Diku mbi ylber...
Ardi Stefa

Nën Hënën e plotë, në monopatet e hijeve, nata ndryshon trajtat…
Shtjella të vogla ere trajtëzohen në sokaqet e shkreta, mundet t’i ndjekësh në destinacionet e tyre sekrete nëpër Qytet, një cirk magjik shfaqet brenda pluhurit dhe sjell me vete pamje të tjetërbotshme, realiteti bën akrobacira në vakuum…
Qëndroj përpara dritares, në shoqërinë e disa pemëzave të vogla, që u përpoqa t’i ktheja në Bonsai dhe dëgjoj në magnetofon zërin e trishtë të një këngëtareje jo të njohur, një këngë, nga një epokë ku pak vëtë e kujtojnë ende. Përpara meje fotografia e Xheronimos, kryetarit të madh të indianëve Apachi, indiani plak me sytë e mëdhenj dheh me një vështrim pa shprehje, i rrudhur,. I zbërdhylët dhe gri si letra.
Heronjtë e mëdhenj nuk ekzistojnë më, askush nuk rrëfen më historira, gjyshërit përrallëtarë këna vdekur të gjithë...
Dikur ekzstonte një dhomë e vogël ku Zhyl Verni, i ulur në traezën e tij shkruante në gjysmëerrësirë librat e tij; dikur ekzistonte një dritare nga e cila Howard Phillips Lovecraft vështronte pamjen e heshtur, diku në një lagje të Argjentinë ishte një kopsht në të cilin udhëtonte, tashmë i verbër Borhesi dhe diku në Vlorë, në një shtëpi të vjetër, ekzistonte një pasqyrë, në të cilin u pa për herë të fundit një djalë i ri, një natë përpara se të varej...
Ku udhëtojnë tani të gjitha ato frymëzimet e çuditshme të poetëve, projektet e mëdha dhe pasionet guximtare të shkrimtarëve, tani, kur shpirtërat e tyre kanë ikur përgjithmonë?
Dhe këtu mbrapa, kush e vazhdon veprën e tyre?
Pyes veten, nëse shpirtërat e njerëzve të urtë, që jetojnë një jetë të përgjegjshme e të qetë shkojnë në parajsë, atëhere ku shkojnë shpirtërat e të panënshtruarve dhe rebelëve antikomformistë, shpirtërat e poetëve të mallkuar, të ëndërrimtarëve që humbën nëpër vite, që nuk bësjnë në dogma dhe fe dhe vënë mbi të gjitha njeriun? Ku shkojnë shpirtërat e atyre që zhyten në thellësitë e shpirtit njerëzor për të përshkruar të papërshkrueshmen, që shkojnë larg duke mohuar sigurinë e një jete meskine në kërkim të mrekullive? Në kërkim të mrekullive, në kërkim të një lartësimi dhe të shndërrimit të realitetit, për të ndryshuar botën?
Jetoj ende brenda librave, udhëtoj nga faqja në faqe së bashku me shkrimtarët e mi të preferuar; banojmë të gjithë bashkë në botën e mendimevedhe të Fantazisë; Njerëzit mundet të fantazojnë gjithçka, (mëkat që nuk e bëjnë)...
Vende të ndryshme brenda librave, shtete nëpër re, shtete të tëra që shkëlqejnë, anijet e piratit Barbarosaçajnë detin e qiellin, peripeci dhe pasione në drejtime të panjohura...
Rrëfimet e një ëndërrimtari, të Lordit Dansany, Libri i Mrekullive dhe Dritarja e Bukur, Njeriu që e quanin e Enjte e Chesterton, dr. Fu Manchu me njëmijë fytyrat, i padukshmi Orla i Gi de Mopasan, histori që kapërcejnë realitetin, universe paralele që banohen nga bardë, eksploratorë, ëndërrimtarë, qenie misterioze; të gjitha të shtrira mbi raftet e një biblioteke fantastike. Dëgjoj përsëri e përsëri në kaseta të vjetra zërat e njerësve të mëdhenj të së kaluarës, falët e tyre të zjarrta, të mbushura pasion, por edhe dhembje, ankth...
Shpirtëra që humbën në errësirën e shekujve, zgjohen përsëri pasi mesazhet e tyre jehojnë në vendin e kohës, bobinat rrotullohen pafundësisht, klithmat dhe përçartjet magnetizojnë atmosferën, fantazmat e tyre pëshpërisin misteriozisht, të rrëmbejnë larg, në thellësitë e mikrobotëve të çuditshme...
Zëri i Raymond Chandler tregon shëtitjet e tij të frymëzuara me një makinë të vogël në bridhet e Paqësorit ku lexonte krejt i vetëm revistën e tij të dashur, Black Mask, në varrezën e Mount Hope, në San Diego të Kalifornisë mbi pllakën që zbukuron varrin e tij është shkruar një frazë e tij:” ''Dead men are heavier than broken hearts”.
Ernest Hemingueji përshkruan me pasion udhëtimet e tij në kodrat e gjelbra të Afrikës, peripecitë e tij me gjuetarët e bishave, egërsirat dhe vlerën e një birre të ftohtë në mes të savanës së përvëluar dhe bukurinë e një perëndimi...
Brenda parazitëve dëgjohet zëri i Hugo Bal, i cili në ekstazë deklamon vargjet e pakuptimtë dadaiste të Gadji Berri Bimba, duke u dërguar kështu një notë freskie turmave ...
Gjeniali Robert Anton Wilson bashkëbisedon me një mollë të artë dhe pyet veten “Who is the Master who makes the grass green?”
Historira të një çmendurie krijimi, të përkushtimit artistic dhe të filozofisë ekstreme; ide të çmendura, fantazi jashtëtokësore dhe tentativa të guximshme, temperamente shpërthyese, zbulimi i refleksioneve të fshehta të shpirtit, kërkimet epike shpirtërore; vargjet tragjike të shkruara në shpërthime tragjike të dëshpërimit, por edhe ato këngë shpresëdhënëse, që kanë gjithmonë diçka nga zemra, që i dëgjon një herë dhe pastaj i përshpërit i vetëm në erë, në erën e fortë që mbështjen në kalimin e saj gjethe, jetë dhe shekuj bashkë...
”Somewhere over the rainbow
Way up high
There's a land that I heard of
Once in a lullaby

