit të Marksit “Ideologjia gjermane”, duke qenë sublimime, nuk kanë as histori e as zhvillim. Marksi argumenton që kriticizmi nuk është forca shtytëse e historisë, religjionit, filozofisë dhe të gjitha llojeve tjera të teorisë. Për më shumë, ai mendon që konditat jetësore rezultojnë në formimin e masës revolucionare dhe përderisa masat janë produkte uniforme, atëherë është e lehtë të konkludohet që edhe opinionet do të duhej të ishin uniforme. Marksi pohon  që idetë e klasës sunduese historikisht kanë qenë ide sunduese; prandaj, përderisa, klasa sunduese  i posedon mjetet e prodhimit material, ajo ka kontroll edhe mbi prodhimin mendor dhe qëkëtej ata dhe ato të cilët  nuk marrin pjesë në pronësinë e mjeteve të prodhimit mendor bëhen subjekte të atyre që mbizotërojnë me pronësinë.

Sidoqoftë, përgjigjja e Marksit nuk është zgjidhje e re sepse grupi i ri që supozohet që do të bëjë revolucionin nuk është më klasë, por reprezenton tërë shoqërinë. Nëse njeriu e përdor një pozicion të këtillë si premisë, atëherë njeriu mund të argumentojë që nuk ka asnjë shans që masa do të përfaqësojë asgjë përveç një grupi të ri, i cili do të përqafojë mentalitetin, opinionet dhe aktivitetet e masës  në ndërtimin e një bote të re, që pashmangshëm do të jetë stagnante, sidomos për arsyen se nuk do të ketë grupe të tjera që do të kundërshtojnë.

Libërthi “Manifesti i Partisë Komuniste”, të cilin Marksi e shkroi në bashkëpunim me Friedrich Engelsin, nuk është një trajtesë që paraqet teori të vërtetë. Ai është një program politik, i cili promovon mendim dhe veprime të masës. Manifesti e përshkruan historinë  si konflikt i përjetshëm mes klasave. Si rrjedhojë e këtij antagonizmi klasor shoqëria si e tërë ndahet në dy kampe armiqësore që luftojnë me njëri-tjetrin: borgjezia dhe proletariati. Në të vërtetë ndarja e shoqërisë është ndarja e opinioneve në dy Weltanschaungen. Programi i komunistëve, siç shkruan Marksi në “Tezat e Fojerbahut”, është dokumenti i parë në historinë e njerëzimit, i cili propozon jo vetëm si të interpretohet bota, por edhe si të ndryshohet. Pra si të kalohet në veprim, pa testim të opinioneve dhe pa pasë arritur te e vërteta ende.

Monolitizmi i proletariatit—  shpjegon Manifesti  krijon një realitet, që ravijëzohet në ndërvarshmërinë universale të kombeve. Krijimtaria intelektuale e kombeve të veçanta bëhet pasuri e përbashkët dhe me këtë mendjengushtësia dhe njëanshmëria kombëtare çdo herë e më e pamundshme; nga literaturat (lexo opinionet) e shumta kombëtare lind literatura (lexo opinioni) botërore. Shkaku kryesor pse do të ndodhë kjo është vetë borgjezia,  e cila vazhdon së krijuari masën e punëtorëve, të cilët pastaj operojnë si ushtarë të brigadave të opinioneve dhe besimit të njëjtë.

Marksi deklaron që ka të vërteta eternale dhe në mesin e tyre ai përmend lirinë dhe drejtësinë— mirëpo në komunizëm të vërtetat eternale shfuqizohen, siç shfuqizohen edhe të gjitha besimet dhe moraliteti. Për dallim prej krejt përvojës së kaluar historike mënyra e re e të menduarit, qeverisurit dhe të jetuarit bëhet baza e realitetit të ri. Përmbledhur në një fjali— kjo nuk do të thotë asgjë tjetër përveç se krijim i ri i të menduarit masovik gjegjësisht lindje e një opinioni njëbllokësh të masës.

Sa i përket ndryshimit të opinionit dominant apo vetëdijes, Marksi insiston që prodhimi intelektual ndryshon në raport proporcional me ndryshimin e prodhimit material. Ai përkujton që idetë religjioze, morale, filozofike dhe juridike janë modifikuar si rezultat i zhvillimeve historike, mirëpo religjioni, morali, filozofia dhe shkenca politike vazhdimisht u mbijetuan këtyre ndryshimeve dhe reformave. Prandaj, nëse të gjitha këto mund të kualifikohen si besime, atëherë në mendjen e Marksit ato nuk mund të bëhen më të vërteta si rezultat i çfarëdo ndryshimesh, porse ato duhet të rikrijohen dhe disa nga to bile të zhduken krejt.

Të dy, edhe Milli edhe Marksi, duket kthjellët që vijnë në dy konkluzione të ndryshme për temën e arritjes deri te e vërteta, por secila prej konkluzioneve është një hap i madh drejt të vërtetës. Të dy filozofët, në fund të fundit, shprehin opinionet dhe besimin e tyre individual dhe në të njëjtën kohë dëshmojnë me zell të jashtëzakonshëm se sa i vështirë është rrugëtimi për te e vërteta. Kushdo që mendon ndryshe nuk është në kërkim të të vërtetës dhe beson që vija ndarëse midis opinionit, të besuarit dhe të vërtetës është shumë e hollë. Opinioni është një pikëpamje, e cila formohet në mendjet tona për një çështje të veçantë; pra, opinioni është gjykim që luhatet në një bazë të lëkundshme duke tentuar të prodhojë një bindje të ngurtësuar. Të besuarit, në anën tjetër, nënkupton pranim të qëllimshëm të një apo më shumë opinioneve; apo pse të mos thuhet më direkt—  të besuarit është pasqyrimi i një bindjeje të thellë që nuk ka as dëshirë e as vullnet të kalojë nëpër mullirin e provave rigoroze. Prandaj, rrugëtimi drejt të vërtetës nuk është i lehtë, sepse as rrugëtimi nëpër segmentet e opinioneve dhe të besuarit nuk është i lehtë. Por shpresa nuk guxon të humbet: çdo kërkimtar apo kërkimtare e së vërtetës do të duhej që opinionet dhe besimin e tij apo saj t’ ja nënshtrojë ekzaminimit dhe kështu distanca mes pozicioneve të opinionit dhe besimit afrohet apo edhe mund të përputhet me pozicionin aktual të së vërtetës. 

3 Komente

Spaska pas pune tjeter ky.

E Vërteta nuk është kësaj bote.

Do kisha deshire qe kete ta lexonte edhe Xha Xhai, e te thonte fjalen e tij edhe ai smiley e keshtu do kishim nje trajtim filozofik te çeshtjes ne fjale smiley 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).