- Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar do të hetohet, pasi mendohet se ka abuzuar me detyrën

Edhe pse zërat për një përfshirje të mundshme në një aferë korruptive kishin nisur më përpara se Lagarde të merrte drejtimin e FMN, më në fund u vendos që një gjykatë franceze do të hetojë shefen e re të FMN-së, nën dyshimin e abuzimit me anë të detyrës kur ka qenë ministre e Financave e Francës. Christine Lagarde akuzohet se përmes pushtetit të saj ka bërë presion që një biznesmeni që ka mbështetur fushatën presidenciale të Nicolas Sarkozy, i njohur me emrin Bernard Tapie, të fitonte gjyqin ndaj një banke publike në vend. Nga ana e saj, zonja Lagarde i hedh poshtë akuzat dhe për momentin nuk ka asnjë të dhënë që ajo të ketë pasur përfitime personale. Megjithatë, nisja e hetimit vë në pozicion të vështirë figurën e Lagarde, e cila ka më pak se një muaj në krye të FMN-së.

Pas vendimit të gjykatës, një prokuror ka deklaruar se hetimi do të përqendrohet në dyshimet se ministrja ka qenë bashkëpunëtore në keqpërdorimin e fondeve publike. Që nga maji Prokuroria e Parisit kishte kërkuar nisjen e hetimit për këtë çështje. Për arsye hetimi, emrat e personave dhe objekteve të përfshira nuk janë bërë të ditur. Lagarde në një deklaratë për mediat ka mohuar çdo lloj akuze dhe ka theksuar se asnjëherë nuk ka vepruar për përfitime personale. Ky rast ishte ngritur nga deputetët socialistë që e kanë interpretuar si abuzim zgjedhjen e Lagarde për t’iu drejtuar një gjykate arbitrare në vend që të ndiqte hapat tradicionalë për fitimin e gjyqit mes biznesmenit Tapie dhe ish-bankës publike, Crédit Lyonnais. Pas shumë vitesh beteje me drejtësinë, gjykata vendosi që t’i derdheshin plot 285 milionë euro dëmshpërblim Tapie, duke ngjallur shumë polemika në botën politike. Lagarde mohon të ketë kryer shkelje. Prokurorët thonë se Lagarde ka abuzuar me detyrën, duke miratuar një pagesë prej 285 milionë eurosh për biznesmenin Bernard Tapie, ish-ministër i krahut të majtë, që kaloi në krahun tjetër, për të mbështetur Nicolas Sarkozy, në zgjedhjet presidenciale në vitin 2007. Tapie ishte në mesin e betejës ligjore me ish-bankën shtetërore, “Credit Lyonnais”. Ai pretendonte se banka e kishte mashtruar atë në vitet ‘90, kur ai shiti një pjesë në biznesin e veshjeve sportive “Adidas”.

Nëse çështja do të pranohet për t’u hetuar, në themel do të ishte një hije e keqe për shefen e FMN-së, e cila ka vetëm pak muaj që ka marrë këtë detyrë. Ish-ministrja e Ekonomisë franceze, e konsideruar si gruaja e hekurt, erdhi në krye të FMN-së, pas dorëheqjes së Dominique Straus-Kahn, i cili u arrestua në Nju Jork, për përdhunim. Gjykata e Republikës po e shqyrton rastin me shumë kujdes. Teksa hetimet po vazhdojnë, Christine Lagarde duhet të dëshmojë se është në gjendje të bindë edhe gjykatën. Nëse do të ndodhë e kundërta, kjo do të ishte një goditje shumë e rëndë sidomos për imazhin e një institucioni financiar si FMN-ja.

Kur erdhi në krye të FMN-së ajo u bë gruaja e parë në këtë post, por Christine Lagarde ishte mësuar që të hyjë në sferat e dominuara nga meshkujt. Me emërimin e saj në vitin 2007, ajo ishte edhe e para grua ministre e Financave në vendin e saj. Edhe më parë, në vitin 1999, Lagarde kishte pasur një rol në avangardë, e para grua, që drejtonte një zyrë avokatie amerikane me më shumë se 2000 të punësuar. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).