Somewhere over the rainbow
Skies are blue
And the dreams that you dare to dream
Really do come true”

“Ëndrrat që guxon të ëndërrosh”, këndon një zë i dridhur, nga pafundësia tek ti. Por a guxon?
Mes këtyre mendimeve të mësipërme fillon të shfaqet diçka shumë e rëndësishme.
Besoj se sekreti më i madh i botës është, në fakt, shumë i qartë dhe shtrihet gjithandej rreth nesh. Dhe çuditem gjithmonë me faktin se si njerëzit, ose nuk e shohin, ose thjesht, shtiren se nuk e shohin, d.m.th, akoma edhe kur ajo është gjithandej, ata thonë se ajo nuk u përket...
Zonja dhe zëtërinj, bota nuk është vetëm ajo që duket, nuk është vetëm ajo që dini, nuk është vetëm ajo që ju mësuan!
Janë edhe shumë gjëra të tjera të jashtëzakonshme, fenomene të paemërtueshmetë cilat qarkojnë botë të pafundme!
Ftohemi të gjithë ne të zbulojmë portat dhe daljet e kësaj rrjete të pafundme kozmike, të arrijmë të vështrojmë dhe të zbulojmë çdo cep të tij, të thyejmë monopolin e Realitetit dhe të derdhemi drejt së panjohurës, duke ndjekur monopatet që kanë zemër, d.m.th, ato që kanë horizonte të hapura për shpirtin, në mënyrë që të mund të fitojë të drejtën e lartësimit të qenies; të shëtisim në lagjet e universit të pafund dhe pse jo, të bëhemi edhe vetë ne udheheqës për ata që do të vijnë më pas, t’u tregojmë destinacionet, kryqëzimet, strehimet dhe aljet e rrezikut, të marrim pjesë të gjithë në këtë lojë universale, me të gjitha rreziqet që ajo përmban. Neve, lojtarët kozmikë, të shpërndarë brenda një Luna Parku të jashtëzakonshëm, të çuditshëm, të pafund, si atëhere kur akoma nuk i kishim harruar të gjitha këto, atëherë kur dashuria ishte e dlirë dhe ndërgjegjia nuk ishte rënduar, atëherë kur ishim fëmijë...
Bota e ideve që udhëton brenda tablove, në libra dhe mendime të komplikuara, kjo nevojë e gjithanshme që na shtyn në kërkimin e të çuditshmes, në esentrizmin, në bukurinë e vrgjër, në atë pjesë magjike të vetvetes që na tejkalon dhe krijonartet, kryeveprat, frymëzimet e ethshme që udhëtojnë drejt lartësive, duke rrëmbyer edhe zemrën.
Shpirti i lirëndërton vetveten, rrëfen historinë e tij brenda vargjeve, në një melodi, në një shpërthim kozmik që brenda pluhurit del çdo frymëzim, historia e të gjitha shpirtërave...
Flas për të gjitha ato çaste të mrekullueshme që ëndrrat e prekin, u japin krahë dhe të lehtë arratisemi larg, në shoqërinë e qenieve mitike dhe të fantazisë, varkëtarë të ajrit, guximtarë dhe kapërcyes të qiellit, drejt të Panjohurës me varkë Shpresën...
Të gjithë, dikur do të gjendemi në fund të kësaj bote, dhe atëherë do të nisë peripecia e madhe, për të cilën jemi krijuar, kjo hapje në pafundësi, që disa herë në ëndrra ndodh...


Shpirtra ëndërrimtarë...
djem të vegjël, të hipur në kaj të drunjtë, kalëronim tej dritës së dhomave tona fëminore, në vende të panjohura me magjistarë dhe shkretëtirat e pafundme me Xhindet, në kërkim të Neraidave në pyje të dendur të fshehura në mjegull; larg në vendet e indianëve të ashpër që ndërtonin me përkushtim totemet demoniake dhe magji të forta, me shpërthimet yjore dhe perëndimet e kuqe, në shoqërinë e kaubojvë të teksasit dhe në Arizonën e egër, duke ndezur zjarre natën, të lirë në ajër si zogjtë, me mijëra ëndrra në xhepat e shpuar dhe zemrat e mbushura dashuri...

1 Komente

Ufo tokesore dhe kaubojsa letrare?

Bota e ideve që udhëton brenda tablove, në libra dhe mendime të komplikuara, kjo nevojë e gjithanshme që na shtyn në kërkimin e të çuditshmes, në esentrizmin, në bukurinë e vrgjër, në atë pjesë magjike të vetvetes që na tejkalon dhe krijonartet, kryeveprat, frymëzimet e ethshme që udhëtojnë drejt lartësive, duke rrëmbyer edhe zemrën.

Or perhaps: Ufot tokesore, kaubojsat letrare dhe dueli per sendukun e bukurises e virgjer. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).