Shqiptarët në prag të liberalizimit të vizave

as

Nuk ka ditë që mos të dëgjojmë mbi këtë « mrekulli (tjetër) të lirisë », liberalizimin e vizave. Ekzaltimi i përhershëm që na shoqëron në kësi rastesh nuk mungoi as kësaj rradhe të përsëritet e stërpërsëritet në çdo media, në çdo formë të mundshme. Puna shkoi deri aty sa funksionarë të caktuar të BE nuk ngurojnë të dhurojnë show në emisionet argëtuese të fundjavës, një farë klonimi ky i kllounazhit të ndërmarrë muaj më parë nga të tjerë diplomatë të huaj. Por, në fund të fundit, a nuk është e gjitha kjo situatë një spektakël ? Injektimi i vazhdueshëm i politikave të eksportuara neoliberale që na çojnë gjithmonë e më shumë drejt unifikrizës së tregjeve botërore i paraqitet popullit shqiptar si një mesazh human ku zërat e regjimit nuk ngurojnë të na parashtrojnë tezat e iluministëve francezë, të drejtat themelore të Njeriut, e të tjera teza që lidhen me barazinë, multikulturalizmin, etj.

Stazhionimi i shpirtit të këtij kombi në dobi të ruajtes së këtij rendi “të mrekullueshëm” që kemi instaluar, kohët e fundit ka shpërthyer edhe më fuqishëm, prova e të cilit janë shpenzimet marramendëse : ne shpenzojme miliona tashmë për një ushtri sipas standarteve të Natos apo për të mirëmbajtur trupat tona që shërbejnë në konflikte të zona të nxehta të globit (tingëllon çuditshëm, por Shqipëria është në luftë !), të tjera miliona shpenzohen në infranstruktura të pastudiuara dhe që zhvillohen pa asnjë projekt, të tjera akoma përfundojnë në xhepa qeveritarësh, politikanësh dhe lakenjsh mediatik të tyret, duke lënë tërësisht në harresë kantiere të pafund të sociales për të cilat ka kaq shumë nevojë vendi ynë.

Ndërkohë që shtetet europiane në familjen e të cilësve në aspirojmë të bëjmë pjesë, mburren me fitoret sociale që ata kanë arritur dhe luftojnë për ti mbrojtur këto fitore, ne jo vetëm që s’kemi absolutisht asgjë për t’u mburrur, por dhe ato pak kolona sociale kaq të brishta që kemi, e që për hir të vërtetës i kemi të trashëguara nga komunizmi, jo vetëm që nuk jemi në gjendje ti mbrojmë, por madje ka një politikë të caktuar dhe të racionalizuar që synon ti shkatërrojë sistematikisht- gjithçka duhet privatizuar!

Habiten disa, e të tjerë mërziten, sesi është e mundur që ka shqiptarë që heqin dorë me vullnet të lirë nga kombësia shqiptare për të përqafuar atë të një shteti tjetër?! Trashëgimia ndërtohet dhe zhvillohet në kushte të caktuara sociale. Këto tonat janë shumë të vështira dhe fakti që ende jo të gjithë s’ja kanë mbathur, tregon se përveç barrierave institucionale për të penguar ikjen, zbulon se tek ne paska patur një potencial të fuqishëm simbolik dhe kulturor që i mban shumë njerëz të lidhur që të besojnë ende pas kësaj toke. Për fat të keq, eksodi masiv i shqiptarëve që prej rënies së komunizmit, ka treguar që ne jemi të gatshëm për të braktisur këtë shtet jo vetëm në formën e tij institucionale, por dhe në përmbajtjen e tij shpirtërore, si në rastin e Himarës. Se një Shtet nuk është vecse një strukturë e paanimuar, por ai mbart një ngarkesë të fuqishme simbolike. Por që të besosh në një sistem, duhet të besosh në fitoret e tij sociale. A ka sot një shqiptar të vetëm që të besojë në administratën e Shtetit shqiptar ?

