- Formulari

Do të deklarohen të gjitha llojet e pensioneve, lloji i banjës dhe mënyra e përdorimit të energjisë elektrike

Një kapitull i veçantë i formularit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave i kushtohet llojit të ndërtesës dhe kushtet ku banojnë shtetasit që janë rezidentë në momentin e regjistrimit. Pyetja e parë është nëse shqiptarët jetojnë në pallat, shtëpi private apo baraka dhe kasolle.

“Cili është lloji i ndërtesës?

1. Shtëpi e veçuar e ndarë.

2. Shtëpi pjesërisht e veçuar.

3. Shtëpi në rend ose tarracore (me të paktën tri banesa të lidhura apo të ngjitura secila me hyrje të veçantë).

4. Pallat ose bllok apartamentesh.

5. Ndërtesë për bashkësi kolektive.

6. Ndërtesë e ndërtuar fillimisht jo për qëllime banimi.

7. Lloj tjetër ndërtese:

1. Barakë.

2. Tendë.

3. Furgon (Karavan).

4. Kasolle”, janë opsionet e përgjigjeve të pikës 1 të formularit.

Pyetje të tjera janë për vitin e ndërtimit të ndërtesës, si dhe nëse ka ashensor ose jo. Pyetja tjetër është edhe mënyra e furnizimit me ujë të pijshëm: nëse është një rrjet normal brenda banesës; jashtë banesës, si dhe në asnjë lloj rrjeti. Në pikën e katërt për mënyrën e WC (banjës).

“Cili është lloji i tualetit në përdorim?

1. WC me ujë të rrjedhshëm brenda banesës.

2. WC me ujë të rrjedhshëm jashtë banesës, por brenda ndërtesës.

3. WC me ujë të rrjedhshëm jashtë ndërtesës.

4. Tualet i llojit tjetër.

5. Asnjë lloj tualeti”, janë opsionet e pikës katër.

Në pyetjen e 8 dhe 9 kërkohet të dihet mbi mënyrën e ngrohjes në banesë me sistem qendror, apo ngrohje me stufë, oxhak, kondicioner. Gjithashtu të anketuarit i kërkohet të cilësojë se në çfarë mënyre ngrohet, me qymyr, me dru, me naftë (mazut), rrymë elektrike, me gaz apo me panel diellor. INSTAT parashikon të realizojë një pyetësor dhe në lidhje me njësinë ekonomike familjare.

“Cili është statusi i pronësisë së kësaj banese? 1. Pronar me akt ligjor, nuk paguaj kredi. 2. Pronar me akt ligjor, paguaj kredi. 3. Në proces të marrjes së aktit ligjor. 4. Qiramarrës (paguaj kredi). 5. Nuk paguaj qira”, thuhet në pikën 1 të pyetësorit për NJEF-në. Pyetja tjetër lidhet me pronësinë e banesës nëse ajo është nga Enti Shtetëror; person fizik ose familje; kompani private apo ish-pronar (para vitit 1945).

Pyetja e tretë u kushtohet kryesisht pajisjeve që kanë në shtëpi familja. “A ka NJEF-ja: frigorifer; ngrirëse; lavatriçe; tharëse rrobash; makinë pjatalarëse; boljer elektrik; mikrovalë; TV; TV dekoder; telefon fiks; celular; kompjuter; lidhje interneti; panel diellor; kondicioner”, thuhet në pikën 3 të këtij pyetësori. Në pikën 5 kërkohet të dihet burimi i të ardhurave gjatë 12 muajve të fundit. Puna e paguar; prona ose investime të tjera (të ardhura nga qiraja, llogaritë bankare); të gjitha llojet e pensioneve; ndihmë sociale dhe përfitime (transferta të tjera); para të dërguara nga jashtë shtetit; i mbajtur nga një persona tjetër, janë këto opsionet e kësaj pike. 

