Duke dëgjuar lajmet rreth grevës së minatorëve që ndodhet tashmë në një pikë kulminante mu kujtua se pak vite më parë ndodhi para syve tanë e njëjta gjë! Në Shqipëri nuk flitej fare për situatën e punëtorëve. Ishte një vendim i fortë dhe guximtar i vetë minatorëve dhe këmbëngulja e tyre për ta çuar deri në fund të drejtën, ajo që na bëri të kuptojmë atëherë se ka ende një realitet si ai i minatorëve që kërkon një vëmendje qëndrore. Isha një aktivist i Lëvizjes MJAFT!, por edhe i punësuar për marrëdhënien me median pranë asaj organizate. Merrja një rrogë për punën që bëja. Ishte puna që kam bërë me më shumë dashuri në jetën time, deri më sot.

Mbaj mend herën e parë kur në rolin e të punësuarit pra, por edhe të aktivistit në Lëvizjen MJAFT!, i pajisur me një aparat profesional fotografik, me një regjistrues dixhital e i shoqëruar nga disa prej personazheve kryesorë të rinj të MJAFT! në atë kohë Leart Kola, Andi Kananaj, e Elisa Spiropali, shkuam në Bulqizë. Minatorët sapo ishin futur në grevë urie, në një ambient pranë televizionit lokal. Nuk më vjen turp të them sot, se atë ditë, në atë takim të parë me ta unë pothuajse nuk mora pjesë fare në bisedat që u zhvilluan, ngaqë duke bërë punën time me zell të madh, fotografoja grevistët. Si gazetar kërkoja të gjeja këndin e duhur të një fotoje përfaqësuese nga ajo skenë ku po luhej një akt i parë drame, që pastaj ta shpërndaja foton në të gjithë shtypin shqiptar, e kësisoj (këtu hynte aktivizmi, naiviteti ndoshta, por edhe idealizmi), të mund të kontribuoja që kauza e tyre të hynte derë më derë te çdo shqiptar. Ishte një bar i vjetër, ku minatorët kishin pirë për vite të tëra raki, konjak e kaçurrel! Aty ishin shtrirë për grevën e tyre të parë të urisë. Pas takimit me ta, unë u dukesha si i pashpirt kolegëve të mi kur u lutesha që të më linin 20 apo 30 minuta kohë që të përgatisja një njoftim për shtyp, të shkarkoja në laptop fotografitë e t'i nisja ato dy herë: njëherë te një bllok prej 400 adresash emaili të gazetarëve, e pastaj tek e tek, në inboxin e çdo kryeredaktori në Tiranë! Ne të MJAFT! ashtu vepronim atëherë: e siguronim vetë lajmin (ose e prodhonim) dhe ia servirnim medias, e bashkë me lajmin edhe qëndrimin tonë politik. Ishte ndoshta, fillimi i krijimit të një zyre të mirëfilltë e profesionale shtypi, gati gati të "paskrupullt" mjaft që të përcillej mesazhi, ndoshta dhe në formë "helmi" i veshur me "çokollatë"... Sigurisht, duhet të luaja rolin e të "pashpirtit", "egoistit gazetar", nuk më bënte shumë përshtypje, derisa e nisa atë email dhe ato foto, që pastaj shërbyen për muaj të tërë për të ilustruar në media kauzën e minatorëve, apo dhe thjesht për t'u njohur me fytyrat dhe portretet e tyre për herë të parë. Katër prej atyre minatorëve që janë në atë foto që ende qarkullon në internet (të paktën katër prej tyre) në dijeninë time nuk jetojnë më!

Po çfarë ndodhi më pas?

