ELENI

Ngrinte kafazin, një këtu, një aty
Dhe Dielli kthehej mat’anë
të përndriste kokën e bukur
një këtu një aty.
Dielli, çdo të Dielë.

Ndillte në oborr, psi, psi
Dhe maçoku ngrinte këmbën
Përmes syve të saj të marrë,
Psi, psi
Vetëtimën e tyre të artë

Shkonte e ngjitej, shkallë-shkallë
Në pëqinë me rroba mbushur
Dhe thoshin ëngjëjt, ja!
Shkallë-shkallë,
Motra jonë e vogël.

Jasemi, i tërëbardhë, -mi, -mi,
Dhe yll i mbrëmjes mistik
Më merrni, më merrni në Kretë
Dhe mos, mos
Mos pyesni përse.

***
Me pikën e parë të shiut, u vra behari.

Me pikën e parë të shiut, u vra behari
U lagën dhe fjalët që kishin lindur drita yjesh
Të gjitha fjalët që kishin si qëllim të vetëm, Ty!
Ishe dritë, përpara se të ishin sytë e mi,
Përpara Dashurisë, ishe dashuri
Dhe kur puthja të rrëmbeu,
Femër.

Drejt kujt do t’i hapim duart,
Tani, që koha nuk na vë në llogari
Ku do t’i vendosim sytë,
Tani, që horizonti i largët, u përmbyt nëpër re.

Dhe jemi vetëm, krejt vetëm,
Të rrethuar prej imazheve të vdekura të tua.

Ishe dritë, përpara se të ishin sytë e mi,
Përpara Dashurisë, ishe dashuri
Dhe kur puthja të rrëmbeu,
Femër.

***
Ishulli i shkretë.

Mirupafshim Prill e Mars
Dhe ti e hidhur Sarakosti
Po vë kiç e po vë bash
Dhe një ishull po kërkoj
Që nuk gjendet dot në hartë
Po vë kiç e po vë bash.



Mirupafshim armiqësi e urrejtje
Dhe inati i çdokujt
Nëse gjen të shkretin ishull
Çdo gjë tjetër është kot.

E mbajnë në ajër
Katër zogj të artë
Nuk gjen aty la’
As hajdutë as vrasës.
As nënë as baba,
Nuk gjen aty la’


Përmes shkretisë së erës
gjithçka ndryshon tak-fap
Dorën Zotit i jep
Dhe nëpër dallgë prek.
Si një pëllumb i egër,
Dorën Zotit i jep.

***
Tërfili nga deti.


Një herë në një mijë vjet
Doganat e detit vetë
përmes fiqve në errësirë
midis guralecëve jeshilë,


E mbjellin edhe del.
Pa i thënë diellit dil,
E magjepsin edhe del
Nga deti, një tërfil.

Tërfilin nga deti,
Kush do ma sjellë po e gjeti?
Kush do ma sjellë po e gjeti,
Tërfilin nga deti?


Një herë në një mijë vjet,
Bilbilat ndryshe këndojnë.
As qajnë e as gëzojnë,
Vetëm thonë ato që thonë.


Një herë në një mijë vjet
Dashuria vlen përjetë.
Fat të kesh, e fat të kesh,
Atë vit që vjen, ta gjesh.

Tërfilin nga deti,
Kush do ma sjellë po e gjeti?
Kush do ma sjellë po e gjeti,
Tërfilin nga deti?

