Personalizimi i politikës shqiptare

Arbër Shtëmbari

Që prej zgjedhjeve politike të 28 qershorit të vitit 2009 jeta e brëndshme shqiptare karakterizohet nga dallgë të pandërprera politike, pasojë e atij procesi zgjedhor. Në pamje të parë u la përshtypja se zgjedhjet u zhvilluan të qeta e të rregullta, por pak më vonë u dëshmua se s’kishin qënë të atilla. Një përfundim të tillë e kishin artikuluar edhe vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët, në raportet e tyre me shkrim, kishin shënuar se në pjesën dërmuese të qëndrave të votimit fletët u numruan keq dhe shumë keq! Sigurisht, pati edhe mjaft vërejtje të tjera të kësaj natyre prej këtyre vëzhguesve, por përfundimi më përgjithësues ishte, se votimet qenë më të mira se të mëparshmet dhe, si të tilla, u konsideruan brënda standarteve.

Opozita kryesore shqiptare, Partia Socialiste, juridikisht i njohu rezultatet, por politikisht nuk u pajtua me vlerësimet që u dhanë për procesin zgjedhor. Për të dhe, personalisht, për liderin e kësaj partie, zotin Edi Rama, zgjedhjet qenë thellësisht të manipuluara në mënyrë të sofistikuar nga partia në pushtet. Në këtë përfundim atë e çuan jo thjesht votimet e zhvilluara në fshatin Luar të rrethit të Fierit, (ku mbi 70 për qind e të gjitha votave ishin krejt falso), por edhe sinjalet e bazuara në fakte të ardhura nga disa rrethe.

Mbas zgjedhjeve të 28 qershorit, krejt natyrshëm nisi një përplasje e organizuar politike midis dy liderëve të partive kryesore. Politikanët militantë të të dy krahëve të politikës u shndërruan në “shqytarë” të bindur të liderëve të tyre. Por kjo ndarje shkoi edhe më poshtë: shqiptarët u bënë ushtarë të një ndeshjeje të pandërprerë politike për të mbrojtur e mbajtur lart, me prova e pa prova, liderët e tyre! Shkurt, në shesh-betejën politike shqiptare u vunë përballë njëri – tjetrit dy “komandantë”: Sali Berisha nga njëri krah dhe Edi Rama në krahun tjetër. Dhe vini re? Tani synohej të mposhtej vetëm personi, duke mos u llogaritur armata që e mbështeste nga mbas. Sikur edhe çështja e festës së pranverës të diskutohej në Kuvendin e Shqipërisë, në qëndër të diskutimit të kryeministrit do të vihej ai dhe vetëm ai: “armiku i betuar” i pranverës, Edi Rama! Shkohej me logjikën, se duhej “asgjësuar” së pari komandanti, sepse pastaj …

Personalizimi i politikës është profilizuar dhe zyrtarizuar prej njëshit të fortë, njëshit të pamposhtur. Duke e njohur mjedisin ku punon e drejton, lideri demokrat nuk e ka pasur të vështirë të “prodhojë” e të “riprodhojë” parreshtur politikë personale! Ai pat deklaruar se fletët e votimit do të digjeshin në afatin ligjor, më pas ndryshoi mendim, duke rideklaruar se ato nuk do të digjeshin, por do të mbaheshin deri ditën e zgjedhjeve të reja. Sepse nuk bëhej qameti se do të mund të bliheshin me 10 milion lekë kuti të reja! Dhe po ky lider kohë më pas do të lëshonte deklaratën e tretë, se fletët e votimit do të digjen sipas ligjit! Dhe “ushtarët” e tij të çdo rangu përsëritnin po të njëjtat deklarime, si të ishin thjesht papagaj! Deri edhe titujt kryesorë të gazetës së partisë në pushtet, “Rilindja Demokratike”, sajoheshin me shprehje të këtij lideri! Ndodh siç ndodhte dikur me fjalimet e Enver Hoxhës, kur faqet e gazetave hapeshin me citate nga ato fjalime.

Ah! “E shkuara është një vend i huaj; Po i bëjnë gjërat ndryshe këtu!”, kështu niste një novelë e shkrimtarit anglez David Louertal. Po sa e huaj është ajo e shkuar kur sot edhe diskutimet e disa prej deputetëve të Partisë Demokratike ndërtohen jo vetëm me idetë e të parit të tyre, por deri edhe me fjalorin politik dhe stilin ligjërues të shefit të tyre?! Kësisoj, nuk bëhet fjalë më për individualitete politikanësh, por për klishe e deri shabllone të të parit të tyre.

Shumë më ndryshe ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në opozitën kryesore. Aty ka pasur deputetë që kanë menduar jo në unison me drejtuesin e partisë së tyre. Jo në pak raste këta kanë dalë me sugjerime konkrete, të cilat kanë pasur guximin edhe t’i mbrojnë. Janë të shumtë ata që e kujtojnë një mbledhje të KPD së famshme të Partisë Socialiste, kur ish lideri socialist, Fatos Nano, iu lëshua me tërsëllëmë atyreve që e kundërshtuan, duke përdorur armën e “të drejtës” për të realizuar politikë të personalizuar. Kundërvënie ndaj njëshit në Partinë Socialiste ka pasur edhe kohët e fundit. Por këta nuk janë etiketuar nga lideri socialist. Të paktën, publikisht nuk janë sulmuar. Sidoqë shtypi i ka përfshirë në të ashtuquajturën lëvizje të mendimit ndryshe, brënda Partisë a Grupit parlamentar ata nuk janë trajtuar si mish i huaj. Ngjet ndryshe nga ç’ndodh në Partinë Demokratike. Në Partinë Socialiste ka shumë më tepër liri mendimi, ku, tërthorazi, në ndonjë rast – edhe drejtpërdrejt, i bëhet oponencë edhe mendimit të njëshit. Me fjalë të tjera, ekziston mundësia për t’i rezistuar personalizimit të politikës.