Ai ishte momenti kur po ndahej një periudhë e Lëvizjes MJAFT! me një periudhë të re që sapo kishte filluar kryeneçe të dukej në sipërfaqe. Një grup themeluesish të lëvizjes ishte në ato kohë si "tabelë qitjeje intelektuale" gjatë mbledhjeve të mëngjesit, për armatën e të paktën 10 apo 15 të rinjve që sapo ishin punësuar në MJAFT! e që sigurisht kërkonin të linin një shenjë: Learti, Boikeni, Andi, Olta, Elisa, Arbri, Elsi, Ervini, Antueni, Suela apo dhe më "të vegjlit" Denisa, Aldo, Toni, Besi, Verdi, Anjeza, Ornela, Klodi, etj, (Jona, Sagita, Anisa, etj, ishin larguar në atë kohë). Përballë këtyre ishin pothuajse njësh në mendimin e tyre: Erioni, Endri, Arbi, Ina, e bashkë me ta edhe Besjan Pesha! "Kanë pafund të drejtë minatorët, por ne nuk kemi mjaftueshëm eskperiencë që të lemë zullumet e qeverisë që janë të përditshme, e të përqëndrojmë gjithë energjitë te problemi i minatorëve në Bulqizë", ishte pak a shumë, një mendim që hidhej për diskutim në ato mbledhje të MJAFT-it, që padyshim kishte arritur majën e influencës së vet mediatike! Diskutohej dhe në aspektin strategjik: a do jemi efikasë po të hapim tani edhe një front tjetër përpos atyre që kemi hapur (ishte koha e fushatave kundër faturave afrofe, kundër mungesës së energjisë, dhe sidomos fushata kundër autokracisë së Berishës kur Andrea Stefani e Bes Pesha, dora vetë, merrnin megafonin kundër Berishës, përfshirë fushatën kundër përpjekjeve të qeverisë për të sulmuar median, që përfundoi me një protestë masive në bashkëpunim me Top Media në Sheshin Skënderbej).

"Ne nuk mund të ftojmë shqiptarët të mos jenë apatikë, kur tregohemi të paaftë vetë për të qenë aktivë ndaj një kauze si kjo e minatorëve", kundërshtonte dikush në ato mbledhje, që ju, besoni ose jo, zgjasnin edhe për orë të tëra... "Ne mund të merremi me të gjitha çështjet", ndërhynte dikush tjetër, "po e kemi testuar edhe në media edhe në opinionin publik që kur merremi me dy apo tre apo më shumë çështje njëkohësisht nuk gjejmë mbulim të mirë mediatik dhe nuk arrijmë të përcojmë siç duhet mesazhin". Kjo ndërhyrje vinte sigurisht nga ekspertët ende "kalamaj" të komunikimit në MJAFT... dhe ishte mëse e drejtë! "Të lemë gjithçka e të merremi me minatorët", këmbëngulte Elisa Spiropali atëherë, që për hir të së vërtetës, zihej pa fund në ato mbledhje me këdo që e kundërshtonte.

Ka disa personazhe nga këta që përmenda, sot disa prej tyre edhe publikë, të cilët në fillimet e grevës së minatorëve bënë të pamundurën për t'i ndihmuar! Ishte koha kur "kalamajtë" e MJAFT-it kishin arritur maksimumin e ndërgjegjësimit se po të vepronin mund të arrinin diçka, e patjetër secili, në mënyrë pragmatiste, mendonte edhe se si atë përvojë të jashtëzakonshme, ta përdorte për një karrierë të mëvonshme në politikë. Besi, ishte i pari që e bëri duke u larguar drejt LSI e duke tentuar të tërhiqte sa më shumë pas vetes (nuk ia arriti me asnjë), e pas tij të tjerë si Erioni, Endri, Arbi, Olta, Elisa vetë, që ose shkuan drejt PS, ose formuan G99 (duke qenë po aty me njëri tjetrin). Por pavarësisht angazhimit të shumicës brenda MJAFT-it historia na tregoi se problemi i minatorëve nuk u zgjidh asnjëherë. Pse...?

Njëherë, gjatë një udhëtimi drejt Bulqizës, një shoku im i fakultetit na ndihmoi në atë qytet. Ermali, kishte studiuar me mua Histori dhe Arkeologji në Tiranë dhe ishte, literalisht, njeriu më i ftilluar, më i përditësuar dhe më i kthjellët në atë vend. U ndjeva keq kur më tha se po të shkoje te “internet caffe”-në e Bulqizës (e vetmja) e të tentoje të klikoje mjaft.org, ajo faqe ishte aq shumë e ngarkuar me "flash-e", foto, e të tilla gjëra, sa nuk hapej asnjëherë e plotë! U ndjeva keq jo për faqen, por për faktin që më i kthellti djalë i ri, i sapoemëruar mësues në atë qytet, mbante akoma mjaft.org si "fanar ndriçues"...

