Mes natyrës dhe banalitetit

Nuk di kush më shumë e kush më pak

I përket tjetrit, ashtu si nuk di

Kush e lëshon atë aromë vdekjeje pas shiut,

Dheu i nxehtë apo krimbat e tokës. Për ilustrim

më vjen në ndihmë kujtesa e një dite pas shkolle

Kur tek haja drekën (fasule me një sallatë

Me domatet e fundit të kopshtit)

Duke parë Lucien Lupin tek Cannale Cinque, apo Italia Uno

(Kush i përket brezit të fundit

Para brezit të squllur nga videogames,

Duhet t'i kujtohet se pas Lucien Lupin

Fillonin Simpsons "ciucciami il calzino")

Kur filloi një rrebesh që solli deri brënda

Shtëpisë prej qerpiçi atë aromë të myktë si prej hici.

"Do t'i bëjë mirë tokës," urdhëroi im atë që kishte

Filluar të mendonte se po squlleshim

Përpara televizorit. "Pasi të pushojë do dalim

Të punojmë kopshtin," përfundoi

Me një ton që për mendimin e tij duhet të ishte gazmor.

(Mendimin e tij ma bëri të ditur më vonë,

Atëherë kur kisha filluar ta merrja veten seriozisht

Dhe më tha se si do që të vinte puna,

Brënda tij ishte një njeri që gajasej gjithmonë me mua,

“Po, po, gajaset, është tamam fjala e duhur.”)

Ishte koha kur bënte pushimin e drekës pas punës "së shtetit"

Para se të dilte taksi me Golfin tredyersh tek Zogu Zi,

I lodhur, tek tuk i plakur, i përmbyste plisat me shat

Si të ishte duke përmbysur kujtime.

 

Nuk po them se atë ditë shpjegimet shkencore

Humbën krejt vlerën e tyre për mua:

Ajo krijesë e squlltë, rrathë rrathë si të ishte e tëra zorrë

Ishte shumë banale për ta mbushur gjithësinë me aromë vdekjeje.

E megjithatë, unë kisha sajuar një dilemë poetike,

Zgjidhjet shkencore nuk kishin rëndësi,

Unë isha i bindur se nuk isha i bindur ajo aromë pas shiut nga vinte,

Nga krimbat e tokës apo nga dheu i nxehtë,

Ishte natyra banale apo banaliteti i natyrshëm?

 

Lexues, shiko si është puna, ta zëmë se

Ti po lexon një dërdëllitje poetike mbi banalitetin

Dhe ndërkohë po mendon mbi sende banale:

Pjatën e ciflosur mes gjithë të tjerave

E që megjithëse ke menduar sa herë ta hedhësh

Nuk je bërë asnjëherë mbarë,

Apo megjithëse je përpjekur sa herë

Ta vësh në fund të pjatave për të mos e përdorur më,

Me atë të qëllon të hash gjithmonë mëngjesin;

Ekranin e kompiuterit ku po lexon këtë poezi,

Të bërë pis nga kushedi ç’grimcë pluhuri

Që gjithmonë e fshin e po gjithmonë aty rikthehet,

Diku prane ndonjë pike apo presjeje,

Mjaftueshëm e madhe për të të vënë në dyshime

Mbi sintaksën e çthurur të kushedi ç’grafomani;

Magnetet e frigoriferit të cilat kanë filluar

Të dobësohen e të rrëzojnë përtokë

Një fotografi të pushimeve të shkuara,

Një faturë të papaguar të dentistit,

Dhe një kartolinë ditlindjeje të para tre vjetësh;

Një palë këpucë që i ke blerë

Me të lirë para një viti

E që nuk të ka rënë ende rasti t’i veshësh;

Dhe po të jesh në vend tim,

këto sende banale mund të jenë edhe

Fire escape që e përdor si ballkon për të pirë cigaren,

Fire hydrant qe ndodhet në trotuarin përballë e që e sheh

Nga fire escape sa herë që pi cigaren,

Si dhe një bumper sticker të verdhë të një makine

Që gjithmonë është e parkuar prane fire hydrant,

Sende që në gjithë banalitetin e tyre

Unë nuk mund t’i shqiptoj dot banalisht.

 

Por lexues, ti gjithashtu po mendon se ç’lidhje ka

Gjithë kjo listë sendesh banale me aromën misterioze

Të tokës pas shiut? Nuk të bind fillimi, e ndoshta

Është vazhdimi ai që nuk të bind.

Mendon se është natyra ajo që është banale,

Në mos këto sende të krijuara për përdorim e shpërdorim.

Por lexues, këto nuk kanë rëndësi:

Ti sapo sajove një dilemë poetike.

14 Komente

 Squeeze it please. I like the whole idea, but not exactly what i am reading.

ps: Lexuesi nuk eshte kurre i dashur. or you are just making fun of the reader smiley

Po une s'thashe qe lexuesi eshte i dashur

 i dashur sikur ishte ne fillim, nejse..

Nope.

tekst per tregim. si poezi nese me falet, (edhe nuk ka hic arsye te me falet) nuk e kuptoj si duhet. vjen nje kohe thote kadarja kur nuk ke si shprehesh ndryshe vecse ne proze. se ne flasim proze smiley qe te gjithe.

Sa me pelqejne mendimet e sinqerta smiley

sikur ka qene Arsen Lupen ai tipi, apo gabohem? Tanto per te qene brenda dilemes...

Arsène Lupin

ui, ui, zhe se'.... smiley

 alor(h) sete ë(me pak "o" dhe hunde) fo dilemë ! Tongue

 Natyra banale...? hmm vertet dileme .Te vinte pak me e ripunuar forma, sepse dhe banaliteti meriton respektin formal smiley Korbi eshte i shemtuar por piktori ka detyre te tregohet korrekt kur e vizaton.

Per poezi duhet talent, per proze te dish te rrefesh bukur!

nqse e bukura/cilesia letrare do kishte nje kut, dhe "investimi" per te prodhuar nje veper te ish i matshem, cila do te kerkonte "me shume" per t'u bere, nje proze e mire, apo nje poezi (po aq) e mire?

po sikur te jesh thjesht dashamires? cfare duhet qe te shprehesh njelloj per te dyja, me te njejtat terma, dhe me e rendesishmja, te mos jesh duke ja futur kot? smiley

Large Animated Smileys | Big Animated Smileys.gif" />

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).