Prej 16 ditësh, 13 minatorë vazhdojnë grevën e urisë në galeritë e nëntokës, të vendosur për t'i shkuar në fund, deri në plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike e sociale. Gjëndja shëndetësore e grevistëve në nivelin e 14-të nën tokë vazhdon të përkeqësohet, ndërsa ACR propozon zhvillimin e një takimi nesër në orën 11:00 në Tiranë. Minatorët refuzojnë: Takimi të bëhet në Bulqizë.  Paralajmërojnë dhe bllokim të aksit nacional. Hesht Ministria e Punës, reagon METE: te mbyllet perkohesisht MInierea e Bulqizes. RISHM padi drejtuesve te greves: shkaterruan pronen publike.

METE: TE MBYLLET PERKOHESISHT MINIERA E BULQIZES
Ora 14:45-Ministria e Ekonomise, Tregtise dhe Energjitikes (METE) ka vendosur te pranoje kerkesen e Repartit i Inspektimit te Shpetim Minierave per te mbyllur perkohesisht Minieren e Bulqizes deri ne nje rehabilitim te plote te saj. Keshtu pergjate periudhes se rehabilitimit, puna ne Miniere do te pezullohet. Sipas METE, kushtet ne Miniere jane te veshtira dhe rrezikojne jeten e minatoreve.

RISHM PADI PENALE DREJTUESVE TË GREVËS, SPECIALISTËT HYJNË NË MINIERË

Ora 14:40-Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave (RISHM), institucion në vartësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), ngre padi penale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në ngarkim të drejtuesve të grevës së urisë të minatorëve të Bulqizës. 
Sipas burimeve zyrtare pranë këtij institucioni, akuza kundrejt drejtuesve të grevës së urisë bëhet për shkak të dëmtimit, me pasoja të rënda, të pronës publike shtetërore dhe shkelje të rënda të sigurisë në punë, në veprimtarinë minerare, që cenojnë jetën dhe shëndetin e minatorëve. 
Ngritja e padis penale nga ana e RISHM-t, vjen pas thirrjes që i bëri dje ky institucion minatorëve të Bulqizës, për të lejuar inspektorët e këtij institucioni, të kryenin survejim të gjendjes së minierës. 
Ndërkohë specialistë të RISHM janë futur rreth orës 14:30 në minierën e Bulqizës. Specialistët kanë nisur menjëherë inspektimin e gjëndjes së minierës. 

MINATORET: TAKIMI JO NE TIRANE; POR NE BULQIZE
Ora 13. 48 Minatorët refuzojnë vendtakimin e propozuar nga ACR për nesër në Tiranë. Minatorët kërkojnë që takimi të zhvillohet në Bulqizë, ku janë të ngujuar dhe minatorët grevistë.Ata kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.

ACR: MIREPRESIM BISEDIMET, TAKIMI NESER NE 11:00

Ora 13: 30 Kompania ACR deklaron se mirëpret bisedimet për t’i dhënë fund situatës së krijuar në minierë, dhe propozon zhvillimin e një takimi nesër në orën 11:00 në ambientet e zyrave të ACR në Tiranë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp ACR thotë se situata „ka shkaktuar humbje të rënda për kompaninë, ju dhe familjet tuaja“ dhe se „Ne besojme se me dëshirën e mirë, si nga ne ashtu edhe nga ju, do të arrijmë një zgjidhje të shpejtë .“ ACR propozon që përfaqësitë të përbëhen nga 5 anëtarë. Në krye të grupit negociator nga ana e ACR do të jetë administrator z.Giga Bedineishvili. Gjithashtu ACR njofton se mirëpret kryebashkiakun Keta si kryenegociator, duke patur parasysh që ai gëzon edhe besimin e minatorëve. 
ACR nënvizon se në përfaqësinë e minatorëve mirëpret secilin nga 695 punonjësit, me përjashtim të atyre personave që kanë ushtruar dhunë ndaj administratës së ACR dhe që tashmë ndiqen penalisht sipas ligjeve në fuqi.
Gjithashtu ACR thotë se është dakord që mes minatorëve të përfshihen dhe një grup minatorësh të përfaqësuar nga Shukri Cupi dhe Afrim Disha, „të cilët mendojnë se komiteti i grevës nuk përfaqëson interesat e tyre“ . Pritet konfirmimi nga minatorët.

