36697_10150216666940354_135633570353_13221564_5313294_n.jpg (332×500)

Për një javë, në Bari kujtohet me aktivitete zbarkimi i shqiptarëve me anijen “Vlora”. Në atë kohë asistent personal i kryebashkiakut të qytetit, Enrico Dalfino, Potito Perruggini e ka ende të gjallë në kujtesë atë që ai e quan “valë njerëzore”

Potitto Perruggini udhëton vazhdimisht drejt Shqipërisë. E ka bërë këtë që prej 1992-shit, një vit pas eksodit të shqiptarëve në Bari ku ai ishte dëshmitar. Në atë kohë, asistent personal i kryebashkiakut të qytetit, Enrico Dalfino, e ka ende të gjallë në kujtesë atë që ai e quan “valë njerëzore”. I angazhuar prej vitesh me Partinë Demokracia Kristiane, deri në shpërbërjen e saj në vitin 2006, ekspert i marrëdhënieve me jashtë dhe ndërmjetësues i raporteve politike mes dy vendeve, Perruggini është një italian i dashuruar pas Shqipërisë. Lidhja me këtë vend i ka rrënjët ndoshta edhe më herët, kur gjyshi i tij ishte ushtar në Shqipëri, por eksodi e nxiti ta eksploronte. Në 20-vjetorin e zbarkimit të shqiptarëve në Bari, Perruggini, tashmë me shumë miq shqiptarë, sjell kujtimet dhe pikëpamjet e tij për këtë marrëdhënie dypalëshe.

Njëzet vjet më parë ju keni qenë dëshmitar i mbërritjes së anijes “Vlora” në Bari. Çfarë kujtoni nga ato momente?

Atëkohë unë isha asistent privat i kryetarit të bashkisë së Barit, z. Enriko Dalfino dhe çdo mëngjes herët organizonim ditën. Më 8 gusht, rreth orës 7.30 ai më telefonoi dhe më tha se më priste në port. Më tha vetëm se ishte lajmëruar hyrja e një anijeje, por nuk dihej se me sa veta. Pjesa më e madhe e autoriteteve ishin pushim, kështu që u krijua një kordon i sigurisë jo me më shumë se 20 policë. U mendua se kjo do të ishte e mjaftueshme për të organizuar mbërritjen e disa qindra njerëzve. Në presion të vazhdueshëm u vendos që anija të ankorohej në një zonë ku ishte parkimi i madh i kontejnerëve në portin e Barit, me zhvillimet e sotme i kthyer në një vend të ankorimit të kroçerave. Kryebashkiaku Dalfino kërkoi që ushtria të ishte gati me tenda për të ngritur një kamp pritjeje. Pasi u bë e qartë se sa persona ishin në atë anije, një numër që na kujton eksode biblike, po aktivizoheshin të gjitha forcat e pranishme. Dyqanet ishin të mbyllura nga pushimet dhe këta persona duheshin veshur, ushqyer dhe duhet të laheshin për të shmangur epidemitë e mundshme, duke qenë se ishin në udhëtim prej disa ditësh. Kur njerëzit po zbrisnin, u pa se nuk bëhej fjalë për qindra, por për mijëra. Shifrat zyrtare flasin për 15 mijë dhe të tjerë edhe për 20 mijë. Nëse kjo turmë njerëzish do të kishte pasur qëllime të këqija, të lodhur e të uritur siç ishin, nuk do ta kishin për gjë ta çanin gardhin e policëve e të hynin në qytet pa asnjë lloj vështirësie.

Çfarë mendonit përballë asaj turme njerëzish që përpiqeshin t’i iknin një vendi për të cilin as dëgjohej të flitej?

Ishte përshtypja e një vale, por tashmë në vend të ishte me ujë, ishte e bërë me njerëz, ishte një valë njerëzore që afrohej pak nga pak. Për çfarë ndodhi më pas, është e njohur përmes imazheve që falë teknologjisë sot i njohin të gjithë. Të krijonte një emocion të madh sidomos prania e grave dhe fëmijëve në bord.

