- Afër & Larg

Kjo është historia e një fshati që preferoi gjolin e Pogradecit në krahasim me malin ku e kishin vendosur të parët. Mund të jetë një histori e veçantë, mund të jetë një histori normale si për shumë fshatra të tjerë anë e kënd Shqipërisë. Vetë vendasit ngrenë supet kur ua kujton. “Nuk kishim se ç’të bënim më atje lart”, thonë me sytë e ngritur si me mall për nga mali. Çervenaka është një nga fshatrat e komunës së Hudënishtit. Fshatrat që shtrihen në të djathtë të rrugës Qafë-Thanë – Pogradec vendasit i quajnë fshatra “të Rrëzës”. Menjëherë pas tyre, ndër male fillon Mokra e famshme. Janë një popullsi që luhatet mes të qënit fshatar, minator, peshkatar, blegtor. Për ta nuk është shumë i rëndësishëm profesioni, për ta e rëndësishme është vetë puna. Dhe kur ajo mungon, atëherë njerëzit nisin të lëvizin.

Deri nga fillimi i viteve ‘90 Çervenaka mbahej nga një emër i vetëm: miniera e hekur-nikelit. Ishte edhe një kooperativë, por bujqësia nuk jepte aq shumë të ardhura sa miniera. Pas ‘90 nuk kishte më as kooperativë dhe as minierë, kështu që çervenakasit nisën “të rrëshqasin” ca nga ca drejt tokave të tyre që ishin në anë të gjolit, drejt një fshati tjetër, Memëlishtit.

Rruga

Që të shkosh në Çervenakë nuk duhet të udhëtosh shumë. Vetëm pak minuta nga rruga kryesore merret një kthesë diku në fshatin Memëlisht. Xhadeja ka mbetur që nga koha e minierës. Ajo është diçka mes një asfalti të vjetër, dheu të kuq dhe gurëve që kanë rënë nga mali. Rrallë e tek kalon ndonjë kamion që ul poshtë prodhimet e ndonjë guroreje apo mineralin e ndonjë galerie që ende vazhdon të jetë në punë. Kalimtarët e tjerë janë këmbësorë të lodhur nga vapa, ndonjë mushkë, të cilën i zoti e ka vënë përpara të ngarkuar me dru, apo ndonjë tufë bagëti. Heshtja është mbretëresha e këtyre shkrepave që ngrihen mbi pasqyrën e paqtë të gjolit të Pogradecit. Hera-herës ndalojmë që të shijojmë panoramën e mrekullueshme që shfaqet poshtë nesh. Në anë të liqenit vezullues duken fare mirë shtëpitë e Memëlishit, të mbledhura afër njëra-tjetrës në një si grykë që zbret nga malet e të parëve të tyre. Larg, shumë larg, dallohet ndonjë varkë e vonuar që po i afrohet bregut. Shumica e peshkatarëve kanë kohë që kanë mbërritur nga peshkimi i përditshëm. Pastaj në krah të fshatit shihet rreshti i gjatë i makinave që hyn e del nga Pogradeci. Ne vazhdojmë rrugën për më lart. Kur të mbërrijmë në fshat do të na thonë se tashmë jemi mbi 1100 metra lartësi nga niveli i detit.

Njerëzit

Më në fund, në një kthesë të beftë shohim një figurë njerëzore, me këmbë e me duar, njësoj si ne. Nuk e marrim vesh mirë nëse gëzohemi ne më shumë, apo kalimtari i lodhur, të cilit i shkëlqejnë sytë kur sheh një makinë, e cila bën të njëjtën rrugë me të. Ky është Shyqyriu. Njësoj si ne, edhe ky është nisur nga Memëlishti. “Kam ca bagëti lart në mal – thotë – e më duhet të shkoj. Një natë rri vëllai, e një natë unë. Është i vetmi burim jetese që kemi. Keq puna byrazer”. Shyqyriu është krejt i mbuluar nga një pluhur i kuq, tipik i këtyre anëve të pasura me mineral hekuri. “Po ti qënke ndryshkur fare o Shyqo!”, bën shaka njëri prej nesh, si jemi miqësuar ca me mikun e ri. Shyqo ngre supet: “Po ç’të bëj. Jam vetë i pestë në shtëpi. Vetëm unë punoj. Fëmijët ca janë pa shkollë, ca nuk e kanë qejf punën… keq puna, byrazer, keq puna. Sikur të kishin shkollë, hajdede! Po më mirë shkruaj unë që kam vetëm ca klasë, se sa ata! Ku jetohet kështu? Ku është parë që të jetosh pa punuar? Keq puna byrazer, keq puna!”. Shyqos i duhet të zbresë në anë të një të përpjete të fortë. “Ja shikoni rreth e rrotull – na tregon me dorë – para 20 vjetëve të gjitha këto anë ishin të mbuluara me pyje. Shihni gjë tani? I kanë prerë të tëra. Ah, po nuk ka shtet byrazer, or jo! Keq puna!”. E ndjekim me sy Shyqon teksa i futet një shtegu që të çon lart në mal. Vahzdon të mërmërisë me vete: Ah, po nuk ka shtet mor byrazer, keq, puna keq puna…

