Megjithë vapën e madhe, unë dhe një kolegu im vazhdonim të diskutonim mbi zgjedhjet. Kundërshtari i argumentit tim shprehej i shqetësuar për koston e një fushate tjetër. Kjo ishte skena ku zhvillohej debati dhe këta personazhet që pritej t’i jepnin zgjidhje një situate që sidoqoftë nuk varej prej tyre.

Pyetja se sa kushton demokracia, e hedhur si pa të keq nga unë, shkaktoi heshtje në zyrë për pak sekonda. Kolegu im u ndje keq për faktin se duhej t’i dilte kundër kësaj klisheje, të barabartë me të gjitha diskutimet e sikletshme e pa kuptim në ashensor. Ai mori frymë thellë dhe sa po niste të më kundërshtonte, u gjend përballë me fytyrën e ngrysur të komshies ngjitur me dritaren e zyrës, fytyrë që tregonte se nipi i saj dy vjeç po flinte, e që duhej ulur zëri. Unë qesha nga kjo “fitore” e lehtë për shkak të rrethanave.

Është për të qeshur në fakt, kur mendon se demokracia është nocion që përkon me diçka të mirë por që gjithsesi nuk haset gjëkundi në realitet. Të kujton Kartezion, kur shprehej se duhet të ketë Zot, përderisa njeriu arrin të imagjinojë të pafundmen edhe pse vetë është “i fundëm”.

Demokracia reale është Berisha, shpërthimi në Gërdec, vrasjet e 21 janarit. Demokracia e vërtetë na kushton çdo ditë pagat e një administrate që nga ana tjetër nuk duket se e ka për zemër ta marrë seriozisht punëdhënësin e vet.

“Demokraci” janë gjykatat, me ata një mijë a më shumë gjyqtarë, të cilët shpikin të drejtën sa herë që iu paraqitet nevoja. Ata çdo ditë janë krijues të së drejtës dhe megjithëse kjo nënkupton riprodhimin e pushtetit të tyre personal, ne nuk lodhemi së menduari për “demokraci”.

“Demokraci” është Kuvendi dhe 140 deputetët e tij, nga të cilët njohim ose jo diku te 20 përfaqësues. Prej tyre, të paktën 10 na krijojnë ndjesi neverie kostante. 120 janë të panjohur dhe duket se nuk na mungojnë për asnjë moment. Prej nga dhe më duket logjike që të kemi nevojë vetëm 10 parlamentarë në total. Në fakt edhe sikur të ishin vetëm 3, gjërat do të ishin njësoj. Nëse demokracia do të kishte ndonjë vlerë, do të doja t’i zgjidhja unë ata 10 parlamentarë, rrogat e të cilëve burojnë nga taksat që unë paguaj. Por kjo sigurisht që nuk është e mundur. Sepse më pas do të detyroheshin të ishin më pozitivë me qytetarët, gjë që është e papranueshme në kushtet kur ata mund të pretendojnë më shumë dhe pa asnjë kufizim.

“Demokraci” është privatizimi i çdo aseti kombëtar në favor të një grushti privatësh. “Demokraci” duhet të jetë edhe kur këta privatë, me paratë e fituara blejnë çdo votë që gjendet në treg. Ndoshta kjo formë me të cilën po fanepset demokracia ka një të mirë, sepse në mënyrën e vet, ofron modele të caktuara kompensimi ndaj qytetarëve. Që të mund të zgjidhen deputetë e më pas të kenë mundësi të privatizojnë ç’të duan, privatët e ardhshëm do të duhet të paguajnë për votat tona.

Po cilat janë kostot e vërteta të zgjedhjeve në Shqipëri? Nëse i referohemi deklarimeve të partive politike, këto kosto kapin pak a shumë disa milionë të vjetra. Nga ana tjetër, të gjithë e dimë që nuk është e vërtetë. Demokracia ka kushtuar ca si më tepër. Mjafton të kujtojmë që rruga Durrës-Kukës i kaloi firmës Bechtel, që nga ana e vet kishte ndihmuar Berishën nëpërmjet BG&R, duke bërë që shifrat të kapërcenin 1 miliardë euro.

