scan0002_0.jpg (505×450)

Në dramaturgji konflikti midis palësh shfaqet si domosdoshmëri pa të cilën skena nuk do kishte shumë kuptim. Historikisht mprehtësia e konfliktit  ka qenë brumi e plangu i suksesit të skenës, e kjo mprehtësi  është me kohë shndërruar në gurthemeli të çdo binaje që kërkon të ngrihet hijshëm e bindshëm drejt podiumit. E përshkruar ndryshe, drama është nji përbindësh i barrësuar me kundërshti të papajtueshme që shêndet sapo të çelet sipari e vështrimi të lartohet nga aktorët.

E anasjellta ndodh në përdita. Përplasjet e ngatërresat mëtohen si ndodhi të pafana që duhen shmangë me çdo kusht, mundësisht edhe në ato raste kur njeriu shtyhet në nji qoshe paleverdie të përkohshme. Kësisoj evitimi i shumicës së konflikteve mbetet  me largpamësi më i dobishëm sesa nji shfryrje e çastit.

Kjo shtytje – tërheqje është deri në njifarë mase të vetëshpjegueshme: me gjithë shkëlqimin magjepsës, konflikti në përgjithësi paraqet nji peshë të rëndë dhe e të tepërt për shpirtin e robit. Është at’herë afërmendjes që, nji tokë të begatë e gratçore si kjo e jona, e mbushur me gjithfarëlloj kundërshtish, duhet të kish përkryer artin e dramës.

Por as pakënaqësia me të tashmen e as dëshira për me nxjerrë në pah nji vizion poetik për të ardhmen nuk kanë mundë të përkthejnë kundërshtitë e shumta në prodhime dramatike.

Edhe më i habitshëm është fakti që dramaturgjia e trashëguar është sot e lënë mënjanë dhe e mbuluar nga kushedi sa shtresa pluhuri. Autorë të vjetër e me emër si Floqi e Zadeja, jo vetëm që nuk interpretohen në skenë por edhe as nuk janë nxjerrë ende nga rafti ku u futën dikur si të ndaluar.

Braktisje si kjo mund të shfajësohet lehtësisht duke mëtuar se, ikja nga realiteti përmes teatrit as që mund t’i avitet dramës së vërtetë që njerzia duket të përballen përdita, mirëpo nji arsyetimi i tillë mohon shpirtin dramatik të shqiptareve që shpërthen shkëlqyeshëm sapo t’i jepet mundësia më e vogël. Nji shëtitje tek ‘Pazar te Ri’ do të mjaftonte me bindë çdo skeptik simpatik.

Në ‘Akademi të Arteve’ apo tek ‘Pazari i Ri’,  dramat e skenës apo të rrugës shënojnë vazhdimisht kahun e shtjellimeve më të spikatura të kohës. Ja dhe pse “Rikardi i III” (1992), me regji nga shpirtndrituri Agim Qirjaqi, e i vënë në skenë përgjatë viteve 90-te, merr nji kuptim edhe më të veçantë e domethënës.

Veçse kumbimi kohor i dramës shqiptare nuk ka qenë gjithmonë aq i kthjelltë. Andejpari viteve 60-te, drama shpaloi edhe konflikte turbulluese si gjaktrazimi, e kjo pa llogaritur trukimin si kinez të shpirtndriturve Ndrek Luca e Marie Logoreci. Tragjedia “Shtrëngata” (1964) e dramaturgut kinez Cao Yu, që mbyllet me nji fund të parashikuar për dikë që shpërfill rrezikun e elektrizimit, është nji nga ato shembuj që kallëzojnë sesi dramaturgjia mund të humbi në errësirë udhën. E kjo jo për ndonji arsye të cekët se gjoja Shtrëngata është prodhim i nji kulture të  largët e të huaj për ne, por pikërisht për faktin se kjo vepër mundohet të imitojë stilin e dramës evropiane, pjesë e së cilës duhet të ishin edhe krijimet shqiptare.

Gjithsesi luhatjet e dramës shqiptare nuk kanë qenë gjithmonë kaq dramatike. Tek-tuk shkëlqime ndriçuese veskojnë syrin e hedhin dritë mbi nji rrugë që nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. 

