Imazhin e një jete të plogësht reflektojnë baret e mbushura plot me të rinj në Tiranë në orët e gjata të vegjetimit. Është bërë zakon nga i cili zor të heqin dorë. Nga vjen kjo? Ku janë ambientet e tjera në Tiranë, ku orët mund të kalohen në aktivitet, pa patur frikë se do largohemi prej tyre me ndjesinë e keqe që lë në shpirt bjerrja e kohës? prej këtu e mori idenë për një biznes ndryshe Rrezart Lahi, gazetari 30 vjeçar, kur filloi të ideonte një program aktivitetesh për një bar si “Havana Exclusive Club”.

Ideja e parë ishte e ajo e një klubi social (nga anglishtja “social club”), që i referohet një ambienti të caktuar ku njerëzit mblidhen, fjalosen përpara një gote, luajnë lojëra, shohin filma. I fundit program që u fut te “Havana” ishte ajo e një kinemaje verore, meqë gjatë stinës së nxehtë, një film shikohet më mirë ambiente të hapura. Rrezarti ka parasysh të rinjtë e huaj e viteve ‘50-’60, që “merrnin makinat dhe i kthenin lëndinat në salla kinemaje”.

Kinemaja gjendet në verandën e katit të dytë të barit që gjendet në krah të shkollës “Petro Nini Luarasi”, në rrugën “Sami Frashëri”. Kolonat në formë U-je rreth e qark verandës nga ku fluturojnë shpesh perdet e bardha, karriget e kashtës, muret e mbuluara me vargje lulesh të thata, e bëjnë “Havanën” një ambient çlodhës dhe të freskët. Në fund të verandës është vendosur bezeja e kinemasë. Çdo ditë aty shfaqen dy lloj kategorish filmash, më të fundit që i gjen edhe në kinematë e tjera në Tiranë, por edhe filmat retrospektivë. Pushim është vetëm fundjava, ku planifikohen të tjera aktivitete muzikore dhe të arteve figurative. Shfaqet në këtë kinema një film si “Lolita” (1997) e Adrian Lyne, ashtu edhe një “La vie en rose” filmi që Olivier Dahan krijoi mbi jetën e këngëtarës Édith Piaf, po ashtu edhe filmat e superheronjve si “X-Man” apo drama aktuale si “The tree of life”. Rrezarti i përzgjedh filmat sipas shijeve të shikueseve të kinemasë, stafit të njerëzve me të cilët punon dhe më e rëndësishmja: ndalet te ata filma të “kohës së artë të kinemasë”, kur flitet për kinemanë retrospektivë.

Programi i filmave është i fundit që u fut në kalendarin e aktiviteve të “Havanës”. Janë 7 ambiente të ndryshme në bar. Tashmë klubi social ka një sallë interneti që mund ta shfrytëzojnë të gjithë, ata që kanë dhe nuk kanë një laptop. Në krah të kësaj dhome është ajo e sportit, ku luhet shah, monopoli, letra. Ka një dhomë muzike, instrumenta muzikorë që mund të vihen në punë edhe nga amatorë. “Një doktor mund të krijojë një bandë të vetën me një informaticien, me një kirurg dhe gazetar”. Është provuar dhe ka funksionuar!

Gjithçka shijohet falas në këtë ambient, ku ideuesit kanë për qëllim kryesor “t’i japin vlerë orëve të lira në kafene”.

Edhe vetë organizatorët nuk kanë shpenzuar edhe aq në arredimin e ambientit. I kanë besuar vetëm aftësive krijuese të tyre. “Kemi marrë një penel dhe kemi lyer gjithçka vetë. Çdo gjë e kemi dizenjuar vetë, karriget, tavolinat, nuk është se janë blerë të gatshme. Kemi punuar me laps e letër. Ambienti ka frymëzuar edhe ca miq të mi kubanë, që jetojnë në Tiranë, që të krijojnë një bar “antifashion”, por që t’i përgjigjet emrit që mban”.

Ai që e ka vizituar barin e sheh që kjo është e vërtetë. Nuk ndihet Havana, vetëm në koktejlet Mohito, apo Kubanito, por në çdo ambient. Purove mban në buzë Che Guevara në shumicën e fotografive, të tjera rrinë të mbyllura brenda disa vitrinave. Në mur gjenden mbishkrime të revolucionarit argjentinas, por edhe të panjohura që i lexon me kënaqësi si “Jeta nuk vërtitet rreth njohjes së vetes. Ajo vërtitet rreth krijimit të vetes”. Në krah të Guevara-s, është Kastro që pohon: “Vamos Bien”, e sa e sa të tjerë protagonistë të ngjarjeve në Kubë.

“Havana Exclusive Club” bën përshtypje në Tiranën që në verë harron të marrë frymë, kur institucionet e kulturës i vënë drynin dyerve dhe kur dita shpesh zvarritet nëpër kafenetë e lodhshme për trupin dhe mendjen.

 

 

Rrezart Lahi

Jeta Ime

Rrezart Lahi e ka tregtinë në gjak. Gjyshi i tij ka pasur një nga bizneset më të mëdha në Shqipëri të fruta-perimeve, fillimisht në Shkodër dhe më vonë në Tiranë, ku ka blerë zonën e “5 Majit”. Në duart e  Lahëve, babë e bir, mbeti tregu i Medresesë, që Rrezarti bashkë me të atin e menaxhojnë bashkë me një sërë biznesesh të tjera të “Billion Investing Group”.

