TIRANË Pas përplasjes publike Presidencë- Qeveri lidhur me votën e kreut të shtetit Bamir Topi në zgjedhjet e 8 majit, beteja e dytë e po aq e fortë pritet të jetë për emrin, që Presidenti i Republikës do të propozojë si Guvernator të ardhshëm të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Guvernatori aktual, Ardian Fullani, është drejt fundit të mandatit të tij. Në fund të muajit tetor, plot 7 vjet me parë, Fullani u propozua nga ish-Presidenti Alfred Moisiu si Guvernatori i ardhshëm i Bankës së Shqipërisë. Fullani u miratua me shumicën e votave në Kuvend, duke vijuar të ushtrojë këtë funksion për 7 vite me radhë. Megjithëse mandati i tij përfundon në muajin tetor, gara për drejtimin e Bankës ka filluar ethshëm. Jo vetëm përmes kandidaturave jo zyrtare, që po përfliten në zyrat e Presidencës, por edhe nga ana e Partisë Demokratike.

Këshilli Mbikqyrës

Procesi deri tek emërimi i Guvernatorit të ri të Bankës Shqipërisë pritet të jetë jo i lehtë, pasi para saj një tjetër garë e rëndësishme do të zhvillohet, ajo për anëtarët e Këshillit Mbikqyrës. Në fillim të muajit Tetor, 5 prej 9 anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës u mbaron mandati. Konkretisht, Ardian Fullanit, Ksenofon Krisafit, Tefta Cucit, Fatos Ibrahimit dhe Ardian Civicit u mbaron mandati në tetor. Për zëvendësimin e emrave të mësipërm PD-ja ka filluar përzgjedhjen, duke përfshirë në listën paraprake edhe emra këshilltarësh të kryeministrit Sali Berisha që merren me ekonominë, si Suzana Guxholli apo edhe ekspertë të fushës si Elisabeta Gjoni. Për Partinë Demokratike, ky proces konsiderohet i rëndësishëm, pasi jo zyrtarisht, pretendohet që emri i ri i Guvernatorit të vijë pikërisht nga rradhët e anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikqyrës. Në bazë të ligjit për Bankën e Shqipërisë, anëtarët e Këshillit Mbikqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, ku PD-ja nuk e ka të vështirë t’i miratojë këto kandidatura.

Përplasja

PD-ja pritet t’i referohet nenit 44 të ligjit për Bankën e Shqipërisë, ku thuhet se Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, ku përfshihet edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Sipas demokratëve këtu do të luhet edhe loja për emrin e Guvernatorit. Për PD-në, Guvernatori i ardhshëm duhet të vijë nga rradhët e Këshillit Mbikqyrës, një precedent ky i ndjekur edhe më parë. Ardian Fullani u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë, pasi u zgjodh më parë anëtar i Këshillit Mbikqyrës. Duke zgjedhur kandidatët e saj në Këshillin Mbikqyrës të BSH-së, PD-ja pretendon që Presidenti të zgjedhë si Guvernator një nga anëtarët e këtij këshilli. Por neni 161 i Kushtetutës citon se Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje, ç’ka do të thotë se jo domosdoshmërisht, për kreun e shtetit, ai duhet të vijë nga rradhët e Këshillit Mbikqyrës, një debat ky që pritet të hapet mes mazhorancës dhe Presidencës. Topi duket se do të ketë parasysh në dekretin e tij një kandidaturë sa më afër fushës financiare dhe jo shumë politike, por nuk dihet nëse maxhoranca do t’a mbështeste këtë orientim, përsa kohë ajo ka votat për t’a miratuar kandidaturën e Topit, por edhe për ta rrëzuar atë. Në listën e kandidaturave me profil politik janë të përfshirë edhe dy ministrat aktualë, Ridvan Bode dhe Genc Ruli. Ndërkohë, e drejta e rizgjedhjes që ia lejon vetë Kushtetuta, pritet të fusë në lojë edhe Guvernatorin aktual Ardian Fullani për të garuar për një mandat të dytë.

2 Komente

Eksperte te fushes Suzana Guxholli dhe Elisabeta Gjoni smiley

Pas kesaj fjalise do nderroj nick-un, do ve nje te ngjashem si joti; OMG smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).