Zbatimi i marrëveshjes për kontroll të përbashkët çliron lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.

Më në fund është vënë në zbatim marrëveshja ndërkufitare e nënshkruar nga ministrat e Shqipërisë dhe Kosovës për një kontroll të integruar të lëvizjes së lirë. Në doganën e Morinit, në Kukës dhe dy pikëkalimet e tjera: Qafë-Prushi në Has dhe Qafë- Morinë në Tropojë, policia kufitare ka nisur të zbatojë atë marrëveshje për të cilën është folur kaq shumë; të kontrollojë dokumentacionin e udhëtarëve vetëm në një drejtim, përkatësisht në hyrje të territorit të Shqipërisë. Gjithashtu, mësohet se edhe policia e Kosovës ka nisur të zbatojë marrëveshjen në fjalë, kështu që ajo kontrollon dokumentacionet e udhëtarëve vetëm në drejtimin e hyrjes në territorin e Kosovës.

Kjo marrëveshje është bërë për të krijuar lehtësira të hyrje-daljeve pas shtimit të fluksit të personave që i drejtohen Shqipërisë për të kaluar pushimet në bregdet apo për të përdorur portet dhe aeroportin për udhëtim në Europë. Kështu, që nga dita e djeshme lëvizja e njerëzve është lehtësuar dukshëm në Morin dhe në doganat e tjera. 

Sipas disa udhëtarëve, kontrolli i integruar është i domosdoshëm, pasi kështu shkurtohet koha e kryerjes së procedurave nga ana e efektivëve të kufirit, shkurtohet koha e pritjes si dhe koha e udhëtimit. Në fundjavën që lamë pas, në të gjitha pikëkalimet kufitare të Kukësit është trefishuar numri i personave që kanë hyrë në Shqipëri krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Duke iu referuar të dhënave nga policia kufitare, del se qershori ka shënuar një rritje të ndjeshme të lëvizjes në raport me muajin maj. Përkatësisht, në maj kanë hyrë në territorin e Shqipërisë rreth 70 mijë udhëtarë me rreth 36 mijë automjete, ndërsa në dalje është shënuar shifra rreth 29 mijë udhëtarë me 17 mijë automjete. Ndërsa në muajin qershor kanë hyrë në Shqipëri më shumë se 90 mijë udhëtarë me mbi 40 mijë automjete, kurse në dalje është shënuar shifra rreth 40 mijë persona. Por fundjava ka pasur një fluks të shtuar të udhëtarëve. Të shtunën dhe të dielën u shënuan rreth 7 mijë persona vetëm në hyrje, aq sa në ditët e qershorit ka pasur gjithsej në hyrje-dalje. 

2 Komente

Ku eshte udhetimi i lire ketu, s'te kontrollojne te dyja palet po vetem nje pale, Levizje e lire do te thote stop kontrollit.

 Pse eshte hequr komenti im ketu, apo se thashe se do ta qeras ideatorin e ketij veprimi. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).