stalagtitet-ne-shitje-300x286.jpg (300×286)

“Që të krijohet 1cm stalagtit ose stalagmit, natyrës i është dashur mesatarisht 1460 vjet. – thotë arkeologu Sami Starova, një nga zbuluesit dhe studiuesit e njëmbëdhjetë shpellave në trevat e Beratit. Por kjo nuk i ka ndalur dhjetëra tregtues të këtyre gurëve të çmuar të masakrojnë shpellat e rralla ku rriten këto pasuri dhe ti shesin copat e vyera të stalagtiteve e stalagmiteve mijëravjeçare anë rrugëve ose në oborre shtëpish. Herë të thyera si dashje pa dashje në forma të përsosura si kryevepra arti, herë pa pikë estetike, por si lëndë e parë, të cilën kush ta blejë le ta punojë si të dojë!

“Ç’bëni more, po është gjynah të prishësh këto thesare! -, iu thotë disa tregtarëve të këtyre gurëve të çmuar gjeologu A. Dhimitri, i cili kalon dhe e ndal makinën  rastësisht aty ku është ekipi i redaksisë së Shekullit. Dhimitri prek me duar dhe zgjedhë edhe ai disa nga stalagmitet e rralla, të cilat në ato anë  shiten fare lirë, edhe pa i vënë fare në ndonjë peshore, sa t’ia hajë me sy shitësit, të cilit mjafton t’i blejnë, se di të bëjë “tolerime”.

“Nxjerr bukën e fëmijëve me këtë punë, më del bretku, si thua ti, me çfarë të jetoj unë?”, i përgjigjet tregtari. “- Po më mirë të kishe bërë një pikë turistike atje në shpellë dhe të nxirrje pará nga turistët që do e vizitonin mor vëlla! Më dhemb shpirti kur i shoh kështu!”, ia kthen aty për aty gjeologu.

‘- Po se mos jam vetëm unë që shes në këtë zonë!”. – ia kthen tregtari

Ka katërmbëdhjetë vjet që merret me kete pune dhe nuk ka qejf ta quajë “tregti”. Ndonjë tjetër thotë se ka vetëm tre vjet. Dikush i strehon gurët edhe në oborrin e shtëpisë së tij dhe i pret atje klientët, të cilët mund të jenë edhe me pikësynimin drejt Italisë o gjetkë. Ka blerës të rastësishëm shqiptarë, të cilët qëllon që tregojnë se përtej detit i kanë shitur gjashtë herë më shtrenjtë.

“Futem deri në 50m thellësi që i nxjerr me litar. Unë e di ç’heq për të bërë këtë lek”, tregon njëri prej atyre që shet, i cili pak më vonë ta përgënjeshtron këtë, e bën edhe pak të vështirë punën e tij, që të justifikojë çmimin, por në fakt më shumë i gjen në sipërfaqe. “Kjo tokë është e pasur. Hajde me mua të të tregoj gurin e zi ku e marrim, i cili gjendet sheshit apo stalagmite dhe stalaktite që dalin në sipërfaqe nga shpërthimet!’. Dhe pasi bën nja 50m rrugë nëpër gurishte dhe shkurre bashkë me tregtarin apo në zona guroresh ku shpërthimet pa dashur nxjerrin shpella të reja të paparashikuara, gjen vërtet gurë të zinj si ato që shiten në rrugë, gjen edhe pirgje me copa stalaktitesh dhe stalakmitesh në sipërfaqe, por format më të bukura, si të prera enkas për zbukurim, i gjen sidomos në shpella. ‘Ku i kemi gjetur stalagmitet?! I kemi blerë. Pak shpella ka Berati. I nxjerrin edhe duke u futur thellë në to. Ne kemi nja pesë vjet që i kemi blerë me metër kub’, tregon i biri i pronarit të një resorti turistik, ku janë përdorur stalagmite zbukurese. Për një paletë gurësh afërsisht 1m³, çmimi i parë që të japin tregtarët është 20.000 lekë të reja. Ndonjëherë bëhet aty për aty edhe 300 euro apo “Hajde merre edhe për 80 mijë lekë të vjetra!”.

