Ish-ministri i Financave dhe një nga figurat e rëndësishme në PS Anastas Angjeli, tregon rikthimin e tij në grupin e punës për programin politik të kësaj partie. Sipas tij, ky grup pune do të tentojë hartimin e një programi ambicioz që do të mundë ta sjellë PS në pushtet.Angjeli shprehet se ka qenë vazhdimisht i angazhuar në bazën e PS gjatë fushatave zgjedhore por dhe me ekspertizën e tij profesionale për ccështjet politike, ekonomike e sociale të vendit

Zoti Angjeli, ju jeni tashmë pjesë e grupit të punës për programin politik të PS. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Pjesëmarrja ime si anëtar në grupin e punës për programin e PS, natyrisht më bën të ndihem i vlerësuar dhe i respektuar nga kolegët e mi dhe lidershipi i PS. Njëherësh, duke e konsideruar atë si një proces në vazhdim, pa dyshim që do të thotë edhe më shumë angazhim, më shumë mendim, më shumë kontribut (që nuk ka munguar asnjëherë nga ana ime), në dobi të një programi bashkëkohor, socialdemokrat, progresist dhe europianist për PS dhe për të ardhmen e vendit tonë (pasi PS është forca më e madhe politike dhe qeverisëse në vend), natyrisht në aspektin politik, por për shkak të angazhimeve të mia të mëparshme, qeverisëse, administrative, akademike dhe profesionale, (veçanërisht në aspektin e politikave ekonomike, financiare e sociale). Por, ajo që është më e rëndësishme, bëhet fjalë për një angazhim të PS për një program që do ta çojë PS hapa përpara në aktivitetin e saj si partia më e madhe në vend, për të garantuar zhvillimet politike dhe demokratike në vend dhe, natyrisht, për të garantuar një proces integrues të ekonomisë shqiptare, por jo vetëm kaq, të të gjithë vendit në strukturat e BE-së. Më lejoni të theksoj se në këtë grup unë nuk jam i vetëm. Atje janë 20 veta, politikanë me përvojë dhe shumë të nderuar të PS, që do të punojnë së bashku dhe, për më tepër, fakti që ky grup, si dhe ai për reformimin e statutit, drejtohet nga kryetari i PS, Edi Rama, dëshmon për seriozitetin e këtij aksioni politik të PS në prag të kongresit të saj të ardhshëm.

Si erdhi kjo ftesë për angazhim? Pati një bisedë paraprake me kreun socialist, zotin Rama?

Unë nuk besoj se kjo përbën një çështje thelbësore. Kjo nuk është thjesht një çështje teknike. Unë mund të mos kem qenë shumë aktiv brenda strukturave të partisë, por njëherësh, gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga 2006-a, unë kam zhvilluar një aktivitet, kryesisht në fushën e politikave ekonomike, financiare e sociale, do të thosha shumë profesional, por nga pozitat dhe vizioni i qëndrimeve të politikave të majta dhe të qendrës së majtë. Në këtë kontekst, vlerësimet e mia për zhvillimet ekonomike, financiare dhe sociale në vend dhe ecurinë e reformave në këto fusha jo vetëm që kanë qenë realiste, por janë shoqëruar me oponencën përkatëse dhe alternativat e zgjidhjes, të cilat shpresoj të kenë qenë të dobishme. Gjithashtu, marrëdhëniet e mia bashkëpunuese me lidershipin e PS kanë qenë të mirëpritura në vazhdimësi. Unë e kam vlerësuar e besuar këtë bashkëpunim efektiv dhe mosqenia përkohësisht në forumet drejtuese të PS nuk ka qenë asnjëherë pengesë për mua për të qenë aktiv në çështjet që shqetësojnë politikën e demokracinë në vendin tonë, zhvillimin ekonomik e social, reformat dhe integrimin e vendit etj. Përkundrazi, shumë nga këto çështje kanë qenë vazhdimisht në fokusin e qëndrimeve të mia, dhe kjo mosshkëputje më ka bërë që shpesh të diskutoj me lidershipin e PS dhe grupin e deputeteve për qëndrimet që duhet të mbajmë. Ky komunikim ka çuar, me sa duket, edhe në një aktivizim në fushatat elektorale duke kontribuar edhe në programet e këtyre fushatave, konkretisht dhe në terren. Të gjithë këta faktorë, besoj se janë mbështetës dhe qasës në caktimin tim në grupin e punës, që nuk duhet të habisë askënd në politikën (djathtas, pse jo dhe majtas), si dhe në shoqërinë e vendit tonë. Për më tepër, unë, me përjashtim të grupit të punës së kongresit të shkuar të PSSH, që nga krijimi i saj kam qenë në të gjitha grupet e punës së programit të PSSH. Nuk besoj se as zë vendin e ndokujt, dhe as jam i tepërt, jam thjesht një anëtar i këtij grupi, i cili drejtohet nga kryetari i partisë, zoti Edi Rama.

