PERËNDITE, ORAKUJT DHE POPULLI

Nga Arbër Shtëmbari



Teksa lexoja këtë pasazh të artikullit “Kush i gjykon gjyqtarët”, të Leart Kolës, citoj:
“[…] Dakort, ndoshta e mbyllim këtë muhabet duke thënë që “fajin e ka Saliu”, por mua nuk më duket kaq e thjeshtë. Kjo strukturë që po i shërben pushtetit të sotëm, ka për t’i shërbyer dhe atij të nesërm, e gjithmonë ligji do të godasë mbi kokat e atyre që s’kane imunitet, për t’ua mohuar përfundimisht drejtësinë […]”, s’di pse mu kujtuan orakujt në Greqinë antike.
Po mendoja: Kush do ta vinte në dyshim fjalën e një orakulli? Orakujt përherë janë besuar, sepse legjitimiteti në çka ata thonë buron nga një autoritet hyjnor. Kështu dhe me juristët sot. Ata janë “përkthyesit e autorizuar” për të interpretuar ligjet e një shteti, ata janë të autorizuarit për të bërë drejtësi. Të gjithë duhet të besojnë tek ligji, të gjithë duhet të besojnë tek juristët, e vice versa. A ndodh kështu në vendin tonë? Kërkesa për drejtësi, përmes zërit të pushtetit, propagandohet si kërkesë që vjen nga populli. Populli kërkon drejtësi, thotë pushteti. Instrumentalizimi i drejtësisë si kërkesë sociale përbën bazën e ideologjisë sipas të cilës drejtësia është universale, ndaj si e tillë asaj i atribuohet e drejta për të qenë absolutisht autonome.
Në fakt, drejtësia, si një ndërtim social, përbën një fushë përplasjesh të dyfishta që ndodhin në dy rrafshe:
Në rrafshin “hyjnor”, përplasjes janë më së tepërmi të natyrës politike (OK! Pas të cilave fshihen interesa ekonomike sigurisht ) e ato s’kanë tjetër qëllim përveçse kapjes së monopolit të dhënësit të drejtësisë. Përleshen “perënditë” e politikës kush e kush të kap institucionin e “orakujve” të drejtësisë. Se për të besuar në fjalën hyjnore, duhet më së pari ti besosh lajmëtarit.
Në nivelin e dytë, atij “tokësor”, përplasjet ndodhin midis vetë “orakujve” për çështje kompentencash në lidhje jo vetëm më përmbajtjen e interpretimeve që ata i bëjnë drejtësisë, por edhe mënyrën sesi ky interpretim do të përcillet (si transmetim dhe si gëlltitje) publikisht. Kështu, për shembull, si kurrë më parë, ne ndoqëm për ditë me rradhë përplasjet midis juristëve në KQZ. Palët, në përballje të plotë mes tyre, përcollën mesazhet “hyjnore” përmes një mise-en-scene të caktuar :
Në nivelin “hyjnor” (lexo: politik), vështirësia e aktit qëndronte në faktin se nga një anë duhej treguar që interpretimet ishin “të kulluara”, të pavarura prej presioneve të jashtme por, nga ana tjetër, “hyjnitë” duheshin siguruar që mesazhi po përcillej.
Në rrafshin tokësor, atij të dispozicioneve, juristët, së pari, duhet të respektonin normat teknike të duelit mes llojit, norma që kërkojnë riprodhimin konstant të një gjuhe specifike, përmes sibilinash, pikërisht për të legjitimuar universalitetin e fushës së tyre duke u ngritur mbi gjuhën e rëndomë, duke krijuar distance me artikulimet e së përditshmes, asaj të popullit. Së dyti, paradoksalisht, “orakujt” duhej që herë pas herë të risillnin edhe elementë të banales, mbështjellë me shtresa etike, morale, herë-herë edhe edukative, pikërisht për të krijuar efekt tek teleshikuesit, efekt që ndoshta do të sillte, në rast të humbjes së kauzës, një legjitimitet universal rezervë, atë të mbështetjes direkte të asaj pjese të popullit që priste me ankth vendimin, me sytë e lodhur prej pagjumësisë dhe numërimit live të çdo vote, në kopshtet e Edenëve partiak.
Për të dhënë drejtësi, duhet të jesh jo vetëm i drejtë, por duhet edhe të rrish drejt, madje në historinë e drejtësisë shqiptare ka pasur plot juristë që kanë qëndruar edhe “gatitu”, por në këtë teatër të mizorisë, siç do ta quante poeti Antonin Artaud, në skenën e të cilit pak rëndësi ka nëse interpretimi ka një kuptim, se ajo që kërkohet është që veç forma të jetë magjike, magjepse, e mrekullueshme, juristët janë viktimat e para, populli jo profan është i dyti.
Të parëve, juristëve, u duhet të besojnë se për të bërë çka ata bëjnë, pra përcjellja e mesazhit permes një interpretimi trashendetal tek të dytët, u duhet pikërisht të besojnë tek autoriteti hyjnor i mesazhit dhe, mbi të gjitha, tek autoriteti vetjak se ata mund të japin drejtësi drejtësisht.
Të dytët, besojnë tek mesazhi, jo sepse orakujt kanë ndonjë dhunti kushedi-se-çfarë për të interpretuar, por sepse brenda kësaj kozmologjie, atyre nuk u jepet tjetër zgjedhje, përveçse të besojnë!
Shtrohet pyetja: Mos ndoshta një utopi po zëvendëson një tjetër ?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).