“‘Eh! Më është futur djali që e kam si dritë syri me litar thellë në shpellë për të nxjerrë këto gurë dhe mua më dridhej e sa s’më pushonte zemra nga frika. I thërrisja të kthehej, por s’më dëgjonte. Për bukën e gojës! Për bukën e gojës!”, i rrëfen me zërin që i dridhet ende nga ankthi një fshatare mikut të familjes së saj, pa ditur se po e dëgjon edhe një gazetare. E përpara nevojave ekzistenciale të njerëzve, që me të drejtë duan burime të mjaftueshme për të jetuar, burime që në këto zona të varfa mungojnë, shumëkush do të stepej në dilema dhe dhimbje që kërkojnë zgjidhje të tjera, të cilat nuk vijnë. “Nga njëmbëdhjetë shpellat që kam studiuar në zonën e Beratit, ka mbetur pa dëmtuar keq vetëm shpella e Shpiragut në majë të Malit të Tomorrit, 1100 metra lart, aty ku nuk ngjiten dot”, thotë Sami Starova.

“Unë lejen e shfrytëzimit e kam marrë në vitin 1998. Dhe këtu gjendem në tokën time. Megjithatë, kjo gurore ka ekzistuar që në vitin 1933, edhe në kohën e komunizmit po gurore ka qenë. Kur kam ardhur unë këtu nuk e kam gjetur shpellën e famshme të Shahinovës. Mund të jetë shkatërruar përpara ardhjes sime. Një shpellë që gjeta në hyrje të gurores e kam ruajtur vetë për relike. Ja shikojeni! Dhe monumentet e natyrës që gjenden në hartë unë nuk i prek”, thotë administratori i gurores aty. Dhe guroret janë të shpeshta në të gjithë zonën. Të shpeshta shpellat, por të shpeshta edhe guroret.

Përfundimtare mbetet që shpella e Shahinovës, më e bukura e zonës së Beratit, e zbuluar në vitin 1979 nga studiuesi Sami Starova, një nga ata që sensibilizon dhe ngrë zërin për shpellat si pasuri të tokës shqiptare, nuk gjendet më. “Aty dikur gjendeshin katër shpella, që tanimë janë ose bosh, ose janë bjerrur, ose nuk ekzistojnë më fare, ndërsa dikur ishin plot me stalaktite dhe stalagmite. E kushedi vërtet se si u shkatërruan?! Nuk jemi të aftë të bëjmë sot së paku atë mbrojtje që iu bëri atyre regjimi komunist. Është abuzuar dhe shkatërruar natyra në gjithë Shqipërinë, e pakontrolluar nga shteti. Janë nxjerrë nga vendi ynë me arka gurët e çmuar dhe nëse do të vijojnë këto ritme edhe nja pesë vjet mund të kemi ende ndoca stalagmite dhe stalaktite të tokës shqiptare. Nga qindra mijëra të tilla që ka pasur një shpellë, tani është duke dhënë shpirt çdo gjë. Po shfarosen përfundimisht! Një masakër e vërtetë!”, shpjegon Sami Starova, i cili disponon të vetmet dëshmi të tyre; fotot se si këto shpella kanë qenë përpara viteve 90-të. Tragjikisht vetëm fotot kanë mbetur nga shpella e Shahinovës dhe shumë simotrave të saj anëekënd vendit…

