keshilli-i-ministrave-300x160.jpg

Rënia e të ardhurave nga doganat e tatimet, vështiresia për të marrë hua qoftë dhe duke përdorur mekanizma si eurobondi, e detyroi qeverinë Berisha ngutazi të dërgonte për privatizim mijëra objekte, nga ato me më pak vlerë e gjer tek të paktat asete strategjike ende të paprivatizuara të shtetit shqiptar. Ndër këto orvatje privatizuese në disa raste kemi përpjekje të mjera për të maskuar dhe legalizuar vjedhjen e pronës publike. Në këtë shkrim ne nuk do trajtojmë gara privatizimi me shkelje procedurash apo me favorizim të padrejtë të njërit pjesëmarrës në kurriz të tjetrit. Do të trajtohet vetëm një rast, ku kemi shkelje të hapur të ligjit, ku nuk ekzistojnë fare objektet, që pretendohet se do të privatizohen siç pasqyrohen në listën bashkëngjitur vendimit të këshillit të ministrave për objektet,që do të privatizohen.

Në këtë listë, nën numrin 180, Ministria e punëve të brendshme nxjerr për privatizim objektet e mëposhtme: Godina e oficerit të rojes, garazh dhe bllok mencë, guzhinë dhe magazinë e banjë në lagjen nr.6, në Durrës përballë shkollës “Kushtrimi i lirisë”, nën administrim të Drejtorisë së Policisë Durrës. Siç shihet edhe nga fotot, në vend të këtyre objekteve, që do të privatizohen si edhe të objekteve të tjera, që tashmë u janë kthyer personave që pretendojnë se janë trashëgimtarë të patriotit të ndjerë Idhome Kosturi, kemi një kompleks banimi, zyrash dhe ambjentesh tregtare në një ndërtesë 12 katëshe. Natyrshëm pyetet se çfarë objektesh do të privatizohen, kur tashmë këto objekte janë shkatërruar dhe në vend të tyre është ndërtuar një grataçielë? A nuk kemi të bëjmë me një mashtrim banal – të pretendosh të privatizosh diçka që nuk ekziston. Nëse këto prona shtetërore ishin ambjente në shërbim të policisë shqiptare, atëhere si u larguan policët nga zyrat dhe ambjentet e shërbimit? Me çfarë dokumentacioni, me cilat procedura privatizimi dhe kundrejt cilës pagesë prona shtetërore u privatizua, para se të shpallej në listen e objekteve që do të privatizohen?

Nga fotoja e reklamës së firmës shohim se ndërtimi është me leje të rregullt, të lëshuar nga KRT-ja Durrës më 24 shtator 2008. Një leje e tillë nuk lëshohet nëse ka probleme pronësie. Në fakt këto objekte që do të privatizohen (të cilat fizikisht nuk ekzistojnë më) ishin funksionale në shërbim të Drejtorisë së policisë të Qarkut Durrës deri në javën e parë të janarit të vitit 2007. Pastaj me sebepin e kthimit të pronës tek pronari u urdhëruan policët e Durrësit të zbraznin objektet përfshirë edhe ato shtetërore të ndërtuara nga NSHN-ja në fillim të viteve 70-të. Objekti i boshatisur ruhej nga efektivë të policisë së Durrësit edhe për një periudhë 2-3 mujore pasi u larguan efektivat e rajonit. Më pas policët roje u larguan, dhe ish pronarët në bashkëpunim me një firmë ndërtimi shkatërruan të gjitha objektet private dhe shtetërore që gjëndeshin në vendin ku sot ngrihet pallati në fjalë.

