Nisur nga raporti i publikuar nga PNUD për investimet e huaja në Shqipëri, marr shkas për të ofruar një interpretim timin për shifrat dhe natyrën e zhvillimit të investimeve të huaja në Shqipëri. Kjo si një detyrim kundrejt publikut, për të lehtësuar se çfarë fshihet përtej statistikave të publikuara nga PNUD. Është për të ardhur keq që raporti i PNUD ofron disa shifra të egra, në dukje të larta dhe pozitive, por nuk ofron një interpretim analitik të këtyre numrave. Prej tyre lexuesi dhe publiku nuk mund të kuptojnë çfarë sjellin këto investime të huaja në Shqipëri dhe për shqiptarët. Ja disa pyetje që kërkojnë përgjigje: A kanë sjellë këto investime teknologji të reja? A kanë krijuar vende pune? A ofrojnë shërbime të reja me çmime më të ulëta? Pra, raporti nuk analizon nëse këto investime janë të mirëfillta apo thjesht shfrytëzuese, të frymëzuara kryesisht nga privatizimet e kompanive publike dhe koncesionimi i burimeve natyrore.

Në të vërtetë, investimet e huaja në Shqipëri po zhvillohen vetëm në një dimension, pra nëpërmjet privatizimeve të kompanive të mëdha publike dhe koncesioneve në burimet natyrore. E vërteta e hidhur është se, sipas Bankës Botërore, gjatë periudhës 2001-2009, krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka nivelin më të ulët të investimeve të huaja për frymë. Për më saktë, renditja kryesohet nga Kroacia me mbi 4000 USD për frymë, Mali i Zi me 3800 USD, Serbia me 2000 USD, Bosnjë-Hercegovina me 1600 USD, Maqedonia me 1268 USD dhe e fundit Shqipëria me 1024 USD për frymë.

* * *

Vërtet investimet e huaja në vitet 2008, 2009 dhe 2010 shfaqen në shifra të larta në krahasim me rajonin. Kjo ndodh sepse në Shqipëri investimet e huaja në këto tre vite përbëhen kryesisht nga privatizimet e kompanive publike. Nëse krahasojmë grafikët e privatizimeve publike me grafikët e investimeve të huaja, do të vërejmë lehtësisht se kulmimi i grafikëve të privatizimeve prodhon shifrat e larta të investimeve të huaja. Në të vërtetë, investimet e huaja në nivel global janë pothuajse përgjysmuar. Kjo shpjegon përse edhe niveli i investimeve të huaja në vendet e rajonit që prej vitit 2008 është duke përjetuar një zbritje pikiat. Kjo, sepse vendet e rajonit tërheqin investime të huaja të mirëfillta, nuk bëjnë thjesht privatizime publike apo koncesionime natyrore.

Në këtë kontekst, rajoni reflekton një dishezë të nivelit të investimeve të huaja, me përjashtim të Shqipërisë, e cila duket se përjeton rritje, si pasojë e privatizimeve dhe koncesioneve. Pra, investimet e huaja në Shqipëri nuk ndjekin trendet globale për arsye se portofoli i tyre është i një natyre tjetër. Problemi nuk qëndron se përse Shqipëria privatizon sektorët dhe pasuritë publike apo koncesionon burimet natyrore. Këtë e kanë bërë të gjitha vendet e Europës Juglindore në mesin e viteve 1990. Por problemi qëndron në faktin se portofoli i investimeve të huaja në Shqipëri përbëhet në një masë pothuajse 70% nga privatizimet publike dhe koncesionet. Pra, vendet e tjera të rajonit e kanë kryer pjesën më të madhe të privatizimeve të sektorit publik kohë më parë, ndërkohë që Shqipëria po e përfundon këtë proces pikërisht tani. Kjo është arsyeja përse në vështrim të parë investimet e huaja shfaqen në vlera absolute të larta. Megjithatë, kur një organizatë ndërkombëtare si UNDP publikon një raport, mbart njëkohësisht detyrimin ligjor e moral për të shpjeguar relativitetin e kontekstit që fshihet pas shifrave. Në të kundërt, publiku ka të drejtë ta perceptojë si një zyrë marketingu e qeverisë. Por, nuk është ky roli i saj.

Ku qëndron atëherë problemi nëse portofoli i investimeve të huaja në Shqipëri përbëhet në një masë dërrmuese nga privatizime dhe koncesione? Çështja nuk shtrohet pse në Shqipëri kryhen privatizime apo jepen në shfrytëzim pasuri natyrore. Ajo që duhet të na preokupojë është fakti që në Shqipëri vijnë shumë pak investime të huaja të mirëfillta. Pra, mungojnë investime të tilla si një fabrikë e prodhimit të automjeteve (siç ka edhe në Maqedoni), një fabrikë për prodhime elektronike ose linja të tjera prodhimi. Janë pikërisht këto veprimtari prodhuese që përbëjnë mirëfilli investime të huaja direkte, të cilat prodhojnë përfitime për vendin pritës, si krijimi i vendeve të reja të punës, sjellja e teknologjive të reja, rritja e pagave, ulja e çmimeve dhe rritja e konkurrueshmërisë së biznesit. Prandaj, nuk duhet të çuditemi kur lexojmë në raportin e PNUD se vlera e investimeve të huaja në Shqipëri rritet, por niveli i punësimit ulet. Për këtë paradoks, duhet fajësuar portofoli primitiv dhe i padiversifikuar i strukturës së investimeve të huaja në Shqipëri.

