Ndërkohë që fqinjët ndërtojnë hotele me parametra ne po betonizojmë bregdetin nga Velipoja në Sarandë

Në një kohë që përflitet shumë për një bum në turizmin tonë, ky vit po tregon atë çka të gjithë specialistët e mirëfilltë të turizmit i druheshin, faktit se gjërat nuk janë aq rozë sa ç’pandehej apo parashikohej. Takime me pronarë hotelesh dhe anëtarë të Shoqatës Shqiptare të Turizmit përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, madje dhe në pjesët më elitare si Dhërmiu, tregojnë se ky vit ka shumë gjasa të jetë shumë më i dobët se viti 2010. Kjo ka shpjegimet dhe arsyet e veta, nga të cilat më kryesorja është ndoshta heqja e vizave për shqiptarët, që e ka bërë turizmin tonë tashmë të krahasueshëm me atë mesdhetar për masat e popullsisë, që më parë nuk kishin mundësi të lëviznin, për shkak të regjimit të vizave. E për pasojë shqiptarët për shumë arsye, kuriozitet, takimi me të afërmit, por edhe fama që gëzon turizmi i fqinjëve, i ka bërë të udhëtojnë jashtë Shqipërisë. Deri këtu çdo gjë është normale dhe e pranueshme, madje dhe e justifikueshme, ndërkohë që shqetësues është fakti se këtë vit duket se do të kemi një rënie të konsiderueshme në numër nga ajo masë turistësh që ne e konsideronim të sigurt, shqiptarët që jetojnë në Ballkan. Dhe nëse këta klientë nuk po vijnë në Shqipëri, ata po shkojnë diku gjetkë, d.m.th. po bëjnë një zgjedhje të ndryshme. Rënia e numrit të këtyre turistëve në brigjet tona tregon ndoshta se ky produkt e ka arritur pikun e tij vitin që shkoi dhe tashmë po fillon rënia. Kjo është diçka që pritej të paktën nga ata që kanë studiuar turizëm apo që e njohin këtë sektor mirë nëpërmjet eksperiencës disavjeçarë në këtë fushë. Edhe për mua kjo ishte diçka e pritshme, duke parë tipin e investimeve që janë bërë për këtë produkt në këto 20 vite, ku nuk arrin të gjesh dot një hotel me më shumë se 80 dhoma në të gjithë bregdetin shqiptar apo një resort të vetëm turistik që të ketë parametrat e një resorti ndërkombëtar të krahasueshëm qoftë dhe me fqinjin më pak të zhvilluar në këtë fushë, Malin e Zi. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, ndërkohë që fqinjët ndërtojnë hotele me kapacitete e parametra moderne, ne po betonizojmë bregdetin nga Velipoja në Sarandë me ndërtime imobiliare pa asnjë lloj plani urban apo qëndrueshmërie për brezat që vijnë. Ndërtime me arkitekturë mediokre, që stonojnë totalisht, pasi nuk i lidh asgjë me kulturën e traditat e zonës ku ngrihen, por as me natyrën mesdhetare që i rrethon. Ndërtime që nuk kanë asnjë lloj koncepti respektues të ambientit, pa hapësira të gjelbra, që ngrihen vertikalisht si kunja që sfidojnë njëri-tjetrin thjesht për kapriçio. Ndërtime me lloj-lloj bojërash e ngjyrash që të vrasin sytë dhe që nuk kanë asnjë pikë takimi me elementet e natyrës përreth, duke stonuar plotësisht. Kjo është provë e pakundërshtueshme e makutërisë së të bërit para shpejt e shpejt jo me piramida financiare, por me piramida betoni tashmë. Po vërejmë një situatë që ka dalë nga kontrolli në shumë qytete bregdetare dhe që po rrezikojnë seriozisht të ardhmen e sektorit më potencial të turizmit në vendin tonë, turizmin e plazhit. Po, po turizmi i plazhit, i bërë siç duhet, si fqinjët, është padyshim industria më fitimprurëse në Mesdhe dhe kjo është e provuar tashmë për dekada me radhë nga fqinjët tanë si Italia, Spanja, Greqia, Turqia, por edhe Kroacia tashmë. Shumë njerëz, me apo pa formimin e duhur në turizëm, i janë vërsulur trumbetimit të turizmit malor a thua se kanë zbuluar Amerikën, ndërkohë që ky turizëm është mjaft i kufizuar në numrin e turistëve që tërheq dhe është një lloj turizmi me të ardhura relativisht të ulëta, sepse dhe shërbimet që ofron janë tepër bazike. I vetmi turizëm malor me të ardhura mbi mesataren është turizmi i skive. Pa investime serioze në resorte skish nuk kemi ndonjë arsye për të qenë kaq euforik. Treking, ecja, alpinizmi, janë sektorë të këtij turizmi që tërheqin njerëz të pasionuar dhe që janë të gatshëm të reduktojnë pretendimet për kushte të një cilësie të lartë, mjaft që të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetin e tyre të preferuar. Ata harxhojnë shumë pak të ardhura në hoteleri apo aktivitetet ndihmëse e për pasojë të ardhurat prej tyre janë të kufizuara. Nëse një klient i turizmit të plazhit gjatë sezonit mund të harxhojë vetëm hoteleri 40 euro në ditë në një hotel me 4 yje, një turist malor harxhon 1/3 ose edhe 1/4 e kësaj shifre. Ndërkohë që po të kishim një resort me parametra si fqinjët tanë çmimi për person gjatë sezonit do të shkonte të paktën në 60 euro në ditë vetëm hoteleri, pra 5 deri në 6 herë më shumë të ardhura se një turist malor.

Paradoksi vazhdon: Shqipëria, një vend i mirëfilltë mesdhetar, madje me një nga mesataret më të larta të ditëve me diell në vit, i kushton më shumë rëndësi një turizmi që nuk është natyral për vendet mesdhetare. Nuk tregohet interes për turizmin e plazhit, një industri që mban gjallë shumicën e ekonomive mesdhetare. Kjo është dega me fitimprurëse e turizmit mesdhetar, pasi ka një shtrirje kohore prej të paktën 5-6 muajsh dhe me një çmim mesatar prej 60-130 eurosh në natë për dhomë për resorte me 3-4 yje. Ky është turizëm masiv që frekuentohet nga shumë turistë të një niveli të caktuar, që kryesisht vijnë nga Europa Veriore me avionë çarter në destinacionet mesdhetare, ku kalojnë pushimet e tyre kryesore vjetore. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend mesdhetar që dërgon, por nuk pret çarter me turistë, thjesht sepse nuk ka investime serioze në bregdet në resorte me mbi 150 dhoma. Siç e vini re është përmendur jo pa qëllim disa herë fjala resort turistik dhe duhet ta shpjegojmë njëherë e mirë kuptimin e saj, sepse përveçse nuk po ndërtohen resorte, emri po keqpërdoret për të ndërtuar prona imobiliare në bregdet.

