Qeveria po bën gjithfarë akrobacish për të shkurtuar shpenzimet, përfshi edhe shkurtime me ligjshmëri të dyshimtë në pagesa e shpërblime, e vënë në vështirësi nga situata shumë e keqe e mbledhjes së të ardhurave. Por, një analizë e të ardhurave pa përfshirë privatizimet apo ndihmën e huaj përkundër shpenzimeve korrente, dëshmon se këtë vit, buxheti i shtetit i është afruar një pike kritike, po të krahasohet me ecurinë e një viti më parë.

Pas premtimeve për rritje të pagave e pensioneve, ndjekur nga indeksimi i pjesshëm i tyre krahas një shkurtimi drastik të investimeve, qeveria shqiptare nuk po gjen mënyrë tjetër kursimi veç shkurtimit të shpenzimeve nga pagat e administratës publike.

Fillimisht, në mes të këtij viti, ekzekutivi rishikoi buxhetin e programuar duke zbritur, përkatësisht nga 130 milionë euro te zëri i shpenzimeve dhe ai i të ardhurave. Siç kishte njoftuar paraprakisht Fondi Monetar Ndërkombëtar, vetëm ndonjë javë para këtij shkurtimi, arsyeja kishte të bënte me parashikimet jorealiste (tejet optimiste) në mbledhjen e të ardhurave. Diçka e tillë nuk ndodhi dhe si rrjedhojë, Ministria e Financave bëri shkurtimet e domosdoshme. 

Ministri i Financave Ridvan Bode e sqaroi këtë pikë, kur argumentoi shkurtimin e zerva në buxhet, çka e ai e konsideroi si diçka tashmë të kthyer në traditë dhe të bazuar mbi praktikat më të mira botërore, pa harruar t’ia shkarkojë gjithë fajin krizës ekonomike botërore. “Në përputhje me zhvillimet në ekonominë e vendit dhe trendin e zhvillimeve të saj në gjashtëmujorin e parë, edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit kanë reflektuar një nivel më të ulët nga sa ne kemi programuar në vjeshtën e vitit të kaluar, me rreth 5 për qind si gjashtëmujor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe që arritën nivelin më të lartë historik të të hyrave në buxhet, por të pamjaftueshme për të financuar aktivitetet e programuara në mënyrë optimiste”, theksoi Bode.

Por, situata duket se është disi më keq nga ç’mendohej. Një masë tjetër kursimi që qeveria po përdor është shkurtimi i shpenzimeve që kanë të bëjnë me pagesat e administratës publike. Pezullimi i shpërblimeve dhe detyrimi për të kthyer mbrapsht ato sakaq të marra, madje aq larg sa viti 2010, është një lajm i hidhur jo thjesht për punonjësit buxhetorë, por edhe për burimet financiare të qeverisë. Por, para se të mandatonte këtë gjëmë, ekzekutivi e pa të udhës që në rishikimin që iu bë buxhetit 2011, të rriste numrin e përgjithshëm të punonjësve në organikë nga 89360 veta në 89560. Gjithë-gjithë janë shtuar 200 gojë për t’u ushqyer, por nga ç’duket ky luks i vockël po rezulton i papërballueshëm për buxhetin e lodhur të qeverisë shqiptare.

Kjo rritje e administratës në mes të vitit është në fakt e pajustifikuar. Së pari, nëse do të kishte dalë si nevojë reale për ndonjë zhvillim të ri, numri ka shumë pak gjasa që të rezultojë në shifrën fikse prej 200 personash. Nga ana tjetër, administrata publike nga viti 2010, kur figuronte në një total prej 107 000 vetash, pas rishikimit të bërë në korrik të atij viti, u ul, të paktën zyrtarisht, në 90 000, me një shkurtim drastik prej 17 mijë personash. Ndërsa në fillim të 2011-s, ky numër u rishikua sërish me një ulje prej 640 personash. Prej këtej, shtimi i administratës qoftë edhe me 200 persona, në një kohë kur punonjësve ekzistues po u zhvaten me forcë shpërblimet e këtij viti dhe pagesat shtesë për mosmarrje lejeje vjetore gjatë 2010-s, tingëllon i paarsyeshëm.

