Një aksion i policisë ka përfunduar me sukses duke arritur të prangosej një i shumëkërkuar në Itali por që rastësisht ishte me pushime në Shqipëri.

Burime të policisë pranë Ministrit të përBrendshëm Bujar Nishani pohojnë se Xhuzepe Simonelli që ndodhej në Shqipëri për pushime, u arrestua vetëm për qëllime estradimi si kërkesë e drejtësisë italiane.

“Në rast se Italia nuk do të na kërkonte estradim atëherë mafiozi do ti bënte pushimet rehat. Turizmi shqiptar është një privilegj për të gjithë” u shpreh një punonjës krenar por anonim i policisë.

Vetë kryeministri Berisha ka përshëndetur këtë superaksion të policisë duke shtuar se falë punës së palodhur si kryeministër, Shqipëria është kthyer në destinacion turistik jo vetëm për qytetarët e botës por edhe për mafiozët.

Berisha u shpreh se ai ishte i mirëinformuar për prezencën e mafiozit në territorin shqiptar pasi kreut të qeverisë i vijnë qindra sms me lajme edhe kamarierët e lokaleve.

Por Xhuzepja ishte tatimpagues i rregullt, nuk kalonte me makinë me semafor të kuq dhe mbi të gjitha përsa kohë që nuk e kërkonte drejtësia italiane, qeveria shqiptare nuk e ndjente si detyrë ti prishte pushimet një qytetari vëlla europian.

“I bëj thirrje Interpolit, Hagës dhe OKB, në rast se duan të arrestojnë ndonjë të kërkuar ndërkombëtar, le të vijnë në plazhet blu të Shqipërisë. Nëse dëshironi ne mund të arrestojmë edhe Geddafin kur ai të vijë në Dhërmi” u shpreh Berisha.

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).