Kur shkuam për vizitë në shtëpinë e një minatori invalid, i cili mbahej me bukë nga asistenca e gruas (se pensionin e vet akoma nuk e kishte siguruar) unë doja të dilja jashtë e të qaja bashkë me katër fëmijët si ëngjëj të atij njeriu që dinte akoma të buzëqeshte. E mbajta veten jo se kolegët e mi, Learti, Andi dhe Elisa gjetën forcë të ishin "të fortë", por sepse më befasoi forca e gruas së atij minatori, gati dyfish më e madhe në trup se ai vetë, e cila luftonte si kundër mullinjve të erës vetëm e vetëm që ta bënte burrin të ndihej zot, jo invalid! E fsheha aparatin fotografik...!

Njëherë tjetër, shkuam për ngushëllim, në familjen e njërit prej dhjetëra minatorëve të vdekur. U takuam me Leartin, Elisën dhe Erionin (Veliajn) në mëngjes herët në Bar West e u ndjeva gati si i pashpirt kur ata të tre panë që në bluzën time të zezë kishte një goxha reklamë të kuqe (idiote, me siguri) që zinte gjithë kraharorin. Nuk thanë asgjë, por unë e di sa me zor e mbajta deri në fund atë bluzë. Teksa të tre ishin në familjen e minatorit, unë kisha bërë të mundur që disa korrespondentë të televizioneve lokale të ishin aty. Arsyeja ishte ajo për të cilën paguhesha, dmth: MJAFT! kishte shkuar atje, kishte bërë një vizitë ngushëllimi, e me atë rast duhej dhënë një mesazh në televizion, e me atë rast, pse mos përfitohej nga fakti që Veliaj ishte akoma duke u testuar politikisht, e kësisoj mesazhe të tilla, përveçse shtonin pikë në "bursën politike" të atij vetë, kontrobuonin, duam tani ne apo jo, edhe në përçimin kombëtarisht të kauzës së minatorëve. Elisa dhe Learti ishin të skandalizuar që unë isha marrë me këtë gjë, dmth me thirrjen aty, poshtë atij pallati të mjerë të një grupi operatorësh lokalë, ndërkohë që sipas përfytyrimit të tyre ai takim ngushëllimi duhet të ishte intim, i vërtetë dhe jo i mediatizuar. E di, e di... ngjan e pashpirt tani...

Një prej atyre operatorëve, ishte duke nxituar, sepse duhet të udhëtonte drejt Rinasit ngaqë i biri, emigrant në Londër do të kthehej në Shqipëri pas të paktën 7 vjetësh! Priti sa mundi poshtë pallatit po kur pa se koha nuk premtonte, i hipi makinës e iku! Ne të Mjaftit, komunikonim ateherë direkt me kryeredaktorët dhe me drejtorët e lajmeve, qoftë në gazeta, qoftë ne televizione. Ishte Ilir Babaramo ai që pasi u njoftua, e detyroi atë operator të kthehej pas (dmth të linte të birin të priste në aeroport) e të merrte shpejt e shpejt deklaratën e tonë pas vizitës së ngushëllimit, e vetëm pas asaj, të nisej i "lirë" drejt aeroportit... Për fat, një tjetër aktivist i yni në Rinas, e kishte marrë emrin e djalit të tij dhe duke përdorur filozofinë e kontrollit në mënyrë rastësore, e duke komunikuar dhe me oficerët e policisë, arriti ta mbante në izolim djalin, në mënyrë që të dilte vetëm pasi i ati të kishte mbërritur aty....

MJAFT! u transformua, kur pasditen që në Kuvend zgjidhej Bamir Topi President, Erion Veliaj, Arbi Mazniku, Endri Fuga, e të tjerë “të vjetër”, u nisën nga zyrat e rrugës së Elbasanit e u bashkuan me shumicën e aktivistëve që po qëndronin bashkë me minatorët përballë Kuvendit (më saktë në pjesën veriore, andej nga hynin deputetët). Ishte e rëndësishme prania e themeluesve të MJAFT-it në aksionin për të mbështetur minatorët, sepse këta të fundit dhe kauza e tyre, dalëngadalë po shndërroheshin në lajm të ditës, apo më saktë, i dyti lajm kryesor pas atij për votimin e Presidentit...