Ndërkaq, janë një sërë institucionesh e ndërmarrjesh publike që po përjetojnë vonesa të pagave, që pas përfundimit të zgjedhjeve, me raste disamujore, si dhe tashmë dihet publikisht rasti i zhurmshëm e i sikletshëm i shpërblimeve për punonjësit e policisë së shtetit.

Paga që paguhen me borxhe?

Situata ende nuk ka mbërritur në këtë pikë, por raporti mes të ardhurave pa ndihmat dhe shpenzimeve korrente (ku bëjnë pjesë edhe pagat në buxhetin e shtetit sa vjen e zvogëlohet, ndërsa progresi vjetor i mbledhjes së të ardhurave ka ngelur në vend.

Ky krahasim është shumë i rëndësishëm sepse vendos përballë të ardhurat (pa ndihma) që arrin të tërheqë buxheti i shtetit përballë atyre shpenzimeve që nuk janë investime. 

Kështu, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2010, sipas Ministrisë së Financave, totali i të ardhurave pa ndihmat, ishte 151.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet korrente 138.7 miliardë lekë, me një diferencë pozitive prej 13 miliardë lekësh. Kjo shumë përfaqëson distancën nëpërmjet mbledhjes së të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore pa investimet. Por, viti 2011 paraqitet aspak mirë në këtë drejtim. Të ardhurat pa ndihmat llogariten 154.1 miliardë lekë ndërsa shpenzimet pa investimet 149.2 miliardë lekë, me një diferencë prej më pak se 5 miliardë lekësh.

Me fjalë të tjera, nga gjysma e parë e vitit 2010 në gjysmën e parë të këtij viti, hendeku që ndan të ardhurat nga shpenzimet në fjalë është zvogëluar ndjeshëm, me 8 miliardë lekë. Kjo sepse të ardhurat për periudhën në fjalë janë rritur me vetëm 2.4 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet janë rritur me 10.5 miliardë lekë. Në rast se totali i të ardhurave pa ndihma dhe privatizime ulet në një shumë më të vogël se shpenzimet korrente, këto shpenzime, përfshi edhe paga e pensione, do të financohen me borxh në masën përkatëse.

Situata aktuale dëshmon se ndonëse ky raport nuk është thyer dhe pagat e sektorit publik si dhe pensionet vazhdojnë të financohen nga të ardhurat e mbledhura, nëse vazhdon të ruhet kjo prirje rënëse, nuk do të jetë i largët momenti, kur ato të financohen me para të marra borxh. Në këtë skenar pesimist, qeveria do të vihet përballë disa alternativash shumë të pakëndshme: shkurtim i shpenzimeve korrente, pa prekur pagat; shkurtim i shpenzimeve korrente duke ulur pagat; shkurtim i shpenzimeve korrente duke ulur numrin e punonjësve publikë. Kjo alternativë e fundit është ajo që teorikisht ka më shumë gjasa të realizohet, nëse vërehet shkurtimi drastik i 2010-s, por që nga pikëpamja praktike mund të jetë më e thjeshtë për t’u thënë se për t’u bërë. Kjo sepse, sikundër është pranuar tashmë, LSI ka marrë 20 për qind të posteve në administratën publike, ndërkohë që një parti tjetër po përparon me kërkesat e saj në këtë drejtim. Tradicionalisht buxheti publik dhe politika kanë qenë të pandara në Shqipëri, dhe nuk ekziston asnjë arsye aq e fortë sa ta prishë këtë model.

Një mundësi tjetër do të ishte financimi i pagave me borxh, por në terma fiskalë, diçka e tillë do të ishte sikur të pranoje kapitullimin. Pa përmendur pastaj faktin se kufiri prej 60 për qind në të cilin ndodhet sakaq borxhi publik shqiptar, i brendshëm dhe i jashtëm, lë shumë pak hapësira për të manovruar në fushën e huave.