Si refleks i një atavizmi të hershëm, politika shqiptare vuan prej psikologjisë së të respektuarit deri në përulësi të njëshit të plotfuqishëm. Edhe ish monarkut Ahmet Zogu i qenë sajuar këngë, edhe ish udhëheqësit komunist Enver Hoxha i qenë kënduar këngë, madje jo pak, por po del se edhe kryeministrit aktual, Sali Berisha, (të vetmit lider shqiptar të pluralizmit), vazhdojnë t’i thuren këngë! Më e bukura është, se këto këngë edhe pranohen nga kryeministri aktual! Po fundja, siç tha dikur kardinali francez Mazarin, “le të këndojnë, vetë po paguajnë”.

Askush nuk do të besonte, që Berisha do të pranonte që t’i këndoheshin këngë, fjala vjen, ish Presidentit Moisiu apo Presidentit aktual, Bamir Topi. Po t’iu këndohej këtyre, me siguri që do të dëgjonim “humorin” e radhës nga ana e liderit demokrat. Se, sipas logjikës së këtij, këngë iu këndohen vetëm atyre që e meritojnë!

Po të freskojmë kujtesën, do të na vijë ndërmënd periudha e viteve 1992 – 1997, kur kryeministri aktual ishte President, por, ndërkohë, drejtonte edhe si kryeministër, duke e dubluar kryeministrin e kohës, Aleksandër Meksi. Duket si paradoksale, por është e vërtetë: Në ditët e sotme, edhe pse grupin parlamentar të Partisë Demokratike, formalisht e drejton Astrit Patozi, në fakt këtij të fundit i takon vetëm të hap e të mbyll mbledhjen e këtij Grupi, sepse gjithçka tjetër e kryen personalisht kryeministri! Sigurisht, këtë dukuri kushdo e kupton brenda këtij Grupi deputetësh, po askush nuk e ngre zërin. Edhe deputeti demokrat Paulin Sterkaj që arriti ta ngrejë zërin në një rast të vetëm, nuk gjeti mbështetje, kështu që e pa më të udhës të shkojë në Grupin e deputetëve socialistë.

Lideri demokrat tashmë është bërë monoton e, si i tillë, tepër i bezdisshëm edhe për vet të tijtë në Kuvendin e Shqipërisë. Sepse është tejet e mërzitshme të dëgjosh me orë të tëra replika të stërgjatura me kundërshtarët politikë. Është e vërtetë ajo që i është thënë Sali Berishës, se ai mbetet ndër liderët e vetëm në Europë e në botë, mbas Kastros e Çavezit, që flet shumë gjatë. Në ligjëratat e tij përfshihen sqarime të rëndomta e deri fyerje dhe përralla bajate. Kuptohet, një mënyrë e tillë të vepruari flet për krizë personaliteti. Ai nuk mund të durojë kurrësesi qoftë edhe një vërejtje të rëndomtë prej kundërshtarit politikë. Reagimi i shpeshtë, me e pa asnjë shkak, i buron nga mania për t’u treguar prijës, pa të dytë e pa të tretë. Këtë psikologji prej “komandanti” ai e ka pohuar me gojën e vet, se që në vogli na paskej pasur kalë, të cilit nuk ka ndërmënd t’i zbres edhe për shumë vjet të tjerë!

Kuptohet, çdo shtet ka hierarki shtetërore dhe, brenda sensit të pushtetit, ka dhe hierarki simbolike – ka shtetarë të rangut të parë, të dytë e të tretë e me radhë, të cilët respektojnë veprimin ligjor të njëri – tjetrit. Në Shqipëri bën vite që ky rregull nuk njihet. Dhe as nuk zbatohet. I parë, i dytë, i tretë dhe i të gjitha rangjeve më poshtë është ai dhe vetëm ai: Sali Berisha! Atë e ke të parë në të gjitha veprimtaritë zyrtare, kombëtare e ndërkombëtare. Nisur nga psikoza e të qënit “kalorës” i vjetër, ai është gati të nëpërkëmbë çdo rregull protokollar. Arrin të gjykojë e t’i jap vijën edhe Drejtësisë, duke i tërhequr asaj vëmëndjen dhe duke i treguar edhe rrugën që duhet të ndjek!

Kërkesa e Partisë Socialiste dhe, në përgjithësi, e opozitës së bashkuar, në thelb ka një qellim me interes të mirëfilltë kombëtar: të verifikojë difektet e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe, mbi bazën e tyre, të organizohen në të ardhmen zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe objektivi i fundit është i qartë: shteti të jetë përfaqësues legjitim i asaj force politike, që gëzon mbështetjen e shumicës së popullit. Dhe po të arrihej kjo, atëhere nuk do të mund të kishte Njësh të fortë, individ që imponon shumicën, lider që tërheq prej hunde tërë shpurën që i vjen nga mbas.

Mirëpo, gjykuar nga ç’shikohet, është e kotë të pretendohet dhe të shpresohet, se Shqipëria do të mund të emancipohet ndonjëherë politikisht sa kohë që do të drejtohet në mënyrë të personalizuar!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).