MINATORET KECENOJNE ME BLLOKIM TE AKSIT KOMBETAR
Ora 11:00 Kreu i konfederatës së minatorëve Kol Nikollaj në një prononcim për NEWS24 deklaroi sot paradite se minatorët janë të gatshëm të bisedojnë, ndërsa janë në pritje të një sinjali nga ana e përfaqësuesve të kompanisë ACR për takimin e sotëm.  "Institucionalisht nuk na kanë thënë asgjë. Nga rrugë jozyrtare na kanë thënë se janë nisur nga Tirana drejt Bulqizës, dhe ne duam ta besojmë këtë"- thotë Nikollaj duke i akuzuar se "Duan t'i lodhin minatorët të ndërpresin grevën, dhe të vazhdojnë të abuzojnë me ta sic kanë vepruar për vite me radhë”- deklaroi Nikollaj.

"As  nuk ka një sinjal nëse do të zhvillohet takimi apo jo ndërsa minatorët kërcënojnë se nëse nuk do të zhvillohet sot takimi me ACR, atëherë 700 minatorë do futen në grevë dhe do bllokojmë rrugën nacionale Tiranë- Peshkopi në Qafën e Buallit”- raportoi sot në mëngjes korrespondenti i NEWS24. Sipas tij kjo është kërkesa e minatorëve që i është prezantuar konferederatës. 

Takimi pritet të japë një zgjidhje vendimtare rreth situatës me minatorët e ngujuar në grevë urie prej 2 javësh dhe shpëtimin e minierës, që ka shfaqur probleme të mëdha teknike.

Takimi ishte planifikuar për tu zhvilluar një ditë më parë por u shty për shkak se përfaqësuesit e kompanisë nuk ishin dakord për orarin e zhvillimit të tij, ndërsa keu i Konfederatës Sindikale të minatorëve e komentoi si "shakaja e radhës e ACR-së". 

RENDOHET SHENDETI I MINATOREVE
Ora 11:00 "Gjëndja është shumë e rëndë. Minatorët grevistë janë tepër të rënduar dhe psikologjikisht për shkak të heshtjes. Kemi tentuar të largojmë 3 prej tyre nga greva por nuk kanë pranuar. Ata kanë thënë se nuk do ketë asnjë lloj nënshkrimi të ndonjë protokoll-marrëveshjeje me ACR, pa e lexuar vetë”- përshkruan situatën Kol Nikollaj, kreu i konfederatës së minatorëve. "5 prej grevistëve janë në gjëndje kritike. Ata vazhdojnë të trajtohen me serum dhe nuk pranojnë të largohen nga greva"- raporton NEWS24.

HESHTJA E MINISTRISE SE PUNES 
Prej 16 ditësh minatorët vazhdojnë grevën e urisë në galeritë e nëntokës, ndërsa Ministria e Punës dhe Cështjeve Sociale vazhdon të heshtë. Asnjë reagim nga ky institucion qeveritar, titullari i të cilit është edhe kreu i Këshillit Kombëtar të Punës, i cili duhej të luante rolin e negociatorit mes minatoreve dhe kompanisë ACR. Ndërkaq duhet theksuar dhe fakti se as nga opozita nuk ka pasur ndonje qëndrim për grevën e urise dhe heshtjen e insititucioneve. I vetmi ze i opozitës në mbështetje të grevës ka qene deputeti i zonës, Qemal Minxhozi. Institucioni i vetëm që ka reaguar në lidhje me grevën e urise ka qenë Ministria e Ekonomisë, përmes repartit te inspektim-shpëtimit te minierave. 

RISHM: TE MBYLLET MINIERA
Reparti i Shpëtim Minierave, RISHM e varur nga Ministria e Energjitikes, Tregtise dhe Ekonomisë propozon mbylljen e përkohshme të minierës, dhe pezullimin e lejes minerare për ACR. 

“Ndërprerja e punës degradon minierën, në këtë rast rrezikohet jeta e punëtorëve dhe pasuria kombëtare. Ndaj miniera e Bulqizës të mbyllet përkohësisht deri në një rehabilitim të plotë të saj”, ishin konkluzionet e dala nga mbledhja e mbrëmshme e RISHM. Propozimet e do t'i kalojnë direkt Ministrit te METE, Nasip Naco.

Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR. Firma ka pranuar të rrisë 20% pagat dhe të nisë investimet në minierë.

SOLIDARIZOHEN MINATORET E PUKES 
250 minatorë të minierave të Pukës solidarizohen me minatoret e Bulqizës.Kreu i sindikatave te pavarura të këtij rrethi Gjon Zeka përmes një deklarate për shtyp i bëri thirrje sot kompanisë ACR të plotësojë kërkesat e kolegëve të Bulqizës, ndërsa ka paralajmëruar fillimin e protestave në mbështetje të grevistëve.

6 Komente

Top Channel - Kromi, një histori abuzimesh 

Historia minierës së Bulqizës përbën ndoshta një nga dështimet më të mëdha me koncesionet, ku mpleksen viktima të pafajshme, fitime marramendëse dhe afera të dyshimta korruptive, që shkojnë deri në nivelet më të larta të qeverisë.

Në vitin 2001, ish-qeveria e atëhershme socialiste, miratoi koncesionin e parë të minierës së Bulqizës, së bashku me disa objekte të tjera që përfshinën dhe fabrikën e pasurimit të kromit. 

Koncesioni iu dha një kompanie italiane me emrin DARFO. Për më shumë se 5 vite italianët shfrytëzuan minierën, rezervat dhe stoqet e akumuluara në vite pa bërë asnjë investim. Nga fundi i vitit 2006, DARFO u largua dhe ia shiti koncesionin një grupi, ruso-austriak te quajtur ACR. 

Shitja u mbikqyr nga ministri i atëhershëm i Ekonomisë Genc Ruli, i cili ishte dhe njeriu që negocioi marrëveshjen e re të koncesionit. Sipas marrëveshjes, që u votua në kuvend në vitin 2007, ACR detyrohej të investonte deri në fund të 2010 të investonte të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë. 

Koncesioni i ri solli shpresën se më në fund problemet në minierë do të përfundonin dhe investitorët e rinj do të nisnin investimet për të përmirësuar kushtet e minatorëve dhe rendimentin e minierës. Por historia u përsërit. E nxitur nga cmimet rekord të kromit në vitet 2007-2008, kompania nisi shfrytëzimin masiv të rezervave të akumuluara nga vitet e komunizmit, ndërsa investimet zvarriteshin. Ndërkohë në minierë, minatorët humbisnin jetën njëri pas tjetrit, për shkak të mungesës së investimeve. 

Pas tre vitesh shfrytëzim, ACR kishte shkelur të gjitha planet e investimeve që detyronte marrëveshja. Në këtë situatë në 7 korrik të vitit 2009, kompania i drejtohet Ministrisë së Energjetikës, ku i kërkon të ndryshojë marrëveshjen e koncesionit. Vetëm dy ditë më vonë ish-ministri Genc Ruli firmos ndryshimin e marrëveshjes duke shtyrë mbi 13 milionë euro investime për vitet 2009-2013, edhe pse sipas koncesionit investimet duhet të kishin përfunduar sakaq.  

Vetëm pak ditë para se të linte detyrën Genc Ruli, kishte ndryshuar një marrëveshje të votuar nga kuvendi në kundërshtim të hapur me ligjin. 

Pas publikimit të skandalit në Top Channel, ish ministri Ruli reagoi duke dhënë versionin e tij se pse e ndryshoi marrëveshjen pa e kaluar në kuvend, duke thene si arsye pushimet verore te deputeteve.Pak ditë më vonë prokuroria njoftoi publikisht celjen e hetimeve. Dosja edhe sot vazhdon të endet në zyrat e saj, ndërsa abuzimet në minierë vazhdonin. 

Pas zgjedhjeve të vitit 2009 në krye të Ministrisë së Energjetikës vjen Dritan Prifti, i cili tentoi të anullonte koncesionin duke e quajtur marrëveshjen zyrtarisht të dështuar.

Por edhe kjo nismë u zhbë shpejt. Kërcënimet dhe akuzat për heqje koncesioni mbeten vetëm deklarata dhe nuk u mor asnjë hap ligjor për t’i dhënë fund abuzimeve dhe shfrytëzimit barbar të minierës. 