Sot pranohet gjerësisht se resorti turistik është një gërshetim shërbimesh turistike, që përfshin hotelerinë, ushqimin, sportet dhe aktivitete zbavitëse brenda një kompleksi dhe zakonisht menaxhohet nga një kompani e vetme. Resortet mund të jenë në plazh dhe quhen resorte plazhi, por kemi dhe malore, kryesisht resorte skish.

Përse nuk investohet për ndërtim resortesh të mirëfillta turistike, por tentohet të ndërtohet vetëm real estate? Kjo për mendimin tim ka të bëjë me vizionin, pjekurinë, por dhe fuqinë e investitorëve tanë dhe atyre të huaj të interesuar për investime në Shqipëri. Investitorët tanë kanë probleme kapitali dhe nuk u bëjnë dot ballë investimeve gjigante, për të cilat ka nevojë një turizëm cilësor me resorte me kapacitete nga 200-500 dhoma, ku investimet kapin vlerën e disa dhjetëra milionë eurove. Normalisht që investime të tilla atëherë u mbetën investitorëve të huaj. Fatkeqësisht edhe investitorët e huaj që janë shfaqur të interesuar të investojnë në Shqipëri në këtë sektor, kanë nivele të ulëta kapitali dhe si rrjedhojë janë të interesuar të marrin një kthim të menjëhershëm të investimit e për pasojë janë të papërshtatshëm për investime serioze në turizëm. Për të dy këto handikapë faji kryesor bie mbi politikën e këtyre 20 viteve dhe qeveritë që nuk kanë përcaktuar qartë se ku do të jetë Shqipëria në 5 a 10 apo dhe 20 vjet.

Një partner i huaj më tha: “Me të vërtetë jeni vend në zhvillim dhe ca gjëra ju falen, por ama sensin e estetikës në ndërtim fatkeqësisht nuk e posedoni aspak”. Me shumë keqardhje them se kishte të drejtë, teksa kujtesa ime fotografike fluturoi rrufeshëm nga veriu në jug, duke sjellë ndër mend fragmente drithëruese shëmtirash vertikale, me ngjyra pa lidhje që mund t’i vizatojnë fëmijë shkollash nga klasa e katërt deri në të nëntën. Po shëmtojmë qytetet me ngjyra të forta ndërtesash, thua se jemi të verbër e na duhet t’i theksojmë patjetër. Zgjidhja e ngjyrave të forta ishte një ide e mirë, e kufizuar në ndërtesat e shëmtuara komuniste të Tiranës. Kjo nuk do të thotë se duhet të lyejmë çdo ndërtesë dhe të kthejmë vendin në një tapet që duket sikur një bojaxhi i pakujdesshëm ka derdhur pa dashje kovat e bojës. Kjo po ndodh dhe në fshatrat e bukura të bregut, ku pa kurrfarë sensi logjik dhe estetik po shmanget arkitektura e mrekullueshme e ndërtimeve me gurë e çati dhe po na shfaqen shëmtira moderne me ngjyra të forta që stonojnë me këta fshatra elegante. Teksa në resortet e Korfuzit shikon vila në stilin e shtëpive karakteristike beratase, ne ndërtojmë me të gjithë spektrin e ngjyrave të ylberit si të ishim aborigjene të Amerikës Latine në getot e Rio de Zhaneiros apo Karakasit, krejtësisht pa lidhje me traditat tona. Në fakt fajin për këtë nuk e kanë investitorët, por ata që u japin lejet dhe i lejojnë të bëjnë ç’të duan. Për mendimin tim, në këtë drejtim ka ndikuar negativisht decentralizimi i pushtetit lokal dhe kalimi i lejeve në duart e kryetarëve të komunës. Mungesa e investimeve serioze në resorte turistike në të gjithë bregdetin, veçanërisht në atë të Adriatikut, është treguesi më domethënës që tregon sa seriozisht e marrin në Shqipëri, që nga politika e deri tek investitorët industrinë më të madhe të shërbimeve në botë, turizmin.

Investimet në të ardhmen e afërt apo të mesme nuk japin shpresë nëse kjo gjendje do të ndryshojë, duke lënë të pashpresë mundësinë që në vitet që vijnë të kemi dhe ne mundësinë të presim turistë me çarter. Duket se vetë qytetarët shqiptarë me të ardhura mbi mesataren, që janë jo të paktë në numër, ata që kanë edhe prona imobiliare në bregdet, do të vazhdojnë edhe për disa vite të kalojnë fundjavat e tyre që nga vjeshta deri në pranverë në resortet me SPA të Malit të Zi dhe Maqedonisë, thjesht sepse ne ndërtojmë pallate në vend të hoteleve si fqinjët.

Nuk ka sens të kemi në 2011-n investitorë “fazash”, siç ka ndodhur deri më tani, që u duhet të mbarojnë ndërtimin e shitjen e fazës së parë të një projekti, që të sigurojnë kapitalin për fazën e dytë. Për mua është shumë e thjeshtë nëse nuk përmbush kushtin e kapitalit minimal në bankë për një projekt të caktuar, nuk të jepet leja ta zhvillosh, pavarësisht sa i saktë duket në letër. Vetëm në këtë mënyrë thithim investitorët seriozë që kanë mjetet për ta çuar në fund dhe brenda afatit të përcaktuar një investim të tillë. Kjo bëhet vetëm nëse turizmin e konsiderojmë me të vërtetë prioritet, pasi duhet një vullnet politik i hekurt dhe një ministri Turizmi që të mos jetë jetimi i qeverisjes, por fëmija me kimet. Nuk ka vend mesdhetar ku Ministria e Turizmit të jetë kaq e pafuqishme sesa te ne. Këtu Ministria e Jashtme është shumë më e rëndësishme se ajo e Turizmit, ndërkohë që ne jemi një vend i papërfillshëm në arenën ndërkombëtare. Nëse do të kishim një Ministri Turizmi të fuqishme nuk do të kishte nevojë fare për Ministri të Jashtme, sepse promovimin e vendit dhe rëndësinë në arenën europiane do ia jepte Ministria e Turizmit, siç ia jep Kroacisë. Ministria e Jashtme e Kroacisë merr vlera, sepse Kroacia njihet nga të gjithë europianët si destinacion turistik, ku kanë kaluar pushimet sikur edhe për një herë të vetme. Kjo duhet të ndodhë edhe në Shqipëri. Po të shkojmë më tej, si në Turqi apo Greqi, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Transporteve janë para Ministrisë së Turizmit. Kjo sepse Ministria e Turizmit në këto vende është ajo që sjell të ardhurat që këto ministri që përmenda të kenë mundësi t’i shpenzojnë. Te ne ndodh e kundërta në shumë drejtime, Ministria e Turizmit, industria që përbën 50% të eksporteve dhe që sjell më shumë se 1 miliard euro të ardhura në ekonomi, është ministria më e parëndësishme dhe me më pak kompetenca se çdo ministri, ndërkohë që duhet të ishte të paktën e barabartë për nga pesha me Ministrinë e Financave. Skenari ideal do të ishte që Ministria e Turizmit të prodhojë të ardhurat, ndërsa Ministria e Financave të bëjë mbledhjen dhe rishpërndarjen e tyre sipas nevojave të vendit me një fokus të qartë në sektorët prioritarë, siç është turizmi. Ndërkohë te ne Ministria e Financave bën ligjin me të ardhurat e Ministrisë së Turizmit që i duhet të ketë edhe ca përgjegjësi shtesë si rinia dhe sportet, ndërkohë që duhet të fokusohet në sektorin më prioritar dhe ndoshta të vetëm rentabël të ekonomisë shqiptare. Mendoj se ka ardhur koha që Ministria e Turizmit të ketë në varësi vetëm kulturën, meqë trashëgimia kulturore është pjesë e rëndësishme e produktit turistik shqiptar, ndërkohë që rinia dhe sportet shumë mirë mund t’i kalojnë si kompetencë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, pasi rinia kërkon një të ardhme më të mirë, kryesisht me hapësira të reja pune, ndërsa sportet ndihmojnë në lehtësimin e mjaft plagëve sociale. Nëse e kemi me të vërtetë prioritet turizmin, që duhet ta ngulisim të gjithë në kokë që është një industri gjigante, atëherë na duhet një ministri e fuqishme dhe me kompetenca, na duhet një ligj turizmi që të jetë si kodi rrugor apo ai fiskal, ku ka parametra që nuk shmangen apo anashkalohen, vetëm atëherë do të kemi shanse për t’u futur në konkurrencë me fqinjët. Për momentin thjesht mund të themi që ofrojmë çmime më të lira, por që nuk mund të jemi konkurrues në treg. Kur të mund të themi që jemi cilësisht më mirë dhe më lirë se fqinjët, atëherë kemi një mundësi. Kjo duhet të vijë sa më shpejt ose dritarja e mundësive në një botë që është në krizë dhe e influencuar ekonomikisht do të mbyllet për gjatë viteve.

