PLAGOSET-EFEKTIVI-I-RENEA_Adrian-Dibra-300x233.jpg (300×233)Çaush Isaraj, njeriu që tentoi të hidhej dje nga shtylla e tensionit të lartë në rrugën “Don Bosko” në kryeqytet, është shtruar në spitalin e psikiatrisë në kryeqytete. Duke vlerësuar se gjendja e tij është e paqëndrueshme, policia e ka lënë 60-vjeçarin nën kujdesin e mjekëve. Burime nga spitali pohuan dje pasdite për “Shekullin” gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar. Sipas tyre ai kishte simptoma depresioni të thellë.

E ndërsa mjekët kanë mundur që gjatë orëve të pasdites së qetësojnë disi 60-të vjeçarin, në oborrin e urgjencës të afërmit e tij ndjekin me ankth çdo informacion të dhënë mbi ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme. “Nuk është njeri i çmendur, por ka vite që endet nëpër gjykata ndaj dhe ndodhi kjo që ndodhi. E di që im atë kërkonte të vinte në vend një padrejtësi që na është bërë me vendim gjykate, por me tej nuk di ç’të them”, thotë e bija, Avenila Çaushaj. Ajo e ka mësuar ngjarjen nga televizioni dhe më pas policia i ka thënë se të atin ia ka dërguar në spital. Bashkë me të ëmën, ajo po kujdeset për kurimit e të atit, ndërkohë që ndjen keqardhjen që gjatë aksionit të shpëtimit të babait të saj, një prej efektivave të repartit RENEA, është aksidentuar.

Avenila është krejtësisht e bindur se nëse babai i saj nuk do të endej vite të tëra nëpër dyert e gjykatave në kërkim të pronës së tij, ngjarja e djeshme nuk do të kishte ndodhur. Ajo të thotë se babai i saj gëzon shëndet të plotë mendor, por duket se i është sosur durimi nga padrejtësitë e vendimeve të gjykatave.

Çaush Isaraj ka vite që endet nëpër dyert e institucioneve në kërkim të pronës së tij, e cila tashmë me një vendim gjykate, i është njohur personave të tjerë. Bëhet fjalë për 6 ha tokë në Humelicë të Gjirokastrës, ku megjithëse familja Isaraji është trashëgimtar i kësaj pasuri ekziston një vendim gjykate që nuk përputhet me vendimet hipotekore, por që ka bërë pronar të tyre persona të tjerë. Të paktën këtë pretendim ngrenë të afërmit e Çaush Isarajit, çka sipas tyre, tjetërsimi i pasurisë ka bërë që edhe 60-të vjeçarit ti soset durimi. Dëshpërimi dhe kërkesa për ta dëgjuar duket se kanë detyruar 60-të vjeçarin të ndërmarrë veprimin ekstrem të vetëvritet duke u ngjitur në një shtyllë tensioni të lartë në kryeqytet.

Si u zaptua toka Çaush Isarajit

Historia e Çaush Isarajit ka nisur vite më parë kur ai emigron në Greqi. Pas kthimit nga emigracioni Isaraji ka gjetur tokën e familjes së tij në Gjirokastër të mbushur nga ndërtimet. Pas interesimit ai ka mësuar se toka ishte përvetësuar nga persona të tretë. “Këta kanë zaptuar gjysmën e tokës karshi rrugës, ndërse nga pas jo. Bëhet fjalë për tokën karshi autostradës. Kam edhe dokumentet që janë të hipotekës dhe tregojnë se me kë kufizohet toka jonë”,-ka thënë Isaraj. Por ai ka humbur procesin gjyqësor në lidhje me pronën që pretendon.

“Me këto dokumente që kanë bërë në gjykatë, jo që nuk ka emër Brinja ajo pronë, por e ka qafa e Isare. Gjyqin e parë gjoja e kanë bërë me dëshmitarë, por në të vërtetë nuk ka pasur dëshmitarë. I takova ata persona në vitin 2000 dhe nuk kishin qenë në gjyq. Gjyqi është bërë në 2000, në atë kohë unë isha në Greqi me familjen. Kur u ktheva pashë që kishin ngritur shtëpi në tokën time”,- thotë Çaush Isaraj. Ai tregon se familja e tij ka lindur në atë zonë dhe ka tokat e vjetra. Në vitin 1958 familja e tij është larguar nga zona ndërsa toka është shtetëzuar nga regjimi komunist. “Kemi pasur gjashtë dynym toka në atë zonë. Ishte tokë arë. Në kohën e monizmit ato toka i mori kooperativa ndërsa pranë saj u hapën toka të reja. Edhe dokumentet që provojnë pronësinë e tokës sime ishin zhdukur. Unë kam kërkuar dy-tre vjet për këto dokumente sepse i kishin shuar. Madje edhe në Tiranë nuk gjendeshin dot. Pronat që janë shuar janë në emër të babait dhe gjyqit tim. Ata kanë shuar pronat e babait dhe gjyshit tim. Këto nuk janë arkivuar”,- është shpjegimi i Çaush Isarajit për pronat që pretendon në Gjirokastër.