Tani ekspertët thonë se miniera rrezikon të shembet, për shkak të shfrytëzimit pa kriter dhe investimeve të munguara. Ky do të ishte kulmi tragjik i një historie dështimi dhe korrupsioni qindra milionë dollarësh, që sheh të implikuar që nga bandat e kriminelëve ordiner e deri tek zyrtarë më të lartë të këtij vendi, që kanë hedhur thonjtë dhe po abuzojnë me një nga pasuritë më të mëdha të këtij të shqipërisë. Rezervat e kromit, për të cilat thuhet se vendi renditet i katëri në botë. 

 Or ti shoq!

Burri eshte si guri, dhe guri pa dinamit miniere nuk leviz pri veni!

Revista MAPO - Minatorët, në pritje te ... Godosë 

Nga Ben Andoni

Duket e vështirë për minatorët e Bulqizës të realizojnë kërkesat e tyre të drejta në një shtet, që jo vetëm nuk i mbron por edhe i mënjanon, ashtu si ka bërë deri më tani kryeministri i vendit dhe vartësit e tij të Ekzekutivit. Nga ana tjetër, Palët e përfaqësimit akuzojnë njëra-tjetrën, ndërsa të vuajturit në këtë mes mbeten minatorët dha familjet e tyre…

“Kryeministrit Berisha ia kemi përcjellë shqetësimin tonë prej shumë ditësh. Por, ai s’na është përgjigjur as për mirë dhe as për keq. Do të donim një përgjigje zyrtare, çfarëdo që të ishte ajo. Nëse kjo nuk na vjen, atëherë kuptohet se ai vetë, është pjesë e problemit”, tha ditën e premte për MAPO-n, kryesindikalisti i minatorëve Kol Nikolli. 

Problemi 

Është e thjeshtë: Vetëm 200 Euro marrin sot pagë mujore minatorët, e cila me një rritje prej 40% llogaritet të shkojë në gati 300 Euro, që do të thotë se është një rrogë mbijetese në kushtet e shtrenjtësisë së pakufishme, me të cilën jeton vendi ynë sot. Kësaj minatorët i kanë shtuar dhe kushte më të mira pune dhe rritjen e investimeve në minierë, gjëra të premtuara nga firma austriake në fillim të punës. Bash, për këto tre çështje është debatuar të gjithë javën dhe nuk është gjetur gjuha e duhur. Ndaj, që nga fundi i korrikut, të 700 minatorët janë futur në një grevë urie në kuotën 1400 metra nën tokë. E jo më kot.

Për shkak të kushteve të pasigurta, në këtë minierë janë vrarë 18 minatorë në 3 vitet e fundit, ndërsa miliona euro investime të premtuara s’janë bërë për zgjerimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e minierës; s’janë realizuar investimet e premtuara në thellësi; s’është futur në punë Uzina e Ferrokromit në Burrel; s’janë ndërtuar mjediset higjienike të dhomave të tharjes dhe kompleksin e dusheve; s’është bërë sigurimi i ujit të pijshëm në 24 orë, në sasi e cilësi në minierë, me rrjet të veçantë; s’është futur furnizimi me ushqime polivalente e antidote të minatorëve, në përputhje me ligjin për sigurinë e shëndetit, s’është bërë menca e punëtorëve apo të bëhej largimi i firmave private që shfrytëzojnë kromin afër. Të gjitha gjëra bazike dhe të premtuara nga austriakët. Me pak fjalë, ACR-ja si është përmbajtur kontratës së miratuar 3 vite më parë në parlamentin shqiptar, e cila ka përcaktuar pa asnjë shmangie dhe madje të precizuar me limite kohore 34 detyrime të “ACR”, ku në këtë rast bëjnë pjesë edhe 12 kërkesat bazike që prezantojnë prej një muaji në grevën e tyre minatorët e Bulqizës. Për fat të keq, jo vetëm s’janë realizuar kushtet e kontratës koncensionare, por madje s’janë bërë edhe ato që kanë të bëjnë me sigurimin e plotë të uniformave e mjeteve të punës së minatorëve….