Në atë pikë, bashkiaku i Barit vendosi të ngjitej në bordin e anijes për të verifikuar nëse kishte të plagosur apo të vdekur lart. Nuk e dimë nëse gjatë udhëtimit dikush ka përfunduar në det, por në bord nuk kishte asnjë të vdekur apo të plagosur. Kjo na befasoi të gjithëve. Pas kësaj befasie të parë, po mendohej se ç’do të bëhej për të sistemuar sa më mirë të ishte e mundur gjithë ata njerëz. Pak javë më parë atij episodi ishte aprovuar statuti i qytetit të Barit që thoshte:

1. Bari është një komunitet i hapur edhe për burra e gra të kombësive të ndryshme dhe pa kombësi.

2. Bari, vend tradicional për takime dhe shkëmbime ka vullnetin të lidhë qytetërime, religjione dhe kultura të ndryshme, në veçanti ato lindore dhe europiane.

Këto referime themelore viheshin për herë të parë në provë me këtë rast. Pati shumë përplasje idesh për mënyrën se si do të menaxhohej kjo situatë. Ndërsa Dalfino kërkonte ngritjen e një kampi, ministri i Punëve të Brendshme, Vincenzo Scotti vendosi të merrte kontrollin e operacionit. Nga ai çast ai urdhëroi transferimin në stadiumin “Vittoria”. Kryebashkiaku u përpoq ta kundërshtonte me çdo mënyrë për ta bindur se kjo do të ishte jo humane. Në të vërtetë, ushqimi u hodh nga helikopterët sikur të ishin kafshë. Një vendim i tillë u komentua nga gazetat deri edhe si fashist. Pak nga pak, të gjithë erdhën te mendimi i Dalfinos dhe vetëm në mbrëmjen e asaj dite, para orës 21.00, u arrit të bindeshin kryetarët e ‘tribuve’ të vogla që ishin krijuar në stadium, të nxirrnin gratë dhe fëmijët për të mos i lënë në të ftohtë. Kryebashkiaku dha garanci personale se nuk do t’u ndodhte asgjë. Protagonistët e atij eksodi e quajtën Enrico Dalfinon “bashkiaku i shqiptarëve”, dhe ai vet do të ishte shumë krenar të shihte se sa të mira solli angazhimi i tij atë kohë, edhe pse pati një përplasje me presidentin Cossiga, i cili e fyeu duke i thënë “i papërgjegjshëm”. Ishin tri net shumë të vështira, sepse ndërkohë jo të gjithë kishin idetë e qarta se si duhet të vazhdonte kjo situatë; do të strehoheshin apo do të ktheheshin pas. Në fakt, u krijua iluzioni i mikpritjes duke i dërguar në qytetet të ndryshme të Italisë, dhe pastaj përmes linjave ajrore dhe detare u riatdhesuan. Në këndvështrimin human ka shumë kujtime, por pjesa më e madhe të shëmtuara. Sigurisht që ka edhe episode të vogla kur barezët gjetën mundësitë t’i ndihmonin shqiptarët me shumë mënyra. Ishte një eksperiencë që shënoi jetën e shumë njerëzve.

Ndër vite shumë shqiptarë të atij eksodi kanë arritur të integrohen. Si kanë ndryshuar shqiptarët në opinionin tuaj pas asaj dite?

Unë jam krenar të kem mes miqve të mi më të mirë, njerëz të lindur në Shqipëri, një pjesë e të cilëve janë bërë edhe qytetarë italianë apo qytetarë të botës. Pikërisht për të njohur një pikëpamje të ndryshme të Shqipërisë, ne organizuam atëherë në kështjellën ‘Svevo’ një mbrëmje të kulturës dhe poezisë me titull: “Zbarkojnë poetët shqiptarë”, sepse deri atëherë imazhet e fiksuara nga barezët e puljezët ishin plot negativitet. Ndërkohë, unë kisha njohur dhe intensifikuar raporte me shumë njerëz, që pavarësisht vuajtjeve të shumë viteve diktaturë, kishin shumë forcë, shumë kulturë dhe bujari. Njoha Visar Zhitin, Besnik Mustafajn, Amik Kasoruhon etj. Kurioziteti im për të njohur të tjera aspekte të Shqipërisë nisi një vit më pas, më 1992-shin, kur unë u nisa drejt Vlorës. Nga ajo kohë deri më sot e frekuentoj me shumë kënaqësi Shqipërinë dhe ndjek aktivitetin e shqiptarëve në Itali. Tani dhomat tregtare të Italisë janë plot me ndërmarrje të krijuara nga qytetarë shqiptarë, universitetet janë plot me studentë që diplomohen, janë aktivë në botën akademike, por edhe në botën shkencore, në kulturë etj.

