NATO i kufizon Shqipërisë aksesin dhe për informacionin e klasifikuar për çështjet atomike. Në seancën e fundit parlamentare është miratuar një nismë në të cilën ratifikohej “Protokolli që ndryshon aneksin e sigurisë së marrëveshjes ndërmjet palëve të traktatit të Atlantikut Verior, për bashkëpunimin për informacionin atomik”. Gjithashtu, ndryshimi i këtij protokolli parashikon dhe rritjen e monitorimit të Shqipërisë për mënyrën e ruajtjes së dokumenteve. Në këtë marrëveshje janë ndryshuar rregullat në lidhje me marrjen e informacionit të klasifikuar. Çdo informacion që do të jepet nuk do të kalojë më parë nga zyrat e Sigurimit në NATO, NOS dhe të shërbimeve sekrete të SHBA-së.

Një fakt i tillë është konfirmuar nga ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Drejtorisë e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar. Sipas ekspertëve, të gjitha të dhënat, informacionet sekrete për çështjet atomike më parë duhet të filtrohen nga zyrat qendrore të NATO-s. Ajo që bie në sy është se inspektimi i NATO-s në Shqipëri nuk do të kryhej një herë në vit, por është lënë e hapur mundësia që ai të realizohet në çdo kohë. Ndërsa nuk dihet ende nëse një ndryshim i tillë prek vetëm Shqipërinë, si anëtare më e re NATO-s, apo dhe shtetet e tjera. Kohë më parë, zyra e NATO-s pati një përplasje me Shqipërinë në lidhje me ligjin e SHISH, ku vënia nën kontroll e këtij institucioni nga qeveria shqiptare u kontestua dhe nga vetë kreu i Aleancës, Rasmunsen.

Në draftin e votuar nga Kuvendi dhe të dekretuar nga Presidenti i vendit, Bamir Topi, theksohet se duke pasur parasysh që zhvillimet në sigurinë e informacionit atomik kërkojnë rishikimin e shpeshtësisë së inspektimit të plotë të sigurisë së të gjithë elementëve ushtarakë dhe civilë të NATO-s dhe të shteteve anëtare që kanë marrë informacion në bazë të marrëveshjes ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut Verior për bashkëpunimin në lidhje me informacionin atomik, palët e poshtëshënuara kanë rënë dakord që të ndryshojnë mënyrën e inspektimit. “Inspektimi i plotë i sigurisë së të gjithë elementëve ushtarakë dhe civilë të NATO-s dhe shteteve anëtare që kanë marrë informacion atomik sipas marrëveshjes kryhet rregullisht, gjatë një periudhe që përcaktohet nga Këshilli i Atlantikut Verior me kriteret e parashikuara në seksionin I, paragrafi A i këtij aneksi’”, thuhet në marrëveshjen e ndryshuar. Më parë ka qenë e përcaktuar se një kontroll bëhej një herë në vit. “Inspektimi gjithëpërfshirës i sigurisë i të gjitha elementeve civile dhe ushtarake të NATO-s dhe shteteve anëtare që kanë marrë informacion atomik, sipas marrëveshjes, bëhet rregullisht, por jo më pak se një herë çdo dymbëdhjetë muaj, në pajtim me kriteret e parashikuara në seksionin I, paragrafi A i këtij aneksi.

Këto inspektime bëhen nga agjencitë e NATO-s që kanë përgjegjësinë për zbatimin e programeve të sigurisë së NATO-s, duke përdorur personel të kualifikuar”, thuhej në pikën që tashmë është shfuqizuar. Sipas nenit 6 të kësaj marrëveshjeje, pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj marrëveshjeje, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të vendosë shkallën në të cilën një informacion atomik i dhënë prej saj Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut ose shteteve anëtare mund të shpërndahet; mund të përcaktojë kategoritë e personave që kanë akses te ky informacion dhe mund të vendosë kufizime të tjera mbi shpërndarjen e informacionit që ajo i konsideron të nevojshme. 