***
Midis Syro dhe Tzia*.
Midis Syro dhe Tzia, nerënxë e vogël është mbjellëVashëza ime e bukur, hedhur rrënjët në det thellë,Dhe degët në qiell, vashëza që unë dua.
Hajde moj gocë e detit, sa dyer ke për të mbyllMe diellin si fustan dhe zogjtë që si pajë i mban
Kur i ulet një zog mbi kokë dhe këndonOh furtunë që më gjeti, humb timonin edhe lopata,po më fut ujë varka, Perëndi! Krisht e Shën Mëri.
Në u bëftë mrekullia, të më duash, e kam taksur,do të marr, do të të sjell një bracierë* dhe Yllin Polar.
***
Atdhe i bukur dhe i çuditshëm.
Atdhe të bukur e të çuditshëm,Si ky që më ka rënë për hise nuk kam parë
Hedh grepin të zërë peshq dhe kap shpendëLëron me varkë, në ujë hedh parmendë Vajton, puth dhenë, pastaj largohetKur ngelet në katër rrugë, burrërohet
Atdhe të bukur e të çuditshëm si ky që më ka rënë në hise, nuk kam parë
Kur do të godasë gurin zë, pastaj e lë,Provon ta skalisë, bën mrekulli me të.Me një varkëzë të vogël, pushton oqeanëKryengritje kërkon, dëshiron tiranë.
Atdhe të bukur e të çuditshëm, Si ky që më ka rënë për hise nuk kam parë...
*** ***
*Syros dhe Tzia, janë dy ishuj.
**braciera, është një varkë e cila qëndronte në fund të flotës dhe përdorej për të pushuar zhytësit dhe marinarët. Ishte një lloj "hoteli" ujor

11 Komente

Bravo Oranje. Provo me shpesh.

J, fantastike. I love your taste for poetry. perkthimi i mrekullueshem, vijne sikur te jene shkruar direkt ne shqip. Nuk vecoj dot asnje, te gjitha te mahnitshme. Te lumte dora dhe mendja smiley

Duhej risjelle patjeter dhe ky perkthim i meparshem:

Monogram. (përkthim) Monogram (Odisea Eliti 1972)

I.

Do mbaj zi përjetë - më dëgjon? për ty.
vetëm, në Parajsë.

Diku tjetër do i kthejë vijat
e dorës, Fati si klepsidër.
Për një moment dhe Koha do jetë dakort.

Po si ndryshe, kur dy njerëz duhen.

Do nderë qielli të përbrendshmet tona
dhe do godasë botën pafajësia
me heshtën e të zesës, e vdekjes.

II

Mbaj zi për diellin dhe për vitet që vijnë,
pa ne. Dhe këndoj për të tjera që ikën,
nëse janë të vërteta.

Të përfolura trupat dhe varkat ëmbël u përplasën
Kitara që u ndezën dhe u shuan nënujë.
Ato "më beso" dhe "mos",
njëra ajër, tjetra melodi.

Dy kafshët e vogla, duart tona,
që kërkonin rrugën përmbi njëra-tjetrën
Saksia me barbarozë në dyert e hapura,
Dhe copëzat, detet që vinin bashkë
Pas gurëve shterpë, pas gardheve,
Anemonën që të ngeli në dorë
Dhe ti u drodhe tre herë, e mekur tre ditë,
mbi ujëvara.

Nëse këto janë të vërteta po këndoj,
shtylla prej druri dhe tabloja katrore,
në mur, sirena me flokët lëshuar,
macja, që mes errësirës na pa.

Djali me temjan dhe kryqin e kuq
Në perëndim përmes shkëmbinjsh të paprekur.
Mbaj zi për robën që preka dhe u bë botë.

III

Kështu flas për ne të dy.

Sepse të dua, dhe në dashuri di,
të hyj si Hënëplotë.
Nga kudo, për këmbën tënde të vogël mes mbulesash përtokë
jargavanë të çpoj - dhe kam fuqi
Të përgjumur, me një frymë të të çoj,
Mes udhësh hënës dhe fshehtësish deti
Pemë të hipnotizuara me merimanga që argjendërojnë.

Dëgjuar i kanë valët
si përkëdhel dhe puth
Si thua me pëshpërimë "si?" dhe "ok"
Përreth gushës në gji
Si gjithnjë, dritë dhe hije unë dhe ti.

