Prej shumë ditësh minatorët e Bulqizës po dergjen të ngujuar në grevë urie rreth 1200 metra nën tokë, në një betejë mes dy frontesh, ku jeta e tyre po përdoret në mënyre të paturpshme nga shtetarë politikë e mediatikë. Gjithçka deformohet, pështjellohet duke u kthyer e kapërthyer në vullnete të blera e të shitura nga buratinë të neveritshëm, të cilët fshehin pas tyre interesa që shkojnë përtej sakrificës së minatorëve. Një morsë ku vdekja-bashkudhëtare e përditshme e bulqizakëve që punojnë nën tokë plekset e shfrytëzohet nga një tufë skllavopronarësh modernë, të cilët grabisin, rrjepin, masakrojnë e thithin jetë minatorësh ashtu siç shushunjat thithin gjakun.

Realitet i hidhur në ishullin që lind e vdes i varfër me një thesar nën këmbë, ku pasanikë bëhen pronarët e kukullat e tyre, ndërsa minatorët përpëliten ashtu si dje, ashtu si sot, e ashtu si nesër, sërish nën tokë.

Ata burra luftëtarë të së drejtës, që sigurisht nuk kanë as vilë disakatëshe në Tiranë si Kol Nikolla, as konto bankare, as kostum firmato e këpucë të llakosura si krerët e tyre të sindikatave. Ata burra që nuk bëjnë dot pushime në Dhërmi mes hotelesh të shtrenjta plot yjesh si sindikalistët e zellshëm që sot çirren e përbetohen për ndershmëri.

Jeta e minatorëve është një luftë e përditshme e varur në një fije të hollë mes jetës e vdekjes. Një luftë e padrejtë mes vështirësive të varfërisë e përpëlitjeve të fëmijëve që struken me ëndrra të shuara, ndryshe nga ata të sindikalistëve, që argalisen bregdetit me makina luksoze. Minatorët punojnë, ndërsa të tjerë jetojnë me djersën e tyre. Janë ata, sekserët e zellshëm që mbyllin gojën e familjeve kur ndonjë minator vdes në punë. Fakt është se në 20 vjet, shumë bulqizakë kanë lënë kockat nën tokë, por askush nuk është dënuar. Ne Bulqizë, edhe xhenazja mund të blihet. Por për këtë asnjë sindikalist nuk flet, nuk belbëzon, përkundrazi ofron zarfe lart e poshtë për të mbyllur gjithçka. Këto janë sindikatat shqiptare, një formë bordelloje moderne, ku çdokush që ka para mund të hyjë e të sigurojë shërbime favorizuese të çdo lloji.

Në fakt, nuk është aspak e vështirë të kuptosh që pas tyre fshihet dikush më i madh e i fuqishëm, në mos vetë shtetarët që shkarravisin pas sirtarëve një kontratë të re, ndoshta me një kompani tjetër. Në Shqipëri, edhe ato ndërrohen në varësi të ministrave apo më mirë, të interesave personale të tyre.

Një çorbë e hidhur ku është përfshirë edhe media, pas së cilës fërkohen duar interesash në galeritë milionere të kromit. Hajduti thotë kapeni hajdutin, apo më keq, të bën moral teksa artikulon të drejta të shkelura nën dhe, në po ato tunele mesjetare ku shfrytëzohen burrat e gjorë të Bulqizës. Në po ato tunele ku fshihen radhë kronikash e komentesh, qëndrimesh e reagimesh, në po ato tunele ku fshihen pseudoluftëtarë të lirisë së fjalës. Në ato tunele ku sot po shfrytëzohet jeta e qindra e qindra minatorëve sikur të ishin kafshë apo më keq, kavie eksperimentale. Sepse në Shqipëri ka media dhe media, ka djaj të veshur me kostum puritanësh, ka gjobëvënës të rëndomtë që përpiqen të rrjepin çka munden duke u strukur e mbështjellë pas forcës së shtypit. Mjaft të marrësh në dorë listën e pronarëve të galerive në Bulqizë, e do të gjesh në të emra jo pak interesantë, të cilët do të bëjnë të kuptosh, të besosh, ç’lloj kameleonësh fshihen në realitetin shqiptar. Sepse sot është koha e tyre, sot është koha e maskarenjve, e atyre që zvarriten duke lëshuar helmin e një korrupsioni që po mbyt shoqërinë shqiptare. Siç thoshte edhe i madhi Balzak – Korrupsioni është arma e mediokritetit. Është pikërisht ky mediokritet që valëzon kudo mes trupave, krahëve, këmbëve të pushtetarëve, për të përfunduar më pas në xhepat e tyre dhe të manekinëve që lodrojnë poshtë tavolinave.

Sindikalistë të regjur me para nën dorë, media të rrotulluara në vorbullën e interesave, e sigurisht, edhe kompani çalamane që veç premtimeve nuk bëjnë asgjë më shumë.

‘ACR’ nuk ka realizuar asgjë përkundrejt planit të detyrueshëm të investimeve, duke zgjedhur rrugën më të ndjekur në Shqipëri; atë të thithjes së pasurive kombëtare deri në ekstrem, ashtu siç bëri më parë edhe ‘Darfo’.

Parajsa me koston 1 euro ka ditur të rrisë me shumicë parazitë të tillë, të cilët vijnë, gërmojnë, thithin, përdridhen, e më pas largohen dyfish të fryrë e të nginjur me pasuritë e shqiptarëve. Viktimat e vetme janë minatorët, familjet e tyre e qyteti i Bulqizës, që duket si i mbirë nga shekujt e shkuar, sepse sigurisht, edhe kryetari i bashkisë është më i zënë me galeritë e vëllait të tij, njërit prej biznesmenëve më të fuqishëm të kromit. Sepse të gjithë në Bulqizë jetojnë me kromin, ose më mirë disa jetojnë e të tjerë përpiqen të mbijetojnë… 

4 Komente

5 e shkuar 5*

Mjaft të marrësh në dorë listën e pronarëve të galerive në Bulqizë, e do të gjesh në të emra jo pak interesantë, të cilët do të bëjnë të kuptosh, të besosh, ç’lloj kameleonësh fshihen në realitetin shqiptar.
...
edhe kryetari i bashkisë është më i zënë me galeritë e vëllait të tij, njërit prej biznesmenëve më të fuqishëm të kromit.

Une vete ndoshta do i kisha shkruar te gjitha emrat (gjithnje nese M.M nuk i ka permendur me pare keto emra), bashke me emrat e kryetareve te sindikatave.

Bulqiza eshte simbol i shfrytezimit nga te gjithe pervec minatoreve te cilet i kane lene te vdesin si qener. marini e ka prekur shpesh kete teme dhe duket qe e njeh mire. 5#

Me pelqen kur gjerat thuhen si ne kete shkrim.... media prej kohesh eshte bere pjese ne lojera te pista , ashtu si politika , kompanite dhe keta pseudosindikalistet si ky pasaniku Kol Nikolla. realitet i hidhur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).