***

Pyetësori individual, përfshihen shtetësia, punësimi dhe shëndeti

Një pjesë e veçantë në formularin prej 32 faqesh përfshihet dhe pyetësori individual. Në të duhet të hidhen të dhënat personale të personit, të gjitha gjeneralitetet. Këto të dhëna janë të detyrueshme. Në këtë pyetësor përfshihet statusit martesor, vendlindja, shtetësia. Gjithashtu përfshihen si pyetje të veçanta edhe lëvizjet e mundshme të individit nga 1 prilli i vitit 2001, datë që përkon me regjistrimin më të fundit të realizuar nga ana e qeverisë. Gjithashtu kërkohet që individët të deklarojnë nëse ka lëvizur, migruar, nga qyteti ose në shtet për qëllime vendbanimi, të paktën në këto 10 vite. Bashkë me këto arsye të migrimit apo të lëvizjeve kërkohet të dihen dhe arsyet nëse janë për qëllime punësimi, studimi, arsye familjare apo arsye të tjera. Gjithashtu kërkohet të dihet nëse individi ka emigruar në shtete të ndryshme dhe arsyeja e kthimit në Shqipëri.

“Cila është arsyeja kryesore e ardhjes në Shqipëri?

1. Mundësia e punësimit.

2. Përfundimi i punës jashtë shtetit.

3. Mundësi studimi në Shqipëri.

4. Përfundimi i studimeve jashtë shtetit”, thuhet në pikën 17.

Në këtë pyetësor individual përfshihet dhe arsimimi dhe koha e kryer. Gjithashtu në anketim përfshihen pyetjet e ngritjes së një biznesi, ose nëse kanë kontribuuar në ngritjen e tij për familjen. Mënyra e udhëtimit në punë, transporti që përdoret apo vështirësitë e punës janë pjesë tjetër e këtij pyetësori. Në të kërkohet të dihet nëse lloji i transportit është: në këmbë; autobus; motor; makinë, si shofer; makinë, si pasagjer; biçikletë; mikrobus; taksi; tren; traktor apo kafshë. “A keni vështirësi: në shikim; në dëgjim; në ecje, ngjitje shkallësh; në të mbajturit mend, në përqendrim apo marrje vendimesh; në kujdesin e përditshëm ndaj vetes (të vishesh, të lahesh, të ushqehesh); në komunikim (t’i kuptosh të tjerët apo të të kuptojnë ty/ti japësh dhe të marrësh informacion”, thuhet në pikën 35 të pyetësorit. Gjithashtu pyetje të tjera janë nëse kanë lindur fëmijë të gjallë dhe sa prej tyre janë gjallë.

__________

ShqipQeveria tërhiqet nga kombësia, deklarohet vetëm grupi etno-kulturor

Nga Bledar Hoti

Regjistrimi i popullsisë - Formulari me 40 pyetje, qëndrojnë gjuha amtare dhe besimi fetar

Qeveria tërhiqet nga deklarimi i kombësisë në regjistrimin e popullsisë, duke lënë si opsion fakultativ vetëm deklarimin e grupit etniko-kulturor. Kështu është opsioni final i përcaktuar në faqen 32 të fundit të “Pyetësorit/ Census i Popullsisë dhe Banesave të 2011”, i cili mësohet se është përfundimtari. “Cili është grupi etno-kulturor që ju i përkisni”, shkruhet në pikën 39 të pyetësorit, që është një deklarim i lirë, jo i detyrueshëm. Në pikën 39 të tij kërkohet që të specifikohet grupi etniko-kulturor. Qytetari ka të drejtën që të mos i përgjigjet pyetjes mbi grupin etno-kulturor. Pyetja e 40-të i përket besimit fetar, i cili është me opsionin e lirë dhe jo të detyrueshëm. “A i përkisni ndonjë besimi fetar? Nëse po, specifiko: Po i përkas; nuk i përkas besimit fetar, por jam besimtar; nuk i përkas ndonjë besimi fetar dhe nuk jam besimtar; Preferoj të mos përgjigjem”, thuhet në pikën 40 së bashku me opsionet e tyre. Opsioni tjetër i pyetjes është dhe mbi gjuhën amtare. “Cila është gjuha juaj amtare? Shqip/ ose Tjetër (specifiko)”, thuhet në pyetjen e 38 të formularit.