Grupi i aksionit me Leartin e Andin kishin fituar duke futur për herë të parë në konceptin e asaj lëvizjeje, idenë e ndryshimit përmes inkurajimit të lëvizjeve "grassroots" (më këmbë në tokë, apo në “bazë” siç thonim e siç themi akoma ne shqiptarët). Elisa Spiropali kishte "fituar", duke luftuar gati kundër të gjithëve, e ndihej madje lidere ato ditë në MJAFT (ende pa ikur Erioni), ndonësë ishte vetëm 23 vjeçe, ndërsa minatorët kishin vulosur një aleancë, që po ta shikojmë sot, pas disa vitesh, më shumë i ka sjellë "inflacion" e deri diku "megallomani" lëvizjes së tyre, se rezultate konkrete...

Konkret ishte rezultati që vetë Spiropali, në emër të MJAFT e në emër të minatorëve arriti si negociatore me firmën koncencionare. U bënë foto të rëndësishme ditën e arritjes së asaj marrëveshjeje: Spiropali u ngrit në krahë nga minatorët e lumtur atë ditë në hyrje të Sky Tower në Tiranë, atje ku ishin dhe zyrat e firmës konçencionare.

Po pse nuk u zgjidh problemi i Bulqizës?

Erion Veliaj, Arbi Mazniku, Endri Fuga, Marinela Lika, e më tej Olta Xhaçka, e të tjerë (përfshi shkruesin e këtij artikulli), u larguan nga MJAFT! Në ato kohë, Alexa Varriano dhe Borana Lushaj, e para një italo-amerikane energjike që mua më duket se e do Shqipërinë më shumë se ne shqiptarët, dhe e dyta, Borana, një vajzë fodulle në pamje të parë, por me të gjitha arsyet e botës për të qënë e tillë përsa kohë që ka një Master nga Oxford, morën furgonin nga Tirana e shkuan në Bulqizë, ku takuan dhjetëra gra familjare, të reja e të moshuara, biseduan me to për orë të tëra, u kthyen në Tiranë; shkuan prapë, e prapë, e prapë... Dy vajza nga Tirana, secila me një bllok shënimesh me vete që merrnin furgonin e tmerrshëm të transportit publik drejt Bulqizës për të folur me gratë e atij qyteti, jo me minatorët! Bënë bashkë me to një projekt-propozim shembull, nga ato që asnjë NGO ska bërë ndonjëherë në Shqipëri, me qëllimin për të ndërtuar një qendër sociale për gratë e Bulqizës, që do të sillte një zhvillim edhe ekonomik në qytet edhe kulturor e që do të ndryshonte edhe mentalitetin. Ishte i përkyer projekti i tyre. Por, e dini pse nuk u zbatua? Shkuan fiks 6 minuta me vonesë në recepsionin e BE-së në Tiranë, e kësisoj projekti i tyre, që me siguri do tu jepte zgjidhje shume problemeve të Bulqizës, jashtë minierës, nuk u kualifikua ... Welcome to Albania! Atje ku idetë shkërmoqen në minutën e 6-të të Protokollit Europian ...

1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13, ... Viktimat e minierës së Bulqizës bashkë me ata që kërkonin të fitonin bukën duke gërmuar krom në sipërfaqe nuk ishin asnjëherë mjaftueshëm as për qeverinë e paaftë e të korruptuar për të gjetur një marrëveshje në të mirë të vendasve, po për fat të keq rezultoi se ky numër i madh i viktimave të shërbente edhe për “lulëzimin” e sindikatave deri atëherë të padukshme e thellësisht të manipuluara, si ajo e Gëzim Kalasë (në Pogradec, për shembull, ka akoma një hotel madhështor buzë Liqerit të Lasgushit, me emrin Hotel “Kalaja” - ishte dikur hoteli i pushimeve për punëtorët ... ).

Kol Nikolla, me sa mbaj mend unë, nuk ishte me ne “kalamajtë” e Mjaftit në korrik të 2007, kur për herë të parë minatorët hynë në grevë urie... Kam një ndjesi të çuditshme, që pikërisht pas asaj date, kur shkuam në Bulqizë, folëm me minatorët, i fotografuam dhe i mbështetëm, pikërisht pas asaj date minatorët, por edhe një pjesë e ne “kalamajve”, u bëmë “vegla” të dikujt, jo me dëshirë, por të entuziasmuar nga suksese të vogla momentale ...