Në fshat, në fillim, takojmë një grua. Është duke kullotur një lopë e duke punuar me shtiza, që këtyre anëve u thonë “shtija”. Gruaja është që këndej, por si gjithë të tjerët shtëpia e saj tani është poshtë në Memëlisht. Kjo grua do të na prezantojë me Lefter Topallin, i cili shumë shpejt do të bëhet miku dhe shoqëruesi ynë nëpër fshat.

“Unë kam lindur këtu, në këtë fshat që tani është i braktisur – nis të na thotë Lefteri, teksa kemi marrë rrugë për në shtëpinë e tij – tani, si të gjithë ne, jetoj në Memëlisht së bashku me familjen. Në shtëpi kemi qenë shumë frymë, jetonim nga puna e rëndë e Rraifit, babait në minierë. Si shumica e burrave të fshatit, edhe ai punoi në minierë që me hapjen e saj. Ishte punë e rëndë, e rrezikshme, por ama atëherë me një rrogë minatori mund ta mbaja shtëpinë. E mbaj mend si tani babain kur kthehej nga puna. Ishte krejt i mbuluar nga pluhuri. Vetëm sytë i dukeshin. Vdiq 64 vjeç nga zemra. Unë vetë kam qenë më shumë i dhënë pas agronomisë. Nuk më pëlqente miniera. Më dukej një gjë që nuk kishte lidhje me malin, me qiellin, me pemët. Porse nuk m’u realizua dëshira për të vazhduar shkollën e lartë. Pastaj kam punuar vetëm pak kohë në kooperativë dhe pastaj në ushtri, në një repart kundërajrorësh që ishte lart në një majë mali. Tani, pasioni im janë bletët”. Në oborrin e shtëpisë së vjetër të Lefterit ka me dhjetëra koshere. “Sivjet nuk kanë vajtur mirë”, tund kokën Lefteri, ndërsa ulemi në anë të një sobe me dru ku valojnë disa tenxhere. Në fshat tani nuk ka më energji elektrike. Lefteri dhe e shoqja banojnë në shtëpinë e vjetër që nga maji e deri në tetor. Pastaj dimërojnë poshtë, në shtëpinë e tyre në Memëlisht, në anë të gjolit të madh.

E shoqja e Lefterit duket sikur është mësuar tashmë me jetën e vetmuar në fshatin e braktisur. “Po ç’të bëj – thotë – kështu është jeta jonë. Unë vetë varavitem lart e poshtë, sa këtu sa te fëmijët”.

Gërmadhat

Çervenaka duhet të jetë një fshat fort i vjetër. Emri i saj me siguri vjen nga crveni, sllavisht: i kuq, sikurse është gjithë dheu që rrethon fshatin. Ende ruhen toponime si “në kryqi”, apo “gropa e kishës”. Legjendat mbi origjinën e fshatit i patën shtyrë kërkuesit e thesareve që të vërviteshin për disa kohë edhe këtyre anëve. Lefteri na thotë se pleqtë e qëmotshëm kishin thënë se Çervenaka së bashku me Hudënishtin dhe Memëlishtin kishin qënë që prej kohësh që nuk mbaheshin mend çifligje të bejlerëve të Starovës.

Çatitë e shembura dhe drynjtë e mëdhenj mbi portat e vjetra janë ato që na bëjnë më shumë përshtypje në fshatin e braktisur. “Dikur ky fshat kishte më shumë se 70 shtëpi të banuara dhe ishte plot gjallëri – thotë Lefteri – tani po e shikoni vetë. Por e rëndësishme është që shumë fshatarë që janë larguar me kohë nuk pranojnë të shesin shtëpi apo toka. Mbase do të vijë një ditë që edhe rruga do të rregullohet dhe ky fshat të marrë sërish kuptimin që kishte përpara”. Por ajo ditë, të paktën neve na duket e largët teksa ecim përmes gërmadhave të gurta. Më hijeranda prej tyre duket se është shkolla. Dritaret e saj të shkulura na duken si sy të mëdhenj, të errët, që duan të thonë diçka. Pastaj vijnë gërmadhat e tjera që tashmë janë mbuluar nga gjelbërimi i harlisur. Tek-tuk dëgjojmë zhurmën e ndonjë sharre, shenjë kjo që edhe diku gjetkë është ngjitur lart ndonjë çervenakas. “Më duket se është filani - thotë Lefteri teksa bën përpara – edhe ai çoku vjen ndonjëherë lart”.

