Dhimbje për “kamikazët” rrugorë! (botuar tek Shqip)


Arbër Shtëmbari

Ndërsa udhëtoja me një furgon të linjës Durrës – Tiranë në një nga mbrëmjet e kësaj jave, nën dritën e projektorëve të tij që zbardhnin të ashtuquajturën “autostradë” përjetova një stres të vërtetë: makina luksoze që garonin me shpejtësi marramendëse me njëra-tjetrën, parakalime spektakolare, kamionë që frenonin në mes të rrugës, biseda shoferësh nga një makinë në tjetrën, një autokolonë dasmorësh të lodhur, njerëz, që edhe pse poshtë urëkalimeve, tentonin të kalonin rrugën me nxitim….

Teksa gjëndeshim në këtë aventurë, situata brenda në furgon i përngjante një dëshpërimi të përbashkët që pasagjerët përjetonin në heshtje, por që, herë – herë, thyhej nga zëri i mekur i një nënéje të re  që shtrëngonte një fëmijë të mitur në krah: “Shofer, aman, se jemi me fëmijë, më ngadalë, të lutem!” “O motra, qetësohu, ne po ecim qetë; ti e sheh vetë!”. Në fakt, qetë  po ecnim vërtet, por ama fare ngjitur me një betoniere që zhurmonte para nesh. Ndërkohë, në korsinë e kundërt dy makina policie dhe një autoambulancë, me sirenat e ndezura, nxitonin drejt Durrësit. “Me siguri, ndonjë aksident i rëndë!”, më pëshpërit  njëri nga bashkëudhëtarët që kisha pranë.

Si për të qetësuar veten, vazhdoja ta mbaja vështrimin jashtë dritares së furgonit. Ç’të shikoje! Qindra ndërtime gëlonin anës rrugës: shtëpi banimi, dyqane, shtëpi-dyqane, kioska, xhami, varreza makinash, pirgje plehrash, benzinata… Gjithandej rrëmujë; materie disakatëshe që ngriheshin si ngrehina fantazmagorike, ballkone që të krijonin përshtypjen se ishin vazhdim i bezdisshëm i njëri – tjetrit, mjedis si i mbuluar në zhul dhe si i zhytur  në terr.

Ndërsa njeh këtë realitet të dhimbshëm, ndjen se ka një të përbashkët të frikshme midis asaj që shikon në hapësirat përkrah rrugës dhe asaj që ndodh brenda në rrugë: lufta për hapësirë! Një konkurencë vrastare! Pjesë e ndërveprimit simbolik, tashmë jashtëzakonisht i zakonshëm, ndërmjet hapsirave fikse dhe atyre të lëvizshme.

Ideologjia e ngrehinave pa leje të duket se përbën një paralele me atë të makinave të shfrenuara. Në udhëtim e sipër të vjen mendimi, se gjithçka që shikon e përjeton janë forma specifike të ideologjisë së konsumit masiv, janë tregues autentik që nxjerrin në pah realitetin social të shoqërisë sonë: një shoqëri e ndërtuar si të ishte një shtesë pallati! Një shoqëri e sajuar pa rregulla loje, që vrapon e nxiton për të arritur pa e ditur se ku!

Hapësirat fikse (shtëpitë, lokalet tregtare, objektet e mëdha industriale etj) dhe hapsirat e lëvizshme (automjetet), si objekte teknike, kanë karakteristikat e tyre të shoqëruara nga sjellje të caktuara prej shoqërisë që i ka kodifikuar qoftë me ligj, apo qoftë me norma. Dhe ndërsa ke parasysh këtë, natyrshëm të vjen në mëndje pyetja: si mund ta shpjegojmë faktin që njerëz të qetë, sapo hipin në automjetin e tyre shndërrohen në qënie agresive dhe, potencialisht, të rrezikshëm për jetën e tyre dhe të tjetrit? Para pak ditësh dëgjonim një ekspert të qarkullimit rrugor që thoshte, se vitin e shkuar kishte pasur rreth 380 aksidente me pasojë  vdekje dhe mbi 600 të tjera me pasojë plagosje në të gjithë Shqipërinë! Bilanc lufte!