* * *
Ermali, miku im 29 vjeç, është akoma mësues i Historisë në Bulqizë... Të paktën atë, e kam dëshmitar të të gjitha këtyre fakteve që solla më sipër. Ndihem në faj, me të drejtë ose jo, ndaj tij, dhe ndaj atyre familjeve të varfra e fisnike të Bulqizës (se varfëria të jep forcë e fisnikëri në malet e fushat e Shqipërisë), ku sa herë i vizitoja u thoja se “çdo gjë do shkojë mirë”.

Asgjë nuk do shkojë mirë, për fat të keq, nëse ata vetë nuk dinë të organizohen me njëri tjetrin. Asgjë nuk do shkojë mirë, përsa kohë që atje askush nuk mendon në mënyrë afatgjatë. Miniera e Bulqizës, mund edhe të përmbytet, ose si mungesë e investimeve, ose si pasojë e aktit të fundit që kanë thënë se do bëjnë ata njerëz... Elisa drejton sot FRESSH, Erioni me siguri po mendon me miqtë e vet e të mitë njëkohësisht se çfarë strategjie politike do ndjekë në shtator, Olta është tashmë në Parlament, Boikeni punon vullnetarisht në Vetvendosje, Andi dhe Learti kërkojnë të ngrejnë një institut ideologjik dhe qytetar me emrin “Antonio Gramsci”, Antueni punon në Gjykatën e Lartë si specialiste, Bes Pesha kalon sa në një drejtori qeveritare, në tjetrën e si për ironi të fatit “mendon ditë e natë për konsumatorët e qytetarët”... Gjithë të tjerët, edhe më të vegjlit, jetojnë e punojnë akoma të sigurt në Tiranë... Kanë të gjithë foto minatorësh, në albume të vjetra në Facebook.

Dilaveri, me të tjerët, jane 1400 metra nën tokë, njësoj si katër vjet më parë... Kol Nikolla, ndodhet nëntokës... Ermali me siguri dehet çdo pasdite me konjak, ndërsa Genc Ruli, është ministër Bujqësie sot... Të gjithë duan t’ju shfrytëzojnë, miqtë e mi minatorë, herë me vetëdije, herë “rrjedhimisht”...  

15 Komente

 Klajd R-E-S-P-E-K-T-E. Mbase artikulli i parë që të kam lexuar dhe pëlqyer, pa doreza. 

 

 Bravo djali ! Me kulture dhe ndjenje.

E lexova neper te dhe njera nga gjerat qe me bezdisi dhe u be fjale kur mbarova (se te tjerat u bene kruarje) ishte pyetja: si meson njeriu te shfrytezoje, per kredite politike a mediatike, nje situate si ajo e Bulqizes, kur eshte vetem 20 vjeç?!

Ah po, ja u be edhe nje tjeter: per cfare te duhet ky shkrimi tani o Kristi Pinderi?  

per cfare te duhet ky shkrimi tani o Kristi Pinderi? 

Supozoj se eshte gjysem "shplarje ndergjegjeje" dhe gjysem "te them edhe une fjalen time si gjoja ish-protagonist". Kristi i ka qejf melodramat.

Nuk e kuptova kjo ishte nje requiem per minatoret qe s'jane me (s'do te jene me nese vazhdohet keshtu) apo per Mxhjaftin?

Po mer po, i keni shfrytezuar dhe ju kane shfrytezuar (jo minatoret, jo por ato qe trashin menderet zyrave te shtetit), por per nje gje eshte e pafalshme nga ajo qe keni bere ju (dhe ketu nuk e kam me ty personalisht), ate qe keni ngordhur nervin e reagimit qytetar. Asokohe ju mbeshtesnin dhe simpatizonin shumica (perfshire kete dhe mua) por tani levizje te ngjashme me tuajen dihet ku e kane fundin... ne kolltuqet e buta te politikaneve llafazane, megalomane e hiena te shpirtrave te atyre fakirave qe vdesin minierave.

Po ajo piktura nudo  me duar te gjakosura ne gjoks, cfare kuptimi ka ?  Shkrimi per mua eshte thejshte histori deshtimi per nje organizate ku antaret e tyre jane bashkuar thjeshte per te marr nje rroge dhe nje eksperience per aktivitete sociale...eshte nje karakteristike shqiptare kjo  qe mbasnje kohe kur marmalata eshte mbaruar, "shoket" filloje dhe shajne njeri tjeterin, o nga xhelozia, o nga paaftesia, o cmira o nuk e di se cfare.. smiley

Po ajo piktura nudo  me duar te gjakosura ne gjoks, cfare kuptimi ka ?