Periudha e dëbimit të policisë dhe shkatërrimit të ndërtesave nga persona që pretendojnë se janë trashëgimtarë të Idhome Kosturit koincidon me një periudhë tranzicioni në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në këtë mesele është përfshirë Sokol Olldashi, me detyrë Ministër i Punëve të Brendshme gjersa dha dorëheqjen për të kandiduar për bashkinë e Tiranës, por edhe zv/ministri Gjergj Lezhja, i komanduar më pas si ministër, dhe Bujar Nishani – ministri pasardhës. Se si kanë guxuar këta ministra të tjetërsojnë pronën shtetërore pa asnjë procedurë privatizimi, pa arkëtuar asnjë shumë lekësh qoftë edhe qesharake, ky është problem i tyre. Këta ministra kanë urdhëruar me shkrim dëbimin e vartësve të tyre për t’i liruar objektin “pronarëve”. Në fund fare, pas tre vjetësh nga shkatërrimi faktik i objekteve shtetërore, del një VKM, që i nxjerr për privatizim këto objekte inekzistente. Ky shembull mashtrimi flagrant, ku objektet, që do të priuvatizohen nuk ekzistojnë fare fizikisht është një shembull i qartë se çfarë maskarallëqesh luhen me privatizimin e mundit dhe djersës 45 vjeçare të shqiptarëve. Ky proces po vazhdon të shërbejë për mbushjen e arkës së shtetit, që zbrazet nga objekte faraonike e zhvatëse siç është projekti i parlamentit të ri. Ky privatizim mashtrues shërben edhe si instrument për mbushjen e xhepave të nëpunësve të shtetit.Media e bëri detyrën e saj duke e denoncuar me foto dhe fakte skandalin. Tani opozita dhe organizmat e pavarura si fjala vjen KLSH, e kanë rrugën e hapur të kryejnë detyrën në mbrojtje të interesave dhe pronave publike.

 

Qeveria shet lulishtet e parqet si sheshe ndërtimi

Me një vendim të këshillit të ministrave, që prej prillit është publikuar lista me 327 prona publike në administrim të shtetit, të cilat tashmë janë të hapura për privatizim. Kjo listë e gjatë përmban objekte të shpërndara në gjithë Shqipërinë, ambiente që dikur kanë qenë reparte ushtarake, ndërmarrje prodhimi, fabrika, klube sportive apo hotele e pika turistike. Natyrisht që një pjesë e mirë e këtyre objekteve tashmë janë të shkatërruara prej mos-investimit, dhe çmimi me të cilin do të privatizohen do të jetë shumë më i ulët nga vlefta reale që do të kishin nëse administrata shtetërore do të ishte sjellë në mënyrë të përgjegjshme ndaj tyre. Por, përveç kësaj, ndër këto objekte ka të tilla që tashmë e kanë një funksion publik, e ndoshta nuk do të qe mirë të privatizoheshin.

Si shembull, mund të marrim “Aerodromin Fushor”, të njohur si “Fusha e Aviacionit” në Tiranë, një hapësirë që pjesërisht është shfrytëzuar për ndërtime pa leje e pa urbanizim, para vitit 1996, e pjesa tjetër (ajo që i shpëtoi uzurpimit) tashmë është kthyer në lulishte e park, me vendim të Bashkisë dhe KRT të Tiranës. Privatizimi i kësaj prone publike nënkupton se një hapësirë e kosiderueshme e gjelbër, e një prej parqeve që Tirana nuk i ka të tepërt, do të mbulohet me ndërtesa të reja. Sepse askush nuk do të paguante para për të investuar në një pronë që është e destinuar të mbetet park (kjo është dhe arsyeja pse shumica dërrmuese e parqeve në botë, janë publike).

Një shembull tjetër është “Klubi Sportiv Partizani”. Edhe ky objekt ka qenë në menaxhim të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila këto vite ka qenë e fokusuar në projektin e suksesshëm të demontimit të armëve, dhe me sa duket nuk ka patur kohë të merret me menaxhimin e njërit prej klubeve sportive që i ka dhënë ngjyrë e histori sportit shqiptar. Gjysma e ambienteve sportive pranë klubit tashmë janë uzurpuar nga pallate shumëkatëshe, e tani duket se po i afrohemi ditës që edhe pjesa tjetër të zhbëhet e të shndërrohet në beton e çimento. Kjo nuk do të qe perspektiva më e mirë për banorët e zonës që ambientet e klubit dhe ato të stacionit meteorologjik pranë tij i kanë parë gjithnjë si të vetmet ambiente ku komuniteti mund të shëtisë, e ku fëmijët mund të angazhohen në ambiente sportive e në ajër të pastër.

Ky fat, pra betonizimi, duket se i afrohet jo vetëm ambienteve që kanë mbijetuar gjer tani në Tiranë, po edhe shumë ambienteve në bregdet e në zona malore të Shqipërisë, që kryesisht kanë qenë në administrim të ushtrisë.

