Historia e njerëzimit dëshmon se vetiniciativa është njëri nga faktorët kryesorë për suksesin e popujve në procesin e mbijetesës, prodhimit të vlerave, ngritjes së mirëqenies dhe progresit të tyre të vazhdueshëm. Populli shqiptar një kohë të gjatë pati vështirësi që të mbrohet nga iniciativat pushtuese e popujve të tjerë, që për shkaqe të ndryshme arrinin të depërtojnë dhe t’i pushtojnë hapësirat e tyre tradicionale duke i robëruar ata dhe duke i vandalizuar vlerat e krijuara me shekuj.    Pas shpërbërjes së perandorive, asaj Otomane dhe Austro-Hungareze, u krijuan kushte për çlirim dhe krijim të shteteve të popujve që ishin të sunduar nga këto perandori.
Kongresi i Berlinit (qershor 1878) ishte i padrejtë ndaj shqiptarëve ngaqë, nën diktatin e Bizmarkut u zbatua politika që i përfillte realitetet, kapacitetet reale të popujve (real-politikën).
Populli shqiptar në atë kohë, por edhe në vazhdimësi, nuk i posedonte këto kapacitete, prandaj në mënyrë arrogante u shpërfill interesi i tij. Në Kongresin e Berlinit nuk u mor parasysh kërkesa e drejtë e popullit shqiptar për pavarësi.
Pas luftërave ballkanike, që ishin pasojë e konstatimit për shpërbërjen e pandalshme, definitive të Perandorisë Otomane, shqiptarët e shpallën pavarësinë që në Konferencën e Londrës nuk u njoh në tërësinë e saj. Jashtë kufijve mbetën territore të mëdha të banuara me popullatë dominante shqiptare.
Gati 100 vjet u zhvillua lufta për mbijetesë fizike të shqiptarëve. Me shpërbërjen e Jugosllavisë sërish u hapën mundësitë për korrigjim të gabimeve historike.
Faktori ndërkombëtar formoi një komision që do të përcaktonte mënyrën e shpërbërjes së Jugosllavisë, të udhëhequr nga eksperti francez, Badenter. Por, edhe ai e përsëriti gabimin paraprak: të drejtën për vetëvendosje ua njohu vetëm republikave dhe jo entiteteve konstituive shtetformuese. Edhe kjo padrejtësi u korrigjua pjesërisht me mundime dhe viktima të mëdha. E drejta e patjetërsueshme e popullit shqiptar për vetëvendosje, konkretisht për bashkim me shtetin amë, sërish u anashkalua.
Me pavarësimin e Kosovës u pengua krijimi i një shteti normal, rentabël shqiptar. U krijuan dy shtete shqiptare, të cilat vazhdimisht do të përballen me probleme ekonomike, investime dhe shpenzime të tjera të panevojshme. Nëse nuk gjenden rrugë të tjera, këto dy shtete të vogla do të hasin në pengesa të njëpasnjëshme.
Në situata të këtilla çdo popull i qytetëruar do të përpiqej të gjejë rrugëdalje të qytetëruar  për t’i tejkaluar barrierat e vendosura në konferenca të ndryshme. S’do mend se rrugëdalja nuk duhet t’i shkelë konventat ndërkombëtare, por të gjejë forma të tjera që kanë një precedencë të mbarë, si bie fjala projekti britanik i Commonwealthit (Mirëqenia e popujve), që ka 53 anëtarë dhe ai francez (Frankofonia), që ka numër identik të anëtarëve (53). Këtë rrugë kohët e fundit ka filluar ta ndjekë edhe Turqia me idenë e krijimit të një Commonwealthi osman. Ky projekt turk, që mëton rikthimin në Ballkan, filloi me vizitën e ministrit turk të Punëve të Jashtme, Davutogllu, në Sanxhak dhe vazhdoi me nënshkrimin e deklaratës së Stambollit ndërmjet Presidentit turk Gyl, atij serb Tadiç dhe atij boshnjak Sillajxhiç.
Projekti shqiptar i mirëqenies së përbashkët, natyrisht se nuk do të jetë kaq ambicioz dhe pretencioz ngaqë nuk synon që të krijojë një mekanizëm për përhapje të hegjemonisë shqiptare në rajon. Mirëqenia e përbashkët shqiptare është në funksion të korrigjimit të gabimeve që janë bërë deri më tani në konferenca të ndryshme dhe të krijojë kompatibilitet ekonomik, politik, kulturor ndërmjet dy shteteve shqiptare.
Projekti shqiptar nuk do të provokojë askënd, por do të krijojë kushte për një zhvillim më të lehtë në të gjitha fushat e shoqërisë, kryesisht në ekonomi.
Ideja e krijimit të një projekti të këtillë që synon të konsolidojë mirëqenien shqiptare duhet të realizohet përmes institucionalizimit të saj. Pa institucione asnjë ide nuk mund të pretendojë për sukses dhe funksionim të pa penguar.
Hapi i parë duhet të jetë miratimi i Deklaratës për themelimin e asociacionit për “Mirëqenie shqiptare”. Kjo deklaratë duhet të përkufizojë qëllimet parësore të këtij projekti. Ky program duhet të ndahet në tre kategori: 1- konteksti shqiptar; 2- konteksti rajonal dhe 3- konteksti ndërkombëtar.
Në kontekstin e parë duhet të përfshihen qëllimet parësore siç janë: zhvillimi harmonik, kompatibil dhe i qëndrueshëm ekonomik në të gjitha fushat, prej bujqësisë, energjetikës dhe deri te vlerat kulturore; zhvillimi i resurseve njerëzore në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit, stabilizimit të familjes sidomos garantimi i barazisë së femrës dhe kujdesit të veçantë ndaj fëmijëve; ngritja e standardit jetësor; Mbrojtja e ambientit; kontrolli i migrimit të popullatës etj.
Në kontekstin rajonal duhet të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me qenie njerëzore dhe garantimit të të drejtave të minoriteteve.
Në kontekstin ndërkombëtar bëhet vlerësimi i veprimeve në kuadër të zbatimit të obligimeve ndërkombëtare në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të obligimeve të tjera në këtë plan.
Kjo marrëveshje lidhet mes dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëveshja është vullnetare që nuk ndërhyn në interesat e qeverive. Selia e asociacionit “Mirëqenia shqiptare” sugjerohet të jetë në Kosovë. Me “Mirëqenien shqiptare” do të udhëheqë një figurë eminente kombëtare që simbolizon unitetin kombëtar. Ai, si vetë asociacioni, nuk do të ketë pushtet ekzekutiv. Me funksionimin e asociacionit do të merret Sekretariati i Mirëqenies. Asociacioni duhet të mbajë dy mbledhje plenare në vit. Në këto mbledhje do të analizohen të arriturat dhe do të projektohen qëllimet e reja.
Themelimi i një institucioni të tillë ka dy dobësi. E para ka të bëjë me dyshimet, sidomos të atyre që frikësohen konsolidimit të kauzës kombëtare se kjo iniciative ka të bëjë me idenë e krijimit të Shqipërisë së Madhe. Për ta eliminuar këtë dyshim duhet në deklaratë të parashikohen garanci që eliminojnë të gjitha imputimet dashakeqe ose dashamirëse.
Dobësia e dytë e kësaj ideje ka të bëjë me kritikën që e shtron dilemën se ky asociacion do të ndërhyjë në kompetencat e qeverive të dy shteteve. Krahas kësaj që në fillim do të bëhen vërejtje përbuzëse që këtë iniciativë e shohin si një ide folklorike dhe të kotë.
Përgjigjja kundër këtyre kritikave eventuale përbuzëse duhet të jetë ai që e tha Hasan Prishtina kur luftonte për krijimin e Shqipërisë etnike: “Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë pas nesh kanë me gjet shejat tona”.

