... e të qënit... grek?

Nga Nikos Dimou.

(fragmente)

Prolog....

Ka grekë, të cilët meditojnë mbi qënien e tyre – dhe grekë që nuk e bëjnë këtë.

Përsiatjet më poshtë, kanë të bëjnë më shumë me të dytët. Por u dedikohen të parëve.

Hyrje

Fatkeqësia e të qënit njeri.

1

Mund të përkufizojmë lumturinë si gjendjen (zakonisht të përkohshme),

në të cilën realiteti, përputhet me dëshirat që kemi.

2

Analogjikisht, fatkeqësia duhet të jetë mospërputhja midis dëshirave dhe realitetit.

3

Me fjalë të tjera, fatkeqësinë do të mund ta përkufizonim si distancën midis dëshirave dhe realitetit.

4

Sa më e madhe kjo distancë, aq më fatkeqë ndihemi.

5

Lumturia, apo fatkeqësia, varet prej madhësisë, intensitetit dhe sasisë së dëshirave, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, prej ndjesisë së realitetit që përjetojmë.

6

Mund të ndihemi fatkeqë, sepse kemi jashtë mase shumë dëshira, të panumërta dhe, të cilat me të drejtë, janë të paplotësueshme. Por, nga ana tjetër, mund të kemi dëshira shumë të plotësueshme dhe normale, ama përsëri të ndihemi fatkeqë, sepse realiteti është i tillë (si puna e Jovit). Atëherë flasim për fatin e keq, atë që na ka zënë derën.

7

Kemi pra një koncept statistik, të lumturisë. Besojmë se një njeri me dëshira “normale”, do të kishte një shpërndarje të drejtë midis sukseseve dhe dështimeve.

Vërtetim do të ishin shprehjet: “do të kthehet rrota e fatit”, “do na vijë fati në derë” etj.

8

Megjithatë, jeta nuk e vërteton qëndrimin më lart. Zakonisht, ata që kanë dëshira të shumta, arrijnë që të plotësojnë më shumë se prej atyre që kanë më pak. Vetëm se, natyra e pangopur e të parëve, rrallë u lejon që të shijojnë momentet e ekuilibrit mendor, të asaj që quajmë lumturi.

9

Distanca të cilën e quajtëm fatkeqësi, ka modul pozitiv, ose negativ. Dmth nëse nuk kam çfarë dëshiroj, apo kam diçka që nuk e dëshiroj (psh një sëmundje)

10

Të gjithë ata që japin receta lumturie, zakonisht përpiqen që të ndërhyjnë duke pakësuar dëshirat – meqë nuk është e lehtë të ndryshohet realiteti. Sigurisht, sa më pak dëshira të kemi, aq më pak rrezikojmë të zhgënjehemi dhe të lëndohemi.

11

Hapi i rradhës, është ideja e Budës, i cili mëson si të mos kemi më dëshira, si antidot i sigurtë kundër fatkeqësisë. Apo akoma më mirë: mohimi i burimit të çdo dëshire, të Egos.

12

Ndër kafshë, distanca midis dëshirave dhe realitetit, është e vogël. Zakonisht kafshët arrijnë të përmbushin nevojat e tyre, përmes aftësive që kanë. Ato janë tërësisht të përshtatura me mjedisin ku jetojnë.

13

Është e vështirë të flasë kush për kafshë të lumtura, apo fatkeqe – përderisa ato nuk përfshihen prej intensitetit (njerëzor) që ekziston midis dy poleve. Diçka ama më thotë se zogjtë e qiejve, duhet të jenë të lumtur...

14

Ndryshe prej kafshëve, njeriu ka dëshira që prej natyrës së tyre dhe mundësive, janë të paplotësueshme. Njeriu synon pavdekësinë. Në të njëjtën kohë që, e vetmja gjë e sigurt që di, është se një ditë do vdesë.

15

Mund të përkufizonim njeriun, si atë lloj kafshe që dëshiron më shumë sesa mund të arrijë. Kafsha e papërshtatshme. Do mundnim pra, me fjalë të tjera, të përkufizonim njeriun si qënia që sjell dhe e ka pjesë të qënies së vet- fatkeqësinë.

16

Ose ndryshe, do mund të përkufizonim njeriun si ‘kafsha tragjike’. Se tragjedia nuk është gjë tjetër, veç përjetimi i ankthit të distancës midis njeriut dhe botës.

17

Sa më shumë njeri të jetë dikush, aq më shumë dëshiron dhe kërkon, aq më e madhe bëhet distanca. Dhe nëse është hero, lufton dhe harrohet. Nëse është artist, mundohet përmes formave të mbushë distancën.