Nga ana tjetër, ka ardhur koha që subjektet që e kanë të lidhur jetën me turizmin, shoqatat e tyre, por dhe shoqëria civile të mos i tolerojë më zhvillimet pa kokë që po bëhen kudo në zonat më të bukura të brigjeve tona, nëse duam të shpëtojmë atë çka mbetur.

Nëse çfarë theksova për zhvillimet e mëtejshme të turizmit nuk do të merren parasysh, por do të vazhdojë zhvillimi sporadik i deritanishëm, konkluzioni i vetëm do të jetë një sektor turizmi i çalë, që me kalimin e kohës do të kthehet në një gangrenë që do të duhet amputuar dhe kjo do të kërkojë një kosto të jashtëzakonshme nga të gjithë ne.

Armand Ferra
Zv.kryetar i Degës së Agjentëve Turistikë
Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA)

46 Komente

Armando, pse s'tregon ti qe kete vit turizmi eshte mysybet, apo ke hall se mos e prish me qeverine? Fol pra, trego ate qe tregon perdite, pra si eshte gjendja kete vit, pse, etj etj

swed1

po lexoje artikullin se paragrafi pare per mysybetllikun flet,

Pjesa tjeter mua me duket goxha kritike. Pastaj ka 20 vjet qe eshte rrumpalle, kujt qeveri tja veme gishtin me pare.

Sa beni komente mbi ate qe shkruan duke e humbur kohen gjithsesi do ishte me produktive te benit nje artikull tjeter edhe mbeshtetes te kesaj teme apo ndonje teme tjeter qe te behet dicka te pakten.

une thashe se rruga e kombit do behej parking kete gusht...aq shume dyndje do kishte

fjalia e pare, ballore e artiklles:

Ndërkohë që fqinjët ndërtojnë hotele me parametra ne po betonizojmë bregdetin nga Velipoja në Sarandë.

po çe deshe artikllen pas kesaj  mo vlla?!  eshte njesoj si te shkruash nje roman dedektiv, misterioz e ta titullosh: ''mesuesi i pianos ishte vrasesi''.smiley

Quhet "executive summary" smiley

Per belulin:

nentitullin qe citon ti, nuk e vura une por e kane pare te arsyeshme ata te gazetes ta vendosin. pastaj titulli eshte sensacional ne gazetari more belul sepse kerkon qe te terheqe vemendjen. nuk e di pse te duket ty mister ajo cfare eshte shkruar ne artikull pasi vetem mister nuk mund te jene 20 kateshat qe ngrihen cdo dite. gjithsesi nese vendos te shkruaj ndonje roman te zhanrit investigativ do e kem parasysh kritiken tende. te falenderoj

Per gjembin

Do me falesh se ka nja 15 vjet qe e kam mbaruar universitetin dhe me kish shpetuar 'executive summary", por si ne rastin e belulit, do e kem parasysh edhe keshillen tende, kur te shkruaj ndonje ese akademike, megjithese nuk jam shume fans i masterave dhe doktoraturave.

me respekt

armando  

Faleminderit Armando. Nuk m'u duk se dhashe ndonje keshille.

help!

Si mund t'ju tregoje nje foto te nje plazhi ne jug? E kam ne komputer po nuk po e hedh dot ketu!!!!!Foto eshte ne .JPG I bej copy, po ketu tek faqja e komentit, nuk i behet dot paste.

 

ma con dot me email?

Sheme kollaj fare...30sekonda pune

shakroje ne imageshack apo tinypic nga kompjuteri dhe perdore me pas per PPU

Thanks, me mesove dicka te re!

ose po u cu dot, me mesazh privat peshku... nuk di a e prano attachmentin, tnough.

po ti shif ato tubat e ujit te nevojtores ne durres, ca ere livando sjellin, po betoni eshte lule para atyre.

skam bredh shume sivjet, por knej ka radhima eshte bosh fare sivjet. sikur ka ra bumja. skane kalamajt me cil t'lujne se vetem nai cader me kosovare apo emigrante tek tuk. Restorantet bosh fare.

e pakrahasueshme me vitin e kaluar ne te njejten kohe.

shkaqet nuk i di, po sipas menjen time , heqja e vizave i ka shty drejt vendeve te tjera.

leku dihet qe ka ra, por ajo shtrese qe une kam pa ktu vjet sme duket nga ato te goditurat rende, dhe po mendoj se ku gjindet sivjet smiley

Mu duk se jane tu eksploru Camerine smiley

u lodh mbesa ime tu numeru targat shqipe kete vit

Kishte rene komplet kete vit, pak e shume pikat qe permendi parafolesja; çmime ne disproporcion me sherbimet e ofruara, mungese sherbimesh higjiene, grumbull kosovaresh qe gjitha nevojat personale i benin ne det, mbeturinat i fshihnin nen rere, naten kengetare "te njohur" por restorantet dhe clubet pothuajse bosh, nje atmosfere zhvatese ne cdo kend,...maah.

