(fragment nga nje artikull ne pritje per te dale ne shtypin shqiptar keto dite)

Kush vret e kush po vritet në Shqipëri? Pa përmendur rastet e krimeve të tipit mafioz, në më të shumtën e rasteve, krimi tek ne godet shtresat e varfëra, godet të gjithë ata që ndihen të përjashtuar nga një shoqëria. Shtresa më e prekur i përket atyre që ndihen të pashpresë dhe nuk kanë asnjë projekt, por shtyjnë ditët. Janë këta viktima të pabarazisë ekonomike dhe polarizimit ekonomik gjithmonë e më tepër të shoqërisë. Kjo e fundit dhe krimin e percepton si fenomen personal dhe jo si një plagë sociale. « Njeriu lind i mirë, por atë e korrupton shoqëria”, thotë Ruso. Duke u nisur nga kjo premisë, dhuna duhet perceptuar si një objet i ndërtuar socialisht. Dhuna nuk është momentale, edhe kur ajo prodhohet në një çast. Ajo është karrierë që prodhohet në një kontekst të caktuar historik, politik e shoqëror. Nuk është rastësi korrelacioni që vihet re midis dhunës politike dhe dhunës së përditshme. Sa herë që tensionohet situata e brendshme politike, shtohet numri i krimeve. Sa herë përplasjet politike bëhen më agresive, aq më të përbindshëm janë krimet. Politika dhe gjuha e përdorur prej saj, pikërisht ato që duhet të shërbenin si model qytetarie, shfaqen sot para syve të qytetarëve si shembulli më i keq i komunikimit. Parlamenti që duhet të ishte tribunë e demokracisë është shndërruar në një teatër të dhunës verbale ku retorika e helmuar e trajton kundërshtarin politik si armik e ku mungesa e tolerancës mes kolegësh është bërë rend i ditës. Kur sheh ç’ndodh në sferën politike shqiptare, e merr me mend se ç‘mesazh mund të transmetojnë tek gjeneratat më të reja politikanët tanë me sjelljen e tyre !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).