Megjithatë, disa zgjidhje duket se janë rrugës. Privatizimi i ndonjë hidrocentrali të madh, apo i ndonjë aseti publik ende të paprivatizuar dhe logjikisht të paprivatizueshëm, mund të renditen ndër alternativat e dëshpëruara për t’i bërë ballë situatës, të paktën në afatin e shkurtër. Në këtë pikë, qeveritë shqiptare nuk kanë treguar as drojë e as skrupuj.

Shpresa e vetme që ka qeveria është që të rritet ekonomia dhe si rrjedhojë, të ardhurat. Por kjo është thjesht shpresë dhe çdo vendimmarrje financiare mbi një vlerësim të tillë optimist, do të ishte një bixhoz i rrezikshëm.

4 Komente

Shterngoheni rripin fort o buxhetore...Kohe te keqija po vijne

 

Thanas shtrëngo rrypin se të ran poturet.

Ej po pse kaq pesimiste or njerez. DUhet t'ju gezoje fakti qe KK theu rekordin e qendrimit ne uje deri ne brez dhe po ashtu cdo nate punon ne iPadin e tij me Angry Birds. Shpejt po arrin nivelin 3. Te mirat pasketaj vijne.

 
APP: Ndalohen tenderët pas 1 gushtit  Shkresa Hyn në fuqi vendimi. Agjencia, letër institucioneve: Mos lidhni kontrata. Digjen fondet

 

Në zbatim të vendimit të qeverisë që redukton shpenzimet deri në nivel shpërblimesh, Agjencia e Prokurimit Publik udhëzon institucionet të mos lidhin kontrata pas datës 1 gusht. Shkresa me firmën e kryetares Klodiana Cankja sqaron ministritë dhe institucionet në varësi të tyre që të respektojnë vendimin e qeverisë, marrë më 2 korrik, sipas së cilës ndalohet zhvillimi i tenderëve, si për investime, mallra dhe shërbime, në përjashtim të ilaçeve dhe ushqimeve.

Nga shkresa, me nr. 4, kuptohet se vendimi për shkurtimin e shpenzimeve nuk prek vetëm tenderët e planifikuar pas datës 1 gusht, por edhe prokurimet e kryera para kësaj date, mjafton që kontrata të mos jetë lidhur. Nisur nga ky urdhër, Financat bëjnë të ditur se në muajin korrik shumë institucione kanë nxituar të lidhin kontrata me firmat fituese për objekte me vlerë qindra milionë lekë. Megjithatë, duke parë ecurinë e shpenzimeve, të paktën tek investimet, deri në korrik, pra si 7-mujor, pritet të digjen projekte me vlerë rreth 30 miliardë lekë, të cilat nuk kanë mundur të prokurohen para afatit të vendosur nga qeveria.

Duke iu referuar vendimit nr. 472, APP u drejtohet institucioneve me shkresën, ku thuhet se “të gjitha fondet buxhetore, që i nënshtrohen procedurave të prokurimit publik, të cilat deri më datë 1 gusht 2011 rezultojnë të paprokuruara, të bllokohen”. Në kuptim të këtij vendimi, APP sqaron se, me fonde të paprokuruara do të vlerësohen ato fonde për të cilat deri më 1 gusht, nuk është lidhur kontratë.

Përjashtohen nga ky rregull fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi shpenzuese në të cilat ekziston ky shërbim, fondet për shpenzime kapitale, të cilat nuk janë objekt prokurimi, financimet e huaja dhe fondet përkatëse për kosto lokale dhe detyrime tatimore (TVSH për import etj.).

Megjithatë, ashtu siç ka ndodhur në dy vitet e kaluara, ministri i Financave mund të lejojë vazhdimin e procedurave të prokurimit në raste tepër specifike apo emergjente. Ky paragraf mund të shkaktojë probleme me menaxhimin e mëtejshëm të fondeve, madje dhe rrezik për korrupsion, pasi të gjitha institucionet do të paraqesin te ministri i Financave kërkesë për lëvrim fondi dhe rrugët për të arritur, janë të shumta.

Ajo çka thekson APP në udhëzim është fakti se autoritetet kontraktore, të cilat deri më datë 1 gusht nuk kanë përfunduar me nënshkrimin e kontratës për procedurat e prokurimit në proces, nuk mund të vazhdojnë procedurat e mëtejshme përtej këtij afati.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).