Ne fakt, plazhet shqiptare me menaxhimin e tanishem si dhe tregtaret e pakontrolluar nuk ia vlejne. Me aq para sa shpenzohen ne Shqiperi mund te behen pushime fantastike ne Greqi, Spanje,...dhe pa pasur nevoje te shqetesohesh per harbuterine e njerezve dhe me nje pasterti plazhi te persosur.

Turistet qe vijne ne Shqiperi per here te pare nuk ju vete mendja te rikthehen serisht...Kjo i thote te gjitha smiley

Kete vit i kemi rene perreth bregdetit shqiptar nga veriu ne jug, pra pak a shume formova nje vizion te qarte te asaj qe mund te ofroje Shqiperia. U kthyem me te lodhur ngase u nisem, jo vetem fizikisht por dhe psikologjikisht. Shpenzuam shume por ne kembim morem shume pak. Me keto bindje qe kam formuar tani nuk shkoj te le asnje kacidhe me ne bregdetin shqiptar. Shqiperia te lodh ne nivel njerezor.

.. nuk flitet per atdheun ne kete menyre! smiley

ky eshte nje plazh poshte fashatit Lukove dhe fotoja eshte bere javen e fundit te korrikut rreth ores 10:30 minuta. Nuk e di pse nuk ka dalur e gjitha, por po te dilte do te shikonit se jane gjithsej 5 beach bare me cadra fringo te reja dhe plazhi eshte pothuajse bosh!!!!!Te gjitha baret/restorantet ishin te hapura/funksionale punonin me gjeneratore dhe cadrat me 2 shezllona i jepnin per 300 leke te reja, por po te insistoje ti jepnin edhe per 200 leke!!!!! Bisedova me njerin nga baristet aty dhe ishte shume i merzitur. E fillojme diten me minus 5000 leke te reja, pasi gjeneratori punon gjate gjithe dites, jo vetem per ndricim, por edhe per ftohjen e banakeve frigoriferike, ekspresit si dhe per gatim. 3 prej ketyre bareve/restoranteve kishin edhe furen per berjen e picave. Gjate diteve te javes-thosht- ketu eshte pothuajse bosh. Vetem te shutunen dhe sidomos te dielave vijne nga Delvina, Gjirokastra e Saranda.

ka nji hotel te mire aty ne lukove qe thu ti sheme.

60 euro nata kercet aty, mire mer mire dukej. ene carcafet ishin te mire (Se une i kam fiksim)

por kur vje puna skishte  as shampo me la koken

merr vesh ti sheme ?

edhe neskafeja eshte 1000 leke shtrenjte tek bari siper i hotelit sesa ne barin poshte tek cadrat.

epo te 10sha hotelin pra mo, se edhe gjonat e vogla bejne diferencen.

Lol mu kujtu nji hotel tjeter knej nga jugu, ku mengjesi ishte included in a funny way : gjalpin dhe reçelin e kishe pa leke, kurse qumshin, vezen e ku di une duhej ti bleje

ahahahaha

per zotin shqipot jane te papame smiley

 

 ruzhe, po 60 euro nata ne ( 3 goca) kemi rezervu nje apartament ne Korfuz, pse u dashka te shkoj ne Lukove. atje s'ka me as brezare! smiley

ske pse motra, ske pse smiley

p.s. po ate specifikimin 'goca' çe deshe.

ti lije peshqit i cike te fantazonin smiley)

 po le te fantazojne me goca, atehere... s'ua prish qejfin une.... smiley

po qe se ke keq ti

drejt drejt

tashti do marojne fare.........smiley

ç'eshte nje hotel pa skufjen e dushit dhe sapunin e vockel me marken persiper? smiley

ti shefe mos na qesëndis smiley

nji bidon me shampo deshem, sa me la koken. Dmth mos ta merrnin shampon nga tirana mo, demek dhe ne si turiste moderne. Po ne shqipri duhet ta analizosh riskun mire dhe si perfundim edhe ujin e pa-pijshem(ate me te cilin lahet koka) bon mire ta marrsh me vete smiley

smiley Une e kisha me gjithe mend se ketej s'i kemi filluar akoma pushimet dhe seç me zu nje nostalgji hoteli. Turp nder, une shampon time e marr gjithmone me vete kudo smiley. Pa solucionet e mia per kujdesin vetjak nis e me ze nje nervozizem qe s'e shpjegoj dot.

Naten te dyjave goca smiley !

n'fakt ene une i marr me vete shpesh, por tuj qene se ishte pak gje, nje nate aty e pastaj do u ktheshim ne baze, u nisem si te thuash me breke qe nga vlora smiley

mos e ke fjalen per ket ketu poshte, Lukova Palace?

smiley

nuk lejohet publiciteti smiley

:O ....

 

Kronike e nje deshtimi te paralajmeruar

Nga  Ilir Metaj

Sezoni turistik veror 2011 është drejt fundit të tij… Nga qeveria u trumbetua me të madhe se do të ishte sezoni i suksesit të destinacionit më të rëndësishëm turistik në botë për 2011-n (!). Përderisa patën guximin dhe paturpësinë të deklaronin një gjë të tillë, mos u çuditni që të kenë edhe guximin dhe paturpësinë të dalin e të deklarojnë se objektivi u arrit

Në fund të fundit, nuk do të ishte hera e parë, sepse ne jemi edhe “vendi me kriminalitetin më të ulët”, “me rritjen ekonomike më të lartë”, “me shkallën më të ulët të korrupsionit”… etj! Me pak fjalë, ne vazhdojmë (që prej 50 e kusur vitesh) të mbajmë mbi kurriz damkën e “pishtarit ndriçues në Europë”! E shohim këtë në fytyrat e shokuara për vaj të operatorëve turistikë që sezoni ua la xhepat më bosh seç ua gjeti.

Dështimi turistik i këtij viti duhet ta ketë kapur papritur qeverinë tonë… Duhet ta ketë kapur papritur ashtu siç e kapi edhe vjet, parvjet… e kështu me radhë prej shumë vitesh.

Ky sezon veror, në fakt ,e nxori lakuriq para pasqyrës turizmin shqiptar! Pa makiazh, me rrudhat e plakjes së parakohshme, pa mundësinë për të gënjyer më, qoftë edhe veten!

Fluksi turistik? Inekzistent! Infrastruktura? Më e dobëta në rajon, pale më gjerë! Pastërtia në tokë? E denjë për një vend të Botës së Tretë! Pastërtia e deteve? Apo pastërtia e ujërave të zeza?! Lloji i turizmit?  Çorganizim i organizuar! Promovimi turistik? Pse, duhet edhe ky?! Çfarë po ndodh me të ashtuquajturin turizëm shqiptar?

Deklaratat qeveritare ose “edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin përpjetë”

Bregdeti shqiptar vazhdon të mbetet pre e ndërtimeve amatore që nuk kanë asgjë të përbashkët me karakterin e bregdetit tonë! Vazhdojmë të kemi (me përjashtime shumë të rralla) njësi hoteliere të cilësisë së fundit ose parafundit, me çmime të kategorisë së parë ose të dytë dhe cilësi shërbimi groteske!