Ju përmendët forumet e PS. A jeni ndjerë i munguar nga Asambleja Kombëtare? Keni pritur realisht të jeni pjesë e kooptimeve të fundit në këtë asamble kur u rikthyen disa ish-deputetë?

Këto janë çështje më tepër organizative. Nga sa u shpjegova më lart, besoj se është e qartë se si jam ndjerë dhe si ndihem tashmë. Ajo që është e rëndësishme është se unë nuk jam penguar të kontribuoj. Pastaj, duhet ta shikoni Partinë Socialiste jo vetëm si forcën politike më të madhe në vend, por gjithashtu si një forcë bashkëkohore të së majtës europiane, në modernizim të vazhdueshëm, në riorganizim të vazhdueshëm, në transformim e reformim të vazhdueshëm, faktorë këta të cilët çojnë në rritjen e vlerave demokratike dhe qeverisëse të saj. Në këtë kontekst, sigurisht që vlera të PS, të çdo periudhe, gjejnë veten e vet në organet drejtuese të kësaj partie.

Zoti Angjeli, ju jeni një politikan me përvojë në proceset elektorale dhe fushatat zgjedhore. Cili ka qenë roli juaj në zgjedhjet e 8 majit dhe çfarë mendoni se duhej të ishte bërë më mirë?

Nuk kam pasur ndonjë rol vendimtar në fushatën e PS në të gjithë vendin. Angazhimi im ka qenë kryesisht në Tiranë dhe në një zonë të caktuar. Çdo fushatë elektorale, kur përfundon, mund të bësh vlerësimin e saj pozitiv, por dhe të ndonjë të mete që mund të ketë pasur. Por, ajo që unë do të thosha është se jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin, PS bëri një fushatë bashkëkohore, të qartë, me program të detajuar dhe me alternativë konkrete sipas rajoneve, qyteteve dhe zonave. Këtë e dëshmoi dhe rezultati ku PS arriti të fitojë dhe do të qeverisë 2/3 e njësive bashkiake.

Me përvojë në hartimin e programeve politike, programi i ri, ku ju do të jeni pjesë e diskutimit, do të ketë një ripërtëritje të programit aktual të PS, apo një koncept krejt i ri? E them këtë nisur dhe nga deklarata e fundit e zotit Rama në Asamblenë Kombëtare kur foli për një kurs të ri politik. Sipas jush, çfarë do të presim nga ky program?