18

Nëse njeriu në qënien e vet, e përmban fatkeqësinë, ka disa kategori njerëzish, që janë më të prirur drejt saj. Kjo kategori mund të përfshijë edhe kombe. E midis kombeve, Grekët, sigurisht. Grekët e rinj.

19

Qëndrimi i këtij libri është të tregojë se si greku i ri, për shkak të historisë së vet, trashëgimisë dhe karakterit, shfaq distancë më të madhe, midis dëshirave dhe realitetit, nga mesatarja e njerëzve të tjerë.

20

Nëse pra, të jesh njeri, do të thotë se është tashmë e sigurt se do kesh një lloj mase fatkeqësie, të jesh grek, do të thotë, të kesh një dozë ca më të lartë të saj.

21

Po flasim pra, për fatkeqësinë e të qënit grek.


(vijon... )

11 Komente

Faleminderit pér pérkthimin dhe prurjen.  Mé kujtoka jo vetém grafikisht Guy Debord. Gjithashtu nè pushim cigareje, bisedè me njè athinjote e cila mè thotè se nuk ia kishin pranuar diplomèn nè Universitetin e Zyrihut.

- Unè mé tha, nuk jam as ... rumune!!... (por jam greke, lashtésia, djepi, vlerat etj etj - ato qè fillon té thoté ky vllai sipér, eséll fare.)

 

 Eh ky është vetëm fillimi Jeru, ka ca më poshtë që mund të përzgjidheshin ndër aforizmat më të mira që janë shkruar ndonjëherë. 

Ja të të qeras nja dy para kohe:

27

Greku kur shikon veten e vet në pasqyrë, dallon ose Aleksandrin e Madh, ose Kollokotronin, ose (të paktën), Onasin. Asnjëherë Karagjozin. 

 

28

Në të vërtetë, në realitet, ai është Karagjozi që imagjinon veten e vet si Aleksandri i Madh. Është Karagjozi me pseudo-profesionet dhe dyfytyrësinë e vet, përherë i uritur dhe me vetëm një zanat të vërtetë: atë të aktorit 

 

po kujdes, se nuk është sëmundje vetëm greke kjo.

Fin, thnx për korrigjimin. Më ishte fiksuar se ishte me "ë".

 

oranje, dërgoji ndonjë email Nikos dhe përktheja librin në shqip ...

dmth do isha shumë mirënjohëse ta lexoja në shqip këtë vllain.

 Ok, u kry. I dërgova mail. Pres përgjigje tani. smiley

 

Punë e paqme! Sa më shumë që Dimou shkruan "greku", aq më shumë më duket se e ka shkruar (edhe) për ne.

 

Më ishte fiksuar se ishte me "ë".

mire te ka qen fiksu se me ë do duhej, po shkuan ata te kongresit famekeq te 72-shit e u perkulen para presionit te gegnishtes... vujm pasojat e tyne sot e gjith diten.

 është punë që bëhet ajo, Jeru, nëse gjendet botuesi... i kam shkruar dhe më parë Nikos, është njeri i afrueshëm dhe i sjellshëm. 

Emo, thotë në një vend ky:

Më e keqja që mund të thuash për shtresën e mesme (qytetare) greke, është që kjo nuk ekziston. Kafsha më e mjerë e faunës greke, është katnari i pashaportizuar dhunshëm. 

së shpejti...

nuk e njof fare ate shoqni. eshte nje cudi se si nuk behem me e shkel at vend. por nuk mund ta besoj qe nuk ka shtrese te mesme, plus qe kam nje bindje qe duhet te kene jo pak intelektuale me te cilet te ka lezet filxhani i espressos.

ne greqi duhet me ardh, jul.

 vazhdon më poshtë....

të ashtuquajturit grekë aristokratë janë të paktët përfaqësues realë të klasës së mesme - prej oxhakut. Të ardhurit e rinj në qytet realisht janë, neo-pasunarë dhe katnarë të trullosur. Dhe të paktët katnarë realë që kanë ngelur në fshatra, janë realisht grekët e vërtetë. 

Por... libri është shkruar në vitin 1975.

Dhe ky ka shkruar libër pikërisht për këtë çështje, e ka titulluar "Shtresa e humbur". 

nuk e di sa mund të dalloj unë vetë nëse ka të drejtë e sa të drejtë ka...

***

Intelektualë e njerëz si Dimou, ka Emo. 

Kur të duash të vish, derën e ke të hapur. smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).