Këto njësi hoteliere “drejtohen” në pjesën më të madhe nga amatorë, që edhe togfjalëshin “paketë turistike” ka shumë mundësi ta ngatërrojnë me “paketë duhani”! Ende sot pjesa më e madhe e këtyre njësive hoteliere vazhdojnë të jenë të palicencuara nga MTKRS-ja!

- Natyra u tregua bujare me Shqipërinë: bregdete shkëmbore të ndërthurura me gjire ranore, me natyrë “të egër”, me ujë të kristaltë… Nëse ujërat e zeza nuk do të zgjateshin si metastaza në det, do të ishte mjaft e lehtë për t’u thënë!!

- Mjaft prej plazheve cilësore të jugut vazhdojnë të jenë “të virgjëra” për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore për të shkuar në to, pale më të organizimit të shërbimeve në cilësinë e duhur.

- Pjesa më e madhe e bregdetit të Jonit e të Adriatikut vazhdon të vuajë ndërtimet e betonizuara pa leje (që për më tepër janë edhe të shpifura), të cilat shtohen nga dita në ditë!

- Pastërtia e territorit vazhdon të mbetet një nga problemet madhore, jo vetëm në zonat bregdetare, por në gjithë territorin shqiptar, madje, mjaft e rëndë paraqitet situata në çdo aks të rrugëve nacionale!

- Furnizimi me ujë 24 orë po kthehet në një legjendë urbane sidomos për zonën bregdetare, e cila duhet të jetë destinacioni turistik kryesor i Shqipërisë!

- Në pjesën më të madhe të rrugëve nacionale duhet të jesh mjaft me fat që të mos ndodhë asgjë e keqe, sepse ngado gjen punime amatore të tejzgjatura në kohë e pa asnjë sinjalistikë paralajmëruese, njerëz me biçikleta apo karroca me kafshë që kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën për mungesë të rrugëve dytësore, ndriçimin në pjesën më të madhe të rrugëve e bëjnë xixëllonjat (nëse ke fatin të jetë natë pa shi)… etj, etj.

Kushdo që ka vizituar qoftë edhe Maqedoninë apo Malin e Zi, e kupton fare lehtë situatën e rëndë ku ndodhet infrastruktura jonë turistike. Nuk po shkoj më larg në krahasimet me Italinë, Greqinë, Turqinë etj., se pastaj situata kthehet në tragjikomedi!

“Lonely Planet” e tha…

Mjaft prej qeveritarëve tanë në deklarata për shtyp para disa muajsh (gati-gati në gjendje orgazme) na deklaruan se do të ishim destinacioni kryesor në botë për 2011-n! E tha “Lonely Planet”! Pra, o shqiptarë, hapni thasët dhe bëhuni gati për t’i mbushur me të ardhurat qe do të na sjellin milionat e turistëve të huaj që do të vijnë tek ne: destinacioni turistik kryesor në botë për 2011-n!

….Po kujt ia tha!

A janë qytetet pa fluks turistik? A janë hotelet gjysmë të zbrazura? Tragetet sjellin vetëm ca pak emigrantë që vijnë më shumë për hall sesa për qejf? Nëpër pikat kufitare, policë e doganierë dëgjojnë muzikë “chill out”, sepse nuk ka njerëz dhe qetësia ta imponon?

Restorantet shkurtojnë personelin sepse nuk kanë punë? Agjencitë turistike a mendojnë “qenkemi qarë kot më parë: ky vit qenka ç’qenka!”? Distributorët e pijeve alkoolike e freskuese, a kanë vënë duart në kokë?

Ore, po mos u bëni primitivë! I besoni më shumë kësaj që shikoni sesa asaj që parashikoi “Lonely Planet” e që e tha me gojën e tij Kryeministri ynë?! Po mos ja futni kot, o njerëz, sepse jeni duke jetuar sezonin veror në destinacionin turistik kryesor të botës për 2011-n!

Shijojeni!

Shiko, por mos prek!

Në një vend me realitet absurd siç jemi ne, nuk mund të mos bashkëjetonim edhe me absurditete të tillë si “Moratoriumi i mjeteve motorike lundruese”! Nëse je në bregdetin vlonjat, mund të shikosh Karaburunin e Sazanin… mund të sjellësh në mendje gjithë njohuritë që ke mësuar për bregdetin e tyre të mrekullueshëm, vendet historike, botën e pasur nënujore, mundësitë fantastike për sportet e ujit, faunën e shumëllojtë… mund edhe të të vijë dëshira për t’i parë e për t’i prekur nga afër… Ej!

Stop këtu! Futi një të pickuar vetes, zgjohu nga ëndrra dhe jeto realitetin absurd të “mollëve të ndalueme” – version remix nga Qeveria Berisha!

Prek, por mos shijo!

Kujt nga ne nuk i ka ndodhur që një mëngjës të bukur korriku apo gushti të shkojë për të pushuar pranë detit, e të vërë re i lemeritur se uji i detit është gjithë ndryshk, me shkumë të pisët sapuni ose të vijë era naftë..? Patjetër që çdokush që shkon për të pushuar në bregdetin shqiptar gjatë sezonit veror e ka përjetuar këtë situatë! Dhe jo një herë! Është diçka sistematike!

Ndodh sepse anijet që ankorohen në portet tona, lajnë hambarët e tyre dhe gjithë llumin e tyre e derdhin në det, mjaft afër bregdetit tonë: destinacionit turistik kryesor në botë për 2011-n! E tha “Lonely Planet”! Edhe Kryeministri!

A është e paligjshme? Patjetër që po! A e bëjnë këtë gjë këto anije në bregdetin e vendeve të tjera? Patjetër që jo!

Për një veprim të tillë në çdo vend tjetër të Europës përgjegjësit do të përfundonin në burg, do të sekuestrohej anija dhe do te paguhej një goxha gjobë! Përveçse do të viheshin në ndjekje penale autoritetet portuale vendase që do të lejonin të ndodhte diçka e tillë, qoftë edhe një herë të vetme!

E pra, në çdo vend tjetër të Europës… Ne jemi në Shqipëri: destinacionin turistik kryesor në botë për 2011-n! E tha “Lonely Planet”! Edhe Kryeministri!

Emigrantët ose “gjethja e fikut” e fluksit turistik

Ata nuk erdhën këtë sezon veror. Ose erdhën shumë më të paktë në numër sesa vitet e tjera… Arsyet kuptohen:

- kriza ekonomike që ka pllakosur Greqinë dhe që po pushton ngadalë edhe Italinë: pikërisht dy vendet ku janë rreth 80 % e emigrantëve shqiptarë. Kjo situatë ka sjellë edhe tkurrjen e shpenzimeve të emigrantëve dhe rritjen e papunësisë në radhët e tyre.

- liberalizimi i vizave shërbeu si shkak mosardhjeje për emigrantët që vinin në Shqipëri të shtyrë nga malli për familjen. Shumica e kësaj pjese i ftoi familjarët t’i vizitonin në vendet ku ata jetojnë.