5 Komente

 nuk u besojnë siç duket... se shiten e blihen si bagëtitë... 

mund të kenë dhe informata që shumë shtetarë të jenë spiunë.

 

Historia e laptopit te ambasadorit te Shqiperise ne NATO(Artur Kuko) qe "u vodh" ne New York...Aty kishte te dhena per sistemin raketor mbrojtes te SHBA&NATO ne Evrope...Gojet e liga thone se perfundoi ne duart e Ruseve

Sigurisht eshte mbajtur ca ne erresire lajmi se sekret shteteror, por ndodhi ne ate kohe kur patem ate viziten e papritur te Rsamusen-it

Me duket se lidhje qe ben eshte e gabur. Nje incident i ngjashem i ndodhi zyres se perfaqesise se Shqiperise ne Okb, me perfaqesues z. Ferit Hoxha.

Faleminderit qe i ndan me ne sekretet e NATOs.

NATO ngrin marrëdhëniet me Shqipërinë  

Brukseli nuk ka besim te autoritetet shqiptare për informacionet sekrete, të cilat mendon se ua jep vendeve jo anëtare. Vizita sekrete e shefit të sigurisë së NATO-s në Tiranë, bllokimi i informacioneve sekrete për Shqipërinë dhe nxjerrja jashtë nga takimi e atasheut ushtarak në Bruksel, Arjan Zaimi, teksa diskutoheshin probleme sekrete të Aleancës Marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n nuk janë aq të “begata” sa shihet, duke parë dhe deklaratat diplomatike të të dy palëve dhe kujdesin për të mos nxjerrë nga “nëndheu” ku janë futur, përplasjet e motivuara me argument sigurinë dhe ruajtjen e konspiracionit të këtyre marrëdhënieve. Ftohtësia e tyre ka ardhur për shkak të rrjedhjes së informacioneve sekrete nga ana e Shqipërisë, informacione që kanë të bëjnë me vendet e NATO-s. Burime të besueshme nga Brukseli kanë bërë me dije se, përveç deklaratave të bëra publike, ku implikohet qeveria shqiptare për dhënie informacionesh vendeve jo anëtare të NATO-s, ekzistojnë dhe fakte konkrete se, jo vetëm që janë dhënë informacione këtyre vendeve, kryesisht Rusisë, por dhe vendeve të cilat janë renditur në “boshtin e së keqes”, mes tyre dhe Irani i Ahmedinaxhad. Pikërisht për këtë arsye ekziston dhe frika që kanë vendet anëtare të NATO-s dhe në veçanti SHBA-së për rrjedhjen e informacioneve sekrete të këtij organizimi politik dhe ushtarak, duke e kthyer në këtë mënyrë Shqipërinë në një “barrë” të rëndë për këto vende. Në këtë kontekst, NATO kërkon nga Shqipëria standarde më të larta për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Anëtarësimi në Aleancë na jep tashmë të drejtën për t’u njohur me shumë informacione të klasifikuara të NATO-s, sikundër janë ato top-sekret, kozmike dhe atomike. Ndaj për këtë arsye, Aleanca i ka bërë thirrje Shqipërisë të japë garanci shumë herë më të mëdha nga ato që ofron aktualisht, në mënyrë që këto informacione të mos bien në duar të gabuara. por gjithçka me sa duket ka qëndruar deri vonë në kuadrin e frikës, paralajmërimit dhe kërcënimeve të nëndheshme në drejtim të qeverisëse shqiptar, deri në momentin kur përmes gojës së kreut të SHISH, Bahri Shaqiri është bërë prezent në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, teksa ka deklaruar se “struktura të qeverisë janë të lidhura me krimin e organizuar, se diplomatë shqiptarë po japin informacione sekrete të NATO-s për shërbimet inteligjente ruse”. Kaq është dashur, që të shpërthejnë përplasjet dhe për pasojë të thërritet në Komisionin parlamentar të Ligjeve, drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në Këshillin e Ministrave, Shyqyri Dekavelli i cili ka raportuar për këtë akuzë. Por nga ana tjetër mësohet se struktura qendrore e NATO-s ka anashkaluar tërësisht përfaqësuesit e qeverisë shqiptare me njohjen e informacionit sekret, duke mos vënë asnjë letër apo zarf të klasifikuar në tavolinën e tyre. Madje aq e fortë është kjo ndjenjë mosbesimi, sa në mbledhjet Këshillit të NATO-s në Bruksel, në mbledhjet madje dhe teknike, kur fillon diskutimi nominal për çështje sekrete të NATO-s, përfaqësuesi shqiptar në NATO, Gjeneral Arjan Zaimi, ish-kandidati për presidenti konsensual që do të pasonte Moisiun, nxirret jashtë. Një veprim jo normal dhe mungesë e theksuar besimi për një vend anëtar me të drejta të plota të NATO-s, siç është Shqipëria.