 


* * *

 

Qeveria private vjedh pronën publike

Nga Arbër Zaimi

Ndryshe nga ç’thuhet prej këshilltarëve dhe ideologëve të pushtetit, privatizimi nuk e ndal korrupsionin, por e gjeneron atë. Po kështu, një ekonomi e lënë në duar të privatit nënkupton gjithnjë një ekonomi të lënë në duar të oligarkut, një ekonomi të lënë në fakt në duart e një pakice të popullsisë, ndërsa të tjerët shfrytëzohen e shtypen, jo vetëm gjatë shpërndarjes së të ardhurave, por edhe gjatë shpërndarjes së punës.

Mirëpo qeveria shqiptare, përkundër zërave kritikë, përkundër asaj çka thonë teoricienët udhëheqës të ekonomisë moderne, madje edhe përkundër dëshirës së komuniteteve, që tashmë nuk pyeten e nuk dëgjohen më për asgjë e nuk u merret më parasysh as e drejta kushtetuese për referendum, ka zgjedhur privatizimin e llojit më të keq të mundshëm, privatizimin post-factum, që sjell fare pak para në arkën edhe kështu të varfër të shtetit tonë.

Jo se s’dinë, po se s’duan. Sepse natyrisht që qeveritarëve i vjen për mbarë të lënë pronat publike të degjenerojnë e të rrënohen, të bëhen të pavlefshme e të papërdorshme, e pastaj të shiten për dy lekë tek ndonjë biznes privat që po ta hetosh gjatë zbulon se ka lidhje me farefisnira pushtetarësh. Ky është akti i fundit i “Terapisë së shock-ut”, që shkatërroi publiken e ndërtuar me mund, djersë e gjak nga i gjithë populli, nën konditat torturuese të diktaturës, për ta privatizuar atë.

Pse tani? Nuk besoj se përmes privatizimeve, ashtu siç thuhet, qeveria po përpiqet të zbusë problemet buxhetore që vijnë prej krizës globale. Nuk shoh asnjë përpjekje të qeverisë për të menaxhuar krizën, ashtu siç nuk e shoh të shqetësuar për hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e prodhimit, që do të ishin e vetmja rrugëdalje prej qorrsokakut ekonomik ku jemi futur. Nuk e shoh qeverinë të shqetësuar për këtë, sepse qeveria nuk përjeton kurrfarë krize. Nuk ka krizë për kryeministrin e familjarët e tij, ashtu siç nuk ka krizë për pushtetarët e tjerë e klanet e tyre. Kriza, fatkeqësisht, është vetëm për popullin, i cili nga privatizimet s’ka për të marrë gjë, siç nuk ka marrë gjë në të shkuarën. Populli, pronari legal i këtyre objekteve, as që do të pyetet. Kështu është kur e lë pronën publike nën administrimin e qeveritarëve si këta, sa piratë, aq edhe privatë.

Arsyeja e vërtetë se përse ky privatizim i nxituar zhvillohet tani është tjetër. Përmes këtij privatizimi qeveritarët përpiqen t’i japin frymë bizneseve të tyre gjysmë të ligjshme, që janë vënë në vështirësi si pasojë e masave gjeopolitike që kanë vështirësuar trafiqet në rajon, por edhe si pasojë e krizës globale që ka prekur edhe klientët e “malavita-s” shqiptare. Në disa raste madje ky privatizim është haptazi thjesht një legalizim i procedurave tashmë të kryera në mënyrë të dyshimtë e antiligjore, si në rastin që denoncon Gjergj Thanasi.

1 Komente

ore keto qe thuhen me lart nuk jane fakte. Fakti si gjithmone ngelet mrena!!

Sa thashe me lart eshte mendimi dhe vendimi i nje gjykatesi shqipetar, i njerit nga ata me short. Por edhe sikur shorti ti binte nje tjetri, te njejtin mendim do te kish. Me ngelet vetem ti lutem zotit qe me durim dhe perkushtim te vere dore mbi keta uzurpatore te paskrupullt dhe ti largoje sa me shpejt nga kjo bote. Por edhe nese nuk e ben, e ka nje hall. Ka frike se mos keto monstra i prishin ferrin, ndaj kerkon pak kohe qe keta te ngopen disi ne kete bote, perpara se te perfundojne ne ferr!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).