S&M.

Eshte ironizim i logos se Levizjes mjaft me sa kuptoj une

 Ironia (duart me gjak ne gjoks) me nje femer nudo eshte shume e peshtire, femra eshte hyjnore dhe nuk duhet te njolloset keshtu, dhe ku tek gjoksi! Ai eshte i shenjte!   smiley 

  boh, asgjë spaska ndryshu në lidhje me Mjaftin! apo ish mjaftin e ish mjaftistët.

  Duke supozuar se shumica këtu, janë çuna e goca relativisht të rinj... ndaluni për një moment, e mendoni... 

  Hudhini një sy profileve të çuna-gocave të Mjaftit. Të gjithë të rinj, të studiuar jashtë, me një mentalitet perëndimor, me vullnetin dhe dëshirën e moshës për të punuar dhe kontribuar, normalisht edhe gabime kanë bërë, edhe ambiciozë kanë qënë, edhe publicitet kanë dashur, edhe protagonizëm, edhe një qëndrim rebel ndaj autoritetit të politikës dhe të llojit të vet e kanë pasur... 

  Ama rrini për një moment e mendoni: përfaqësoheni MË SHUMË prej këtyre, juve vetë, secili nga ju, apo nga zarbat e pushtetit të sotëm? 

  Nuk bëhet fjalë më, për "të keqen më të vogël", por realisht për KAPACITETIN real të Shqipërisë dhe shqiptarëve, e personalisht, për mua, këta janë gjëja më e mirë që mund të ofrojë Shqipëria sot. KËTË kapacitet ka. Klajdin melodramatik, Erjonin protagonist më shumë seç duhet, Elisën impulsive, Maznikun... e me rradhë, edhe çunat e Saktivistës përfshirë, sigurisht! 

Rrini për një moment, e thirrini mendjes... nuk bëhet më fjalë për njerëz, dhe kritikë ad homimen, bëhet fjalë për MODUL zhvillimi, synim, strategji. Këta janë brezi ynë, pjesa e identitetit tonë. Lloji i tyre janë shokët që takojmë kur shkojmë në Tiranë, më të afërtit njerëz në mendime dhe ide me ne... këta janë. 

 

Ky flet sikur Mjaft-i ka qene qendra e botes. Nje organizim vullnetar a idealist qe kishte vemendje a autoritet tek publiku. Me keto ma merr mendja qeshin te gjithe. Vemendjen e medias parazite te Tiranes e dime se si e ka marre Mjaft dhe nuk po e perserisim dhe idealizmin e tyre e njohim po aq mire: rrofshin parate e donatoreve se kur u ndalen u ndal edhe Mjafti dhe udhetimet ne Bulqize. Nga pikepamja politike keta kane qene nje celule ramiste me direktiva te qarta. Shqip e shkurt, nuk e vriste mendjen kush per Mjaft pavaresisht se gumezhinte me media. Demi i tyre me i madh eshte ne dy gjera kryesore: Ka shkaterruar per kohe te gjate aktivizmin ne pergjithesi dhe ate rinor ne vecanti, per shkak se publiku nuk beson me ne stisje te tilla dhe se dyti, produkti qe ka nxjerre eshte shume i keq. Erion Veliaj e Bledi Mane jane dy shembujt me domethenes.

Per keta te Mjaftit nuk e di, qofsha i gabuar, por kam idene se u mblodhen bashke nje grup qe kish mbaruar shkollat ne perendim, por te pa-afte per te konkuruar ne tregun e punes perendimor edhe mbaro shkollen edhe ik ne shqiperi se te bejne deputet(e) si Spiropali apo Xhaçka. Pa pasur nje dite eksperience pune jashte, ne kompani apo korporata te huaja. Aty ku eshte shkolla e vertete, ku jo vetem meson e perfeksion degen e zgjedhur, por meson edhe menyren e komunikimit ne nje ambient biznesi, menyren e te punuarit dhe mentalitetin e biznesit, meson ate qe quhet "corporate politics" e shume te tjera. Nejse "buono per Albania" do thoshte nje miku im.

Rrofte fotoja me cica, se per gje tjeter...well, also me ngjan me artikullin me poshte te deles shqiptare maje shkembit Norvegjez. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).