 

1. Rrezarti është 30 vjeç. Ka lindur në Shkodër dhe ka jetuar aty 18 vjet. Me ardhjen në Tiranë, vazhdoi studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologji për gazetari në vitin 2005. Me komunikimin nuk është ndarë edhe sot. Ka zhvilluar një master në Amsterdam për Komunikim Politik dhe aktulisht vazhdon doktoraturën në Universitetin e Bolonjës, po për Komunikim. Ka punuar kryesisht për tema sociale në televizione si Klan dhe Shijak.

2. Për gazetarinë investigative mendon: “Kam përshtypjen që shumë pak gazetarë kanë pasur mundësi të bënin gazetari investigative të mirëfilltë. Kur kam qenë gazetar, tek  ndiqja një lajm, pronari i televizionit më mori kasetën dhe prishi shiritin. Atëherë, çfarë inspirimi për të bërë gazetari investigative mund të kesh? Censura ekziston brenda redaksive, por pjesa më e madhe brenda njerëzve”.

3. Të vetmit njerëz që mund të mbetin idealistë janë ata që nuk kanë nevojë për bukën e gojës. Para se krijosh diçka të mirë për veten, duhet të forcosh ekonominë dhe të rrisësh nivelin e formimit.

4. Nuk duhet ta humbim akoma dhe atë pak idealizëm që na ka mbetur. Jo gjithçka vërtitet rreth një letre që quhet para.

 

Punëtorët britanikë mbajnë ligjërata

“A social Club” bën bashkë një grup njerëzish me interesa të përbashkëta që mblidhen në një vend të caktuar dhe janë fan të aktiviteteve në grup si peshikimi, gjuetja, politika, ose bamirësia). Mund të ekzistojnë dy ndarje të mëdha të klubeve sociale, klubet historike të punëtorëve dhe klubet e aktiviteteve moderne. Po përjashtojmë këtu klubet specifike, ato të ushtarakëve, vëllazëritë, shoqëritë studentore etj.

Qysh në epokën viktoriane, në Britani kanë ekzistuar klubet sociale të punëtorëve, si institucione ku burrat e shtesave të mesme diskutonin dhe mbanin ligjërata për problemet sociale që i shqetësonin. Shiheshin si vende ku mund të pushohej edhe pa shoqërinë e alkoolit, por me kohën kjo gjë ndryshoi. Këto klube morën më tepër formën e “pub-eve”, holleve të muzikës, shërbenin më shumë si vende argëtimi, ku pihej në shoqëri dhe luheshin lojëra.

 

Një trend kundër tradicionales

Klubet sociale në Amerikë dhe Evropë funksionuan si një trend, që binte ndesh me klubet tradicionale. Aty mblidheshin njerëz që kishin interes të caktuar për një ngjarje, që nga ngjarjet sportive dhe kulturale, te ato sociale dhe politike. Ndryshe nga klubet sociale ato nuk janë të kufizuara brenda një aktiviteti, por përfshijnë një gamë të gjerë ngjarjesh që specifikohet përmes një kalendari mujor. Nuk kanë qëllime përfitime.

Programi i filmave që shfaqen në “Havana Exclusive Club” duke filluar nga data 5 korrik, çdo ditë (përveç fundjavës), ora 21.00

Në seksionin retrospektivë: “Pulp Fiction” (1994), “Schindler’s List” (1993), “Forrest Gump” (1994), “American Beauty” (1999), “Braveheart” (1995), “Scarface” (1983), “Ghost”, “Jaws” (1977), “ Saving Private Ryan” (1998), “The Shawshank Redemption” (1994). Ndërsa nga Filmat e “Summer Cinema 2011” do jenë: “Hangover 2”, “ Tree of life”, “Fast &Furios 5”, “Add to Watchlist”, “Pirates of Caribbean: On Stranger Tides”,

“Scream 4”, “Sherlock Holmes: A Game of Shadows”, “Transformers: Dark of the Moon”, “Battle Log Angeles” dhe “Bad Boys 3”.

 

40 persona ndjekin çdo natë filmat në kinemanë e improvizuar në verandën e “Havana Exclusive Bar”. Ambientin e frekuentojnë çdo ditë rreth 100 vetë. 

 

6 Komente

Qenka diçka interesante, nese do te gjej kohe them te kaloje nga shkolla Petro Nini Luarasi,  e do shoh mase e gjej kete lokalin.  

Do një Édith Piaf apo një Lolitë?

Lolite ore, se pilafen e gatuaj vete me kofshe pule. 

 

 Te premten ne darke ishim ketu tek Havana dhe ishte mbremja e muzikes franceze. Nuk ishte keq, me thene te drejten, kur muzika eshte e mire, shoqeria e mire, vera e mire... Ca do me shume... nga Tirana? 

Te premten ne darke kalova mu para Havanes, ta dija isha fut smiley

 kot qe s'paske ardh... ishte lezetshem. smiley

Do te te kisha qerasur me nje Mylene Farmer. smiley

Mend per here tjeter smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).