Partia Socialiste, siç ju thashë, është partia më e madhe dhe më e organizuar në vend. Ajo trashëgon Programin dhe Statutin e saj gjithnjë në përsosje. Reformimi i saj për një program, vizion dhe politikë të re do të jetë fryt jo vetëm dhe thjesht i grupit të punës, por i një diskutimi dhe ballafaqimi të të gjithë anëtarësisë, pse jo dhe të aleatëve, shoqërisë civile, faktorëve të interesit dhe gjithë qytetarëve. Ideimet e këtij vizioni të ri të programit vijnë nga kryetari i PS, zoti Edi Rama dhe lidershipi i PS. Mbi këtë bazë, të kësaj politike të re që duhet ofruar për të ardhmen e vendit, me fillimin e punës së grupit të punës, do të jetë më e qartë edhe për opinioni publik. Kësisoj, pa dyshim që do të punojë ky grup për hartimin e tij. Nuk duhet të surprizohet kurrkush, pasi Partia Socialiste është e vetmja parti që funksionon në mënyrë shumë të organizuar, korrekte dhe të vazhdueshme, është një parti që në mënyrë periodike di ta orientojë programin e vet edhe në fushën politike, ekonomike dhe sociale, në përputhje me stadin aktual të vendit dhe në koherencë me partitë simotra të së njëjtës familje politike, të Internacionales Socialiste, duke reflektuar ato ndryshime jo vetëm të vendit, por dhe fenomenet globale që kanë ndodhur.

Partia Socialiste hyn në një fushatë zgjedhore. Drejtimi i Partisë Socialiste në Tiranë vazhdon të mbetet një ambicie, të cilën ju e keni shfaqur dhe në vitin 2007?

Siç e thashë në fillim, besoj se nuk duhet të jetë surprizë për asnjë, majtas apo djathtas, prania ime nëpër grupe pune apo ndonjë forum, pasi historia ime politike është e lidhur nga dita e krijimit e deri më sot me PS. Pjesëmarrja ime në grupin e punës për programin nuk është një ambicie, sesa më tepër një kontribut që unë do të ofroj, ashtu sikurse për organet e Partisë Socialiste pjesëmarrja ime është një mbështetje apo kontribut, sesa një ambicie karriere; megjithëse çdo ambicie pozitive nga kushdo është e pranueshme për këdo që është në politikë.

Nuk përjashtohet mundësia e kandidimit tuaj?

Sapo e thashë me sipër, por gjithsesi po theksoj se unë kam 20 vjet kontribut në PS, që në fillimet e saj, kur elementë të tillë të sotëm nuk ishin fare të qartë. Qëndrimi në PS nuk kushtëzohej as me kandidime, as me poste në të ardhmen, por me përkushtimin dhe me vokacionin tim të majtë. Kandidoj ose jo në strukturat e PS, ashtu si dhe deri tani, unë do të vazhdoj të kem të njëjtën marrëdhënie me PS.

Zoti Angjeli, kemi në PS, pas Asamblesë Kombëtare, edhe një grup pune që do të punojë për një reformë organizative e ndryshime statutore. Nga përvoja juaj, cilat mund të jenë risitë që pritet të sjellë ky diskutim, organizativ dhe statutor, që do të ndihmonte në ardhjen e saj në pushtet?

Përvoja e deritanishme e organizimit dhe funksionimit të PS, veçanërisht organizimi nga kongresi i kaluar, ka nxjerrë elementë të cilët duhen riparë në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të partisë dhe të instrumenteve të tjera që funksionojnë pranë saj, të organizimit të saj si një parti elektorale, që kanë të bëjnë me angazhimin e strukturave të rinisë apo gruas, por dhe të disa çështjeve të organeve të vendimmarrjeve, që do të reflektohen në statutin e ri për një funksionim sa më të mirë të PS.

Në një nga mbledhjet e Asamblesë Kombëtare, por dhe pak ditë më parë, zoti Arben Malaj prezantoi një platformë që ka të bëjë me hapjen e partisë, rritjen e konkurrencës brenda saj dhe kufizim të mandateve të të zgjedhurve. Cili është gjykimi juaj rreth këtyre propozimeve?

Unë besoj se miku im Malaj dhe ne të gjithë i kemi të gjitha shanset që të gjitha mendimet të propozohen, të ballafaqohen në grupin e punës ku bëjmë pjesë. Të jeni të sigurt që këto grupe pune të ngritura do të diskutojnë e do të marrin mendimet e strukturave të partisë, për të vajtur në fund të këtij procesi në kongres me një konsensus, ku mendoj se do të miratohen variantet, propozimet dhe opsionet më pozitive për Partinë Socialiste.