13 Komente

 As nje shenje deri tani nuk kemi gjet.

5*****

e thone pastaj qe ska ideator ky komb... ato qe thote dhe shkruan Arbën Xhaferri, idete e tij, duhet  patjeter te behen udherrefyesi i shqiptareve!!

"Gati 100 vjet u zhvillua lufta për mbijetesë fizike të shqiptarëve"

ketu e ka gabim...te pakten shqiperia nuk e kishte kete problem ne 65 vitet e fundit...ose me mire te themi u be lufta për mbijetesë fizike ku shqiptari hante shqiptarin.

Lexon ca ke cituar ti apo jo?

cfare po te shqeteson????

Problemi qe ke me te kuptuarin e gjuhes shqipe.

Po ta khesh koken pas ne histori, nuk i kemi pas asnjihere "letrat" e mbara sa ne kete fillim shekulli me u riperteri ... Xhaferri sheh me larg.

Xhaferiit i ka mbetur ora ne rilindjen kombetare.sfida e shqiptareve eshte te mesojne si te vetqeverisen.

nuk do ti hiqja asnje presje..

 per kete flet dhe Xhaferri, vetqeverisjen qe na ka munguar. per kete flet, po e perseris, flet se si te mesojme te vetqeverisemi. 

 Ashtu duhet te ndodhe siç thot Xhaferi,po ky soje politikanesh qe kemi sidomos keta te Shqiperise nuk e bejne,se u humbet parlleku!

 

e mor xhafer ,ketyre po nuk ua tha ndonje ambasador,,nuk te degjojne.m jackson kishte lek te madh e prap nuk u zbardh dot .te ne eshte fukarallek i madh

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).