- Prodhuesit vendorë tek tash po e ndiejnë veten të gjallë. Pas masave të reciprocitetit, ata tregojnë se kërkesa për produktet vendore është rritur në përmasa të mëdha. Kosovarët kanë arritur të zëvendësojnë mallrat serbe edhe në grurë dhe materiale ndërtimore, të cilat kanë ardhur me shumicë nga Serbia

Foto TXT Kryesor (1)_947740_thumb_large.JPG (490×320)Dhjetë ditë pas vendimit të Qeverisë për të vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë e Bosnjën, ka ndikuar që të rritet kërkesa për prodhimet vendore. Të gjithë artikujt që importoheshin nga Serbia tani po shihet se janë të zëvendësueshëm. Kosova si importues i drithërave ka gjetur momentin më të përshtatshëm për aplikimin e reciprocitetit, duke pasur parasysh të dhënat nga terreni për korrje-shirjet, të cilat sivjet plotësojnë nevojat vendore deri në 65 për qind. 

Mallrat që janë importuar më së shumti nga Serbia janë prodhimet ushqimore dhe ato ndërtimore. Pjesa më e madhe e tyre ka filluar të zëvendësohet menjëherë edhe me prodhimet vendore, por edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Turqia. 

Mimoza Kusari- Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, tha se Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia tashmë kanë shprehur interesim për të shtuar numrin e produkteve të tyre në tregun kosovar. 

“Ka filluar të vërehen këmbime të mëdha tregtare me kompanitë nga Shqipëria dhe Maqedonia. Ndërsa interesim shumë të madh kanë shprehur edhe kompanitë nga Turqia. Ditëve të fundit kemi pasur disa vizita nga përfaqësues të kompanive turke, të cilët kanë ardhur të shohin specifikat e produkteve të cilat duhet të zëvendësohen në tregun e Kosovës, gjegjësisht produkteve të cilat janë importuar më herët nga Serbia”, thotë Kusari – Lila. 

Pronari i kompanisë vendore për prodhimin e lëngjeve ‘Laberion’, Bashkim Osmani thotë se vendimi i qeverisë ka ndikuar shumë pozitivisht në rritjen e konsumit të prodhimeve vendore. 

“Interesimi po shtohet çdo ditë, por rezultatet do të shihen tek pas një muaji. Ky vendim ka bërë që konsumatori vendës të interesohet më shumë për prodhimet tona, të cilat kanë qenë në pozitë inferiore në raport me prodhimet e importuara”, ka thënë Osmani. 

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, tregoi se tregu kosovar po bëhet më interesant për vendet e rajonit e më gjerë. 

Sipas Shahinit, prodhimet e importuara deri tani nga Serbia po zëvendësohen nga vendet e rajonit, në veçanti prodhimet e sektorit të ndërtimtarisë. 

“Tregu i Kosovës, edhe pse i vogël nga kapaciteti konsumues, po bëhet interesant për të gjitha shtete rajonale, por edhe ato evropiane. Sektori që më së shumti është goditur nga reciprociteti është ai i ndërtimtarisë, për faktin se Serbia ka pasur një përqindje më të madhe sesa vendet e tjera”. Shahini thotë se këto prodhime mund të zëvendësohen qoftë nga Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe shtete e tjera. 
Pronari i fabrikës së tullave ndërtimore në Skenderaj, Halil Geci tha për Express se kërkesat për këto prodhime janë shtuar shumë ditëve të fundit. 

“Ne nuk kemi pasur problem asnjëherë me pasimin e produkteve tona në treg, mirëpo tani vërehet një rritje e madhe e kërkesave për prodhimet tona. Nuk janë vetëm kompanitë ndërtimore që porosisin më shumë këto produkte. Kërkesa është rritur edhe më shumë për shkak të fluksit të diasporës që ka ardhur për pushime në vendlindje. Siç e dini,  emigrantët ende vazhdojnë të investojnë në shtëpi dhe apartamente. Më duhet të cek edhe këtë se çmimet tona kanë qenë më të mira në treg se ato të importeve”, thotë Geci. 

Realiteti i ri i krijuar pas vendimit të Qeverisë për reciprocitet me Serbinë dhe Bosnjën, ka shtyrë ata që të mendojnë për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. 

2 Komente

Ne kushte normale, cdo takse e vene ne mallrat e importit ka synim qe te inkurajoje prodhimin vendas. I mire lajmi i rritjes se kerkeses per mallra vendase

O Zotrules ku je mshef' smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).