Formulari etnik dhe ndryshimet

Në formularin e mëparshëm të hartuar nga ana e Komisionit Qendror të Censusit, që kryesohet nga ana e ministrit të Inovacionit, Genc Pollo, parashikohej deklarimi i grupimit etnik, duke qenë jo i detyrueshëm. “Cili është grupimi etnik që ju i përkisni”, ishte pyetja numër nëntë e formularit të mëparshëm. Tashmë në formularin e ri kjo pyetje nuk ekziston ajo është zëvendësuar me shprehjen e deklarimit të grupimit etniko-kulturor. Gjithashtu, në pyetjen e 10 ishte deklarimi i besimit fetar, e cila fillimisht ishte shoqëruar me pyetjen “A besoni ju në Zot?”, duke vijuar me nënndarjen për të përcaktuar besimin fetar që i përket. Ndërsa në formularin e ri është hequr pyetja nëse shtetasi beson në Zot ose jo, duke kaluar në atë direkte nëse i përket ndonjë besimi fetar ose jo. Në formularin e mëparshëm dhe në këtë tanishmin nuk është ndryshuar formulimi i pyetjes mbi gjuhën amtare.

Kostoja e Censusit, 14 milionë euro

Procesi i regjistrimit të popullsisë do të nisë më 1 tetor. Përgjegjës për këtë Census të ri do të jetë INSTAT-i, i cili do të angazhojë 15 mijë persona. Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, në një intervistë dhënë kohë më parë për gazetën “SHQIP” bëri të ditur se kostoja e këtij procesi regjistrimi kushton rreth 14 milionë euro. “Duhet theksuar se Komisioni Europian jep afro 8 milionë euro nga fondi prej 14 milionë eurosh për realizimin e këtij procesi”, deklaroi Nurja. Ajo bëri të ditur se puna përgatitore ka nisur që në vitin 2008. “Pagesa është e kënaqshme, duke marrë në konsideratë rëndësinë dhe vështirësinë e punës. Pagesa do të jetë rreth 300 euro për rreth 45 ditë, përfshirë dhe trajnimin. Financimi i pagesës së personelit të terrenit mundësohet nga Komisioni Europian, që jep një ndihmesë të madhe në realizimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm”, deklaronte Nurja në lidhje me pagesën e 12 mijë personave që do të punësohen si anketues. Ndërkohë që qeveria në vendimin e saj më të fundit caktoi prefektin si drejtues së Komisionit të Censusit në nivel qarku. “Komisioni i Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark kryesohet nga kryetari i Këshillit të Qarkut dhe ka në përbërje: Prefekti, nënkryetar; - Përgjegjësin e zyrës së INSTAT-it në rrethin, nënkryetar; drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Arsimit, në qark, anëtar; drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë; drejtorin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut anëtar”, thuhej në vendimin më të fundit të qeverisë. Komisioni i Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark e ushtron veprimtarinë e tij nga data 15.8.2011 deri në 15.11.2011.

6 Komente

Kur jeton ne tende ,cfare dokumenti duhet ,apo ndonje foto ?.smiley

Persa i perket fese a behet diferencim midis perkatesise fetare praktikuese dhe jo-praktikuese ?

Nuk i plas kujt nëse e praktikon ose jo.Ata mjaftohen me beson apo jo.Psh plaku im më thot se do deklarohet musliman.Po të paktën një herë dita ja shtron me sallam salçiçe ose bërxolla derri e raki me shokët e tij.Derën e xhamis nuk e ka parë ndonjëher as agjërim nuk ka mbajtur ndonjëherpor përsëri thot se është musliman se bën kurban për novruz e bajram.Ja këta janë besimtarët shumicë në Shqipëri.Se po të merret % e atyre që e praktikojnë në Shqipëri dalin a nuk dalin 15% praktikues musliman 5-10% praktikues katolik dhe një 5-10% orthodoks.

 Lloji i banjes! 

Alla turka, alla fronga apo alfresco?  smiley

nese ekziston nje pike qe eshte tejet absurde ne ate formular, eshte nje pyetje mbi pronen...

sepse dihet qe 500.000 shqiptare kane vjedhur e dhunuar pronen e tjetrit..

por injoranca ne kete komb nuk mund te shohi problemin real por merret me kombesine fene dhe deliret e kesaj natyre....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).