Në atë kohë që përshkova me furgon rrugën Durrës – Tiranë risolla në mëndje një dukuri, që, ndërkohë që në rrugët e Europës numrohen si raste, te ne janë shndërruar në normë!  Ndërsa furgoni ynë orvatej të kryente një parakalim të zakonshëm, makina përbri, befas, shtoi shpejtësinë si të donte të bënte një garë me makinën tonë! “Lëre të largohet përpara ai!” foli një nga pasagjerët e makinës sonë. Shoferi ynë e zhvendosi automjetin në korsinë e djathtë. Ndërkohë, një “Fuoristradë” e re fringo na parakaloi vetëtimthi dhe, brenda pak sekondash, u zhduk sikur ta kishte përpirë errësira në atë autostradë. «Ky, pa frikë, ishte me 200 km në orë!», na thotë shoferi. «Këta janë kamikazë!».

Edhe gjatë një udhëtimi të tillë të zakonshëm nuk mund të mos diktosh të veçantën e kohës që jetojmë. Në korsinë tonë, të djathtë, janë rreshtuar shumë autovetura. Të duket sikur makinat e vjetra dhe ato me motorr ekonomik udhëtojnë së bashku. Në të majtë, në korsinë e shpejtë, fluturojnë makinat luksoze. Një, dy, tre, nuk sheh më tepër. Të varfërit, domethënë masa, ndajnë të njëjtën hapësirë qarkullimi; atë më të ngadaltën! Çuditërisht, edhe asfalti i kësaj korsie është më i keq, ndërkohë që pasanikëve u është garantuar një më e mirë, më favorizuese! Natyrshëm kupton, se klasave popullore iu është rezervuar jo vetëm një hapsirë e caktuar, por edhe një raport specifik ndaj Kohës.

Thuajse e njëjta gjë duket edhe në hapësirën fizike. Ndanë kësaj rruge janë grumbulluar neobunkerët, ku jetojnë e punojnë të varfërit. Të pasurit, ata që e dominojnë këtë shoqëri, apo këtë shtet, shtëpitë e banimit nuk mund t’i ndërtojnë këtu. Këtyre u pëlqen melodia e dallgëve të detit, prandaj kanë ndërtuar vila buzë Adriatikut apo Jonit.  Të tjerë kanë preferuar të investojnë në zona malore për të shijuar bukuritë e relievit. Ka syresh që kanë nga një vilë në mal dhe tjetrën buzë detit. Pa u zgjatur më tej, shtëpitë dhe automjetet, si të mira jo vetëm materiale, por edhe simbolike, tregojnë dallimin social midis shtresave të ndryshme shoqërore, duke zbuluar, në një farë mënyre, edhe pozicionin social të gjithkujt në shoqërinë tonë. Perceptimin që individët e klasave të pasura  kanë për të tjerët e afishojnë edhe në mënyrën se si i shfrytëzojnë automjetet si medium për të dominuar hapsirat e përbashkëta. Nuk është pa domethënie edhe fakti, se, ashtu siç pushtohet në mënyrë të paligjshme hapsira publike, po ashtu zaptohet edhe intervali kohor që duhet të ekzistojë midis dy makinave gjatë udhëtimit.

Rruga, përveçse është shndërruar në një hapsirë ku çlirohen frustrimet, ku disa kompensojnë ndjenjën e inferioritetit, ku të tjerë konsumojnë erotizmin e dhuruar prej shpejtësisë dhe ku të tjerë akoma shprehin dukshëm narcisizmin për t’u ndjerë më të fortë se tjetri, zbulon njëkohësisht jo vetëm një mentalitet të caktuar individual, por edhe një sistem të përgjithshëm kulturor të shoqërisë.

Jetojmë në një kohë, kur, paralel me punën për krijimin e standartit teknik të  infrastruktures, të formohet një mendësi krejt e re, që nuk ka pse të  barazvlerësohet thjesht me një patentë. Leximi dhe zbatimi i sinjalistikës rrugore fillon e mbaron te dashuria dhe mbrojtja e jetës së tjetrit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).