foto2-300x225.jpg (300×225)

Berisha dhe ministrat Mediu e Olldashi në takim me Tom Rixh dhe sekserin serbo-boshnjak Damir Fazlliç, në vitin 2006

Në një analizë të gjatë të faqes së mirënjohur amerikane online huffingtonpost, shtjellohet se si ish-zyrtarë të rëndësishëm të administratës amerikane lobojnë për qeveri, apo grupe të ndryshme nëpër botë, në këmbim të pagesave të majme prej tyre.

Huffington sjell rastin e grupit terrorist “Mujahideen-e Khalq” (MEK), i krijuar gjysëm shekulli më parë në Iran dhe që është në listën e zezë të departamentit të Shtetit. Ish-zyrtarë të administratës amerikane, mes të cilëve emra shumë të njohur edhe në Shqipëri, në këmbim të pagesave deri në 40 mijë dollarë për një fjalim apo deklaratë të shkurtër, premtojnë dhe mbështesin nismën për heqjen e grupit terrorist nga lista e zezë. Sipas sajtit online huffingtonpost. com, emra të tillë ish-zyrtarësh të lartë si ish-drejtori i FBI-së Luis Frih, Ed Rendell, ish-guvernator i Pensilvanisë, ish-guvernatori i Vermontit Hauard Din, ish-sekretari për Çështjet e veteranëve, Togo Uest, ish-sekretari për Sigurinë Kombëtare Tom Rixh, apo ish-gjenerali i luftës së Kosovës,
Uesli Klark: një listë e gjatë prej 33 ish-zyrtarësh të lartë kanë dhënë deklarata dhe “leksione” prej dhjetorit të vitit të kaluar në 22 takime të mbajtura në Uashington, Bruksel, Londër, Paris dhe Berlin. MEK ka shpenzuar miliona dollarë si shpërblime për folësit. Ishkryetari i komisionit për sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA Li Hamilton pranoi se kishte marrë një shpërblim “domethënës”.
Po kështu folës të tjerë pranuan se kishin marrë shuma nga 20 deri në 40 mijë dollarë për deklarata mbështetëse apo një fjalim të shkurtër deri 6-minutësh në takimet e organizuara nga mbështetësit e grupit terrorist.

Tom Rixh e Uesli Klark, në listën e ‘avokatëve të djallit’

Disa prej emrave që mbështesin dhe lobojnë kësisoj, janë mjaft të njohur në Shqipëri, sepse njihen si lobues edhe të kryeministrit Berisha. Në 2005 PD-ja bëri fushatë me kompaninë amerikane “BG&R”, kundrejt një kontrate, që nuk e ka bërë publike as sot. Në 2006-ën, ish-guvernatori dhe ish-sekretarit amerikan për sigurinë kombëtare, Tom Rixh, i larguar nga administrata e Bush, në këmbim të lobimit për afrimin e Shqipërisë në NATO dhe rritjen e Sigurisë Kombëtare, u pagua me një faturë prej 480 mijë dollarësh amerikanë dhe përveç kësaj atij i ishin hequr me paratë e taksapaguesve shqiptarë edhe shpenzimet e udhëtimit apo qëndrimit në Shqipëri, ku rëndom vinte i shoqëruar nga sekseri serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, aq i përmendur në Ballkan si i lidhur me krime dhe trafiqe.

Ky i fundit ishte edhe shoqëruesi i ish-gjeneralit të luftës së Kosovës Uesli Klark, gjatë bisedimeve të tij për të hyrë në biznesin e lojërave të fatit në Shqipëri. Tom Rixh veç “këshillave” të tij ishte “kumbari” i kontratës së Microsoft-it, me qeverinë “Berisha”, kreu i të cilës deklaronte në 14 shtator 2006, se:
“Kam kënaqësinë t’ju bëj të njohur se ish-guvernatori i Pensilvanisë, Tom Ridge është këshilltari i qeverisë sime për probleme të sigurisë, por edhe për reformat në tërësi dhe në veçanti të teknologjisë së informacionit” (shih km.gov.al). Në një vendim të qeverisë, të datës 8 gusht 2007, pagesa ishte e kënaqshme: “Buxhetit 2007, t’i shtohet fondi prej 142 milionë, si pjesë e fondit të përgjithshëm prej 426 milionë lekësh, për projektin e partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit dhe ky fond të përballohet nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave”. Pa përfshirë pagesën për këshilltarin Rixh. VKM nr.653, datë 27.9.2006 prashikonte: “Lejimin e Kryeministrisë, që, për fondin limit prej 46 608 000 lekësh, të përdorë procedurën
“prokurim i drejtpërdrejtë“, me shoqërinë “Ridge Global LLC”, për dhënie “shërbim konsulence”, për hartimin e strategjisë kombëtare për sigurinë, luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe kriminalitetit, sipas termave të referencës, që i bashkëlidhen këtij vendimi”.

Çfarë është grupi “Mujahideen- e Khalq”

I themeluar mbi baza marksiste në 1963, grupi “Mujahideen- e Khalq” ishte përgjegjës për vendosje bombash në Iran në vitet ’70, përfshirë edhje vrasjen e 6 amerikanëve. Pas fitores së Revolucionit Islamik, në 1979, Ajatollah Khomeini e përzuri grupin terrorist nga Irani, që u zhvendos 75 milje më tej, në Khalis, një zonë ku mbështetet, në Irakun fqinj. Në vitet 1980-’88, militantët e MEK mbështetën Sadam Huseinin në luftën kundër regjimit iranian, si dhe morën pjesë në sulmet e Sadamit kundër kurdëve dhe shiitëve në Irak. Kongresi Amerikan e futi në listën e zezë në 1997 dhe prej atëherë MEK ka financuar qindra milionë dollarë për
tu “pastruar”.

Jepnin deklarata PRO pasi paguheshin, pa e njohur fare çështjen

Dossieri i Huffington Post jep edhe disa detaje që të bëjnë të mendosh se këta njerëz me influencë, pasi paguhen, nuk e kanë problem të japin edhe deklarata të sugjeruara, pa patur fare informacion se çfarë ka ndodhur realisht. Huffinton jep rastin e njërit prej lobuesve, z.Rendell i cili ka pranuar se nuk kishte dëgjuar kurrë më parë të flitej për kampin Ashraf deri sa ky grup nuk e ftoi për të qënë pjesë e panelit folës. Por a e dini se çfarë ai deklaroi pasi u pagua? Ja fjalët e tij:  “Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua.. Të hënën do t’i dërgoj një letër Presidentit Obama dhe Sekretares së Shtetit Klinton dhe do t’ju them se SHBA duhet moralisht të kaloj çdo cak për të bërë gjithçka munden në mënyrë që t’i japn sigurinë e munguar Kampit Ashraf…”

Një tjetër prej zyrtarëve që paguhen për deklarata, z.Sano pranoi në momentin e fundit të flasë në një conference (26 Korrik). Ai nuk kishte asnjë informacion, por pasi u njoh me “honorarin” ai pranoi të ulej për orë të tëra me dy iranianë të grupit në fjalë, dhe ata e pasuruan dijen e tij për çështjen. Pas kësaj, edhe ai dha deklarata pro grupit terrorist. 

(Artikulli i plotë mund të lexohet sot në Shekulli versioni print)

2 Komente

Mban kurrizi i popullit  mban. 

 Ok, e gjetet fillin juve te medias nga Huff Posti! 

Tani mshojini punes investigative dhe gjejeni sa lek, kush, qysh e tek ka pagu per t'sjelle ne Shqipni keta delenxhileret!

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).