11 Komente

Sa faqe do te kete ky program? Me shume se 1000?

Shpejt u kujtuat .smiley

Megjithate me mire vone se kurre. Hajt per hajer ,ishalla .smiley

Unë besoj se miku im Malaj dhe ne të gjithë i kemi të gjitha shanset që të gjitha mendimet të propozohen, të ballafaqohen në grupin e punës ku bëjmë pjesë. Të jeni të sigurt që këto grupe pune të ngritura do të diskutojnë e do të marrin mendimet e strukturave të partisë, për të vajtur në fund të këtij procesi në kongres me një konsensus, ku mendoj se do të miratohen variantet, propozimet dhe opsionet më pozitive për Partinë Socialiste.

 

Ka dy vjet qe Malaj ngjiret duke folur e duke bere programe dhe nuk ja var kush.

Pjesëmarrja ime si anëtar në grupin e punës për programin e PS, natyrisht më bën të ndihem i vlerësuar dhe i respektuar nga kolegët e mi dhe lidershipi i PS

Rrosh o Edi qe me thirre, se kisha kohe pa dale ne TV  smiley

 

Si erdhi kjo ftesë për angazhim? Pati një bisedë paraprake me kreun socialist, zotin Rama ?

Unë nuk besoj se kjo përbën një çështje thelbësore.

Nuk e tregon Anastasi sa EVRO i kane dhene jo, mos u lodh kot o gazetar ...  smiley

 

Nuk besoj se as zë vendin e ndokujt, dhe as jam i tepërt, jam thjesht një anëtar i këtij grupi, i cili drejtohet nga kryetari i partisë, zoti Edi Rama.

Ahaha e forte fare, por shume domethenese ! Mire qe justifikohet per veten, por nuk i le furçat per "kryetarin"! I permend dhe emrin, per ata socialiste qe mund t'ja kene harruar : Edi Rama eshte Kryetari i Partise Socialiste - thote Angjeli.

Jo se, ka ca socialiste qe po e kundershtojne ! Anastasi aty do jete t'a mbroje kryetarin me mish e me shpirt ore ! sidomos tani qe hyri tek te afermit e kryetarit   smiley

...akoma me vjetrsira keta mer.....mjaft 20 vjet i provum keta dhe ben lek sa cuditem qe  nuk jane ngop ose kthehen ne politike per gallate.....po behen breza te rinjsh qe kane mbaru brenda e jashte vendit dhe nuk i aktivizon njeri.....duhet me ndryshu njerezit se nuk ..."shqiperia po ndryshon"....

i paska harxhu leket ky mafiozi dhe po futet te kapi prap ndonje gje......si nuk shpetuam njehere nga keta hale ne...tani mungon vetem Nano dhe ta lumsha  alternativen....me emra te tille me mire te rrije edhe pak ne opozite PS-ja pasi i pame njehere se c bene...ia dhane te gjitha asetet ekonomike Greqise

 Mendoj se Edi Rama, duhet te jete i hapur me ter ata qe duan ndryshimin dhe permisimin e situates ne Shqiperi, jo vetem me garden e vjeter te PS, qe ndonse kane meritat e tyre, duhet te ndigjojne edhe ata qe s'jane antare te PS, qe mund te kene mendime dhe ide me te vlefshme se garda e vjeter. 

PS krushqi me Anastas Angjelin?

Pu pu pu pu.....

 

E mire o mire.

A mund ta garantojë Rama fitoren në 2013!?

Denion Meidani

Ky quni qenka si perfundim djali Xhepe ishpresidentit, po ky s'ka llogaritur fuqine e turbines dyshe Ngjela & Angjeli, ose shkurt Ngje&Angj.

Paskan filluar ne nda armet ps-ja, si e vetmja menyre per te ardhur ne pushtet !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).