Shpenzimet për këngëtarët, fonitë, humoristët, bluzat, posterat apo kompensimet e votuesve me thasë mielli, përfaqësojnë atë pjesë të kostos që sinqerisht nuk më shqetëson, pjesë e cila tek e fundit ndihmon në shpërndarjen e të mirave tek qytetarët, që në kushte të tjera, nuk do të kishin akses tek marifetet me të cilat mbahet në këmbë sistemi ynë post-demokratik.

Sa kushton demokracia? Sa më qesharake që duket kjo pyetje në bisedat e përditshme, aq më shumë le të kuptohet se çmimi real është ai i një sistemi jo funksional. Çmimi i demokracisë është çmimi i një të ardhmeje sigurisht më të errët se e kaluara po aq e errët.

Dhe në kohë vape, demokracia me siguri ka kosto më të lartë se sa gjumi i një dyvjeçari.

Nga Andi Kananaj

2 Komente

Organizimi i demokracise kerkon kosto te larte dhe kohe . Per nje vend te varfer si vendi yne ,organizimi i zgjedhjeve perben nje luks te paperballueshem ,per buxhetin e shtetit  .Megjithate kjo si ka penguar forcat politike te bejne nje fushate zgjedhore ,jashte mundesive reale qe kane ato . Pertej kostos financiare ,te cilen ne duket se e kemi perballuar (pavaresisht se si )ne kemi ende nje barriere te cilen ne pamje te pare duket teorikisht e perballueshme ,por praktikisht e paaritshme . Kjo eshte kostoja morale .Per demokracine mund te flasesh shume ,por realisht ato tingellojne sa te bukura ,aq dhe groteske per realitetin tone .Te ne mungon kultura demokratike e organizimit te gjerave ,madje duke filluar qe ne baze ,po e quaj ,ate qe cilesohet si djepi i dijes dhe kultures ,shkollen . Dje takova nje shoqe e cila ishte e merzitur ,se ne nje konkurs ,mbi edukimin shendetesor nderrmjet shkollash qe kish marre pjese vajza e saj ,kishin bere hile ...ishte vertet shume qesharake dhe ashiqare ,pasi te pyetjet me goje grupi i vajzes avanconte  para dhe te pyetjet e fundit me shkrim ,menjehere piket i mori grupi tjeter . Ne na eshte krijuar nje psikoze, qe te cdo gje qe eshte e mbyllur dhe me shkrim ,mund te ndryshosh rezultatin ne favorin tend . Raste te tilla ne jeten tone fatkeqesisht ka shume . Nuk e di c'fare presim ne nga keta femije te cilet edukohen qe ne vogeli me faktin qe dhe nese ti nuk mundesh t'a besh vete ,s'ka problem se e rregullojme ne dhe ti do fitosh dhe anasjelltas mos u perpiq kot te fitosh me zotesi ,se miku dhe leku do triumfoje gjithmone.Raste te tilla i gjen me thase ne realitetin tone ,ne cdo fushe ,ne cdo administrate..etj 

Te me pyesesh mua ,se sa vlen demokracia ,une do thosha ,qe  vlen me pak nga c'mendojme ne ,vlen dhe thjesht 10 vota ,nese ky proces zgjedhor qesharak qe u be terkuz vetem per ego pushteti te ish ndalur aty , vlen nje proces gjyqesor i perfunduar dhe i gjykuar me drejtesi i ngjarjes se Gerdecit , i 4 te vrareve te pafajshem. ..etj.Ne syrin e nje njeriu te thjeshte , keto jane veprime  qe e bejne funksionale demokracine ne vendin tone dhe kerkojne vec vullnet dhe deshire ,qe drejtesia te triumfoje mbi cdo interese personal apo partiak . Fjalimeve  te bukura mbi demokracine dhe fjalimet e nje nacionalisteje te thekur te kryetares sone neper Evrope ,as na bejne me pershtypje ,as na vlejne me.

 

 

andi, llafi eshte qe "best things are for free".

kshu qe vet pytja e con demokracine ne hatlla, gje per te cilen mu nuk esht se me duket naj qamet i modh shum, jo. demokracia na esht si naj kostum armani por me numer pak me te vogel se sa duhet. na preu ka shaptllat e na muren frymen pantollt.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).