Shqipëria tashmë ka hyrë fund e krye në të ashtuquajturin mondializim, e ka pranuar këtë rend si të mirëqenë, pa krijuar as kushtet minimale të një debati. Të paktat shkëndija që lindën në shtypin shqiptar u shuan nën shtypjen e censurës që tenton të eliminojë e të deklasifikojë duke kategorizuar përshtirshëm nën etiketat “komunist”, “enverist”, e të tjera idiotësira ad hominem të këtij lloji. Pyetja që cdo force kritike shqiptare sot duhet të parashtrojë është : cili është çmimi social dhe ekonomik i hyrjes së Shqipërisë në proçesin e globalizimit? Për ta ilustruar me dy tri shembuj: punëtorit shqiptar do t’i duhet të konkurojë (të rropatet) në dy fronte: nga një anë ai duhet ti rrëmbejë punën punëtorit europian i cili në shtetin e tij duhet të sakrifikojë nga fitoret e tij sociale për të mos përfunduar në rrugë për shkak të një delokalizimi të uzinës (në vende si Shqipëria) dhe nga ana tjetër, punëtori shqiptar duhet të konkurojë me punëtorë të shteteve (emergjente) edhe më të varfra se ne ku shfrytëzimi është edhe më therrës, por që kanë një rendiment prodhimi më të lartë siç është rasti i Kinës apo Indisë.

Kurse në aspektin kulturor, mund të shtrojmë pyetjen se cila do të jetë autonomia e artistit shqiptar në përballje me kërkesat e tregut? Dukshëm cilësia e artit shqiptar lë shumë për të dëshiruar dhe jo vetëm, por edhe kur ai është cilësor gjithmonë e më shumë po i largohet publikut shqiptar, për ti lënë vendin prodhimeve bajate komerciale. Artisti shqiptar, që duhet të tregonte një farë distance ndaj kapitalit ekonomik, të tregohej i painteresuar ndaj tij, për t’ju dedikuar vetëm krijimit, ai sot është shndërruar në një llogaritar ankthioz fondesh, financimesh, që pret komanditarin e rradhës, për të prodhuar art. E cfarë arti se?

Ndaj, me shumë të drejtë duhet ngritur zëri dhe duhet zhvilluar një kritikë e fuqishme ndaj këtij rrënimi që ka prekur cdo fushë të zhvillimit të Shtetit shqiptar. Lakenjtë mediatik të pushtetit, këta analistë pedantë që kaq shpesh i shohim teksa na japin leksione mbi demokracinë dhe lirinë, nuk kanë për të hezituar për të ridalë në skenat e tyre të parashkruara për të denigruar patriotët e vërtetë të këtij kombi, këtyre mohuesve të ekonomisë, sfidues të vërtetë të logjikës së rëndomë të sistemit, si nacionalistë të sëmurë, si njerëz pasionantë, si enveristë, si fashistë, si komunist, gjithcka është e mirë për ta vetëm e vetëm që të realizohet denigrimi i tyre.

Hipokrizia e diskursit të aparatit të dominuesve (këtu bëjnë pjesë dhe lakenjtë) qëndron në faktin se nga një anë çmitizon mitet kombëtare apo krahinore, produkte të lindur natyrshëm në kohë prej shoqërisë sonë dhe, nga ana tjetër, kësaj hapësirë simbolike që sapo kanë shkatërruar, nuk harrojnë ti bëjnë thirrje të mobilizohet (ka diçka kaq pak të krishterë në këtë ringjallje) sapo atyre u shërben, kryesisht në raste fushatash zgjedhore.

Hapësira ku ndërveprojnë simbolet dhe shenjat e këtij kombi është ngrehina e preferuar e shfryrjeve quasi institiktive të atyre që të veshur sot me pushtet apo të borgjezuar pranë tij. Këta janë “të lodhur” nga flamunjtë e komunizmit, nga filmat me partizanë, nga poezitë e rilindasve, nga Lidhja e Prizrenit, apo diçka më tejtu, nga tranzicioni, nga zgjedhjet e grabitura, nga politika, nga Kosova, nga gjuha shqipe, në fakt pak a shumë nga gjithçka. Këta vegjetarianë të politikës duan qetësi, kritikën nuk e pranojnë, janë tifozë të tezave no borders dhe mjaftohen me atë çka ata shohin jo më larg se maja e hundës së tyre, kështu që në një farë mënyre këta kontribuojnë që status quo’ja të vazhdojë. Këto qënie kaq ekologjike për mjedisin e tyre ndërveprojnë si qark i mbyllur që mbarsen dhe pjellin vetveten (një farë hidre e çuditshme).