Në vitin 1992 Shqipëria sapo kishte dalë nga diktatura. Çfarë gjetët në këtë vend?

Kur zbrita në portin e Vlorës, miqtë e mi ishin të surprizuar që e kisha mbajtur premtimin. Takova mijëra bunkerë që janë edhe sot, mijëra pemë përgjatë rrugës, sot të zhdukura dhe ndoshta një nga fatkeqësitë ambientale. Shpresoj që autoritetet të reflektojnë për menaxhimin që i kanë bërë bregdetit, sepse vazhdon të ketë dyndje ndërtimesh dhe tonelata çimento në vend të atij gjelbërimi. Në atë kohë makinat në qarkullim mund të numëroheshin me gishtat e dorës, po ashtu edhe karburantet, ndërsa përgjatë rrugëve nacionale shihje kafshë që kapërcenin rrugën. Fatmirësisht, ka një industrializim të shpejtë që nëse nuk do të kishte pasur ndërprerje të disa periudhave historike si ‘97 apo episode të tjera që ngadalësuan rritjen demokratike të Shqipërisë, tani do të kishim një hap tjetër drejt Europës. Uroj që shumë shpejt të përmbushen të gjitha kriteret e BE-së. E kam vizituar Shqipërinë nga Saranda, Gjirokastra, Berati deri në Shkodër. Nga ky qytet kam dy kujtimet më të bukura; kur kam qenë i pranishëm në vizitën e Papa Gjon Palit II, më 25 prill 1993 dhe mundësia të isha pranë Nënë Terezës. Ndaj Shqipërisë i jam borxhli për pjesën më të madhe të rritjes sime këto 20 vjet. Në fakt, nga Shqipëria e fillimviteve ’90 ruaj edhe disa diapozitivë, të cilët regjisori Giuseppe Schito (ka punuar me Fellinin dhe fitues i çmimit në Venezia) ka realizuar në Shqipëri me financim privat të kryebashkiakut Dalfino. Me to u realizua një reportazh fotografik mbi Shqipërinë prej 150 diapozitivësh, të cilët do të shërbenin për të realizuar një libër fotografik, që nuk u bë më. Schitto u nda para pak kohe nga jeta dhe diapozitivët janë pjesë e arkivit tim dhe shpresoj t’i vë në dispozicion për të rikujtuar ato kohë me imazhe shumë të veçanta.

Një javë me aktivitete në Bari do të kujtojnë pikërisht eksodin e vitit 1991. Njëzet vjet më vonë, si duhet t’i shohim fenomene të tilla? 

Njëzet vjet më pas, problemet e emigrimit mbeten të nivelit botëror. Në atë kohë ishte problem i Shqipërisë, më pas kanë vazhduar me Ballkanin, tani me Afrikën Veriore dhe në të ardhmen me siguri Kina. Rasti për ta kujtuar këtë 20-vjetor edhe në prezencën e autoriteteve shqiptare si Presidenti Topi, do të jetë rasti të reflektohet pozitivisht. Shumë nga të rinjtë e sotëm në atë kohë nuk kishin lindur, shumë prej atyre emigrantëve sot kanë shtetësinë italiane dhe besoj se është një rast i shkëlqyer për rritje e dialog. 

3 Komente

Me pelqen pozitiviteti qe rrezaton ky zotni, nderkohe qe polit-byroja i quajti"jashtqitje e kombit"

 Asnje emision ne mediat shqiptare...si per cdo teme sociale ne shqiperi heshtin...Ata ishin cuna adoleshente. Lane shkollen e iken drejt reklamave qe kishin pa ne TV italiane. I kthyen sepse mijera cuna te tjere kishin arritur ne Itali me anijet ne Mars 1991. Shteti shqiptar pseudo-demokrat gjate gjithe viteve te shemtuara 91-98 i shkaterroi edhe shkollat ...i la mijera te rinj si cunat e anijeve pa asnje mundesi per tu arsimuar apo per te marre nje profesion ...Shteti ra ne dore te barbareve...kush pyet per ti dhene zanat te rinjve...P.S. keta qe behen Ministra Rendi duhet te jene njerezit me te trishtuar ne bote!! smiley

 

Tamam eksod biblik, rrenqethese. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).