"Adresuar të gjallëve, mbi vdekjen, që i qeveris dhe mbi mundësinë për ta zhbërë këtë vdekje"

KAPITULLI 2 « Gjeneza e çnjerëzimit »

GJENEZA E ÇNJERËZIMIT

nga Raul Vaneigem




Si dikur në fëmijëri dhe në agimet e historisë, jeta njerëzore sot thyhet që prej momentit që ata dalin prej shtratit

 

Fundi dhe fillimi

Si dallohet fundi i një epoke? E dallojmë kur e tashmja befas na bëhet e padurueshme dhe ajo fillon të kondensojë në një kohë të shkurtër atë që me vështirësi duronim në të shkuarën; e dallojmë atëherë kur gjithkush bindet plotësisht se i kanë mbetur vetëm dy zgjedhje për të bërë: ose të rilindë me lindjen e një bote të re, ose të vdesë në arkaizmin e nje shoqërie gjithnjë e më pak të përshtatur për njerëzit.  

Në dritëzat e para të agimit, gjithçka nis e kthjellohet. Kjo kthjelltësi na tregon se gjer në ç’pikë ekstreme historia e të gjithëve dhe fëmijëria e një të vetmi e shtynë drejt dorëzimit, dëshirën për të qënë njerëzor bashkë me detyrimet e përditshme përkatëse.

Mërgimi i përditshëm

Edhe kur duket se dita do të nisë e mbarë, koha krijon gjithmonë zhgënjime. Mërzia e punës ia heq shkëlqimin ditës. Zgjimi me rreshtore i rezervon orëve një ftohtësi ushtarake. Duhet të çohesh, duhet të braktisësh pasaktësinë e natës e t’i përgjigjesh thirrjes së detyrës si të dëgjoje bilbilin e startit të një pronari të padukshëm.

Plogështia mëngjezore stonon me dekorin. Sytë hapen me përtesë, vështrimi bie mbi simetrinë labirintike të mureve. Nga ta dimë në jemi a s’jemi në anën e duhur? Nga ta dimë në ndodhemi brenda apo jashtë rubanit të Mobjusit që zhdërvjell pa u ndalur rrugën, banesën, uzinën, shkollën dhe zyrën tonë?

Me të shtyrë jorganin e ëndërrimeve të natës plot përçartje dhe mendjelehtësi, detyra i fton të hidhen fluturimthi për të përmbushur vajtjeardhjet e një fati të mundimshëm.

Civilizimi i keqtrajton. Ja, i shohim atje teksa kalojnë provat më të vështira, gati për të pushtuar një botë që prej kohësh i ka pushtuar dhe që ata mësojnë vetëm sesi ta braktisin duke kthyer patkonjtë nga dielli.

Nëse trompeta e zgjimit që i vë në udhën e drejtë nuk do të binte, ku do të ishin morali, filozofia, feja, shteti, shoqëria e tyre policore dhe të gjitha ato hallka që i autorizojnë të vdesin gradualisht dhe në mënyrë të arsyeshme për diçka?

Duhet një dorë e fortë që t’i ndalë të shkojnë nga të duan. Qetësia e natës ka efektin e bezdisshëm për t’i bërë indiferent. Nëse këtë zakon - ashtu siç thonë disa - do ta konsideronim si një natyrë të dytë, ekzistoka atëherë edhe një natyre e parë që fatmirësisht është e shurdhët ndaj injeksioneve të natyrës. I vjedhur prej gjumit, për pasojë, trupi ngërdheshet, përpiqet, revoltohet, shtriqet dhe tërheq veç përtesë. Koka më kot insiston dhe ngulmon, trupi e detyron, të shkretin, të ngrihet kundra vullnetit të zemrës. Si mund të shprehet më mirë fakti se që të punosh me gjithë zemër, do të duhej të mos kishe fare një të tillë?

Nën diell dhe mbi nënkresë, vala e detyrimeve shkrin shkumën e ftesave epshndjellëse. Butësia e shtresave, përqafimi i një krahu të zhveshur, prania e njeriut të dashur, dëshira për tu endur rrugëve dhe fushave, të gjitha këto murmurijnë me një thjeshtësi tronditëse : «Rrëmbeje ti kohën, ose përndryshe koha do të rrëmbejë….Zgjidh e merr: o kënaqësitë, o vdekjen »

Por sytë e arsyes, të veshur prej përllogaritjeve të shpejta, prej kohësh janë mbyllur prej një mali detyrimesh. Sa fillon të reflektosh, grila e kontabilitetit të orareve ulet, duke penguar të hyjë drita e dëshirave. Ç’kimerë e përkryer!

Është e vërtetë që dita, e organizuar me shumë kujdes, na hedh para syve një realitet të zgjedhur, por të zgjedhur nga një vullnet i keq, i zgjedhur në kurriz të një tjetër realiteti, atij të trupit që kërkon pa reshtur lirinë për të dëshiruar pa fund.

Të krijohet përshtypja sikur ekziston vetëm një univers, kurse një i dytë zhduket në mjegullën e një ëndërrimi fëminor. I mbërthyer në drithmat e aferave financiare dhe ankthit të përfitimit, “porcelani” i ëndërrave thërmohet. Dhe e gjitha kjo zgjat një çast të vetëm.

Është mbrëmja ajo që i rimbledh copëzat e njeriut pas punës. Nata ngjit sërish dëshirat, që fshesa e gjesteve të mekanizuara i ka flakur në plehra. Pak a shumë, ajo vendos rregull mes dëshirave, disa i kthen në anën e mbarë, por pjesën më të madhe jo. Përsa i përket atyre që lidhen me dashurinë, kjo gjë do të varet nëse do të ketë mbetur ende pak dëshirë.

Në të gdhirë, skenari ripërsëritet, por i pasuruar nga lodhjet e një ditë më parë. E kjo zgjat deri atëherë kur, qoftë ditë apo natë, është shtrati ai që paloset mbi një trup përfundimisht të mundur, duke mbështjellë brenda pëlhurës së mortit një jetë që guxoi sa e sa herë të zgjohej.

Kjo është ç’ka ata quajnë « realiteti i vështirë i jetës» apo, pa kursyer një cinizëm të pashoq, e thërrasin « kusht njerëzor »

Njerëzia e shtyn javën duke pritur që puna t’u zbukurohet.



@përktheu Arbër Shtëmbari


Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).