Gjallesat

Përveç heshtjes, këtu sundojnë edhe… kumbullat. Të kuqe, të verdha, shumëngjyrëshe, të harruara në anë të rrugës dhe ndër oborre të rrethuar me gërmadha ato duket sikur jetojnë në parajsën e tyre. Askush nuk i mbledh, askush nuk kujtohet për to, nuk ka më fëmijë që t’i bezdisin duke u kacavjerrë mbi degët e tyre. Kumbullat këtu ndjekin ritmin e tyre të pacënuara nga askush. Gjysmë të egra e fare të lira ato u gëzohen në fillim luleve, pastaj fryteve të tyre të cilat më pas i lëshojnë me hare përtokë. Tashmë ka shumë vjet që njerëzit, miqtë dhe armiqtë e tyre më të mëdhenj, as që kujtohen më për to.

Disa pula fare të lira shëtisin poshtë tyre në kërkim të ndonjë ushqimi. Nuk frikësohen nga njerëzit, përkundrazi prania jonë u kujton qëniet prej nga vjen ushqimi. Në kotecin e Lefterit pulat kanë bërë vezët e ditës. Lefteri e ndan me kujdes një vezë, që seç ka një ngjyrë tjetër. “Kjo nuk bën – thotë ai – kjo është vezë e vjetër që e lemë këtu, që pulat të vinë në kotec. Ndryshe nuk afrohen”. Jashtë në oborr e në shtigjet e gurta të fshatit “pulat e mashtruara” sillen plot krenari në lirinë e tyre.

Fshati ka pasur shumë puse. Në njërin prej tyre, në një pus të braktisur një zhabë – sikurse u thonë bretkosave këtu – po bën… “banjo dielli”. Ajo as që e ve ujin në zjarr nga prania e disa figurave njerëzore që nuk i ka parë kush e di që kur. Përkundrazi, lëshon nja dy ga-ga të hareshme dhe shtrihet në bark që të shijojë edhe më diellin e gushtit, një dhuratë e papritur për këto anë.

“Dikur kjo zonë ishte e mbushur me kafshë të egra – vazhdon Lefteri – tani nuk gjen më asgjë. Ari duhet të ketë mbetur, sepse më bëri dëm në një arë që e kisha mbjellë me tërshërë. Sa për të tjerat… Edhe dhelprat kanë zbritur poshtë, andej nga ka më shumë pula”.

Paraardhësi i celularit

Mbi fshat ndodhet një shkëmb i lartë. Vendasit e quajnë “Shkëmbi i Përgjegjur”. Jetë e mot, sa kohë që këto anë ishin plot me njerëz, ai kryente shërbimet e një PTT-je. Nëse hipje mbi të dhe lëshoje një thirrje drejt anës së Mokrës atëherë dëgjoje zërin tënd që kthehej mbrapsht. Nëse dikush e dëgjonte lajmin që ti kishe dërguar, atëherë që prej mijëra metrave larg vinte përgjigjja e “abonentit” të panjohur. Tani askush nuk ka nevojë më të ngjitet mbi “Shkëmbin e Përgjegjur” që të flasë me të tjerët. Vetëm vendasit e vjetër venë buzën në gaz kur kujtohen se si kanë komunikuar dikur me njëri-tjetrin.

Në Memëlisht

Lagja e çervenakasve në Memëlisht është krejt me shtëpi të reja. Shtëpitë e Lefterit dhe vëllezërve janë krejt ndryshe nga ato që kemi lënë pas vetëm pak minuta më parë. Këtu takojmë nënë Bajramen, të ëmën e Lefterit. Ajo na vë përpara disa fotografi të vjetra. “Ky është im shoq – thotë me sytë e ngulitur fort mbi foto – për 25 vjet e kam pritur të vijë nga miniera. Çdo ditë nuk e dija nëse do të më vinte burri gjallë, apo jo”. Rreth saj janë mbledhur tashmë pjesëtarë të tjerë të familjes dhe kujtimet për fshatin e vjetër, që tashmë nuk është gjë tjetër veçse një gërmadhë, marrin udhë. “Si të jetë më mirë për fëmijët, ashtu u bëftë”, përsërit herë pas here plaka e moçme. Ndër këmbët tona luan hareshëm një 5-vjeçar. Është Gelsi, më i vogli i shtëpisë. Mbase është i vetmi njeri në dhomë që nuk i interesojnë edhe aq historitë me fshatra që “rrëshqasin” nga mali drejt gjolit.