Gjithmonë ti yllëza, dhe gjithmonë unë, i errët në lundrim.
Gjithmonë ti gjiri i detit, unë feneri në të djathtë.
Moli i lagur dhe drita mbi rema.
Lart në shtëpinë me pjergulla.
Trëndafilët e lidhur buqetë dhe uji i ftohtë në gotë.
Gjithmonë ti, statuja prej guri, dhe gjthmonë unë hija që zmadhohet.
Qepeni i anuar ti, era që e hap unë.
Sepse të dua dhe të dua.
Gjithmonë ti monedha, unë adhurimi që e çmon.

Sa nata, aq fishkëllimat e erës
sa vesa në ajër, sa heshtja.
Përreth deti, diktator
dritare e qiellit me yje.
sa më e vogla frymë e jotja.

Që më nuk kam asgjë
mes katër muresh tavanit dhe dyshemesë
Të thërras për ty dhe të më godasë zëri im
Të mbaj erë ty dhe të egërsohen njerëzit
sepse të pashijuarën dhe të ardhurën nga larg
nuk e duan njerëzit, dhe është akoma shpejt, më dëgjon?
Është akoma shpejt në këtë botë për ne zemra ime.

Të flas për ne të dy.

IV.

Është akoma herët në këtë botë, më dëgjon?
Nuk janë zbutur akoma bishat, më dëgjon?
Gjaku im i humbur dhe me majë ngulur, më dëgjon
Thika,
Si një dash rend përmes qiejve
dhe klonet e yjeve shkatërron, më dëgjon?
Jam unë, më dëgjon?
Të dua, më dëgjon?
Të mbaj dhe të çoj dhe të vesh
të bardhin e nusërisë, fustanin e Ofelisë, më dëgjon?
Ku po më le, ku shkon dhe kush, më dëgjon?

Prej apokalipsit dorën sta lëshon.

Të mëdhatë të varurat bimë dhe llavë vullkanesh
do vijë dita, më dëgjon
Të na groposin, dhe mijëra vite të përtejmë
Me ceremoni do na gurëzojnë, më dëgjon?
Të shndërrijë mbi ta ligësia, më dëgjon?
E njerëzve
Dhe njëmijë copë të na ndajë.

Në ujë një më një, më dëgjon?
Thumbat e hidhur të mi numëroj, më dëgjon?
Dhe janë vitet një kishë e madhe më dëgjon?
Ku dikur, ikonat
E shenjtorëve
Nxjerrin vërtetë lotë më dëgjon?
Kambanat hapen përlart, më dëgjon?
Përmes një rruge të thellë të kaloj
Presin ëngjëjt me qirinj dhe psalme zije
Kurrkund nuk shkoj, më dëgjon?
Ose asnjë, ose të dy më dëgjon?

Këtë lule të shtrëngatës dhe më dëgjon?
të dashurisë
E premë një herë e përgjithmonë
Sepse nuk bëhet përsëri të çelë, më dëgjon?
Në tjetër tokë, në tjetër yll, më dëgjon?
Nuk është dheu, nuk është ajri
Që prekëm i njëjti, më dëgjon?

Dhe asnjë kopshtar nuk u lumturua në tjetër kohë.

Nga kaq dimër dhe kaq erë veriu më dëgjon?
Të shpërndajë lule, vetëm ne më dëgjon?
Mes, në mes të detit
Nga e vetmja dëshirë e dashurisë më dëgjon?
Ngritëm një ishull të ri, më dëgjon?
Me shpella me kepe dhe gremina të lulëzuara
dëgjo, dëgjo...
Kush flet mes ujit dhe kush vajton - dëgjon?
Jam unë që thërras dhe jam unë që vajtoj, më dëgjon?
Të dua! Të dua, më dëgjon?

V.

Për ty kam folur në kohë të largëta
me luftëtarë të vjetër rebelë dhe mëkuese të urta,
Për çfarë arsye ke pikëllimin e egërsuar
Kthjelltësinë në ballë të ujit gurgulluar
dhe pse, tha, afër meje të vije
Që nuk dua dashuri, por erën dua
Por dua rendjen e detit ngrefur, zbuluar.