Një shpellë e re …

E zbuluar kohët e fundit. Meqë ‘ka lindur’ e pabëzanë nga asnjë institucion, ka mbetur pa emër. “Gati na ka gllabëruar kamionin me gjithë punëtorë, se doli papritur gjatë shpimit me sondë”, shpjegon një specialist në një prej guroreve të Beratit. Por të tilla dalin kaq shpesh në zona të ndryshme. Mjafton të shposh në mal ose tokë në atë zonë. Shumicën e herëve nuk kanë vlera të rralla, janë të zakonshme, por po të ishin ruajtur dhe ruheshin historikisht të gjitha do të krijonin një ansambël natyror shpellash, të mbushura me stalaktite dhe stalagmite. Nëse provon të hedhësh ndonjë gur për të kuptuar nëse ka ujë brenda saj, jehona është e thatë. S’ka ujë. Pavarësisht se në sipërfaqe ka gurë të çmuar dhe copëra të vogla të prera stalagtitesh, në pamje të parë duket ‘e virgjër’ në bukurinë e saj të sapozbuluar pa emër. E që ndoshta do të iki nga faqja e dheut ashtu siç erdhi, pa emër.

Kur u zbuluan shpellat e Beratit

stalaktite-shpellaaa-225x300.jpg (225×300)Zbuluesi i parë i shpellave të kësaj zone, të cilat për nga dëmtimi i tanishëm vlejnë si stereotipe për shpellat në gjithë vendin, është arkeologu Sami Starova, ish-drejtor i Muzeut të Beratit. Ka zbuluar plot njëmbëdhjetë të tilla në trevat e Beratit, që datojnë edhe që nga periudha e Kuoternarit, që do të thotë miliona vjet më parë.

‘Kur isha i burgosur politik për shkak të biografisë nga ish-arkeolog më çuan të punoja në guroret e kësaj zone dhe nga shpërthimi zbuloheshin shpella, ku më kryesorja për nga vlerat estetike, dekorative ka qenë ajo e Shahinovës, ndërsa për nga vlerat arkeologjike ajo e Katundasit, që daton nga Neoliti i hershëm 6000 vjet Para Krishtit”. Atëkohë, saktësisht në vitin 1979, fill pas zbulimeve arkeologu kujton që i dërgoi një letër Aleks Budës, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave. Interesi ishte aq i madh, saqë pas kësaj Samiun e morën bashkëpunëtor të jashtëm të Akademisë dhe përveç Enver Hoxhës, gjithë drejtuesit më të lartë të shtetit të atëhershëm i vizituan shpellat më të rëndësishme. Shpella e Shahinoës ishte 49 m gjatësi, 3-4 metra lartësi, mbushur me stalaktite dhe stalagmite me figura nga më të çuditshmet dhe të mrekullueshmet. Sami Starova kujton që veç katër dhomave njëra pas tjetrës, shpella kishte edhe galeri të zgjatuara në qindra metra. Shpella e Katundasit në vitin 1983 fitoi edhe një ‘Medalje të Artë’ nga Akademia Ndërkombëtare e Shkencës.

Por pas viteve ‘90-të, ata fare pak studiues të shkencës së speleologjisë, e cila merret me studimin tërësor të shpellave, ankohen se në Shqipëri nuk ka institucione zyrtare që mund të merren me to si pasuri e kombit. Por, në fakt, institucione ka, por të ndërgjegjësuara e konsoliduara disi vetëm pas vitit 2006, kur nisën dhe u shtuan ligjet mbrojtëse edhe për monumentet e natyrës apo së fundi: gjeo-monumentet. “Por, ndërkohë, dëmi është bërë. Çfarë ka ikur nuk kthehet më. Mbetet të funksionojnë këto ligje për të ardhmen, që të mos shfaroset gjithçka”, përgjigjet Sami Starova.

Pushteti lokal: “Nuk kemi gjë në dorë”

“Nuk kam në inventar asnjë shpellë që të jetë monument natyre për t’u mbrojtur. Plus kësaj, nuk jam shteti, jam pushteti lokal. Nuk ka një decentralizim të pushtetit local, që unë të kem kompetencë mbi ruajtjen e pasurive të tilla. Nuk ka as edhe ndonjë subjekt të licencuar nga bashkia për tregtimin e gurëve të çmuar”. Me këtë përgjigje Syrja Ormënaj, kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, nga ana e tij i vë kapakun çdolloj diskutimi apo fajësimi të mëtejshëm. Por një shembull i veçantë për t’u lavdëruar vjen nga komuna e Lumasit, po në trevat e Beratit. Kryetari i kësaj komune, Zarif Salaj, e ka shpallur vetë në mbrojtje Shpellën e Katundasit, duke krijuar infrastrukturën e përshtatshme për të shkuar aty, duke e mbrojtur rreptësisht, duke e bërë të vizitueshme.