Shqetësimi i NATO-s

Shqetësimi i strukturave më të larta të NATO-s për rrjedhje të informacionit të klasifikuar sekret dhe atomik drejt vendeve jo anëtare nga ana e qeverisë shqiptare ka qenë me të vërtetë i frikshëm. Madje këtë e ka pohuar dhe Dekavelli. Në raportimin e tij para komisionit parlamentar të Ligjeve, drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në Këshillin e Ministrave ka bërë të ditur se NATO ka shfaqur shqetësim për certifikimin e personelit në të gjitha ministritë dhe institucionet, të cilat do të kenë akses për t’u njohur me informacionet e klasifikuara të NATO-s. “NATO ka kërkuar që ne të përcaktojmë pozicionet në këto institucione që duhet të pajisen me certifikata sigurie të nivelit kozmik top-sekret dhe atomik. U kemi kërkuar mendim ministrive dhe institucioneve që të na dërgojnë pozicionet, të cilat do të jenë të limituara sepse këto informacione të këtij niveli janë shumë të rëndësishme, ekspozimi i të cilave dëmton rëndë NATO-n dhe vendet anëtare të kësaj të fundit. Në ligjin tonë “Për informacionin e klasifikuar” theksohet që nuk përjashtohet asnjë për ndjekjen e procedurave të vetting-ut, për pajisjen me certifikatë sigurie të NATO-s ose kombëtare. Neni 1/1 i ligjit tonë i përfshin të gjitha”, ka vënë në dukje Dekavelli. “Një nga standardet që kërkohet tashmë është komunikimi, sigurimi i informacionit në komunikimin nëpërmjet mjeteve të komunikimit publik. Është shumë e rëndësishme sepse, në qoftë se deri tani ne kemi pasur një sistem kriptografik të thjeshtë komunikimi, për arsye të nivelit të informacionit, i cili ka qenë deri në nivelin sekret, tani e tutje do të jetë në një nivel edhe më të lartë, që quhet kozmik top-sekret, si edhe informacioni i klasifikuar atomik. Të dyja këto nivele kërkojnë absolutisht standarde më të larta si në komunikim, ashtu edhe në sigurimin e këtyre komunikimeve”, ka sqaruar Dekavelli. Lidhur me këtë çështje ai ka bërë të ditur se në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Ministrinë e Jashtme po instalohet një sistem kriptografik i sigurt, në mënyrë që shkëmbimi i informacioneve të klasifikuara mes Shqipërisë dhe NATO-s të bëhet online. Madje shqetësimi i përfaqësuesve më të lartë të NATO-s ka qenë aq i fortë, sa ka kërkuar në mënyrë të qartë nga qeveria shqiptare që të përcaktojë të gjithë elementët e sigurisë për këto informacione, dhe për më tepër të mbajë gojën e mbyllur të zyrtarëve të saj, që të mos “zbërthehen” nëpër ambasadat e vendeve jo anëtare të NATO-s. Dhe deri atëherë, asnjë raport sekret që vjen nga NATO nuk qarkullon më në duart e zyrtarëve të qeverisë shqiptare. Por zyrtarët e këtij vendi, Shqipërisë, të ngarkuar me ruajtjen e materialeve sekrete kanë mohuar një fakt të tillë. “Nga Shqipëria nuk ka rrjedhje të informacionit të klasifikuar të NATO-s në drejtim të vendeve jo-anëtare të Aleancës ushtarake”. Kështu shprehet drejtori i Drejtorisë së Vetting-ut (verifikimit të figurës) dhe Regjistrit Qendror pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Mark Ndreca. “Natyrisht, detyra e DSIK si autoritet kombëtar i sigurisë së informacionit të klasifikuar të NATO-s, është që të mbikëqyrë veprimtarinë e institucioneve që e posedojnë këtë informacion të klasifikuar të NATO-s. Por ne, deri në këtë moment nuk kemi asnjë të dhënë që të ketë rrjedhje të informacionit të klasifikuar të NATO-s. Natyrisht, kjo është edhe nga inspektimet tona periodike pranë ministrive dhe institucioneve shtetërore, ky fakt është edhe nga inspektimet që bën zyra e Sigurisë së NATO-s pranë drejtorisë sonë, që bëhen jo më pak se një herë në vit. Edhe inspektimet e kësaj zyre sigurie, pranë të gjitha institucioneve dhe ministrive ku ka zyra në regjistrin e informacionit të klasifikuar të NATO-s. Ne nuk kemi as informacione nga shërbimet e inteligjencës që të konfirmojnë që, punonjës të caktuar të pajisur me certifikatë sigurie kanë përhapur në mënyrë të paautorizuar informacionin e klasifikuar të NATO-s. Pra deri më tani mund t’ju konfirmoj se Shqipëria është gjetur në çdo rast si një vend që ka respektuar dhe përmbushur të gjitha detyrimet në fushën e sigurisë e informacionit të klasifikuar të NATO-s”, është shprehur ai për mediat.