Dhe për ty askush nuk kishte dëgjuar
për ty, as diktami, as kërpudhat
në viset e larta të Kretës, asgjë
Vetëm për ty pranoi i madhi Zot të më marrë përdorë.

Pak më këtej, ca më tutje, me kujdes përreth
Në fytyrën e bregdetit, në gjijtë, në flokë
në kodrën valëzuar në të majtë.

Trupi yt me qëndrimin e pishës vetmuar
sytë e krenarisë dhe kthjellët
thellësisë, brenda në shtëpi me studion e vjetër
dantellat e verdha dhe dru qiparis
I vetëm duke pritur ku më parë do dukesh
lart në dhomë, apo pas pllakave të avllisë.
Me kalin e Shenjtorit dhe me vezën e Ngjalljes.

Si prej ndonjë afresku të shkatërruar
Madhështor aq sa të deshi e vogla jetë
Të futësh brenda në qiri, dritën vezulluese vullkanore.

Që askush të mos e ketë parë e dëgjuar
asgjë mes shkretëtirës shtëpive të shkreta
As pararendësi i varrosur aty, në cep të oborrit.
Për ty, as plaka e urtë në yshtjet e veta.

Për ty vetëm unë, edhe melodia mundet
që përzë brenda meje por ajo kthehet më e fortë
Për ty, gjoksi i paformuar i dymbëdhjetë viteve
I kthyer në të ardhmen me krater të kuq
Për ty si karficë aroma e hidhët
Që më gjendet në trup dhe më çpon kujtesën
dhe ja dheu, ja pëllumbat, ja toka jonë e lashtë.

VI

Shumë kam parë, dhe toka më duket përmes mendjes më e bukur
më e bukur mes avujve të artë
Guri i mprehur më i bukur
i errëti blu i istmeve dhe çatitë mes valëve.
Më të bukura rrezet që pa i shkelur kalon
E pamposhtur si zonja e Samothrakës, lart mbi malet
e detit.

Kështu të kam parë dhe më mjafton
Të ketë dalë gjithë koha pafaj
Përmes gjurmës që lë ecja jote pas
Si delfin i ri pa përvojë të ndjek

Dhe të luajë me bardhësinë dhe të kaltrën shpirti im!

Fitore, fitore ku kam dalë pafitim
Përpara dashurisë dhe bashkë
përballë orëve dhe lules së pasionit
Ti shko, shko dhe unë le të humbas!

Vetëm dhe le të jetë dielli që mban një fëmijë
të porsalindur,
Vetëm, dhe le të jem unë mëmëdheu që mban zi
le të jetë fjala që dërgova mbajtëse gjethesh dafine
Vetëm, era e fortë dhe vetëm gjithësfera
gjëmb në pulitjen e thellësisë së detit t'errët
Peshkatari që gjeti dhe hodhi prapë përtej kohës, Parajsën!

VII

Në Parajsë kam vënë në sy një ishull
të pandryshëm, ti dhe një shtëpi në det.

Me krevat të madh dhe derë të vogël
Kam hedhur në hapësirë një jehonë
për tu parë çdo mëngjes sa zgjohem

të të shikoj, gjysmën duke kaluar në ujë
dhe gjysëm duke të vajtuar në Parajsë.

 thnx Fin & Em. 

Av, Elytin e kam debulesë, sa më shumë e lexoj, aq më shumë më pëlqen. Më duket se përkthehet vetë. 

Trop, është i rëndë Monogrami në fakt, duhet ta rishikoj ndonjë ditë, ia kam premtuar vetes. Ka mundësi për tu përmirësuar. Ndërsa këto të sotmet, janë më të lehta, më të lundrueshme. 

 Faleminderit qe i solle ketu Oranje. Nuk ngopem kurre se lexuari Elitis, Seferis, Kavafis e nja dy te tjere te brezit te tyre. po eshte veshtire t'i shijosh ne nje gjuhe kaq te bukur sa perkthimi yt. Sillna here pas here te tilla poezi, se na nderron humorin.