Nga pjesët moderne, dallohet për origjinalitet e mendim të hollë drama e Ruzhdi Pulahës, “Streha e të Harruarve” (2004). Më vonë e realizuar në filmin,  “Ne dhe Lenini” (2009) nga Saimir Kumbaro, vepra mbetet nji copë teatrale e rëndësishme e gjurmëlënëse. Si të tjera pjesë tragji-komike që lënë shenjë, “Streha e të Harruarve”luan me idenë e vetë teatrit. Ajo i referohet tërthorazi nji drame që i patë ardhë në majë të hundës shumë shqiptarëve.

scan0003.jpg

 “Orët e Kremlinit” (1957) nga Nikolai Pogodin është ndoshta pjesa më jetëgjatë e historikut të shkurtër skenës shqiptare: e vënë në skenë nga vitet e para të themelimit te teatrit socialist, ajo vijoi të shfaqej herë pas here deri ne mes the viteve 80 kur teatri mbushej shpesh me fëmijët e filloreve. Por cup de theatre është akoma për tu zbuluar në formën e Lazër Filipit, aktorit 90 vjeçar që përvetësoi me mjeshtri imazhin e Leninit për ta riprojektuar në skenë këtë radhë si Llazar Korita. Konflikti i ‘Strehës’ është nji nga ato përplasjet e mprehta shoqërore që duhet të shqetësojë çdo shoqëri të qytetëruar. Pleqtë e azilit vazhdojnë ti drejtohen si Llazarit si Lenin e kërkojnë që ti shpëtoje nga nji gjendje vobekësie, duke anashkaluar pafuqinë e mbëhinë e tij. Xhonglimi i katër shtresave personaliteti është përveçse nji gjetje e mençur por edhe nji vegël bashkrendie që turbullon shikues e aktore nën nji fat tragjik  përjetesash të bashkëngjizura. Si përfundim Streha e të Harruarve është shumë e rëndësishme për tu harruar me nxitim.

Ndërsa pjesa e Pulahës rikujton shikuesin për rolin e spektatorit, kryesisht mes përmbajtjes e aluzionit të nji drame të mëparshme, “Loja e Fundit”(1957) e Samuel Beckett e përshtatur nga Elis Mataj në 2009, na rikujton unji praninë e skenës, por këtë radhë përmes vetë dramës. Kjo ujdisje, ku forma e përmbajtja janë njizuar, është më e mençur se çdo gjë e hasur më parë. Pos theksimit të personazheve e lojës por edhe dhe shkrimtarit, drama përmendë vetveten duke krijuar nji lojë dyfishe pasqyrash ku drama pasqyron dramën e loja lojën. I vetëdijshëm për rolin e tij, spektatori  fillon të ndërlikojë pjesën me çfarë ai vetë mbamendë. Kësisoj përpjekjet me shtjelluar pjesën tregojnë me shumë për vetë interpretuesin sesa autorin a aktorët.

Andaj pra ja dhe nji tjetër i radhës.

Nëse “Duke Pritur Godonë” (1993), nga Sudan Sontag puthej në përsosmëri me gjendjen e Sarajevës së rrethuar, “Loja e Fundit” do ish pjesa që do kish mbërthyer fund-e-krye gjendjen post-diktatoriale shqiptare. Kinse të gjitha kundërshtitë nën-sipërfaqësore të ‘Lojës’ kanë prani dalluese që pluskojnë dita-me-ditë mes tendosjesh mizërie e humori, heshtje e bërzane, e ç’është më e rëndësishmja, lëvizje e shollimi.

‘Loja’,  përmes fjalëve të nji studiuesi, “është nji lëvizje drejt nji forme që pranon rrëmujën e që shtron pyetje që nuk përpiqet t’i pergjigjet.” 

Vënia në skenë e saj duket sikur është pararendur me nja dy dekada nga vetë e jona shkujdesje ...   

 

Nji nga monologët e Hamm-it përmes të cilit flet vetë Beckett: 

“...Nji ditë do flasësh me vete e do thuash, jam i këputur, po ulem, e do shkosh t’ ulesh. Mandej do t’ thuash, jam i unët, po çohem të marr diçka me hëngër. Por nuk do t’çohesh. Do thuash, ç’pata që u ula, por meqë u ula po rri edhe pak, mandej do t’ çohem e do t’ sajoj diçka me hëngër. Por nuk do çohesh më e nuk do marrësh asnjigjë me hëngër. (Pauzë.) Do të këqyrësh murin për pak, dhe do t’ thuash, po i mbyll sytë saora, e mbase marr nji sy gjumë, e mbase ndihem pastaj më mirë, dhe do i mbyllesh sytë. Dhe kur ti hapësh përsëri s’ do kesh më mur përpara . (Pauzë.)

Boshllëk i pafund do të rrethojë anekënd, e të gjithë të vdekurit e të gjithë moteve nuk do  mund t’a mbushin...”

________

Fotot e teatrit dhe përkthimi nga village-bey 

2 Komente

Titulli i pjeses nga Beckett eshte perkthy gabim ne shqip.

Ne vend te 'Loja e fundit' duhet te kishim 'Fund-loja', apo meqe i titulli i referohet nji loje shahu, titullin nga persishtja 'Shah-Mat'. 

Bej, rrofsh per mundimin po s'paskemi komentuar hic. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).