nga Kinostudio-Kombinat

 

Seç më bezdisi një artikull që thotë që shqiptaret janë të ndarë, si lëmsh në fyt më ngeci.  Sa herë e kam dëgjuar këtë vit shprehjen “shqiptaret janë të ndarë”? S’e di, shumë, tepër, e kush e di sa herë do e dëgjoj akoma. Se gjasme ne – unë e ti  – qenkemi të ndarë nga politika. Si ballist e komunist, si Tomi e Jerry. Po politika nuk ndan, politika bashkon. Interesat nuk bashkojnë, interesat ndajnë.

Ku e shohin Shqipërinë të ndarë vërtet s’e di? Tirana nuk është Berlini i luftës së ftohtë, Shqipëria nuk është Vietnami. Këtu s’ka të ndarë, shqiptarët që kam parë unë janë të bashkuar.  I bashkuar im atë që tani kthehet i lodhur nga puna, e bashkuar ime më që tani ve gjellën në zjarr, e bashkuar motra ime që u përgjigjet telefonatave në një call center, i bashkuar vëllai im që tani pi birrën e katërt të ditës. I bashkuar kamerieri, të bashkuara ca vajza lozonjare dy tavolina më tej, të bashkuar shoferet në trafikun e Shallvareve, të bashkuar minatorët, mësuesit, punëtoret, prostitutat, komentuesit.

Unë kam menduar gjithmonë që në Shqipëri, ashtu si gjetkë, 1% e popullsisë i mbush mendjen 99%-shit tjetër që s’ka as fuqi e as ide, e ta qepin gojën. I mbushin mendjen që s’janë 99%, por 1%. Të jetë prej kësaj vallë që mendojnë se shqiptarët janë të ndarë? A prej kufijve që na ndajnë me Kosovën, Maqedoninë e Malin e Zi? Po ata kufij janë si bora, herët a vonë do shkrihen. Këtë e dimë të gjithë edhe pse s’e themi me zë të lartë. A ndoshta na shohin të ndarë se u pëlqen konflikti, u pëlqen të plasin grushtet në tavolinë, u pëlqen rrëmuja? Ndoshta prej kësaj, nuk e di.

Por nuk jemi të ndarë, as sot as mot. Ndoshta dukemi të tille, po nuk jemi. E ndoshta, ndoshta, kjo klasë politike që duhet kaq e përçarë, është aq e bashkuar sa s’na e pret mendja. I bashkuar edhe pensionisti që loz shah, po po. I bashkuar në indiferencën mbi  vendimin e kolegjit zgjedhor.

Shqiptaret janë të bashkuar Artan. E di sa? Po aq sa një grup njerëzish që po ecin në rruge, e papritmas i kap një rrebesh i madh. Atëherë futen nën çatinë e ndonjë dyqani e presin që shiu të pushojë. Shikojnë njëri tjetrin duke ngritur supet e duke thënë “ Po ku na qëlloi tamam neve?” Po e presim që nga Kongresi i Prizrenit që shiu të pushojë. Të bashkuar nën një çati

[...]

5 Komente

Po e presim që nga Kongresi i Prizrenit që shiu të pushojë. Të bashkuar nën një çati

ne po presim te levizim nga catia e stambollit te catia e brukselit.po ky shiu si s'po pushon xhanem,,,

Nen çatine e Brukselit ka shume kallaballek, e nuk jemi te mirepritur.

Per fat te keq, e me vjen keq ta pranoj, nga viti ne vit po me mbushet mendja qe gjeja me e mire per ne eshte te kthehemi te çatia e Stambollit.

nderkohe ne pritje te avionit po rrime te catia e athines

Po mo po, e kuptoj. Po kujdes se kam frike se eshte çati me rrezik ajo, do ju bieri ne koke!

Unë kam menduar gjithmonë që në Shqipëri, ashtu si gjetkë, 1% e popullsisë i mbush mendjen 99%-shit tjetër që s’ka as fuqi e as ide, e ta qepin gojën.

 

101% e vertete !!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).