 Ja një tjetër: 

Matematikë e Lartë. 

Matematikën e lartë, e kam bërë në Shkollën e detit. Ja dhe disa veprime si shembuj:

(1) Nëse thjeshton Greqinë, në fund do të shohësh se ngelen një ulli, një vresht dhe një varkë. Që do të thotë: Me po kaq gjëra, e rindërton prapë. 

(2) Shumëzimi i barërave aromatikë me pafajësinë, jep gjithnjë formën e një Jezu Krishti. 

(3) Lumturia është marrëdhënia e duhur midis veprimeve (formave) dhe ndjesive (ngjyrave). Jeta jonë ndahet, dhe do duhet të ndahet, në copëza, në masën e letrave me ngjyra që priste Matisse. 

(4) Aty ku ka fiq, qëndron Greqia. Aty ku mali del jashtë kllapave të fjalës që e përshkruan, është poeti. Epshi është i pazbritshëm. 

 (5) Një perëndim dielli në Egje, përmban gëzimin dhe vajtimin në porcione kaq të barabarta, sa në fund nuk ngelet tjetër gjë veç të vërtetës. 

(6) Çdo zhvillim në planin moral, nuk mund të jetë veç në përpjestim të zhdrejtë ndaj aftësisë që kanë forca dhe numrat që vendosin fatin tonë. 

 (7) Një “i ikur” është i tillë të paktën për gjysmën e njerëzve detyrimisht, për gjysmën tjetër është “i ardhur”. 

 

smiley

thx, man!

 Ja dhe një dhe një!! Këtë pjesë e dua shumë, shumë:

Je i ri, e di – dhe asgjë nuk qëndron. 

As popuj, kombe, liri, asgjë. 

Ama JE. Dhe në momentin që 

me njërën këmbë ikën, me tjetrën vjen. 

I ndritur-dashuri-përthyer.

Kalon do, apo nuk do. 

Oborrtar bimësh dhe përmbysës idhujsh, 

kundër nesh. Me sa të ha zëri.

 

Ashtu si cinxërit të Shën Mërisë kur e kap, 

I rrahin muskujt poshtë pëllëmbës

Apo kafshët kur pijnë ujë e më pas shohin, 

sesi shuajnë mjerimin: njësoj dhe ty, 

të dorëzohet prej Zeusve shkrepëtima.

Dhe bota jote nënshtrohet. Përpara pra, 

prej teje varet. Përshpejtoje vetëtimën.

 

Kap çka DUHET që prej T-së, dhe rripe gjer më D-ë. 

 

 Tjetër:

 

  Jam lakuriq, muaji Korrik, në mesditë. Në një krevat të ngushtë, midis dy çarçafëve të trashë prej doku, me faqen e mbështetur mbi krahun tim, të cilin e lëpij dhe i shijoj kripësinë. 

 Shikoj gëlqeren përballë në murin e dhomës time të vogël. Pak më lart është tavani dhe trarët. Pak më poshtë, valixhja prej druri ku kam vendosur gjithë ç’kam: dy palë pantallona, katër këmishë, dhe do të brendshme. Në krah, karrigia me ulësen e madhe prej kallamishteje. Në shesh, në pllakat bardh e zi, të dy sandalet e mia. Kam në krah dhe një libër.

  U linda që të kem kaq sa kam. Nuk bën të përçartem. Prej pako gjësë arrin shpejt aty ku do. Vetëm se është më vështirë. Dhe prej gocës që do arrin aty, por do duhet të dish t’a prekësh sa herë që natyra jote të thërret. Dhe prej natyrës arrin ku do, por do duhet të dish tia heqësh lëvoren. 

*** Po më mbushet mendja t'ia përkthej tërë veprën pak nga pak. Ose të paktën një pjesë të mirë të saj.  

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).