Situata në sytë e shtetit

“Në hartat disponuese që kemi janë të hedhura të gjitha monumentet natyrore, arkeologjike dhe historike. Së fundi, po hedhim edhe gjeo-monumentet; shpellat skarstike, format e ndryshme eolike, kulturore etj. Një proces që ka nisur dhe po vazhdon këto 5-6 vitet e fundit. Duhet të kemi parasysh që shpellat e dukshme si ajo e Pëllumbasit, shpellat skarstike në zonën e Beratit, Skraparit, në zonën e Librazhdit, në Prespë etj janë të hedhura në hartë. Dhe në rastet kur janë të dokumentuara në hartë nuk jepet leje shfrytëzimi për bizneset e ndryshme në këto zona. Lejet që janë dhënë në gjithë Shqipërinë në zona të tilla janë dhënë shumë shpejt, kur mungonte legjislacioni i duhur, pasi gjeo-monumentet, sidomos, kanë nisur të klasifikohen nga vitet 2003-2004. Më përpara, kur jepej një leje shfrytëzimi, merrej mendimi i pushteti vendor, shërbimit pyjor, pastaj kalonte në METE. AKBN-ja në procedurën e dhënies së lejes sipas VKM nr. 947 të gusht 2006, dhe VKM së fundit nr. 232 të prillit të 2011 gëzon  institucionet dhe kompetencat e verifikimit në vend, nëse monumenti i natyrës ka vlerë për t’u mbrojtur ose jo. Më pas kjo kalon për vendim në gjithë ministritë përkatëse. Në rastet kur ka shkelje apo zbulohen monumente të reja me vlerë të natyrës ose izolohet vetëm zona ku gjendet monumenti i ri ose pezullohet leja e shfrytëzimit. Kemi shpella me vlera të rralla si shpellat e Librazhdit apo Prespës, të cilat me vështirësi, por kemi arritur t’i mbrojmë! Nevojitet edhe ndërgjegjësim i subjekteve private në lidhje me to”

Ç’janë Stalaktitet

Stalaktit është një formacion gëlqeror që varet nga maja e shpellave, si rezultat i dukurive karstike. Është formuar si rezultat i depozitimit të vazhdueshëm për një kohë të gjatë të ujërave që futen në shpellë, në veçanti bikarbonat kalciumi që pastaj precipiton në karbonat kalciumi dhe që formon kështu një stalaktit. Në përgjithësi janë në formë cilindrike, por nga rrymat e ajrit mund të devijojnë nga boshti vertikal dhe të marrin forma të çuditshme. Formimi i stalakti të madh kërkon një kohë shumë të gjatë, madje edhe mijëra vjet. Emri rrjedh nga fjala greke Σταλακτίτης (stalaktit) dhe ka kuptimin e pikës.

Ç’janë Stalagmitet

Stalagmitet janë formimi i një kolone gëlqerore që ngrihet nga dyshemeja e një shpelle dhe i nënshtrohet dukurive karstike, të prodhuara nga pikimi i ujit, i cili depoziton shtresa të njëpasnjëshme të mineraleve.
Mënyra e formimit është e njëjtë si e stalaktiteve dhe shpesh ngrihen poshtë një stalaktiti, dhe nëse bashkohen të dy krijojnë një kolonë. Forma e stalagmitit varet nga lartësia nga e cila bien pikat. Emri rrjedh nga fjala greke stalagma, “rënie”.

6 Komente

eehhh smiley

Komb per te qare hallin 

Iu thafshin duart! Barbaret e dreqit!

hallexhinj jane te shkretet,po te kishin pune tjeter nuk do krruanin shpellat me thonj smiley

injoranca te vret smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).