Të vetëlëvdohesh se është rritur niveli i investimeve të huaja nëpërmjet koncesionimeve të burimeve natyrore është e pavend dhe spekulative. Kjo për arsye sepse këto investime vijnë në Shqipëri si pasojë e axhendës së investitorëve dhe jo si pasojë e programeve dhe projekteve të vendit për të tërhequr investime. Edhe regjimi komunist ishte i suksesshëm në lëshimin e koncesioneve për shfrytëzimin e burimeve natyrore disa kompanive të huaja, që hynë në Shqipëri në mesin e viteve 1980. Aktualisht, Shqipëria duhej të krenohej për tërheqjen e investimeve të emrave të mëdhenj jashtë burimeve të saj natyrore. Por, kjo nuk ka ndodhur. Madje, mund të themi se hartat e burimeve natyrore të Shqipërisë që zotërojnë investitorët dhe kompanitë e huaja janë më  adekuate dhe më të përditësuara se hartat dhe informacionet e qeverisë dhe Ministrisë sonë të Ekonomisë.

* * *

Pasi jemi bindur se Shqipëria gjatë periudhës 2001-2009 ishte e fundit në Europën Juglindore në tërheqjen e investimeve të huaja për frymë, është e rëndësishme të analizojmë se përse ndodh kjo dhe si mund të ngjitemi në këtë renditje. Shkaku pse jemi të fundit është kryesisht për faj të politikave të ndjekura prej ekzekutivit dhe veprimeve të munguara të tij për tërheqjen e investimeve të huaja. Buxheti që i është alokuar agjencisë për tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri gjatë periudhës 2001-2009 ishte rreth 10 herë më i vogël se niveli i buxhetit të agjencisë homologe në Maqedoni, për të mos folur për vende më të avancuara si Kroacia. Për më tepër, të gjithë vendet e rajonit prej kohësh kanë krijuar portofola tokash për vendosjen e investimeve të huaja strategjike, si fabrika e linja prodhimi etj. Shqipëria ende nuk e ka bërë këtë. Jo se nuk di, por se nuk do. Dikush mund të thotë se ekziston programi “Shqipëria 1 Euro” e të tjera retorika boshe. Megjithatë, fakti është që “Shqipëria 1 Euro” nuk është integruar si një skemë e ndonjë institucioni publik, siç mund të ishte agjencia përgjegjëse për investimet e huaja. Kjo skemë faktikisht i detyron  investitorët  të trokasin derë më derë në zyrat e qeveritarëve. E përse duhet të preferojnë investitorët e huaj këtë mënyrë arkaike në Shqipëri, kur në të gjitha vendet e tjera të rajonit priten dhe shërbehen me korrektesë nëpërmjet praktikave transparente dhe institucionale? Virtualisht Shqipëria ka krijuar edhe zona industriale, por ato mund të aksesohen vetëm nga ajri, për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Pra, për sa kohë që Shqipëria nuk do të zgjidhë problemet e mësipërme, do të mbetemi të fundit në tërheqjen e investimeve të huaja. Prandaj është e nevojshme që politikat për tërheqjen e investimeve të huaja të kapërcejnë retorikat boshe dhe të konkretizohen në nisma konkrete institucionale. Në të kundërt, investimet e huaja në Shqipëri do të vazhdojnë të zhvillohen në dimensionin e një shfrytëzimi kolonial. E them këtë, sepse në Shqipëri janë vendosur tre operatorë të huaj të telefonisë celulare, por njëkohësisht kemi edhe çmimet më të larta në rajon. Kanë hyrë kompani për shfrytëzimin e burimeve natyrore, por që ofrojnë kushte pune mesjetare, siç edhe po shohim këto ditë. Kjo do të vazhdojë të ndodhë për sa kohë ekzekutivi dhe financat publike investohen në plotësim të angazhimeve populisto-elektorale dhe lënë në harresë detyrimet institucionale dhe kombëtare ndaj qytetarëve.

* * *

Të paktën për investimet e huaja duhet të bëhemi të përgjegjshëm të përdorim kritere vlerësimi europiane dhe realiste. Fakti i padiskutueshëm është se Shqipëria renditet e fundit në Europën Juglindore në tërheqjen e investimeve të huaja direkte për frymë. Kjo duhet t'i detyrojë qeveritarët të reflektojnë, jo të gënjejnë. Në fakt, mund të gënjejnë veten, por jo publikun dhe as vetë investitorët e huaj.

