Autobiografia institucionale komuniste

Nga Arbër Shtëmbari

[…]

Në dosjen personale, autobiografia e kuadrit apo e komunistit zë një vend shumë të rëndësishëm. Autobiografia është një shpallje (enonciation) personale e ngjarjeve që kanë pasur një rol çelës në jetën e të pyeturit. Është një përmbledhje e jetës që prezantohet me shkrim, apo, në disa kushte të veçanta, edhe me gojë, në organet e partisë a të pushtetit, të cilat kërkojnë të verifikojnë dhe të kontrollojnë ndërgjegjet e të biografikuarve.

Autobiografia institucionale është një nga ato ushtrime që bëjnë pjesë në përdorimet e jashtëzakonshme të trupit për shkak të impozimit, ekspozimit dhe introspeksionit, që ajo i kërkon të biografikuarit. Është një akt i ndërgjegjshëm,  që vendos limite dhe për të cilat betohemi, se nuk do t’i transgresojmë («Për ideal !»). Agjenti i biografikuar, kuadër apo komunist, duke qenë «një besimtar» për regjimin, duhet të qëndrojë në brendësi të hapësirës së shenjtë.

«Familja ime dhe unë e kemi dashur dhe do ta duam si shpirtin Nënën tonë të dashur, Parti» shkruan kuadri L. N. në autobiografinë e tij.

Në një hapësirë të ndarë në dysh sipas një vizioni manikean, mes të mirës dhe të keqes, partisë – shtet dhe armiqve, «neve» dhe «atyre», autobiografia shndërrohet në një çertifikatë që sjell në vëmendjen e të gjithëve faktin, se gjithçka, prona deri edhe vet trupi i përkasin vetëm Partisë. Shkurt, çdokush i përket universit të partisë, sepse edhe çdonjëri në tërësi është produkt i «kishës» partiake. Kështu, trupi angazhon historinë e jetës së tij në tregun e të mirave simbolike, si një objekt i shkëmbyeshëm.

Autobiografia është një formë rrëfimi i përpunuar objektivisht e subjektivisht i vetvetes ; është një pasqyrë që zhvesh trupin, që zbulon së brendshmi gjithçka tënden për të tjerët, që synon «shikim» nën lëkurë, për të infiltruar së thelli në ndërgjegje, duke dashur të shqyej prej andej sekretet më të thella. Edhe para se të nisin të shkruajnë historinë e tyre jetësore, të autobiografikuarit e dinë që janë në shënjestrën e Partisë. Ata janë të ndërgjegjeshëm, se nuk janë si tërë të tjerët, se në çdo rast e për mjaft gjëra mbartin një stigmatë qysh përpara se të nisin ushtrimin e këtij rituali të vështirë dhe, për pasojë, njohin pritshmëritë e ekzaminuesve.

Dhe ç’pritet të mësohet nga autobiografia? Dhe ku bëhet kujdes nga të autobiografuarit?

Së pari, duhen treguar rrënjët familjare në raport me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare ; më pas kërkohet të shkruhet qëndrimi familjar ndaj reformave të pasluftës. Dhe, në vazhdim, kuptohet, duhet të jepet  origjina sociale e familjes, duke bërë kujdes që të futesh në hullinë e duhur politike: «me origjinë nga klasa punëtore», «me prejardhje nga një familje e varfër fshatare». Por autobiografia nuk mund të jetë e plotë vetëm me paraardhësit. Duhet të pasqyrosh në të edhe faktin, se cili je. «Punëtor i pararojës» apo «kooperativist i dalluar». Me fjalë të tjera, autobiografia duhet t’i korrespondojë leximit fizik të agjentëve përgjegjës për biografitë, domethënë skemave të përceptimit të tyre, që, përgjithsisht, ndalen te «shtyllat» kryesore të kompozimit autobiografik. Suksesi estetik i biografisë arrihet, kur tregimi vetjak korrespondon me referencialet e regjimit të prezantuar dhe të riprezantuar (mënyrë të menduari) në formën e klisheve prej strukturave të partisë - shtet: Minatori proletar, fshatari kooperativist, mësuesi dritëdhënës, ushtari vigjilent, pionieri i Enverit etj (cf. Bernard Pudal).