- gjendja e rëndë social-ekonomike e politike që ka pllakosur Shqipërinë, u ka “lodhur” sytë dhe shpresën emigrantëve, të cilët vinin gati çdo vit duke shpresuar të shihnin ndryshimin… që deri tani nuk e kanë parë kurrë.

Pra, ajo që qeveritarët tanë trumbetonin me të madhe si “qindra mijërat e turistëve” ishin kryesisht hyrje-daljet e emigrantëve tanë gjatë vitit e kryesisht gjatë sezonit veror.

Gjethja e fikut ra!

Kosovarët – Dashuria për dheun mëmë nuk mjafton më!

Edhe ata erdhën shumë më të paktë këtë vit. Tendencë që vihej re edhe më parë… Gjatë këtyre viteve mund të jenë shumë të paktë në numër (për të mos thënë aspak) kosovarët që nuk e kanë vizituar qoftë edhe një herë të vetme Shqipërinë –mëmë. Që nuk kanë bërë foto tek Monumenti i Pavarësisë në Vlorë apo te Monumenti i Skënderbeut në Tiranë.

E që pastaj… Pastaj çfarë? Të pushojnë në bregdetin tonë me kushtet që ofrojmë ne? I gjejnë shumë më të mira në Maqedoni, Mal të Zi apo Kroaci e Turqi! Madje, edhe më lirë!

“Turizmi shqiptar” ishte i pëlqyeshëm për ta në impaktin e parë, kur edhe mund të faleshin shumë mëkate cilësie e shërbimi, sepse në fund të fundit ishte Shqipëria e tyre! Por pas kaq vitesh këto mëkate ngelen të njëjta ose kanë ndryshuar fare pak! Aq sa nuk mjaftojnë më që ata t’i falin përsëri në emër të patriotizmit!

“Turizmi” patriotik u konsumua!

MTKRS – Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë…

Shkojnë e vijnë ministra e zëvendësministra… Hyjnë “shul” e dalin “lloz”! Mbase u duhej lënë më shumë kohë në dispozicion djemve… ikën shpejt mbase. Njëri me “mbërthecka” në dorë…, tjetri pa na sjellë akoma eshtrat e Ismail Qemalit në atdhe…, tjetri… eh… Fati ynë i keq! A e dini cila është e vetmja gjë që i lidh këta “meteorë” me turizmin? Që të gjithë janë turistë profesionistë! Erdhën si të tillë e ikën si të tillë nga MTKRS-ja… Kohë e humbur! Vite të humbura! E ka Shqipëria vallë luksin për të humbur kohë? Shqipëria ka luksin e “mospatjes së kohës për të humbur kohë”. Mjaft më me amatorë profesionistë!

Epilog … apo prolog?

Edhe diamanti kur punohet nga amatorë, e humbet vlerën. Çfarë duhet bërë me turizmin shqiptar? A nuk mjafton e tepron kaq kohë e humbur? A nuk mjafton e tepron ky realitet “tërhiq e mos e këput”? Demagogjia turistike e përdorur deri tani nuk shkon më në këtë realitet dramatik. Ajo shërben për të mbuluar dështimin e turizmit shqiptar aq sa i shërben strucit të fusë kokën në rërë që të fshihet.

E vetmja rrugë shpëtimi për turizmin shqiptar, që ai të kthehet realisht në një katalizator të zhvillimit ekonomik të vendit, është dhënia me koncension e gjithë bregdetit shqiptar kompanive që ofrojnë më shumë garanci (qofshin këto shqiptare apo të huaja).

Kjo është e vetmja rrugë që qeveria shqiptare mos të hedhë akoma të ardhura nga taksapaguesit “në gropën e derrit” të paaftësisë manaxheriale e të vemjeve të korrupsionit.

Le t’ia lemë në dorë profesionistëve! Sa nuk është ende vonë…

Mjaft më me humbje kohe! Duhet të vrapojmë! Por ama, në drejtimin dhe kahun e duhur!

Himarë, prezantohet plani 20-vjeçar për zhvillimin e zonës 16/07/2011

 

Një studio greke ka punuar që nga muaji mars për projektin që bazohet te turizmi.

Një projekt që i vë kufi zhvillimit spontan të turizmit në zonën e Himarës është paraqitur dje paradite në bashki nga një grup ekspertësh të huaj. Para specialistëve të fushës së urbanistikës, të mjedisit dhe shërbimeve publike projekti është prezantuar nga dr. Athnasios Pagdius, drejtues teknik i projektit. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, tha se ky projekt është ndër investimet më të mëdha që ka të bëjë me programimin e zhvillimit të zonës së Himarës në 20 vitet e ardhshëm. Një ndër impaktet më të fuqishëm që pritet të japë projekti, sipas kryebashkiakut Goro, është se ai vendos bazë ligjore për ndërtimet në këtë zonë me të ardhme turistike dhe se ai orienton drejt një kombinimi të vlerave të natyrës dhe mjedisit me ato të trashëgimisë historike e kulturore. “Vizioni i projektit orientohet nga pikëpamja e zhvillimit hapësinor, duke përfshirë periudhën 20-vjeçare të zhvillimit të zonës në perspektivën e afërt”, u shpreh dr. Athanasios Pagdius, drejtues teknik i projektit. Sipas tij, projekti përmbush kërkesat ambicioze të Bashkisë së Himarës, duke ndihmuar në përcaktimin e tipit të turizmit që përshtatet më shumë. Mirlinda Rusi, nga Qendra për Kërkim e Zhvillim, tha se: “Projekti afirmon mbetjen e Himarës, një nga zonat më atraktive për turizëm, me natyrën tepër të veçantë dhe resurse të tjera, që ne do t’i aktivizojmë”. Studimi mbështetet në disa elemente kryesore, duke e parë shumanëshmërisht Himarën si destinacion turistik për vendasit dhe të huajt dhe për ta sjellë atë në një standard të lartë zhvillimi të turizmit, në përputhje me pozitën gjeografike tepër të veçantë, me një kulturë shekullore, ku mitet dhe objektet e vjetra të pasurisë kulturore janë zotëruese dhe si vend edhe më atraktiv për zhvillimin e turizmit shqiptar. Realizuese e projektit është një kompani greke me histori 50- vjeçare, e përzgjedhur nga Bashkia e Himarës, e cila ka në bordin e saj dhjetë ekspertë ndërkombëtarë në fusha të ndryshme. Puna ka nisur prej fillimit të muajit mars dhe pritet që ai të marrë formë përfundimtare në fundin e vitit 2011. Kreu i ri i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha se “ai është një nga investimet më të mëdha të Bashkisë së Himarës për këtë vit, që ka të bëjë me programimin e zhvillimit të zonës së Himarës për 20 vitet e ardhshme”. Ai vlerëson përcaktimin e tipit të turizmit që i shkon më shumë Himarës, që është një kombinim midis turizmit elitar dhe atij me interes të veçantë: sportiv, të aventurës, religjioz, arkeologjik, malor e detar.

aty nga fillimi i shkrimit:

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, tha se ky projekt....

diku nga fundi:

Kreu i ri i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha se “ai është një nga investimet....

e, po te vazhdonte dhe pak ky shkrim, metamorfoza Gjergjit do te ishte e plote: kryetari i Bashkise se Himares, Jorgaqis Goros, tha......smiley

 

ku e paske mendjen ti plako....  smiley

....,ne mesim.smiley

Turizmi, Banka Botërore per restaurimin e fshatrave të jugut.