Vizita e papritur

Alarmi për nxjerrjen e sekreteve të NATO-s për vendet jo anëtare të organizatës, mund ta kenë detyruar kreun e zyrës së Sigurisë në NATO, Michael Evanoff të zhvillojë një vizitë sekrete në Shqipëri në prill të këtij viti. Burimet pranë qeverisë thanë asokohe se Evanoff qëndroi tre ditë dhe zhvilloi takime me krerët e shtetit dhe drejtorin e SHISH-it, Bahri Shaqiri. Mbërritja në Tiranë e shefit të Zyrës së Sigurisë (NOS) i parapriu vizitës zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Por një fakt i tillë nuk është nuk është konfirmuar nga zyra e NATO-s në Tiranë, të cilët kanë folur vetëm për vizitën e Rasmusen, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, por asnjë fjalë për vizitën tepër sekrete të Shefit të Shërbimit Sekret të NATO-s. Burime zyrtare thanë se në vizitën e tij tre ditore Enavoff  një ndër takimet më të rëndësishme të tij, por që nuk do të pasqyrohet në asnjë njoftim zyrtar, ka qenë ajo me kryeministrin Sali Berisha, ndërkohë që është parë të ketë hyrë edhe në ambasadën amerikane në Tiranë si dhe në takime të tjera në qytetin e Durrësit. Zyra e shtypit e ambasadës, e pyetur për këtë çështje, ka thënë thjesht “no comment”, as duke e mohuar vizitën tejet sekrete të shefit të shërbimit sekret të NATO-s, por as duke e mohuar atë. Megjithatë, burime nga njerëzit që e kanë shoqëruar në Tiranë njeriun më potent të Aleancës së Atlantikut të Veriut, e konfirmojnë këtë fakt. Ka shumë mistere për ardhjen e Evanoff në Tiranë, ndërkohë që vetë nga Shërbimi Informativ i Shtetit, burime informale thonë se nuk dinë gjë për këtë vizitë, dhe shefi i shërbimit sekret të NATO-s “nuk ka kaluar nga zyrat e tyre”. Nëse vizita e tij do të bëhej në kuadër të ligjit të ri të Shërbimit Informativ të Shtetit, mund të kishte takim dhe me drejtorin e SHISH-it, Bahri Shaqiri, takim i cili në të vërtetë është realizuar jo zyrtarisht në qytetin e Durrësit. Por, nismës së ndërmarrë nga qeveria për draftin e ri të SHISH-it iu kundërvu ashpër dhe me deklarata të hapura jo vetëm ambasada amerikane nëpërmjet ish-ambasadorit Uithers, por edhe Zyra e Sigurisë së NATO-s, drejtori i të cilës kreu këtë vizitë sekrete në Tiranë. Një pikë tjetër e rëndësishme e debatuar, madje e propozuar edhe me letër zyrtare nga autoritetet e NATO-s, ka qenë pikërisht ndryshimi i legjislacionit për të krijuar një strukturë krejt të posaçme vetëm për lidhjet me Organizatën e Atlantikut të Veriut. Zyrtarët e NATO-s e shohin me shumë frikë faktin që informacioni konfidencial i autoriteteve mund të qarkullojë lirshëm nëpër institucionet e qeverisë shqiptare. Për këtë, zyrtarët e NATO-s kërkuan konfidencialitet të plotë për informacionet e tyre. Por, nuk dihet ende nëse vizita supersekrete e shefit të shërbimit informativ të NATO-s ka qenë pikërisht për këto dy çështje të debatuara mes NATO-s dhe Shqipërisë, kur në fakt, vendi ynë është tashmë që prej më shumë se një viti anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Atlantikut të Veriut. Në shqetësim me të vërtetë i fortë teksa vihet në dukje fakti se është dashur që të vihen në lëvizje të gjitha strukturat e NATO-s për të rivendosur qetësinë në këtë anë të cepit të NATO-s, në Shqipëri.