E ndërkohë, që deri në fundjavë, shëndeti i tyre përkeqësohej, dyluftimi ka qenë mes përfaqësuesve të tyre të sindikatës, Z. Nikolli dhe përfaqësuesit të kompanisë koncesionare ACR, ku pala austriake megjithëse është nisur për dialogun e inincuar nga kryetari i bashkisë së Bulqizës Roland Keta, nuk ka pranuar të ulet me grevistët, nëse ata do të përfaqësoheshin nga kryesindikalistët Kol Nikolli dhe Taf Koleci.

Diferenca

Z. Giga Bedineishvili, përfaqësuesi i firmës, e ka konfuzuar më shumë situatën tamam në kohën që u duk se gjërat do zgjidheshin e bash kur delegacioni i ACR-së iu afrua fizikisht Bulqizës. Arsyeja ka qenë vërtetë disi banale, kur mendon grevën që po zgjat tashmë në limitet humane të vetësakrifikimit. S’kanë pëlqyer anëtarët e sindikatës. Z. Nikolli në pozicionin e kryetarit të Sindikatës, ka thënë për MAPO-n se është e pamundur që të ulen në bisedime punëtorët pa pasur dhe përfaqësimin e Sindikatës së tyre, ashtu si kërkon përfaqësuesi gjeorgjian i firmës. Ky është një rregull i sanksionuar me të gjitha ligjet në këto raste, sipas tij. Ajo, që i ka shqetësuar grevistët ka qenë prononcimi i administratorit Giga Bedineishvili. “Unë jam në kohë, ndërsa koha e Kol Nikollit ka mbaruar”. Kjo i ka irrituar shumë grevistët që s’shohin predispozitë ndërkohë që kanë referuar shumë shantazhe nga ana e disa burimeve, që ata i lidhin me kompaninë austriake. “Kemi pasur shumë shantazhe që kanë ardhur nga drejtime të ndryshme, ka referuar Z. Nikolli, i përqendruar t’i shkoj deri në fund kësaj ndërmarrje, që nuk duket shumë e vogël. “Duhet që struktura shtetërore të marrin masa ku duhet dhe këta njerëz duhet të përgjigjen para organeve kopetente për shantazhet ndaj sindikatës dhe njerëzve të saj dhe strukturave të korruptuar. Ne kemi bërë mesazhe publike që na kanë bërë shantazhe dhe premtime si edhe na kanë kërcënuar dhe me emra që nga emri i lidërshpirit me akuzën se ata janë të manipuluar…”.

Ndërsa kryeadministratori, që tre ditë më parë qëndroi larg Bulqizës është shprehur për median se: “Unë jam i gatshëm të bisedoj me secilin nga 695 punonjësit, por jo me ata që janë me precedentë penalë. Nuk mund të bisedoj gjithashtu me ata që më kanë dhunuar administratën e minierës, duke na nxjerrë dhunshëm nga zyrat e saj. Nuk mund të dialogoj me arkitektët e grevës, Kol Nikollën dhe Taf Kolecin, që i përdorin minatorët për të realizuar qëllimet dhe interesat e tyre personale, por vazhdoj të mbetem i gatshëm të negocioj me një përfaqësi punëtorësh prej katër vetash për zgjidhjen e kërkesave të tyre, ku siç dhe kemi bërë me dije një pjesë e mirë e tyre është zgjidhur”. Këtyre akuzave z. Nikolli u është përgjigjur se: “ACR-ja është e detyruar të ulet në bisedime. Kjo që bën koncesionari është vetëm shantazh ndaj sindikatës, pasi jashtë sindikatës as që bëhet fjalë për bisedime. Unë nuk kërkoj marrëveshje personale, por institucionale në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Qëndrimi i ACR-së, nuk është gjë tjetër, por veçse një provokim tejet banal, që e çon situatën në minierë jashtë kontrolli”.. 