Dhjetëra shtëpi në Bregdetin e Jugut, që i përkasin fshatrave Vuno, Ilias, Dhërmi i Vjetër, Himara e Vjetër dhe Qeparo i Vjetër, Luksht, Nivice dhe Piqeras do të restaurohen duke ruajtur origjinën, në kudër të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm. Ministria e Transportit, me mbështetjen e Bankës Botërore, ka shpallur tenderin për projektet e restaurimit, proces i cili pritet të nisë këtë vit. Sipas Ministrisë së Transportit, fshatrat tradicionale të rajonit formojnë një shprehje unike të arkitekturës popullore amtare, të dallueshme nga siguria e tyre.
Në mënyrë, që të mbrohet dhe promovohet kjo trashëgimi e çmuar, fondet do të jenë në dispozicion për ”programin e Çative dhe Fasadave”, për të përmirësuar kushtet për ruajtjen e kësaj trashëgimie të rëndësishme kulturore dhe për të siguruar që vlera e kësaj pasurie unike, është e njohur si një mjet për zhvillimin ekonomik. Objektivi i restaurimit është t’i kundërvihet shkatërrimit dhe/ose braktisjes së shtëpive tradicionale, në favor të strukturave të reja të panjohura. Në këtë kuadër, njësia e Koordinimit të Projektit (PCU) pranë ministrisë së Transportit kërkon shërbime konsulence, nga një kompani e kualifikuar me objektiv asistimin me hartimin e projekteve të konservimit për riparimin e çative dhe rigjallërimin e fasadave. Në mënyrë të veçantë, kompania konsulente do të hartojë planet arkitekturore për adaptimin sipas programit “Fjetje e Mëngjez), që nuk kërkojnë rehabilitime strukturore. Shërbimet që do të ofrohen nga Arkitektet do të konsistojnë në ekzaminimin e banesave, një vlerësim paraprak i kushteve strukturore të banesave dhe identifikimi i çështjeve strukturore. Më pas pronarët e shtëpive, që kanë përfunduar me sukses punimet, janë të pranueshëm për pjesëmarrje në nismën për programin “Fjetje e Mëngjes”. Shtëpitë e tilla, që nuk kanë qenë të nevojshme të përfshihen ne programin “Çatitë dhe Fasadat”, por që përputhen me kërkesat mundet, gjithashtu, të përfitojnë direkt nga nisma. Rinovimi i brendshëm nga do të përfshijë ndër të tjera instalimet në një banjo me dush dhe të gjitha rakorderitë përkatëse, vendosja e një rezervuari uji dhe një pompe, vendosja e paneleve diellore për ujë të ngrohtë. Gjithashtu përfshihet rinovimi vetëm i një dhome, për të shërbyer si një dhomë gjumi, duke përfshirë suvatimin, lyerjen, dyshemenë, parketin dhe derën e dhomës. Programi “Fjetje e Mëngjes” nuk përfshin,

Mobiljet, mallrat e shtëpisë, pajisjet e kuzhinës. Hartimi i projekteve të konservimit për çatitë, fasadat dhe planet arkitekturore për pjesëmarrësit për “Fjetje dhe Mëngjes” do të kryhen nga një kompani konsulente, që do të ketë specialistë, që janë të njohur me dhënien e shërbimeve të kërkuara në përputhje me materialet dhe teknikat tradicionale.

Nga veriu i shqiperise ka qene shume bukur kete vit. Une isha kalimthi ne Velipoje dhe ne Shkoder dhe u kenaqa (me thene te drejten!!!).

Nuk kisha qene me pare ne shkoder dhe me thene prape te drejten shkodra ishte shume e bukur. Mu kujtua Tirana e viteve 90, me hapesira plot dyqane bicikletash dhe plot me rob qe i jepnin bicikletave, goca te reja, cuna te rinj, pleq dhe plaka. Edhe Velipoja ishte relativisht paster ne toke dhe shume paster ne det. Rere sa te duash dhe pyje me pisha sic ka qene Durresi nje here e nje kohe. Kishte ca gjera te vogla alla shqiptarce por nejse meqenese gjerat e medha ishin OK keto voglat kalonin me nje buzeqeshje. Edhe cmimet si ne shkoder dhe ne Velipoje ishin shume te lira po ti krahasoje me Malin e zi, Kroacine.

Por ajo qe duhet thene eshte qe po te ishe i huaj ta sillnin ne maj te hundes si ne shqiperi apo Mal te zi dhe ne Kroaci. Si ballkanas (une ketu fush dhe greket sepse edhe atje e kam kete) jemi shume harbuter dhe te keqinj me te huajt por kam pershtypjen dhe me vete neve. Megjithate rruga eshte shume shume shume e bukur. Ia vlen ta besh nje here ne jeten tende. Pjesa e gjirit te Kotorrit eshte nje bukuri magjepse. Nga te gjithe vendet ku pime nje kafe, hengrem dicka qe nga Dubrovniku deri ne Tirane, vetem ne Ulqinj nje familje shqiptare dhe ne Hercegnovi (nje gjelltore familjeje) na kane pritur mire. Kemi folur me shume backpakcers gjate rruges dhe ata te njejten pershtypje kishin per trajtimin e turisteve. Ku te te xhvatin dhe te te marrin ndonje euro. Po te mos jesh i kujdeshem te rrjepin te gjalle. Kendej nga Mali i zi dhe kroaci e haje me fature ne dore kurse nga shqiperia pastaj e futmja ishte me informale.

Megjithate po flisja me nje grup Irlandezesh qe po e benin per here te dyte rrugen nga Igumenitca ne Dubovrnik dhe ata e merrnin me shume sportivitet. "This is the balkans men, you have to take it easy and go with the flow". Shume nga keta punojne ne Dubronivik neper restorante, bejne nje dore lek i fusin nje rruge per nje muaj gjate bregut. Ky p.sh e dinte qe kur kaloje kufirin malazez dhe shqipetar, shoferet e autobuzave dhe furgonave kishin rene dakord qe autobuzi i linjes Ulqinj-Shkoder ndalonte tek Ura e Bunes dhe jo tek stacioni i autobuzeve, aty i priste nje furgon qe i merrte dhe i conte ne Tirane me 10 euro per person ku cmimi i udhetimit me furgon apo autobuz normal eshte 4000 Leke. Te gjithe keta me backpack ngelen te habitur "Pse ketu eshte stacioni i autobuzeve?". Vetem nje qe shiste misra kishte aty dhe furgoni tjeter qe priste. "Po po ia bente shoferi ja ku e keni furgonin tjeter". Edhe ky Irlandezi e dinte kete marifetin dhe shkuam bashke me dy tjeter ne kembe deri ne qender te shkodres ku ishte stacioni i furgonave/autobuzeve per Tirane. Po dhe ai nje dite do rrinte dhe do nisesh per ne Igumenitce. 