AMBASADORI GJOKA:

SHISH bashkëpunon me shërbimet e Rusisë

Gjithçka duket sikur është vulosur nga ambasadori shqiptar në Rusi, Sokol Gjoka, i cili ka deklaruar se ka bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe asaj ruse në fushën e sigurisë. Gjë që shkarkoi me të vërtetë një tërmet në Shqipëri, për shkak se Rusia nuk është një vend anëtar i NATO-s dhe për më tepër është dhe një vend rival. Sipas Gjokës marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë duken se po forcohen falë vullnetit të dy qeverive. Pas bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe diplomacisë, gjë që u pohua nga ambasadori ynë në Moskë, tashmë mund të vërehet një intensifikim edhe në fushën e ekonomisë. Investimet ruse në pasuritë e paluajtshme në Shqipëri vijnë njëkohësisht me trajnimet e diplomatëve shqiptarë në MPJ-në ruse. Jo vetëm kaq, por ajo që shkaktoi një furtunë të vërtetë në qeveri, SHISH dhe zyrat e NATO-s, ishte deklarata e ambasadorit Gjoka, se të dy vendet kanë një bashkëpunim të ngushtë në fushën e sigurisë. Gjoka deklaroi madje se SHISH dhe FSB bëjnë operacione të përbashkëta dhe shkëmbejnë informacione sekrete, gjë që alarmoi zyrat e NATO-s në Bruksel. 24 orë pas publikimit të deklaratave të Gjokës, ambasadori shqiptar pranë NATO-s në Bruksel, Artur Kuko, ka telefonuar menjëherë në qeveri, pikërisht në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Sidomos deklarata e Ambasadorit shqiptar në Federatën Ruse, Bjellorusi dhe në Komounelthin e Shteteve të Pavarura, Sokol Gjoka, deklaratë për mediat kjo, se “kooperimi i shërbimeve speciale të të dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Rusisë, ka karakter të qëndrueshëm”, ka shkaktuar acarimin e zyrës së NATO-s në Bruksel që e kanë detyruar ambasadorin tonë në NATO, Kuko të reagojë menjëherë dhe të kërkojë sqarime.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).