Ministria e Punës dhe Ekonomisë

Por duket se manipulimi i gjithë situatës vjen edhe nga mungesa e prezencës së disa instancave. Mbi të gjitha: ato janë Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale, e cila duhej të ishte prezente dhe të ndiqte problemin konform ligjit shqiptar dhe Ministrisë së Ekonomisë, që duhej të merrej dhe të vëzhgonte ecurinë e punës së ACR-së. “Do të them me pak fjalë, shton Nikolli për MAPO- atë që ka thënë një minator i ngujuar se fatkeqësia jonë është që kanë mbetur shtatzënë Ministria e Punës dhe Ministria e Ekonomisë dhe ndaj s’mund të zgjidhin situatën dhe ndaj edhe kërkojmë kryeministrin”. Çështja është vërtetë serioze dhe Ministria e Ekonomisë në këto kushte duhej t’i drejtohej arbitrazhit të Parisit për të zgjidhur si problem. Ai është institucioni i autorizuar që merret me mbarëvajtjen e koncesionit ndërkohë që kuptohet se ata se kanë bërë fare, sipas sindikatës së minatorëve. “Jo vetëm nuk kanë kërkuar asgjë, por ata s’kanë këqyrur se ata s’kanë bërë asnjë investim dhe ne i kemi të dokumentuara gjërat sesi miniera po shkon drejt mbylljes”…

Duke pritur Godonë

Ata, që e kanë vuajtur dhe që po e vuajnë këtë paradoks janë minatorët dhe jetët e tyre. Tashmë në kronikat mediatike është bërë fare e zakonshme që të dëgjosh për vdekjen e ndonjë minatori, sepse kushtet lënë për të dëshiruar dhe subjektet që merren me shfrytëzimin e nëntokës shpesh nuk janë në lartësinë e duhur. Këtyre u shtohet kontrolli i dobët nga strukturat shqiptare përgjegjëse, si janë në këtë rast respektivisht të dy Ministritë: ajo e Punës dhe e Çështjes Sociale dhe Ministria e Ekonomisë që së bashku nën primatin e tyre kryeministrit Berisha nuk kanë pasur asnjë reagim në lidhje me situatën e krijuar. Kjo i ka bërë minatorët t’i mbajnë sytë lart për të pritur ndryshime, që duket se ende duan shumë kohë për të ardhur, për të mos thënë që mbeten pak hipotetike. Jo më kot, prej kësaj vetëdije, këtë mes-javë në ndihmë të grevistëve kanë ardhur dhe minatorë të tjerë nga e gjithë Shqipëria, duke e bërë kauzën e tyre si kauzë të përgjithshme.

E në fund prononcimet disi kaotike që kanë përcjellë grevistët kanë sjellë para opinionit edhe një problem jo të vogël: Ky ka të bëjë me nivelin e tyre përfaqësimit. Minatorët duket se janë shumë të papërfilluar në përfaqësimin e problematikës së tyre. Nuk është e vështirë të kuptosh mungesën e vullnetit politik, që edhe këtë herë po e tregon hapur se nuk do t’i përfillë dhe që nuk e merr fare parasysh nivelin e tyre të përfaqësimit me sindikatën. Kjo e fundit e nëpërkëmbur shpesh ka treguar se për minatorët s’ka problem vetëm në rritjen e pagës, masat e sigurisë dhe investimet, por edhe përfillja. Me çfarë po ndodh, ashtu si rëndom ngjasin gjërat në Shqipëri, problemi është më i thellë sesa kërkesat e minatorëve, që kanë ngulur sytë në ashensorin e nivelit të 14-të bindur për zgjidhjen deux de machine të Godosë, që ende s’po duket.

 Monda,

Thirr noi rob tjeter ketu, noi te barazlargum, thuji qe kena gjet ca te papune qe dune me ju bashku iniciativesse mbledhjes se plerave ne Bulqize..

Ja se po mundohet Alone me lart, te shohim, mbase, ku i dihet, po edhe ne mos ... eshte ceshtje kulture, tha km-ja per plehrat.  

Lajme mjaft interesante nga shefi i RISHM. Sipas top-channel ka kerkuar nga policia e shtetit largimin me dhune te hallexhinjve. Natyrisht miniera eshte pasuri komebtare ndersa ata jane thjesht ca fakire qe luftojne me jeten pikerisht per te mbrojtur kete pasuri kombetare qe ky drejtor permend, nga zhvatja.

Eshte e cuditshme kur ministria e ekonomise vetem mbas greves se urise konstatoi qe investimet nuk jane bere plotesisht ne miniere nga ana e ACR-se, dhe ne te njejten kohe zyrtar i kesa ministrie ben me faj minatoret per gjendjen e minieres.

 

O tempora o mores..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).