12 Komente

Në të vërtetë, investimet e huaja në Shqipëri po zhvillohen vetëm në një dimension, pra nëpërmjet privatizimeve të kompanive të mëdha publike dhe koncesioneve në burimet natyrore. E vërteta e hidhur është se, sipas Bankës Botërore, gjatë periudhës 2001-2009, krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka nivelin më të ulët të investimeve të huaja për frymë. Për më saktë, renditja kryesohet nga Kroacia me mbi 4000 USD për frymë, Mali i Zi me 3800 USD, Serbia me 2000 USD, Bosnjë-Hercegovina me 1600 USD, Maqedonia me 1268 USD dhe e fundit Shqipëria me 1024 USD për frymë.

Hajde titull bombastik hajde.

P.S. interesante qe antaret e rinje qe s'i kemi pare asnjehere te bejne komente, sjellin artikuj menjehere.

Titulli mund të duket bombastik, por kjo është e vërteta o Gjemb.

 

Cfare eshte e verteta, qe po na shfrytezojne ne menyre koloniale?

Po po shfrytezohemi dhe do te shfrytezohemi ne menyre koloniale nga cdokush sepse po i lejojme dhe do te lejojme. Hapni syte shqiptare sepse Bashkimi Evropian nuk eshte loje ku te gjithe luajne sipas rregullave te njejta. Nuk e di pse njerezit nuk mesohen kurre- e kishim Bashkimin Sovjetik dhe bllokun e Lindjes- e njejta histori- jete me e  mire, me e begate etj- cka ndodhi- dihet. Bota nuk funksionon mbi parimin qe te tjeret do te shikojne interesin tend dhe te pergjithshem para te vetit. Jo o Gjemb jo. Gjithsekush per veti. E ne shqiptaret per veti bash nuk bejme asgje- mos ma merre shembull interesin  e nje klike te felliqur.

Shqipëria është një Norvegji e vogël në Ballkan, mund të kthehet në një superfuqi energjetike në rajon. Po bëjmë të gjitha përpjekjet për projektin "Shqipëria një vend i zhvilluar".

Keshtu shprehet Sali Pilafi ne Shkoder.....I ka thene njeri se ku bie Norvegjia ketij pplakushi te rrjedhur?

"Norvegji e vogel" - e ka fjalen per projektin e vet per te mbledhur aktiviste te se majtes ne nje ishull, dhe per t'i pushkatuar i veshur me uniforme polici.

i keni lajmeruar aktivistet qe te levizin vetem ne grupe me nga dy ose tre vete?

gjembi, nuk ka pse te shihet me aq "frike" titulli.  Ose nqs titulli te le nje pershtypje jo te mire, ndoshta leximi i artikullit apo analiza qe ofron autori per te mbeshtetur titullin i heq fitilin "bombes."

Nuk eshte ide origjinale e autorit qe FDI mund te jene edhe shfrytezim kolonial.  Perkundrazi, debat i hershem.  Bile edhe i shpeshte keto kohet e fundit.  Hillary Clinton psh para disa javesh paralajmeroi vendet afrikane per shfrytezim kolonial nga Kina ne formen e FDI.  A jane investimet e Kines ne Afrike shfrytezim kolonial, apo ku ndryshojne FDI e Kines nga ato te vendeve perendimore, apo paralajmerimi i Clinton nuk ishte per te miren e Afrikes, por pasoje konkurrence US-Kine, tjeter ceshtje.

Ne pergjithesi, jane disa tregues qe perdoren per te pare nese FDI jane shfrytezim kolonial, neo-kolonial, a thjesht shfrytezim nqs ato fjalet e tjera mbartin emocion etj.  Ne pergjithesi keta tregues gjenden te "spill-over effects" (si mund te thuhet ne shqip?)  A shoqerohen FDI me rritje te punesimit, me rritje te standarteve te krahut te punes, me qeverisje te mire, me respektimin e standarteve te mbrojtjes se mjedisit, me zhvillimin e nje industrie apo tjetren, me perhapje te teknologjise etj.  Nga ana tjeter, investime te fokusuara ne ekstratimin e burimeve natyrore (qe shpesh nuk shoqerohen me spill-over pozitive) jane ne qender te kritikave.

Ne vecanti per FDI ne Shqiperi, edhe pse mund t'u japim nje fare "benefit of the doubt" derisa te dalin shifrat e detajuara te raportit te UNDP nje analize paraprake per te pare/analizuar efektet e mesiperme nuk na ben dem.  

Po dhe une dakort jam, eshte komplet neo-kolonializem me na mbyt e me na shtrengu me borxhe per kredi qe dun 100 vjet me u pagu.

ku eshte raporti origjinal qe po komentohet nje here, si nuk vejne nje reference mor burre?

Tre operatoret celular e ropen popullin, sidomos Vodafoni dhe AMC.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).