1943, vetëm pak më tej … *

“… Radhët partizane shtoheshin me të rinj e të reja nga qyteti dhe fshatrat. Çeta e Mokrës ishte kthyer në batalion, i cili kryente aksione kundër forcave armike. Një aksion i rëndësishëm qe ai i Pojskës më 16 korrik 1943. Në të morën pjesë edhe forca të batalionit të Dumresë dhe çetës së Bërzheshtës, gjithsej rreth 200 partizanë. Qëllimi i aksionit qe goditja dhe marrja e postës ushtarake e përbërë nga 2-3 makina, që udhëtonte çdo ditë nga Korça për në Tiranë. Por rasti e solli që mbrapa makinave të postës, udhëtonte edhe një autokolonë armike. Komanda e batalionit, që nuk e kishte parashikuar një forcë të tillë të madhe, i kishte përqendruar forcat e saj në fushë të hapur, pa punime dhe masa të tjera mbrojtëse të sigurta. Disa forca ishin vendosur majtas e djathtas, në kodrat që rrethojnë fushën, si edhe në shpinë për të mbrojtur krahët e për të përballuar ndonjë goditje eventuale. Kështu, forcat kryesore me komandantin e tyre Reshit Çollaku në krye, të vendosura buzë rrugës automobilistike, u ndodhën përpara një të papriture, që u kushtoi shumë shtrenjtë.

Italianëve u erdhën në ndihmë forca nga Pogradeci dhe Përrenjasi, dy autoblinda, dy avionë dhe një motoskaf, të cilët mitralonin mbi forcat partizane nga toka, ajri dhe liqeni. Megjithëse përpara një force shumë herë më të madhe në numër e superior në teknikë luftarake, partizanët luftuan me guxim e trimëri. Pas gjashtë orë luftimesh ata u tërhoqën, duke lënë në fushën e luftës 10 dëshmorë, midis të cilëve kuadro të vlefshëm politikë e ushtarakë: Reshit Çollaku, Siri Kodra, Ptoleme Xhuvani, Spiro Gjiknuri, Koli Gusho, Petrit Blloshmi, Isuf Leka, Ali Arapi, Arif Kuka dhe Dilo Nezha. Armiku la me dhjetëra ushtarë e oficerë të vrarë, si dhe një gjeneral të plagosur, që më vonë vdiq.

Kjo qe një humbje e madhe jo vetëm për Pogradecin dhe Mokrën, por edhe për të gjithë vendin. Qindra banorë të Pogradecit e fshatrave përreth, të rinj e të reja, nderuan me dhimbje të thellë dhe plot respekt të rënët kur ata u sollën përpara kishës në varrezat e qytetit. Për hakmarrje, fashistët dogjën fshatin Piskupat…”. 

*Marrë nga: Servet Lamçe, Kronikë shekullore në brigjet e liqenit, “Toena”, Tiranë 2004

5 Komente

 Rrofsh o Baxhak dhe Monda qe na ( per mua te pakten) sollet nje gje qe ja vlen me e lexu se keto dite peshku pa uje ka qene ku therret qameti,merre me mend tema kryesore ka qene "Karrotreci".

smiley

aman vejeni shprehje dite kete smiley

 Partizanet

...gjithsej rreth 200 partizanë.

....Komanda e batalionit, që nuk e kishte parashikuar një forcë të tillë të madhe, i kishte përqendruar forcat e saj në fushë të hapur, pa punime dhe masa të tjera mbrojtëse të sigurta. Disa forca ishin vendosur majtas e djathtas, në kodrat që rrethojnë fushën, si edhe në shpinë për të mbrojtur krahët e për të përballuar ndonjë goditje eventuale. Kështu, forcat kryesore me komandantin e tyre Reshit Çollaku në krye, të vendosura buzë rrugës automobilistike, u ndodhën përpara një të papriture, që u kushtoi shumë shtrenjtë.

------------------------------------------

Italianet

... nje autokolone armike....

...forca nga Pogradeci dhe Përrenjasi, dy autoblinda, dy avionë dhe një motoskaf, të cilët mitralonin mbi forcat partizane nga toka, ajri dhe liqeni.

...force shumë herë më të madhe në numër e superior në teknikë luftarake,

Bilanci

neve - 10 partizane te vrare

ata - Armiku la me dhjetëra ushtarë e oficerë të vrarë, si dhe një gjeneral të plagosur, që më vonë vdiq. smiley Po gjenerali nuk rrinte dot ne tank apo aeroplan po do luftonte vete me paticke/!!

Vdes per keto historite me partizane. Thuajse i kisha harruar.

Me pelqejne shume shkrimet e Baxhakut dhe udhetimet e tij ne vende qe shume nuk ua njohin historite. "Rrugetim" ka qene nje prej emisioneve te mi me te preferuar.

 Po nese çervenakasit zbresin ne tokat e Memelishtit, mesiguri qe duhet te kete dhe kontraditka, zenie, merira etj. Autori s'thote asgje per kete problem, a thua se ç'do gje shkoka si ne vaj aty. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).