Pronat, 60-vjeçari kërcënon me vetëvrasje, plagoset polici

TIRANË- Një çështje e pazgjidhur pronash, për të cilën ka rreth dhjetë vjet që bredh dyerve të gjykatave dhe institucioneve shtetërore ka detyruar një 60-vjeçar nga Gjirokastra që të ngjitet në shtyllën e tensionit të lartë në Tiranë dhe të kërcënojë me vetëvrasje. Ngjarja që ka tmerruar dje banorët e rrugës “Don Bosko” ka nisur në orën 08:30 të mëngjesit. Çaush Isaraj nuk ka pranuar që të zbresë nga shtylla deri sa forcat RENEA të policisë kanë kryer këtë gjë. Por gjatë operacionit, një efektiv policie ka rënë nga shtylla duke pësuar dëmtime të rënda. Ardian Dibra tashmë ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Isaraj ka qëndruar në shtyllë gati dy orë duke mbajtur në duar disa pankarta drejtuar krerëve të shtetit, Presidentit të Republikës, kryeministrit, ministrit të Drejtësisë, e krerëve të institucioneve të tjera. Ai nuk pranonte që të zbriste nga shtylla pa iu plotësuar më parë kërkesat, të dëgjohej nga krerët e shtetit për problemin e tij. Policia ka negociuar për më shumë se një orë, por nuk ka mundur ta bindë 60-vjeçarin që të zbresë. Në këtë kohë, u krye edhe ndërprerja e energjisë elektrike për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.

Pas momenteve të para të negocimit me policinë, janë njoftuar efektivët e RENEA-s. Këta të fundit mbërritën në vendin e ngjarjes pak kohë pasi ishin njoftuar dhe nisën negociatat me Isarajn, me qëllim që ai të  zbriste nga shtylla dhe të bisedonin për problemin e tij. Gjatë kësaj kohe tre efektivë të RENEA-s, u ngjitën në shtyllë për ta ulur atë, ndërsa negociatorët bisedonin nga terreni. Pas më tepër se dy orësh efektivët e policisë dhe negociatorët bindën “protestuesin” të zbriste nga shtylla.

Një automjet me kosh metalik që përdoret për ndriçim publik zbriti nga shtylla e tensionit Isarajin, i cili shoqërohej edhe nga dy efektivë të RENEA-s, të cilët e mbërthyen për të mos i lënë mundësi për të kryer ndonjë veprim të paparashikuar. Në këtë kohë, kur efektivi i RENEA-s, Ardian Dibra, që ishte ende në shtyllë nisi të zbriste konstruktin metalik të shtyllës, atij i rrëshqiti këmba dhe ra nga një lartësi prej katër ose pesë metrash. Fillimisht u mendua sikur ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u dërgua në spitalin ushtarak në kryeqytet. Pas ndihmës së parë të dhënë dhe ekzaminimeve mjekësore të kryera u konfirmua se ai kishte vetëm disa dëmtime të lehta në shpatull dhe një dëmtim të lehtë në kokë jo serioz. Pas disa orësh në reanimacion, ai u dërguar në një nga pavionet e Spitalit Ushtarak.

Detaje për çështjen e pronave

Sipërfaqja e pronës truall, e cila duhet të kompensohet është e barabartë me 6489 hektarë, pa diskutuar që është edhe një sipërfaqe tjetër rreth 2900 hektarë, e cila iu është njohur pronarëve, po procesi ka mbetur pezull.

Për vite me radhë nuk është dhënë asnjë lek për kompensimin. Vetëm një herë është dhënë një fond 2.5 miliardë lekë me të cilin janë kompensuar vetëm 9800 metër katror. Në këto kushte, sikur shteti të shpërndajë vit për vit nga 2.5 miliardë lekë për kompensimin e plotë të pronarëve, nuk do të mjaftonin as 650 vite.