Gjithcka shkon vetëm në një drejtim, shkatërrojmë, shkatërrojmë dhe vetëm shkatërrojmë – globalizimi kërkon jo vetëm të unifikojë tregjet financiare, por edhe ato simbolike- atëherë kur botërisht dihet që simbolet janë këto pika referimi që i shërbejnë një kombi për të realizuar integrimin e qytetarëve të tij në cdo hallkë të shoqërisë. Si do të mund të integrohen në bashkësinë europiane qytetarët shqiptarë, ata që tashmë haptazi i përkasin dorës së dytë, apo të tretë se qytetarisë, atëherë kur ata ndihen të përjashtuar brenda vetë shtetit të tyre?

Manjako-represivët e pushtetit dhe të parasë që janë në themel të zhdukjes së shpirtit të këtij kombi dhe energjive të tij nuk arrijnë të kuptojnë se të mbrosh një shtet nuk do të thotë të mbrosh teza nacionaliste, por do të thotë të mbrosh autonominë që rrezikohet sot prej aksionit të pandërprerë të forcave supranacionale, siç është rasti i firmave multinacionale. Në lidhje me këtë çështje, intelektualët shqiptarë paraqesin të gjithë, me pak përjashtime, forma të dorëzimit, disa me dashje, në emër të vilave dhe kontove bankare, disa padashje, ata që “nuk e dinin” dhe disa të tjerë të detyruar për të bërë kompromis në emër të një mirëqënie mediokre, por të mjaftueshme pët të mbajtur një familje me bukë. Kjo është panorama e shpifur e botës sonë intelektuale që i përngjan kaq shumë shpifjeve në skenat e ferrit në tablotë e Jeronimus Bosh.

E vetmja autonomi që është krijuar i shërben fushave të izoluara që kanë polarizuar shoqërinë tonë në një klasë tash kaq aristokratike, kaq mesjetare. Autonomi kanë pasunarët e rinj, cinikë, të stërfryrë, injorantë të dhunshëm, kozmopolit të tipit osman që të shtypin me këmbë dhe me makinat e tyre luksoze dhe, nga ana tjetër, autonomi i është lënë një aparati policior represiv kundër masës amorfe, por gjigande, “të pabuksëve”, të njerëzve të varfër, në kokë e në xhep, fshatarëve të çterritorializuar, qytetarëve të terrorizuar, rrjepacakëve të lodhur së ndjekuri “Fashion Tv” e të tjerë akoma që s’kanë as televizor e që zbulojnë njëri tjetrin netëve nën dritën e qirinjve që shpesh rezultojnë të dhuruar apo të vjedhur në kisha a xhamija. Cinizmi –karakteristikë e neoliberalizmit- nuk vonon ti klasifikojë dhe mjeranët, në mizerabël të pranueshëm e të mëshirueshëm, ata që janë “për gjynah”, që s’kanë një dorë për të punuar, një këmbë për të vrapuar, një sy për të parë, dhe në ata që e meritojnë të ngordhin për bukë, duke iu ngjitur vargmale stigmatash etike dhe morale, që nga përtacër, parazitë të shoqërisë, imoralë, injorantë, kriminela e deri tek damkat estetike bestiale, të shëmtuar, kafshë, të egër, shpellarë, etj, etj.

Dalëngadalë, falë doxës neoliberale, ne kemi rrëshkitur në një shoqëri ku përballen tanimë të vetëshpallurit “njerëz” dhe të cituarit si “kafshë”. Ky është realiteti i dhimbshëm i shoqërisë shqiptare që efekti ideologjik i sistemit tonë ekonomik, legjitimon si të natyrshëm apo normal nën kornizën e përpjekjeve për të dalë nga tranzicioni.

Por përballë kësaj padrejtësie, dalëngadalë po shfaqen forma të një solidariteti të ri të bazuar në ndërtimin e një identiteti lokal sidomos në botën tonë rurale. Pikërisht këto forma solidariteti duhen studiuar, jo vetëm sepse ato në bazë të tyre kanë prodhuar etikë, por sepse ato kanë kodifikuar edhe një etos. Ndaj ato duhen mobilizuar për tu dhënë një drejtim pozitiv që ato ti shërbejnë jo vetëm komunitetit, por dhe më gjerë, të gjithë kombit tonë. Një rikthim, jo tek arkaizmat vrastare, por tek thelbi i atij besimi (religare) kolektiv, që i dha forcën këtij kombi të mbijetojë në shekuj në kthesat më të vështira të historisë, do të rikthente shpresën në sytë e përhumbur të çdo shqiptari. Ne duhet të rindërtojme një kishë shqiptare.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).