Autostrada M62

Mënyra më e këndshme me kapërcyer vargmalin e Pennineve është vozitja përgjatë autostradës M62. Vargmali shtrihet në drejtimin veri-jug, ndërsa M62 nga lindje-perëndimi. Kësisoj nuk duhet te presësh shumë kohë derisa të dy boshtet të shkëmbehen me njëri-tjetrin e të formojnë kështu nji nga ato tabelat dy-përmasore. Autostrada është e bollshme, por rehatia e rrugës zvenitet  nga udhëtimi që pas pak kohe bëhet i bajatshëm. Ngado që ti hedhesh sytë përplasesh me nji peizazh të zhveshur e që ka ngelur kështu që prej kohës kur pyjet e vjetër filluan të shkurtohen për me kënaqë nevojat e Flotës Mbretërore 500 vjet e ca më parë.

Kreshtat e rrumbullakosura janë pothuajse të gjitha mbuluar me shqopë. Këto kodra nuk mund ti quash të veshura me gjelbërim sepse një cilësim i tillë nuk do ish i vërtetë. Ngjyra e tyre qëndron shumë më larg të blertës e më afër të murrmes. Shqopa i jep peizazhit nji nuancë të shquar dramatike e njeriut i duhet kohë që të mësohet me cilësitë estetike të kësaj natyre. Megjithatë M62 nuk është e gjitha vetëm shqopë.

Diku nga mesi i rrugës hasesh me një papritmëri. Ata që e dinë kët të fshehtë mezi presin ta ndajnë atë me bashkudhëtarët. E papritura, shfaqet si nji nga ato barcaletat e mira që robi i ruan në fund të darkës kur njeriu kërkon të fitojë pak energji për të shkundur ngathtësinë që ta jep zakonisht ushqimi. Befas interesi në udhëtim ringjallet përsëri.

Kjo udhërrëfenje e shkund padyshim njëtrajtshmërinë vijës së këtij shtegtimi perendimo-lindor.

Bëhet fjalë për nji katundar që jeton në mes të autostradës.  E ky syresh nuk është si nji nga ato katundarët tonë që bashkë me lopën kalojnë autostradën me nji buzëqeshje tinëzare e që ta presin në grykë zemërimin. Jo, ky katundar jeton me vërtet bash mu në zemër të autostradës.

Ferma e katundarit 

Autostrada ndahet papritmas më-dysh e hapësira i lëshon vendin nji ferme të vogël.  Brenda saj livadh  përreth nji shtëpie prej guri e lëndina e cila zgjatohet prej saj si nji shpatë. Veçse ndarja nuk zgjat shumë; nuk kalojnë vetëm disa sekonda dhe bifurkacioni i asfaltit  mbyllet sërish mbrapa si zinxhir pantallonash. Shtëpia prej guri e katundarit është tani nën nji rrethim të plotë e përfundimtar.

Ferma në mes të autostradës dhe ai robi që run delet i mbyllur hermetikisht nga nji rreth me automjete që lëvizin  pandërprerë është një nga ato gjendjet proverbiale që nuk ja uron as hasmit. Ky lloj sajimi e bën rrethqarkullimin e ‘Zogut të Zi’ të duket si nji kurorë shenjtori.

Doemos habitesh me kët lloj ujdie. Kjo lloj jetese shkon kundër çdo sensi që mund të këtë njeriu për jetën e qetë e idilike të katundit. Shkon edhe kundër përfytyrimit tim romantik të nji çifligu të vogël buzë Erzenit apo Shkumbinit, ku një grup neo-marksistesh mësohen me virtytin e punës e frytin e djersës së ndershme.

Kur J. Locke, T. Jefferson, apo C. J. Fox,  parashikuan se, njeriu i pakënaqur nga qytetërimi mund te tërhiqej prej tij duke refuzuar mbrojtjen e kulturën që ai afronte, nuk menduan për asnji minute se ai nji ditë prej ditesh do të rrethohej nga të gjitha anët prej jehonës së tij shurdhuese.

Fichier:Charles James Fox by Karl Anton Hickel.jpg

Charles James Fox dhe në sfond nji shtëpi katundi 

Por në fakt katundari i fermës mbetet i pashqetesuar nga lëvizja e zhurma marramendëse. Mbrojtja dhe kultura nga shoqeria mund mos ti hyjnë shumë në xhep: në fund të fundit askush nuk mund ti shkojë ndërmend të vjedhë nji dele në mes të autostradës, e sa për kulturë, interneti është zëvendësues i përkryer i çdo librarie katundi.

Ai është për më tepër është më i shqetësuar për trashëgiminë e tij fizike. Te gjithë dashnoret e katundarit sapo mësojnë për vendndodhjen e fermës duan që mos t’ia shohin më derën. Për çudi zotnia  e ka të vështirë të ndërtojë nji marrëdhënie të qëndrueshme me nji femër, përjashto ato katërthundrake...

 

8 Komente

Falemnerit bej, valut si gjithmone.

Me ner qofsh fh,

I kom gjithmone per zemer katunaret me thon te drejten. 

Valut je ne vet. Gjynof qe nuk thomi: 'je i modh si leku' per shembull,  'Sound as the pound' si thojn anglezt.

Ke ne valuta ka pi gjithmone me shume uje, i guess...

Kalofsh mire plako 

 Po si dreqin ia ben te hyje e te dale nga prona e tij, se une nuk shof as ndonje mbi/nenkalim!

Kam pershtypjen se autostrada duhet te jete ne Britani, siç duket nga levizjet e makinave, dhe kam pershtypjen se ai fshatari budalla, duhet te jete penduar qe nuk ua ka lejuar token firmes ndertimore, do kish marre parate ose kompesimin, si dhe do ish larg zhurmes se makinave.  

Ti Thomai i kap ca gjona ne ajer, pa ra n'toke dmth.

Kur do ta pim bashk na 1 poc me dhalle se alkolin nuk e pi? 

me kusht qe t'jete dhalle e vjetrume

 hahaha dmth e thartume 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).