Ja keshu gjerash i bejne turisteve! Megjithate sa per ujin e detit shumica e ketyre qe folem gjate udhetimit ulqinj-shkoder kishin informacion nga ambasadat e tyre qe te benin kujdes kur kalonin ne shqiperi sepse bredeti kishte zona shume te ndotura dhe ata me shume ishin te interesuar per vlerat kulturore sesa per detin. 

A happy tourist is a tourist that comes back thoshte nje artikull ne nje gazete ketu dhe bregdeti dalmat dhe vendet e mesdheut jane tashme destinacion "One-time-go" qe i shikon njehere per bukurine apo vlerat historike dhe kaq. Ne pergjithesi turistet nuk trajtohen mire dhe ngelin te pakenaqur nga mirepritja apo organizimi. 

vallai, nuk e pashe ca te fusnin kur isha ne mal te zi...kur shkoje ke qebaptorja paguje cmimin ke tabela ... Ne kafene menuja ishte ne tavoline...ne restorante cmimet ishin si ne shqiperi, kurse nje restorant shume i lezetshem ne sveti stefan ... s'kishte kom malzezi, vecse rus dhe na..i cik me shtrenjte po per cilesine e restorantit, nuk ishte shtrenjte.

pastaj njof dhe rob ne shqiperi qe s'bejne as nje dite pushim ne shqiperi, ikin o ne mal te zi o ne gerqi...ne vlore vene ne fundjavat e majit..apo shtatorit.

gjithsesi, plazhet e malit te zi jane shume shume here me te rregullta se ne shqiperi, heren e fundit qe bera nje krahasim une.

Nga veriu i shqiperise ka qene shume bukur kete vit. Une isha kalimthi ne Velipoje dhe ne Shkoder dhe u kenaqa (me thene te drejten!!!).

Mesa shoh paskemi qene ne dy Velipoja te ndryshme! Kam qene 2 dite atje dhe ndryshimi me Velipojen e para 4 vjeteve ishte katastrofal. E kishin qelbur fare linjat e autobuseve nga Kosova 2here/dite. Kosovaret, fatkeqesisht, nuk kane kulturen e plazhit dhe miresjelljen ne nje ambient publik relaksi; mungese respekti privacy te tjetrit, mbeturinat i mbulonin me rere, femijeve iu thonin te uronin ne rere ose brenda ne det, beheshin nga 20 vete bashke nen nje cader dhe ulerinin si ne pyll,...). Ndoshta ti ke qene tani ne gusht me fillimin e agjerimit dhe atehere kishin ikur por kur isha une vetem kosovare pashe. Autobuset ishin plot perdite dhe mesa pashe fuqia e tyre blerese ishte gati afer zeros, konsumi qe pashe ishte krofne(petulla) dhe makarona ne yndyre, pa salce. Nje embargo te semuresh qe, mesa duket, agjensite turistike i terhiqnin me besimet popullore qe plazhi iu sheron semundjet. Shihja plakat ne mengjes, te veshura me gjitha rrobat, qe hynin ne uje dhe hidhnin ujin siper vetes, me gojen hapur,...sikur donin te perpinin detin.

C'merzi Velipoja kete vit! smiley

"Si ballkanas (une ketu fush dhe greket sepse edhe atje e kam kete) jemi shume harbuter dhe te keqinj me te huajt por kam pershtypjen dhe me vete neve."

Vllai tem, a je i sigurte qe nuk ke qen pishem gjithe kohes?! Se llogjikisht dhe praktikisht ne perhere kemi te kqinj me njeri tjetrin, kurse te huajin e kemi mbajt ne pellembe te dores si per me ja fut si per t'mos. Sa per kusurin m'pelqen ky entuziazmi yt por si shume roze duket.

Po nuk u aplikua shkenca, metoda, logjika dhe racionaliteti ne kete rremuje te madhe, nuk ka shanse te aferta qe kete aset te madh (natyren) qe na ka dhuruar zoti, ta shfrytezojme per te begatuar. smiley

Ndotet masivisht bregdeti në Durrës, largohen pushuesit   Ndotet masivisht bregdeti në Durrës, largohen pushuesitDURRËS- Prej disa ditësh bregdeti prej Shkëmbit të Kavajës deri në Golem të Durrësit është ndotur masivisht në të gjithë gjatësinë e tij rreth 300 metra në thellësi. Në kanalin e Kovalishencës është rritur 4 herë më shumë volumi i shkarkimit të ujërave të zeza ´në det, pikërisht aty ku bëhet edhe dezinfektimi i tyre pranë Shkëmbit të Kavajës, c’ka ka sjellë një ndotje të madhe dhe erë kutërbuese në ë gjithë plazhin.

“Ka rritje shumë të madhe të nivelit të ujit, mbi 3 herë është shtuar sasia e ujit, ka ditë që vjen edhe i zi sterrë, që sjell edhe ndotjen në këtë kanal”, shprehet Specialisti i Mjedisit Shpëtim Kulli.

Ndërsa një pushues shprehet “S’bëhet fjalë të lahesh këtu, me ujë të ndotur nuk mund të lahesh”.

“Vjen shumë erë, më mirë të ikim”, thotë një tjetër.

“Rëra është e pastër, po deti i ndotur, do largohemi. Del shumë ujë nga kanali.”, shprehet një tjetër pushues.

Pronarët e hoteleve deklarojnë se situata në këtë sezon veror është e vështirë dhe se numri i pushuesve është i pakët.

“Me thënë të drejtën ky vit është shumë dobët. Masa duhet të merren më parë se të vijë sezoni”, shprehet pronari i një hoteli Besnik Shahini.

Situata e krijuar është konsideruar alarmante edhe nga Agjencia Rajonale e Mjedisit, e cila shkaktare nxjerr firmat që kryejnë punimet në unazën e plazhit, të cilat kanë devijuar shkarkimet e ujërave të zeza, por edhe punimet të cilat kryhen në hidrovorin e Kavajës, i cili po derdh në det mbetjet.

Inspektoriati i Mjedisit ka vendosur dje gjobë 300 mijë lekë për firmën ndërtuese dhe masën e pezullimit të punimeve deri në fund të sezonit turistik. Ka mbingarkesë në llumra, por jo në ujëra të ndotura. Kemi kryer analiza, presim përgjigjen e tyre. Jam i sigurt që deti është i turbullt por jo i ndotur, nuk kemi konstatuar gjurmë të vajrave apo naftës, por ne jemi në ndjeke të situatës.”, deklaroi Drejtor i ARM, Durrës Ramazan Kalia.

Duhet theksuar se ndotja masive e detit në Durrës, vjen në pikun e sezonit veror.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb) Lidhje te tjera

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).