Të njohësh modalitetet e integrimit dhe të identifikimit, kjo do të thotë të dish që më parë pritshmëritë e strukturave përgjegjëse për analizën biografike ; do të thotë, më tej, të dish se si të evitosh disa fakte të jetës që mund të ndikojnë për keq në karrierë apo në promocionin social. Në po këtë kontekst, duhet të dish se si t’u japësh më shumë vlerë disa ngjarjeve të tjera në jetë: («Familja jonë ka strehuar partizanë ; pjesëtarë të familjes sonë kanë qënë pjesëmarrës në aksionet kombëtare e lokale për ndërtimin e socializmit etj.»). Një sendërtim i tillë i klishes politike bën të mundur ndërtimin e një strategjie konkrete për krijimin e një identiteti të ri. Ky ritual është një rindërtim narrativ i së shkuarës,  që nuk prodhohet me qëllimin e vetëm për t’i shpëtuar përndjekjeve që pësojnë «mëkatarët» e regjimit, por, gjithashtu, edhe për të përfituar benefica të ndryshme dhe për të realizuar suksesin social.

Ndërtimi i një identiteti sipas pritshmërisë së regjimit nuk është plotësisht një mashtrim për të gjithë (imposture), pasi shumë individë e ndërtojnë identitetin e tyre biografik sipas skemave gjeneruese të biografive që ata kanë trupzuar përgjatë socializimeve të tyre. Për shembull, në një autobiografi të parë të shkruar në vitin 1960, L.N. shkruan: «Babai im ka marrë pjesë në formacionet partizane dhe ka luftuar me trimëri deri në Vishegrad të Jugosllavisë». Ndërkohë, në 1974 ai e korrigjon këtë autobiografi: «E vërteta është, se babai im nuk ka qenë partizan dhe as nuk ka luftuar deri në Jugosllavi». Në dy përshkrimet ka dy të vërteta, që në fakt kundërshtojnë njëra – tjetrën. Gjithësesi, që të dyja, edhe pse të ndryshme, ofrojnë ndërgjegje. Përgënjeshtrimi i faktit të të qënit partizan jepet si një larje faji, që i autobiografuari i afishon organit vlerësues të partisë a të pushtetit.

Subjekti lidhet me identitetin e tij prej ndërgjegjes dhe njohjes që i autobiografuari ka për vetveten. Por identiteti, si i tillë, shndërrohet në objekt, ndaj të cilit ushtrohet veprim social për ta ndërtuar, kultivuar e kontrolluar dhe për t’iu nënshtruar orientimeve të Partisë. Ndaj, të biografikuarit shpikin një identitet, të cilin, në fund, ata arrijnë ta besojnë edhe vetë ! Subjektet e biografikuar thonë të vërtetën, në jo pak raste, edhe përmes gënjeshtrës ! Siç e vë re dhe Sartri kur i referohet jetës së Floberit: ekzistojnë dy Flobera ; ai që ka fabrikuar ngjarjet dhe eksperiencat e «jetës së tij të vërtetë», dhe ai që shkruan mbi jetën e tij, por sipas trillimit (fiction) që zgjedh.

Ndërkohë, në Shqipërinë komuniste «Floberi i vërtetë» është Njeriu, që jo vetëm shkruan mbi jetën e tij sipas trillimit (fiction) që krijon, por edhe ndërton, gjithashtu, një identitet brenda këtij trillimi.

[…]

© Arbër Shtëmbari (Nuk lejohet kopjimi, botimi apo çdo lloj riprodhimi pa lejen e autorit)

www.arbershtembari.wordpress.com

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).