Ligji 7501 dhe ligji 8053 për dhënien e tokës në pronësi kanë krijuar problemet e pronësisë, të cilat po mbarten vit pas viti. Deri në vitin 2006 janë dhënë rreth 25 mijë hektarë në funksion të kompensimit fizik të pronareve dhe tani nuk ka mbetur asnjë metër katror. Kjo ka bërë që kompensimi fizik të jetë i pamundur sepse nuk ekzistojnë sipërfaqe toke.

Në total, përmes ligjit 7501 janë dhënë rreth 560 mijë hektarë tokë, të cilat i përkisnin pronarëve të vjetër. Pronarët e rinj kanë marrë tokat pa paguar para.

Shuma e parave që shteti duhet ti japë ish-pronarëve nuk është llogaritur asnjë herë. Vetëm në Tiranë, nevojat për kompensim janë 22 milionë metra katrorë tokë dhe me një çmim mesatar, prej 300 euro metri, shkon tek rreth 6 miliardë euro.

Precedenti Feriz Haxhia

Më tetë prill të vitit të kaluar Feriz Haxhia, i cili prej 20 vitesh pretendonte një pjesë toke në Shkozet të Durrësit të cilën Gjykata ia kishte mohuar, ka kërcënuar me vetëflijim kolektiv. 52-vjeçari nga Durrësi mori me vete tre fëmijët e tij, dy djemtë dhe një vajzë, të tre në moshë të mitur dhe shkoi në Tiranë. Rreth orës 12:30 ai u ngjit në tarracën e një pallati pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe nisi thirrjet se do të hidhej bashkë me fëmijët në shenjë proteste për mos kthimin e pronave të tij në Shkozet të Durrësit. Madje në duart e tij dhe të fëmijëve mbante të shkruar një pankartë mbi pretendimet e tij për pronat. Pas negociatave me policinë ai u bind që të tërhiqej në këmbim të premtimit për një takim me zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë.

500 mijë legalizime

Viti 2006 ka sjellë një revolucion në çështjen e pronësisë dhe tokës. Parlamenti miratoi ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, përmes të cilit mijëra familje u bënë pronar të shtëpive dhe tokave ndërsa pronarët e vjetër humbën të drejtën e pronësisë. Në total qeveria ka legalizuar një shifër që vërtitet nga 350 deri në 450 mijë ndërtime pa leje. Në total mendohet se 500 mijë familje kanë përfituar nga procesi i legalizimit të banesës së tyre

2 orë

Ka qëndruar Çaush Isaraj në shtyllë duke kërkuar që krerët e shtetit të dëgjonin problemin e tij. 60-vjeçari pretendon pronësinë e një toke në Gjirokastër, e cila i është zënë nga persona të tretë. Ai është zbritur pas ndërhyrjes së forcave RENEA

10 vjet

Ka Isaraj që endet dyerve të gjykatës për të gjetur të drejtën në lidhje me pronën e tij. Procesi ndaj tij është zhvilluar në vitin 2000, në kohën kur ai dhe familja ndodheshin në Greqi. Kur është kthyer nga emigracioni ai ka gjetur tokën e zënë nga njerëz që kishin ndërtuar shtëpi

43

Vjeç është polici i RENEA-s, Ardian Dibra, i cili ra dje nga shtylla gjatë operacionit për shpëtimin e 60-vjeçarit nga Gjiorokastra. Atij i rrëshqiti këmba 4-5 metrat e fundit të shtyllës dhe ra në tokë duke marrë dëmtime në shpatull. Sipas mjekëve të spitalit, ai ka dalë nga gjendja e rëndë

6 ha

Bëhet fjalë për 6 ha tokë në Humelicë të Gjirokastrës, ku megjithëse familja Isaraji është trashëgimtar i kësaj pasuri ekziston një vendim gjykate që nuk përputhet me vendimet hipotekore, por që ka bërë pronar të tyre persona të tjerë. 

2 Komente

Une nuk e kuptoj se si mund te behet gjyqi per tokat, pa qene prezent pronari i vertete ose ai qe pretendon se eshte i vertete te pakten. Shqiperi hesapi, turp per faqen e zeze.  

Ketu po shitet Shqipria si copa hallve ti me flet per si ka mundesi. Ne nuk dime nga te vem se bum andej, bum ketej nga sukseset. Ne kemi share Zogun e tejre se donin ta shisnin Shqiperine, por keta jo vetem qe po e ndajane si t'u doj trapi por kini mendjen dhe juanadej matane se do t'u ndajne dhe ju. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).